Mediat austriake paralajmërojnë se në vitin 2013 pritet të nisë ndërtimi i një centrali atomik në Shqipëri, që do punojë për Italinë. Rreziku është i madh, shkruajnë gazetat për shkak se Shqipëria është një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Më poshtë një shkrim i botuar në sitin “Kosova Aktuell”
Nga Max Brym
Shqipëria dhe Kosova kanë probleme me energjinë. Por energjia atomike nuk është kurrsesi një zgjidhje. Energjia atomike është një rrezik vdekjeprurës për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe Shqipëri. Një fakt i tillë mund të konfirmohet shumë kollaj nëse sheh atë që po ndodh në Japoni. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, prej vitesh është kthyer në një agjent të lobeve të pangopura të energjisë atomike. Berisha sheh ëndrra radioaktive.
Sipërmarrësit e huaj do të ndërtojnë në Shqipëri atë që nuk mund të ndërtojnë dot në shtëpitë e tyre: centrale atomike. Që në vitin 2007 Berisha ka prezantuar një plan për të ndërtuar në Durrës një central të tillë me ndihmën e të huajve. Në një faqe interneti mund të lexohet: Berisha bëri të ditur atëherë se shumë firma të huaja kanë shprehur interesin e tyre për të prodhuar energji atomike në Shqipëri e për ta eksportuar atë më pas në Itali, ku ndërtimi i centraleve atomike është i ndaluar me ligj.
Por për disa kohë u mendua se një plan i tillë kishte vdekur. Por Berisha po kërkonte investitorë. Që nga viti 2009 ka një plan për të ndërtuar në veri të Shqipërisë, në brigjet e lumit Buna në Shkodër një central atomik. Kostoja e një centrali të tillë mendohet se mund të shkojë deri në 4 miliardë euro. Centrali me energji bërthamore do të ndërtohet nga një konsorcium italo- kroat. Shqetësimet vijnë edhe për shkak se ekziston rreziku i tërmeteve në këtë zonë. Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik. Është interesant fakti se jo larg vendi ku planifikohet të ndërtohet centrali atomik ka pasur një tërmet shkatërrimtar në vitin 1979.
Natyrisht që punët e ndyra Berisha i merr nga shoku i tij i ngushtë, Berluskoni. Berisha ka vendosur në dispozicion të mafias atomike një vend ndërtimi për centralin bërthamor.
“Kleine Zeitung” shkroi pardje: “Kryeministri italian Berluskoni ka përforcuar sërish idenë e energjisë bërthamore. Kjo shkon në kundërshtim me një referendum të popullit të vitit 1986, që dha votën kundër ndërtimit të centraleve atomikë. Për këtë arsye Berluskoni është në kërkim të vendeve për të ndërtuar centrale. Në vitin 2013 pritet të nisë puna për ndërtimin. Energjinë atomike gadishulli Apenin pritet ta marrë nga Shqipëria, e cila do e eksportojë atë në Itali. Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e tërmeteve në veri të Shqipërisë.
Por e gjitha kjo nuk i bën përshtypje Berishës. Nuk ka asnjë sqarim nga ana e qeverisë se ajo ka hequr dorë nga planet atomike. Lufta kundër Berishës është një luftë për mbijetesën e kombit shqiptar. Edhe sipas mendimit të ekspertëve më të mira, Shqipëria nuk është një vend për centralet bërthamore. Në Shqipëri ekziston rreziku i tërmeteve dhe çështja e mbeturinave bërthamore nuk është zgjidhur në asnjë vend, jo më në Shqipëri.
Shqipëria nuk duhet të bëhet një kosh për mbeturinat bërthamore. Duhet të ketë një plan të pavarur për energjinë në Kosovë e Shqipëri. Ky plan duhet të shkojë në kundërshtim me interesat e qeverisë gjysëm- kolonialiste të Berishës.