
Nga Tema
Kaq është dashur që mediet e Evropës të shpërthejnë në ironi. Lajmi për ndërprerjen e dritave gjatë ndeshjes së galaktikëve në Tiranë ka qenë momenti më i mirë për reporterët e shumtë që ndjekin ekipin më të madh në botë.
Nuk është në fakt vetëm ndërprerja e dritave që u ka bërë përshtypje nga vendi i shqiponjave. Edhe nëse nuk do ishte incidenti i dritave, zor se do kishim shpëtuar nga ironitë.
Reporterët janë terrorizuar që në fillim nga numri i pamasë i policëve që mbronin yjet e Realit. Plot 1 mijë të tillë. Vetë shefi i sigurisë i Realit shprehet i habitur, nuk u ka ndodhur kurrë kështu. Ka qenë dhe fusha krejt e papërshtatshme që u ka rënë në sy gazetarëve. Ata kanë shtuar gjithashtu se bëhet fjalë për të vetmin stadium që ka ky vend.
Kulmi ka mbërritur me ndërprerjen e dritave. Ndeshja më e shtrenjtë e Gramozit u bë ndeshja më e shtrenjtë e Realit, ironizojnë të huajt. Lajmi bën xhiron e botës, ndërsa nuk lihet pa theksuar se Reali e mori kupën pa asnjë ceremoni, duke nxituar të largohet nga ai makth. Të gjithë panë kapitenin Raul që merrte kupën dhe largohej krejt me turp, e ndoshta frikë.
Një medie thotë se ndoshta është momenti që, në vend që të paguhen miliona euro për të parë disa yje në fushë, të paguhen faturat e energjisë.
Më poshtë vijojnë disa shkrime nga disa medie kryesore, të cilat raportojnë për skandalin.
“Indipendent”
Kur Cristiano Ronaldo nënshkroi për Realin e Madridit verën e shkuar, ai ndoshta i kishte imagjinuar netët e shndritshme duke luajtur për nëntë herë fituesit e Kupës së Kampionëve.
Ajo që nuk kishte imagjinuar kurrë, ishte një mbrëmje në qendër të Tiranës, duke pritur për më shumë se një orë për të ardhur dritat, në mënyrë që të rifillonte ndeshja miqësore kundër Gramozit të fuqishëm.
Ana e dobët e kontratës rekord botëror prej 80 milionë paund për transferimin e Ronaldos është se Reali duhet të jetë gjithmonë në treg për të kompensuar këtë shumë, kështu që nuk mund të refuzonin ofertën e milionerit Rezart Taçi prej 2 milion eurosh për të luajtur kundër klubit të tij, Gramozit, që së fundmi është ngjitur në divizionin e parë shqiptar.
Kështu, një ekip plot me galaktikë, përfshi Ronaldo, Kaka dhe Raul, dolën në stadiumin e Tiranës mbrëmjen e shkuar, pas një udhëtimi prej orësh nga Spanja.
Megjithatë, mundësia më e artë në historinë e Gramozit u shemb papritur, kur stadiumi u zhyt në errësirë në fillim të pjesës së dytë.
Ronaldo dhe të tjerët u desh të prisnin për një orë e njëzet minuta që të kthehej energjia, tifozët e acaruar bërtisnin dhe hidhnin çakmakë në fushë dhe, sipas një raporti të pakonfirmuar, menaxheri i stadiumit u pushua nga puna në vend.
Karim Benzema shënoi golin e dytë, pasi dritat erdhën sërish, por vetëm kapiteni Raul qëndroi në fushë për të marrë trofeun, ndërsa pjesa tjetër e vizitorëve po nxitonin t’u telefonin agjentëve të tyre për t’u thënë se duhej të shmangeshin dërgimet me forcë në ndeshje të tilla pa kuptim.
Diku në Spanjë, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, konfirmonte se trajneri i kampionëve të Spanjës dhe Evropës, Pep Guardiola, do të zgjaste kontratën e tij edhe për një vit në fund të këtij sezoni.
“Pep Guardiola do të jetë trajneri i Barçës dhe për një vit tjetër. Është një lajm shumë i mirë për të gjithë të lidhurit pas Barcelonës, pasi ne duam që ai të vazhdojë”, – tha Laporta. Guardiola nuk do nënshkruajë kontratë të re, derisa të përfundojnë zgjedhjet presidenciale, që mbahen në verë.
AFP
Reali i Madridit, i cili raportohet se ishte paguar me 2.5 milionë euro për të luajtur me ekipin shqiptar të një manjati nafte, u zhyt në errësirë pas ndërprerjes së turpshme të energjisë në nisje të pjesës së dytë, të mërkurën në mbrëmje.
Pjesa e dytë e ndeshjes mes gjigantëve të Spanjës dhe Gramozit të Ersekës nisi 90 minuta me vonesë pas një blackout -i, që i detyroi të dyja palët të kthehen në dhomat e veshjes.
Një gjenerator emergjence u instalua shpejt, raportoi media lokale, përpara se Federata shqiptare e Futbollit të deklaronte se drejtori i stadiumit ishte pushuar nga puna, për shkak se nuk kishte arritur të garantonte zhvillimin normal të ndeshjes.
Partia Socialiste e opozitës dënoi incidentin. “Shqipëria është në një gjendje të vajtueshme”, – thuhej në një deklaratë të partisë.
Të ardhurat nga ndeshja, që u fitua nga Reali 2-1, pritet të shkojnë për viktimat e përmbytjeve në veri të vendit.
“Reuters”
Reali i Madridit u la në errësirë, ndërsa kishin udhëtuar në Shqipëri për të luajtur kundër një skuadre të mbledhur me ngut, në një miqësore të mërkurën.
Stadiumi i Tiranës u zhyt në errësirë pas ndërprerjes së energjisë në nisje të pjesës së dytë dhe lojtarët e Realit, përfshi Kaka dhe Cristiano Ronaldo, u desh të prisnin për një orë e njëzet minuta që të kthehej energjia.
Reali ishte ftuar që të luante me ekipin e ngjitur në kategorinë e parë, Gramozin, që kishte marrë borxh lojtarë nga ekipet e tjera për të rritur shanset.
Gramozi është në pronësi të biznesmenit të naftës, Rezart Taçi dhe kompania e tij pagoi për Realin më shumë se 2 milionë euro për udhëtimin e tyre prej 10 orësh drejt Tiranës, në atë që kritikët e quajnë një shtesë të panevojshme në axhendën tepër të ngjeshur të skuadrës spanjolle.
Tifozët e zemëruar bërtisnin dhe hidhnin sende në fushë, kur dritat ikën. Raporte të pakonfirmuara flasin se menaxheri i stadiumit u pushua nga puna për këtë incident.
Karim Benzema shënoi golin e dytë dhe fitues njëkohësisht, pasi Daniel Xhafa i Gramozit kaloi vendasit në avantazh dje, pasi Kaka barazoi pas një krosi nga Ronaldo.
Kapiteni Raul ishte i vetmi lojtar i Realit që qëndroi në fushë për prezantimin e kupës dhe u largua me shpejtësi, i rrethuar nga truprojat.
“Në fund, gjithçka shkoi mirë. Ndeshja u zhvillua, falë Zotit”, – tha ish-lojtari dhe trajneri, i kthyer në komentator televiziv, Sulejman Starova. “Ky është një paralajmërim se ne duhet të përmirësojmë të vetmin stadium real që kemi.”
BBC
Autoritetet në Shqipëri po hetojnë rreth ngjarjes në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, kur gjatë takimit miqësor midis ekipit të njohur spanjoll Realit të Madridit dhe Gramozit të Ersekës, energjia elektrike u ndërpre për afro 90 minuta.
Janë të paktën 25 persona që po japin hollësi para autoriteteve.
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, hodhi dyshime për një akt sabotazhi, por një tjetër pistë është edhe ajo e mbingarkesës së linjave elektrike.
FSHF tha se nuk u zbatua rregullorja e po kështu edhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë e cilësoi ngjarjen si përgjegjësi e menaxherëve të stadiumit.
Takimi i së mërkurës me ardhjen në Tiranë të superekipit të Realit dhe yjeve të tij synonte të krijonte një imazh të ri për Shqipërinë, por ngjarja nuk i ka shpëtuar politizimit.
Opozita fajësoi qeverinë e kryeministrit Berisha duke thënë se ajo e bëri Shqipërinë gazi i botës.
“Në vend që të menaxhojë dhe ulë kuotat e hidrocentraleve, Sali Berisha sot uli edhe një herë tjetër kuotat e shqiptarëve”, – tha një zyrtar socialist.
Spekulimet rreth ngjarjes janë shtuar, ndërsa ishte bërë e ditur se për këtë takim të organizuar nga Rezart Taçi, një prej biznesmenëve më të fuqishëm të karburanteve në Shqipëri, i përfolur për lidhje të tij me segmente të pushtetit, ekipi i Realit do të përfitonte një shumë rreth 2.5 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga takimi do të shkonin për banorët e zonave të përmbytura.
“Spaniens Allgemeiner Zeitung”
Çfarë udhëtimi i çmendur i Realit të Madridit për në Tiranë! Fillimisht ekipi mbretëror u shoqërua nga 1000 (!) policë për në stadium – e më pas aty iku energjia për më shumë se një orë.
Që Reali i Madridit e fitoi ndeshjen e tij të parë në Shqipëri kundër Gramozit të Ersekës në një fushë pa standarde, ky nuk është lajm i rëndësishëm. Kaka e Benzema shënuan golat. E rëndësishme mbi të gjitha është mungesa e energjisë në pjesën e dytë. Ajo zgjati po aq sa e gjithë loja, 90 minuta.
Vetë ministri i Energjitikës, që ishte në stadium, mori në dorë problemin, por nuk ia doli.
Një nga kabllot e energjisë ishte djegur. Realit megjithatë iu desh të qëndronte – pagesa ishte 2.5 milionë euro dhe ishte e garantuar me kontratë.
Pas lojës, yjet e Real ia mbathën nga sytë këmbët – sërish të shoqëruar nga 1000 forca policie – direkt për në aeroport e sërish për në Spanjë.
Shefi i sigurisë së Realit, Julio Cendal: “1 mijë policë për Realin! Kjo është e habitshme, një gjë të tillë nuk e kam përjetuar kurrë.”
dpa
Gjatë një ndeshjeje test të futbollistëve të Realit të Madridit në Shqipëri, nuk ka zgjatur 90 minuta vetëm ndeshja, por dhe periudha e pushimit mes pjesëve.
Yjet Cristiano Ronaldo dhe Kaka u desh të rrinin më shumë se një orë në kabinë, për shkak se ndërprerja e energjisë në nisje të pjesës së dytë e ka zhytur stadiumin në errësirë.
Meqë riparimi po hante kohë, autoritetet morën në shqyrtim dhe mundësinë e ndërprerjes së ndeshjes. Ndeshja rinisi më pas. Rekordmenët spanjollë mundën ekipin shqiptar të Gramozit të Ersekës me golat e Kaka dhe Karim Benzema. Madrilenët futën në arkën e klubit 2.5 milionë euro për këtë ndeshje.
“La Repubblica”
Nëntëdhjetë minuta blackout në stadiumin e Tiranës, ku është luajtur miqësorja e futbollit mes yjeve të Realit të Madridit dhe Gramozit, skuadër që këtë vit ka debutuar në kampionatin shqiptar dhe që për momentin ndodhet në vendin e fundit në klasifikim. Ndeshja ishte organizuar nga Rezart Taçi, biznesmen nafte, që vitin e kaluar ishte tërhequr papritur dhe pa dhënë shpjegime, 24 orë para se të firmoste blerjen e Bolonjës. Gazetat shqiptare shkruanin se Taçi i ka paguar dy milionë e gjysmë euro Realit për të luajtur me Gramozin. Të ardhurat e kësaj ndeshjeje ishin destinuar për personat që kishin mbetur pa shtëpi, pas përmbytjeve të ndodhura në Shqipëri.
Blackout-i ka ardhur vetëm pak pas fillimit të pjesës së dytë të ndeshjes. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një qark të shkurtër që ka djegur transformatorin dhe furnizonte me energji stadiumin. Dritat janë ndezur vetëm pas ardhjes së një gjeneratori të fuqishëm. Ndeshja ka rifilluar, pasi lojtarët kanë qëndruar për më shumë se një orë e gjysmë në dhomat e zhveshjes. Reali ka fituar me një gol të Kaka-së në pjesën e parë, që barazoi atë të Xhafës, dhe Benzemasë në pjesën e dytë.
le10sport
Për të pritur Realin e Madridit, në stadiumin e tyre “Qemal Stafa”, Gramozi i Ersekës pagoi 2,5 milionë euro. Tani e dimë mirë se përse klubi nuk kishte pará për të paguar energjinë elektrike.
Në të vërtetë pushimi i ndeshjes mori tjetër kuptim, kur menjëherë një avari la në errësirë 15 mijë spektatorë. Deri në atë moment ndeshja ishte 1-1 (gola të Xhafaj dhe Kaka). Nuk qe vetëm stadiumi pa energji, por edhe i tërë qyteti u paralizua nga prishja e një gjeneratori. Rregullimi zgjati 90 minuta, sa një ndeshje tjetër.
Koha për Manuel Pelegrinin për të mbajtur një fjalim të bukur në “mes lojë”, për të rritur moralin e trupës së tij ishte shumë e madhe (të paguash 2,5 milionë euro për të parë të luajnë Metzelder, Gago, Granero, Garay është shumë e shtrenjtë). Por rasti qe shumë i mirë për Karim Benzema që të shkëlqente në këtë errësirë hutuese. Ai, sulmuesi francez, u fut si zëvendësues për të forcuar frontin e sulmit madrilen përkrah Ronaldos.
Me një pasim të gjatë dhe të milimetruar të Gutit, që ka marrë në krah të tij lionezin me arritjen tek Reali (dhe autor i një ndeshjeje shumë të mirë), Benzema nuk u druajt para portierit shqiptar për t’i dhënë fitoren merengueve 2-1 gjatë një ndeshjeje … prej 3 orësh e një çerek! Ndeshja më e shtrenjtë për Gramozin është edhe ndeshja më e gjatë e Realit të Madridit!







