Mero Baze, 10.10.2010
Hyrje redaksionale
A e ka përdorur pushtetin për të mbajtur pushtetin e vet Sali Berisha? Në 1997, pasi iu rrënua shteti piramidal që kishte ngritur për pesë vjet, Berisha dhe njerëzit afër tij anatemuam Greqinë apo SHBA-të, si autorë të puçit kundër tyre. Në vitin 2010, Berisha kryeministër është vassal i gjithkujt e ndihmon atë të qëndrojë i qetë në pushtetin e tij të pakufishëm në Shqipëri. Do ta kishte bërë edhe më parë, siç thotë gazetari Mero Baze në librin “Viti 1997, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”, nxjerrë në treg nga shtëpia botuese “Toena”.
Baze rrëfen dilemat politike të Sali Berishës në 1996 pas damkosjes së zgjedhjeve parlamentare të 26 majit, për qëndrimin e grekëve ndaj Tiranës zyrtare dhe gatishmërinë e Jugosllavisë së mbetur të Millosheviçit për të qenë në krah të tij, sapo t’i jepte një shenjë. Dhe me një kapërcim në kohë, Baze konstaton se Berisha gjithçka e ka bërë për të qenë në shërbim të mafies së huaj dhe aspak për nacionalizëm, siç po bën duke u vënë në shërbim të sekserëve të tipit Fazlliç.
Mëdyshjet e Berishës mes Greqisë e Serbisë
Nga Mero Baze
Ndërsa po udhëtoja nga Vlora për në Tiranë, pas intervistës me ish-Presidentin Xhorxh Bush, në Fier takova dy drejtuesit e gazetës RD, që po ktheheshin nga Greqia. Lazër Stani më tregoi se kishte qenë në një hotel me tre liderët e opozitës në Athinë. Ishte takuar me Janis Repasin, zëdhënësin e qeverisë greke. Më bëri përshtypje fakti që Repasi kishte theksuar se “Greqia dëshiron që kjo gjendje stabiliteti dhe qetësie të vazhdojë, pasi është në dobi të rajonit të Ballkanit”. Argument kryesor në favor të qeverisjes së administratës së Partisë Demokratike ishin, në të vërtetë, rendi dhe qetësia. Vlora ishte në atë kohë qyteti ku mund të pushonte një president amerikan. Disa muaj më vonë, u pa se zëdhënësi i qeverisë greke kishte goditur në shenjë, kur kishte “uruar” me cinizëm që kjo qetësi dhe ky stabilitet të vazhdonte në Shqipëri. Në Vlorë, një vit më pas, nuk jetonin dot më as banorët e saj.
Por përshtypja që kishte lënë zëdhënësi grek te njerëzit e shtypit të PD-së ishte e mirë dhe ata mendonin se, me pak punë, Berisha mund t’i përmirësonte raportet me Greqinë. Gjatë fushatës elektorale të 26 majit, ai bëri kujdes që këto marrëdhënie t’i vlerësonte si pozitive. Alfred Serreqi, si ministër i Jashtëm, kishte vizituar Greqinë në mes të fushatës dhe kishte marë premtime për legalizimin e emigrantëve shqiptarë. Në prill ishte nënshkruar Traktati i Miqësisë mes dy vendeve dhe qenia e Teodor Pangallosit si ministër i Jashtëm e kishte zbutur ndjeshëm situatën. Berisha përpiqej të bënte ndarje të fortë mes lobit grek në SHBA dhe qeverisë greke, që sipas tij ishte aleatë me Berishën. Askush nuk e kuptonte dot sa ujë kishte rrjedhur poshtë karriges së pushtetit të Berishës, derisa turbullira u shfaq hapur. Një natë më pas, kur Berishës po i komentoja përshtypjet e drejtuesve të RD-se nga takimi me Repasin, ai u bë i heshtur.
– Nuk e di, s’i kuptoj këta greket, – tha. – Këta duhet të jenë idiotë. Këta nuk e kuptojnë që është hera e parë që ky vend u ofron miqësi atyre. Unë u kam ofruar miqësi. Ndryshe, ky vend e ka pasur gjithmonë hapur derën në Beograd. Nuk e kuptojnë këta që ne, po të duam, një telefonatë larg e kemi Beogradin…
Ishte një shfrim i rrjedhshëm, pa asnjë pengesë logjike në tentativën për të përzier analizën historike me nevojën për të ruajtur pushtetin. Mua më ra si bombë ideja qe ne e paskëshim shumë të lehtë miqësinë me Serbinë. I lindur dhe rritur në Jug, me një distancë edhe kulturore për ish-Jugosllavinë, por shumë i lidhur emocionalisht me Kosovën, papritur, m’u duk vetja i pagdhendur për këto punë. Berisha ndoshta e kapi hutimin tim dhe vazhdoi:
– Po, kështu është, domethënë, s’e kuptoj këtë injorancën e tyre. Po këmbëngulin pafund për luftë mes nesh. Mos shiko ti se kush është tani në Beograd, por i sigurt të jesh ti që ata e dinë që ne atje e kemi pas gjithmonë një ofertë gati. Ne… domethënë Shqipëria… nuk e kam fjalën konkretisht ne si qeveri…
Ishte një përpjekje e shpejtë, por e qetë, për të ma larguar idenë se edhe ai vetë e kishte një ofertë gati në Beograd. Një shpjegim i rrëmujshëm, mes shfajësimit për keqkuptimin e mundshëm dhe një të vërtetë historike që në Veri të Shqiperise nuk ishte aq e panjohur dhe e largët sa në Jug. Aleancat e Zogut dhe qeveritë provizore rebele të mirditorëve që nuk pajtoheshin me krerët e shtetit të ri shqiptar, e kishin zbuar këtë paragjykim që, per mua, ishte një tabu. Berisha ndërroi bisedë, por hutimi im, i ngecur me sa dukej në shpërqëndrimin e mëtejshëm të bisedës, na riktheu sërish tek ish-Jugosllavia dhe Greqia, si dy fqinje me shanse të ndryshme për miqësi me Shqipërinë.
Shihej qartë që, nëse në Beograd nuk do të kishte qenë Milosheviçi dhe nuk do të ndodhte ajo që kishte ndodhur, pra nëse ne do t’i fillonim proceset demokratike kur në Beograd të kishte pasur një qeveri më liberale, orientimi ynë do to kishte qenë Beogradi. Kur e mendoja ftohtë herë pas here këtë, s’më dukej dhe aq shokuese sa ç’mu duk në atë cast që e dëgjova nga Sali Berisha. I pamësuar të jetoja me idenë se kemi fqinjë Serbinë apo Malin e Zi, madje i ndodhur dhe shumë larg kulturës së tyre politike, më dukej si sforcim. Por sërish, kur e ripërtypja, kur mendoja për raportet e politikanëve kosovarë me Beogradin, raportet e politikës shqiptarë deri në vitin 1948 dhe kur, një çast, mendoja se Sali Berisha ishte ndoshta politikani që e njihte më mirë Serbinë dhe Kosovën, e justifikoja për atë që tha.
Pastaj turbullohesha sërish kur më shfaqej fantazma e martesës së tij me një grua me origjinë serbe, si dhe disa shkrime te egra, botuar në shtypin e Kosovës për lidhje të familjes së saj serbe me krerë të UDB-së. Dilemat për këtë lidhje gjenealogjike, që zgjonte ndjesi të panjohura tek unë, me shtynë një dite që të pyesja vetë Liri Berishën për origjinën e nënës së saj serbe, një grua që ka jetuar me dinjitet, për aq sa të lejonte diktatura, si “grua jugosllave” në Tiranë. Ishte e pabesueshme, por në fund të shpjegimit të saj, unë isha më i paqartë se në fillim. Nuk më tha asnjë fjali të qartë, përveç faktit që nëna e saj ishte një jetime nga Vojvodina, që nuk kishte fis dhe që u martua me babanë e saj, Rexhepin, i cili ishte me origjinë nga Vuthaj, një fshat shqiptar, tashmë nën territorin e Malit të Zi.
Martesa ishte bërë në vitet kur Shqipëria me JugosIlavine ishin në “muajin e mjaltit”. Akuzat që i bëheshin Liri Berishës lidheshin me faktin se motra e nënës së saj (d.m.th. tezja e saj) në Beograd kishte qenë pjesë e OZNA-s, ndërsa djali i tezes së saj u bë më pas një njeri i afërt i Milosheviçit. Gjithçka ishte mes spekulimit dhe së vërtetës. Përkundër kësaj, nëna e Liri Berishës, si shumë gra të huaja të martuara me burra shqiptarë gjatë komunizmit, ishte një grua që vuajti pasojat e kësaj martese. Asaj iu desh të dëshmonte në gjyqet e organizuara ndaj shoqeve të saj, duke bërë ç’të mundte që të mos e lëndonte të ardhmen e tyre.
Vetë i shpëtoi burgosjes, ndonëse shumë nga shoqet e afërta të saj përfunduan në burg. Ishte një grua e fortë, që duhet të ketë vdekur krenare për jetën e saj, një jetë që e kishte mbajtur nën tension gjithë familjen dhe fëmijët e saj. Kur vdiq, në janar të vitit 2005, unë isha me Sali Berishen dhe gruan e tij në Uashington. Kishim qenë dy javë më parë, bashkë me Berishën, për të lidhur marrëveshjen me kompaninë amerikane BG&R dhe aty Berisha siguroi edhe një ftesë për në Mëngjesin e Lutjeve, e para pas një izolimi dhjetëvjeçar nga SHBA-të. Ishte edhe Fatmir Mediu. Ditën e dytë të vizitës, kur me mundime të mëdha ishin rregulluar disa takime të rëndësishme në Senat, në Kongres dhe me ndihmëssekretaren e Shtetit për çështje Globale, në hollin e hotelit, pashë që Berisha ishte bërë gati për rrugë.
– Çfarë ka ndodhur?
– Do të kthehem, – tha. – Lilit i ka vdekur nëna.
U hutova aq shumë, sa nuk e ngushëllova fare. Mezi prisja takimet e tij dhe fare papritur gjithçka bëhej zero. Fatmir Mediu më bënte grimasa pas shpinës së tij, me idenë se ishte budallallëk kthimi në Tiranë për vjehrrën. Për të qenë i sinqertë, edhe mua ashtu më dukej. Guxova dhe ia thashë.
– A mund të kthehet Lili vetëm me dikë nga ne?
– Jo, zotëri, ka mbaruar ajo punë, do të jem bashkë me të.
– I thashe të niset me Xhulin, time shoqe, – tha Fatmiri, – por nuk pranon. Vetë Lili nuk ka ndonjë kundërshtim, – shtoi.
Berisha u bë nervoz nga biseda jonë.
-Mos u përzieni në punët e mia! – tha. – E di vetë se çfarë bëj. Heshtëm.
Instinkti për të mos u dorëzuar më bëri të çohesha, të shkoja pak më tutje dhe t’i telefonoja Agimit, vëllait të Lirisë në Tiranë. E ngushëllova për të ëmën dhe pastaj i shpjegova se Saliu do to kthehej bashkë me Lilin.
– I thashe të mos kthehet, – tha ai, – por e ka fiksim. S’kam ç’i bëj. S’ka çfarë bën, këtu jemi të gjithë.
Berisha e kuptoi që po flisnim prapë për të dhe nuk e mbajti nervozizmin.
– A ka mundësi të mos merresh me punët e mia? – tha i nxehur.
– Po flisja me Gimin, – i shpjegova. – E ngushëllova për nënën. — Dhe, si për të zbutur nervozizmin e tij, e pyeta për Lilin.
-Është në dhomë, – tha, – po bën gati valixhen. Tani duhet të bëjmë gati një plan, – vijoi ndërkaq. – Deri në orën tre, kur duhet të nisemi për në aeroport, dua të bëj një takim me spikerin e Kongresit dhe të jap një interviste te VOA. Lidhu pak me ata të VOA-s, që të vijnë në Kongres për intervistën.
Pastaj u kujtua se duhej të anulonte takimet dhe më tha t’ia lija këtë porosi një mikut tonë të përbashkët, që kishte rregulluar shumë prej takimeve. Ashtu u bë. Për rreth dy orë para nisjes, m’u desh të prisja rrotull Kongresit, derisa ai mbaroi takimet dhe pastaj të nisej drejt aeroportit, për t’u kthyer. Liria rrinte e heshtur në makinë dhe herë pas here qante me dënesë. Shihej qartë lidhja e saj e fortë me nënën, një lidhje që dukej se e kishte bërë më të fortë fati i keq i saj, që jetoi gjithë jetën larg njerëzve të dashur dhe që i ishte dashur të përballej me shantazhin e shtetit për poshtërim, për ta përdorur kundër grave të tjera që kishin të njëjtin fat me të, të martuara në Shqipëri.
Duke njohur këtë lidhje të fortë, Berisha anuloi takimet më të rëndësishme të dhjetë viteve të fundit të tij në politikë dhe u kthye bashkë me të shoqen në Tiranë. Lidhja e tij e fortë me gruan e vet ishte dimensioni më i padukshëm në publik. Hija e fortë e pushtetit të saj mbi të nuk hetohej, po të mos e njihje nga afër. Për shumë shqiptarë, edhe në ditët më të zeza të Berishes, ajo ishte një ëngjëll. Vetëm në ditët e para të trazirave në Vlorë u hodhën parulla kundër saj. Ishte ndoshta një instinkt i njerëzve të revoltuar ndaj dy grave që dukej se përfaqësonin pushtetin e tij: Vjollca Vokshit dhe Lirisë.
Askush tjetër në Shqiperi nuk i ka hetuar dot shenjat e pafuqisë së tij të madhe para një gruaje. Vetëm një shoqëri mashkullore, siç besohet që është Vlora, e ka gjithmonë të ngritur çarkun e dyshimit në këtë pikë. Në të vërtetë, ajo ka pasur dhe ka pushtetin real mbi njeriun që nxiton të gllabërojë çdo pushtet. Dhe nuk di ta shpjegoj nëse mania e tij për superpushtet është një lloj kompensimi nga oksigjeni i rralluar i pushtetit prej pranisë së saj. Është një raport që meriton një vështrim të thellë, që të depërtojë përtej çasteve personale, komplekseve të tij ndaj jetës së qytetit, kuriozitetit për origjinën e saj dhe, mbi të gjitha, sigurinë që i ka dhënë ajo si një grua që e mbronte nga çdo ekspozim i pafuqisë së tij para syve të të tjerëve.
Vonë, shumë vite më vonë, kur raportet e Berishës me Greqinë filluan të shkëlqenin dhe ai bëri lëshime për fqinjin tonë jugor më shumë se ç’do të kishte bërë Nikolas Gejxhi, po ta bënim kryeministër të vendit, e kuptova qartë se mëdyshjet e mia për raportet e tij me serbët ishin një flluskë sapuni. Nuk kishte në to asgjë nostalgjike apo historike. Ato ishin thjesht një mundësi pushteti. I lodhur nga lufta me Greqinë dhe shkuarja drejt greminës prej kësaj lufte, ai sillte në mendje aleanca të tilla dhe atë shprehjen që më tronditi gjatë: “Këta grekët qenkan idiotë, nuk e dinë këta që ne Beogradin e kemi gati…”. Ishte një shfrim në çastet e tij të vështira, kur ai nxitonte të sillte në mendje gjithçka që ne të tjerëve na dukej e pamundur: serbët, islamikët dhe, pse jo, uniformat ushtarake.
Dhe në këtë përpëlitjeje për aleanca, duket se lufta e Bosnjes dhe angazhimi i tij krah Izetbegoviçit, të cilit i dhuroi avionë pa fund me armë që niseshin nga aeroporti i Gjadrit në Lezhë, luajtën një rol të rëndësishëm. Njerëzit kyç me të cilët ai i ndërtoi këto raporte janë ende sot protagonistë të mafies ballkanike të armëve dhe krahut financiar të Al Qaeda-s në Ballkan, një përzierje nga më të rrezikshmet, që përfshin në mënyrë të çuditshme brenda saj boshnjakë myslimane, serbo-boshnjakë, sudanezë, libanezë, zviceranë. Dhe e vetmja lidhje në pushtet e tyre është ende kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili nuk ka neglizhuar askënd prej tyre. Historitë e vrullshme të tregtive të armëve pas vitit 2005 ringjallën pikërisht këto lidhje dhe këta emra, e lulëzuan industrinë e trafikut të armëve, fishekëve dhe raketave nga Shqiperia me Serbinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, drejt botës arabe, kryesisht drejt hezbollahëve dhe Iranit.
Në qarkullim janë të njëjtit njerëz nga mafia ish-jugosllave, të njëjtat lidhje, që zënë fill nga krahu islamik i kabinetit të presidentit të ndjerë boshnjak Izetbegoviç, si dhe të njëjtit njerëz që u angazhuan nga kjo botë në procesin e rikthimit të tij në pushtet. Ishin ky treg që i nxiti familjaret e Berishës të përfshiheshin në projektin ogurzi të demontimit të armëve në Gërdec, që nuk do të kishte dalë kurrë në dritë si një histori e pistë biznesi, sikur “aksidenti teknologjik” të mos na verbonte sytë të gjithëve me trupat e pajetë të 26 vetëve, mes të cilëve gra, fëmijë dhe qindra shtëpi të shkatërruara.
Të gjitha hamendjet se Berisha ishte një nacionalist që e çoi vendin drejt shkatërrimit në vitin 1997, rezultuan false. Rikthimi i tij në pushtet provoi se ai është politikani që ka vendosur raporte tërësisht vëllazërore me qarqet më nacionaliste greke dhe që ka instaluar në Shqipëri bizneset më të fuqishme të ish-mafies jugosllave, që kanë qenë pararojat e nacionalizmave sllave në Ballkan. Në këtë pikë Berishën mund ta quajmë më shumë një aleat të madh të nacionalistëve fqinjë, se sa një nacionalist shqiptar. Interesi i tij i vetëm është pushteti në Tiranë dhe për këtë ai është i gatshëm të tërheqë në vallen e interesave të veta gjithkënd që i rrezikon qoftë edhe pak fare pushtetin e vet.
____
Nga Fazllici te Gejxhi
Në shërbim të mafies dhe nacionalistëve ballkanas
Nga Arben Rrozhani
Libri i gazetarit Mero Baze, ka shkuar edhe në duart e Sali Berishës, me anë të postës. Kryeministri i është përgjigjur mikut të dikurshëm se përshtypjet do t’ia japë pasi ta lexojë librin. Nuk dihet se çfarë shije do t’i ketë lënë kryeministrit botimi i këtyre kujtimeve, sidomos për mëdyshjet e tij mes Serbisë dhe Greqisë, por realiteti i sotëm ka vërtetuar katërcipërisht, ato që hamendëson autori i librit. Sali Berisha është në pushtet për tu shërbyer jo shqiptarëve, por qarqeve mafioze serbe apo boshnjake dhe atyre greke.
Në vitet e pushtetit të tij si president 1992-1997, Sali Berisha i vuri regjimit të Slobodan Millosheviçit në dispozicion karburantet e ndaluara nga embargoja e OKB-së, për shkak të agresionit serb në Bosnje-Hercegovinë. Me fqinjin jugor Greqinë, marrëdhëniet nuk qenë asnjëherë të mira, sepse qeveria e Tiranës iu ishte përgjigjur me retorikë të ashpër dhe arrestime, sulmeve me armë të qarqeve virioepirote që donin të destabilizonin jugun e Shqipërisë.
Kur erdhi në pushtet në 2005 si kryeministër, fushatën ai kishte mbështetur edhe një sekser serbo-boshnjak, i quajtur Damir Fazllic, që është mbrojtur publikisht si miku i kryeministrit. Sot, pas pesë viteve, Fazllic e ka Tiranën si shtëpinë e tij, ndërsa ka shumë prona të patundshme në Shqipëri, dhe vetëm për njërën ai e pranon se shkon në rreth 50 milionë euro. Pas tij janë shumë serbë të tjerë. Nëse do të ishin qytetarë të nderuar që i kanë bërë bizneset me djersën e ballit ata do të mirëpriteshin krahëhapur nga shqiptarët. Në fakt, është biznesi që u rrit dhe bëri miliardat me pushtetin vrasës të kohës kur qeveriste Milloshevici, siç është fakti i Lazareviçit, apo Mishkoviçit, emra të njohur që sot komandojnë bizneset në Serbi dhe padyshim edhe në Shqipëri.
Dy vite më parë, Berisha e mbrojti stoikisht mikun e tij serbo-boshnjak, pasi ishte ndaluar në 4 tetor në Sarajevë për llogari të drejtësisë boshnjake. Në Tiranë qeveria i bëri presion të hapur Prokurorisë së Përgjithshme, e cila tentoi thjesht t’i merrte një dëshmi për bizneset në Shqipëri, për të cilat, sipas tatim-taksave, nuk kishte derdhur asnjë lek. Serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, ka patur akuza nga drejtësia serbe, për falsifikim identiteti, gjatë aktivitetit të tij si “konsulent financiar”, si pronar i shoqërisë fantazmë “European Finance”. Në Bosnje Fazlliç prezantohet si përfaqësues i koorporatës “Capital Investment Management” dhe emri i tij është i lidhur me afaristin kroat Hrvoje Petrac, i cili nga ana e tij ka patur “biznese” me gjeneralin e luftës Ante Gotovina.
Bosnja ka qenë një bazë e hershme e operacioneve trafikimit të armëve nga Shqipëria. Disa muaj para shpërthimit të Gërdecit, raportohej se ngarkesat me bazë Shqipërinë në pjesën dërrmuese të tyre porositeshin nga Bosnjë-Hercegovina, ndërsa destinacionet kanë qenë kryesisht për në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë. Damir Fazlliç lidhej me një çështje të trafikut të “katjushkave”, apo për furnizimin me armë ruse Sirisë.
Damir Fazlliç u bë shumë aktiv nga mesi i vitit 2005 në Shqipëri, ndërsa u njoh me kreun e PD, Berisha, në Uashington, ndërsa ky i fundit shkoi të lidhte marrëveshjen me kompaninë e lobingut BG&R. Roli i Fazlliç në PD dhe në marrëdhënie me Berishën mori një tjetër dimension, kur Fazlliç pas fitores së PD filloi të negociojë në emër të pushtetit të ri disa kontrata, ku përfshihen infrastruktura, energjia dhe Telekomi. Pak ditë më parë në Tiranë ishte në krah të gjeneralit Uesli Klark, për të ndërmjetësuar për disa projekte në energjetikë, si dhe duke organizuar një ankand bamirësie për shitje pikturash, ndërsa paratë e mbledhura shkojnë zyrtarisht për fëmijët në nevojë.
Tetë vite pas ikjes nga pushteti, Berisha kishte vënë mend nga konflikti i gjatë me Greqinë dhe gjatë mandatit të parë dhe të dytë si kryeministër, ua hapi dyert grekëve, madje edhe atyre figurave nacionaliste, që ishin shpallur “non grata” dikur, për shkak të politikave të tyre armiqësore ndaj Shqipërisë.
Sali Berisha bëri të pamundurën për t’i dhuruar Greqisë mbi 355 km katrorë det, me një marrëveshje të dyshimtë për ndarjen e ujërave dhe të shelfit kontinental në detin Jon, por që për fat të mirë u denoncuar në kohë dhe u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Gjithçka ka kërkuar qeveria e Athinës është e miratuar nga ana e qeverisë shqiptare. Qarqet nacionaliste greke janë të lirshëm dhe bëjnë propagandë si në shtëpinë e tyre në jug të vendit. Precedentë si ai i Himarës janë treguesi i vasalitetit që qeveria e Tiranës ka ndaj asaj të Athinës, nacionalistëve të thekur si Nikolas Gejxh, i cili vjen kur të dojë për të propaganduar jugun e Shqipërisë si pjesë të Greqisë.
——-
Baze: Slogani ‘Me ne fitojnë të gjithë’, thasët me para në koncerte, 26 maji në PD
Unë pagëzuesi i sloganit “Me ne fitojnë të gjithë”
‘…Kam dy rrugëzgjidhje, – i thashë Berishës. Me sloganin do të merrem vetë, ndërsa për dizajnin e fushatës duhet të gjejmë një profesionist. Dhe unë e kam gjetur një të tillë.
– Kush është?- pyeti ai.
– Eshtë një dizajner nga Kosova, – i thashë. – Nekra e ka pseudonimin dhe është nga karikaturistët më të mirë të Kosovës. Ka fituar rreth 30 çmime të para dhe ka shije të mira për dizajn dhe pllakate. Ka parë dhe më shumë fushata se ne, sepse Jugosllavia ka qenë vend më i hapur.
– Si e ka emrin, si e ka?- këmbënguli Berisha.
– Nexhat Krasniqi, – i thashë, – por njihet si Nekra.
– Mirë, sille menjëherë, se s’kemi shumë kohë, – tha Berisha. Dhe vijoi: – Ndërsa slogani më duhet shpejt. Kam ca këtu, që m’i kanë propozuar këta, por s’ma mbushin mendjen.
Kam menduar diçka, – i thashë. – Diçka që të jetë më përfshirës dhe të mos e ndajë shoqërinë në “ne” dhe “ata”.
Fushata spastruese në emër të antikomunizmit dhe retorika e shtuar politike e kishin ndarë thellë shoqërinë. E vetmja gjë që e bashkonte në horizonte, ishte ekonomia. Nëse ajo rritej, nëse njerëzit fitonin, ajo duhej të bëhej kalë beteje. Koha kur unë e mendoja këtë gjë, ishte në të vërtetë një periudhë e diskutueshme sa i përkiste rritjes ekonomike. Vendi sa kishte nisur të ngrihej nga privatizimet e vogla, ndërsa në horizont ishin shfaqur gjigantët e fajdeve, si: Vefa, Gjallica, Silva, Kamberi e Cenaj, që nuk ishin skema të mirëfillta piramidale, por ishin kompani që po i rrisnin investimet duke u kredituar nga qytetarët dhe që, nëse nuk i bënin eficiente investimet, përfundonin keq.
Berishën e bezdisi përpjekja ime për të shpjeguar motivin që më kishte nxitur të mendoja për sloganin.
-Mos ma shpjego, më thuaj propozimin, – tha ai.
-“Me ne fitojnë të gjithë!”- thashë unë. U mendua një çast.
– I shkëlqyem! – tha. – E ke gjet. Lere, se na shpëtove. Hidhi poshtë këta! – shtoi dhe i shtyu letrat që më kishte vënë përpara. – Ma gjej shpejt këtë kosovarin dhe filloni punë.
U ndamë. Deri në orën 01.00 pas mesnate, më mori disa herë në telefon dhe më komentonte kuptimet e ndryshme të sloganit. E kishte kapur “hilen” që fshihte fjala “fitojnë”, që binte dhe erë ekonomi dhe politikë.
Më vonë, slogani u mallkua shumë. U mallkua sidomos për anatemimin që opozita i bëri si slogan që ka nxitur fajdetë. Madje, njëherë ma përmendi dhe Tritan Shehu me gjysmë shakaje:
– Na more më qafë me atë slogan!
– Unë nuk ju thashë “fitojini të gjitha”, por “fitojnë të gjithë”, – ia preva.
Por Tritani e ka zakon që s’të dëgjon, kur i kthen përgjigje. Qesh dhe ikën.
Nekra erdhi pas dy ditesh. Si një artist eremit, me mjekër të lëshuar si murg i një manastiri, pa pasaportë, maleve të Kukësit, ai kishte depërtuar në Shqipëri. I tregova për punën që duhej të bënim. Kërkoi një takim me Berishën dhe të nesërmen ishte gati. Mori një fotoreporter dhe kërkoi disa studentë figurantë nga Akademia e Arteve. Pas një javë, ai kishte dizajnuar ndoshta posterat më të bukur dhe më të hareshëm që ka pasur ndonjë fushatë elektorale në Shqipëri.
Këtu nisi dhe një problem. Në Tiranë nuk kishte asnjë shtypshkronjë ofset 70 x 100, që t’i printonte posterat. Sipas Nekrës, më e mira gjendej në Slloveni dhe ai madje kishte siguruar edhe një çmim shumë të mirë. Por nuk kishte pasaportë. Ia gjetëm shpejt e shpejt edhe atë, nje pasaportë shërbimi me afat të kufizuar. Por duheshin edhe lekët. Dhe ishin shumë. Rreth 50 mijë marka. Fola me Berishën dhe ky më çoi te Tritani. Ky i fundit prapë te Berisha. Ishte një siklet i pamenduar. Në një parti ku paratë hynin e dilnin pa inventar, nuk gjendeshin kurrë pare për punë serioze. Shumica e thasëve me para kishin filluar të shoqëronin karvanin e koncerteve “Vizion 2000”, që u printe Ardit Gjebrea me një shami të lidhur në ballë, ku shkruhej: “BERISHA Hero”.
* * *
Nata e ethshme pas mbylljes së qendrave të votimit dhe përgatitja e skenarit për fitoren mbi “të kuqtë”. Çfarë ndodhte në selinë e PD-së ditën e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Konsultat e presidentit Berisha me kryeministrin dhe kryetarin e PD-së. Përpjekja e dëshpëruar për të marrë sa më shumë vota për seicilin kandidat dhe raporti i ODIHR-it që nxinte zgjedhjet e organizuara nga Sali Berisha
Berisha më ftoi të hipja në makinën e tij për të shkuar nga Pallati Brigadave deri te selia e Partisë Demokratike, ngaqë nuk kisha makinën time me vete. Rrugës deri te selia, thuajse nuk foli. Kishte një ankth që herë merrte formën e gëzimit, here të makthit. Tirana kishte filluar të gjallërohej nga boritë e makinave, që dukej se vinin nga Rruga e Kavajës, ndërsa rruga para Partise Demokratike ishte e tejmbushur me njerëz. Makinat e Berishës mezi canë rrugën deri afër derës kryesore, aty ku sot është një qendër biznesi. Njerëzit u turrën te dyert e makinës ku ishte vetë Berisha dhe ai thuajse filloi një beteje fizike me truprojat e tij për të çarë rrugën.
Unë nuk dola menjëherë. Më duhej të prisja. Nuk ishte etike të zbrisja nga makina bashkë me të. Kur ai i ishte afruar derës kryesore, hapa derën tjetër të makinës, atë që shikonte nga lulishtja e Kuvendit, pastaj zbrita. Thuajse askush nuk më vuri re. Nxitova të arrija te dera e selisë së partisë. Ai ndërkohë kishte hyrë dhe te dera kishin hapur këmbët dy njerëz shtatlartë, që nuk lejonin askënd të hynte brenda.
Më ndalën edhe mua.
Fillova t’u shpjegohem se jam gazetar, u tregova kartën e shtypit, por asgjë.
Ata nuk të lejonin.
– Nuk të njohim, – thanë. – Nuk lejohet!
As unë nuk i njihja. Nuk ishin roje as të Berishës, as të Meksit, as të Arbnorit, as të Tritan Shehut. Ishin “dikushët” që ishin shpikur atë natë.
Për fat, Arjani, një nga rojat e Berishës, e kuptoi skenën, u kthye mbrapsht, zgjati dorën poshtë tyre dhe më tërhoqi pa u folur. Ata panë pak të xhindosur dhe u kthyen serish nga turma para derës.
Në katin e dytë të selisë së Partisë Demokratike kishte më pak njerëz, natyrisht më të përzgjedhurit. Të gjithë kishin kaluar provën e dy gorillave të derës së jashtme. Unë njihja pak prej tyre. Në korridorin që të çonte te zyra e kryetarit, gjeta Shemsi Peposhin, gazetar i Tribunës Demokratike. Pak më tutje dhe një fotoreporter, Armando Babani. Armandoja hyri i pari dhe bëri disa fotografi, ndërsa Berisha, Meksi dhe Tritani po bisedonin për shifrat e para.
Të tre dukeshin të gëzuar dhe misteriozë njëkohësisht. E kam parë disa herë atë foto më pas. Meksi dhe Shehu janë duke folur njëkohësisht dhe Berisha përpiqet t’i dëgjojë, por më shumë duket se mendon çfarë t’u thotë. Eshtë një konsultë paraprake, në sytë e të gjithëve, për atë që po ndodhte dhe që i ngjante një fitoreje të madhe, që mund t’i shtypte të gjithë nën vete, duke filluar nga fitimtarët. Mungesa e radhës për të folur, irritimi në sytë e tyre, përqëndrimi te një marifet që dukej gjetur, e bën të lexueshme mungesën reale të fitores.
Të tjerët rrinin më këmbë përreth tyre. Përsëri njihja pak vetë.
Një mesoburrë, i gjatë dhe i shëndoshë, me vetulla të trasha, u drejtua nga Berisha, u përkul përgjysmë në gjunjë dhe u mat t’i puthte dorën. Berishës i lëvizi nervi i vetullës së djathtë dhe tërhoqi gjunjët nga vetja. – Lermë të të puth! Ku shkel këmba jote, ka vetëm fitore!
Ishte një skenë që ngjante e sinqertë dhe konteksti në të cilën ai përgjërohej, nuk dukej aq bezdisës sa ç’ndihej në të vërtetë i bezdisur Berisha.
-Kush është ky njeri? – e pyeta Shemsiun, që e kisha në krah.
-Eshte drejtori i Bankës Tregtare, Eduard Ypi. Nuk e njeh?
-Jo, – i thashë. – Mire që ma the, se po e merrja sinqerisht gjithë skenën. Pas pak, zyra ku ishin mbledhur po ngushtohej nga hyrjet e njerëzve. Po vinin me radhë ministrat, deputetët dhe njerëzit e partisë.
Dolëm jashtë. Turma ishte gati histerike. Ajo bymehej çdo cast dhe fundi i saj kishte mbërritur te busti i Qemal Stafës, i vendosur në atë kohë në një lulishte përballë sallës së Kuvendit.
Në sheshin “Skenderbej”, një varg i madh makinash me targa të Kavajës bllokuan rrugen me flamuj jashtë makinave dhe filluan të shurdhonin me bori.
Përreth Bankës dhe nga Partia Socialiste, qetësi e plotë. As drita nuk kishte në seli.
Bulevardi u kthye pas pak në vend parade. Njerëz, makina, bori, flamuj dhe një gëzim i pakontrolluar. Dukej se ata njerëz donin të ankoheshin diku për atë që u dukej si padrejtesi, sikur të mos kishin fituar atë natë. Dhe ishin shumë dyshues, sapo e kuptonin që ishe gazetar.
Reagimet e para
Gazeta “Albania” do të thyente traditën. Edhe pse, si gjithë gazetat shqiptare të asaj kohe, ajo nuk botohej të hënën, atë natë u vendos të bëhej një botim special. Vonë, rreth orës 01.00 të natës, shkova aty bashkë me Ylli Rakipin. Gazeta ishte bërë gati. Do të botoheshin vetëm 8 faqe. Ishte vetëm Astrit Patozi, kryeredaktori i gazetës, faqosësja dhe korrektorja. Mbërriti dhe Albert Rakipi, vëllai i Ylli Rakipit, atë kohë zyrtar i Ministrisë së Jashtme. Gazeta kishte një koment, disa foto festimesh dhe asgjë më. Duhej që thjesht të ishte në treg, të thoshte e para se çfarë ndodhi. Po e vononte titulli i faqes së parë.
Astriti kishte zgjedhur disa variante titujsh të shkurtër. Ishte një dilemë për fitoren, për shkak të bojkotit. Mes tyre kishte një version për ikjen e opozitës nga zgjedhjet. E shkurtova për t’i dhënë dy kuptime: “Komunistet ikën!”. I kishte të dy kuptimet: edhe që kishin bojkotuar zgjedhjet, edhe që ishin mundur përgjithmonë, sipas nesh. Titulli mbeti menjëherë si më i pelqyeri. Në Tirane po gdhinte. Mua më duhej të përgatisja një kronikë për emisionin e mëngjesit te “Zeri i Amerikës”. Më duheshin disa zëra larg PD-së, që të flisnin për zgjedhjet. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” po zbrazej dalëngadalë nga makinat që ecnin me shpejtësi për të festuar. Po binte njëfarë qetësie. Bar “Amerika”, një ish-kafene afër kryqëzimit të bulevardit kryesor me Lanën, ishte hapur. Shkova të pi një kafe. Nga ajo çfarë kish ndodhur gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes, isha si i mpirë. Nuk kisha asnjë emocion për rezultatin.
Nuk më dukej as fitore, as festë dhe, mbi të gjitha, as historike. Kisha parasysh Berishën, ngërçin e tij brenda në zyrë, shfaqjen e tij të ndryshme në publik, panikun që reflektohej nga reagimi i mundshëm ndërkombëtar, arrogancën që shfaqej në ballkonin e PD-së. Të gjitha këto e bënin 26 majin një vazhdim të ankthit të fushatës, një ditë që nuk e ndali përpjekjen e stermundimshme për të qëndruar në pushtet. Përkundrazi, ajo prodhoi një tension të ri, një beteje të re politike, që në muajt në vazhdim do të rrënonte jo vetëm fitimtarët e 26 majit, por gjithë shtetin shqiptar. I mbërthyer nga ky emocion, shpeshherë më dukej çudi që njerëzit festonin dhe flisnin pa ndonje ngërç për fitore ose humbje në ato zgjedhje. Vetë nuk arrita të gëzohesha dot asnjëherë, edhe pse doja dhe isha përpjekur për këtë.
Aty te semafori i bulevardit kryesor takova Spartak Ngjelën dhe Artur Zhejin. Po vështronin “mbeturinat” e mitingut të natës. Ishte duke u gdhirë. Në atë zgjedhje, Spartak Ngjela kishte kandiduar për partinë Lëvizja e Legalitetit, që ndihej paksa më afër me PD-në, por jo si pjesë e koalicionit. Artur Zheji punonte me një radio italiane, “Radio Radikale”, por dhe si bashkepunëtor i radios gjermane Dojce Velle. Kishte ardhur në Shqipëri për zgjedhje dhe ishte një zë i pakonsumuar.
– Mirë që ju gjeta. Më duhet nga një intervistë e shkurtër për emisionin e mëngjesit. Sikur t’ju kisha porositur!
Spartak Ngjela anonte nga optimizmi. Tha pak a shumë se rikonfirmimi i forcave të djathta në pushtet ishte ndarje përfundimtare e Shqipërisë me Lindjen. “Prej sot, Shqipëria i perket Perëndimit”, tha ai. E parë nga jashtë dhe pa mësuar ende për kërdinë që në atë kohë kishte nisur të behej në komisione, përfytyrimi se “komunistët ikën” ishte i thjeshtë. Por, në të vërtetë, Shqipëria pikërisht atë ditë nisi të ndahej me Perëndimin.
Artur Zheji, po ashtu, e skicoi fitoren si një ndihmesë në skemat gjeopolitike të rajonit. U përpoq boll për të mos qenë i qartë dhe i thjeshtë. Sidoqoftë, kishte thënë diçka miratuese.
Më 27 maj, në mengjes, e vetmja gazetë që doli në treg ishte “Albania”. Titulli i madh ishte simbolik dhe nervozues: “Komunistet ikën!”.Gazeta shpërndahej gati si nën dorë rrugëve të Tiranës, por megjithatë gëzim nuk shihej askund. Gazetaret e huaj ishin nervozë dhe një gazetar i “Corriere della Siera” ishte shumë i nervozuar edhe me faktin që kishte dalë vetëm një gazetë, por edhe ajo pro zgjedhjeve.
Para selisë së Partisë Demokratike kishte qindra njerëz që festonin, por kamerat nuk ishin aty. Berisha doli në një konferencë për shtyp për të mbrojtur fitoren. Ai fliste dhe mua më kujtoheshin gjithë “ngjarjet” që kishim prodhuar në fushatë. Arsye kryesore për bojkotin shpalli “Frontin e kuq”, i cili, sipas tij, kishte zëvendësuar frymën europiane në Partinë Socialiste dhe kishte sjellë figura të inkriminuara. Argumenti tjetër ishte se socialistët nuk bënë fushate, sepse deshën të sakrifikonin partinë, ngaqë vetë janë të inkriminuar dhe nuk kanë të ardhme në politikë. Ishte fjala për të gjithë ata që ishin përjashtuar nga kandidimi për shkak të ligjit për pastërtinë e figurave. Theksoi pastaj faktin se shqiptarët ndienin siguri të pushteti i PD-së dhe pasiguri nga ndryshimi. Më erdhi në mendje slogani i fushatës, që e kisha gjetur vetë: “Me ne fitojnë të gjithë”. E kishte besuar edhe Berisha.
Pas një pushimi të shkurtër në shtëpi, më duhej të dilja për konferencat e para për shtyp. Një vëzhgues i Helsinkit britanik, me emrin Daniel, më kishte lënë një takim te hotel “Miniri”, në orën 10.00. Ishte i kthjellet se çfarë kishte ndodhur dhe po aq i vendosur për ta mbrojtur Berishën. Së bashku me katër miq të tij, ai kishte formuar një organizatë joqeveritare, e quajtur British Helsinki, ku bënin pjesë konservatorë të thekur anglezë, mes te cileve dhe historiani Marc Almond. U përpoqen sa mundën të benin kakofoni me organizatën e tyre. Kisha shumë simpati për qartësinë me të cilën ata i thjeshtonin problemet dhe aftësinë për t’u përqendruar te problemet tona.
I qëndruan pranë Berishës edhe gjatë muajve të krizës dhe pas saj. Zhgënjimi im i madh për ta, gati rrënues, ishte në vitin 1999, kur i pari Marc Almond dhe më pas të tjerët u shfaqën në kamera në Beograd, si mbështetesit e vetëm të Miloshevicit në vetminë e tij të madhe. Dënuan sulmet e NATO-s në Kosovë dhe argumentuan, madje frikshëm në mënyrë bindëse, se po cënohej sovraniteti i një shteti të njohur ndërkombëtarisht. “E paskan profesion mbështetjen për liderët e braktisur”, mendova me vete. Ia përmenda edhe Berishës. Ai i kishte parë vetë. Qeshi në atë mënyrën shfajësuese, sikur donte të thoshte: “Ti e di vete si janë ata”. Herë-herë më dukej se ata më shumë se seriozisht, e kishin argëtim qëndrimin kontrovers, në anën më problematike të historisë. Por duhet të pranoj se ato ditë maji më dukeshin të këndshëm dhe më jepnin më shumë siguri se ç’duhej për të parë të vërtetën në sy.
Më pas, në orën 11.00, ishte konferenca e parë për shtyp e delegacionit parlamentar të Asamblesë së Këshillit të Europës. Raporti kishte rezerva, por nuk ishte përjashtues për zgjedhjet. M’u kujtua biseda e një dite më parë në zyrë e Berishës dhe rëndësia që ai u kushtonte dy “raporteve” me siglën e OSBE-së, raportit të Asamblesë dhe atij të ODIHR-it. Po ashtu dhe dy “raporteve” të vëzhguesve të huaj, ku njëra palë, ajo e Helsinkit britanik, ishin partizanë të tij. Pas Asamblese, doli raporti i ODIHR-it. Gjithçka sterrë. Vërejtje nga më të hollësishmet, deri tek aktet vërtet të rënda. Në një pjesë flitej për listat e zverdhura, të shkruara me makinë shkrimi dhe të vendosura në vende të padukshme. Pastaj për kërcënime dhe dhunë ndaj komisionerëve socialistë.
Fakti që socialistet kishin braktisur zgjedhjet dhe numërimin, përshkruhej si pasojë. Ishte një raport që pritej. Partite e djathta ishin po ashtu të përçara. Balli Kombëtar kishte pak shenja se do t’i pranonte zgjedhjet. Abaz Ermenji, i kthyer nga Franca, këmbëngulte që me Ballin janë 60 për qind e shqiptarëve, por nuk po shfaqej ende në tryezat e opozitës në Tiranë. Sabri Godoja ishte më i kujdesshem, por nënkryetari i tij, Fatmir Mediu, i kishte denoncuar i pari zgjedhjet, pasi në zonen e tij elektorale kishte pasur probleme dhune. Fatmir Mediu kishte telefonuar në Ambasadën Amerikane dhe kishte deklaruar se ishte dhunuar në zonen e vet nga Belul Çelo, një drejtues i forumit rinor të PD-së në Fier. Ulërinte duke shpjeguar se si Berisha kishte ngritur në pushtet ca naziskinë. Kishte fotografuar edhe gjurmët e një kepuce që kishte shkelur mbi xhamin e makinës së tij.
Në Partine e të Drejtave të Njeriut kishte perpjekje për të mos qenë në unitet me socialistet, por zërat ishin të dobët. Një drejtuesi vendor të PBDNj-se në Korçë iu dha hapësirë në shtyp për deklaratat e tij kundër socialistëve. Vasil Meloja, një burre i urtë dhe antikomunist i thekur, rrezatonte mirëkuptim me opozitën për atë që kishte ndodhur dhe iu bashkua kontestimit të saj. Më pas pati po aq mirëkuptim me Berishën, kur pas balotazhit i riktheu një zonë në Kuvend.