TemA, 30 Prill 2013
Protesta e gazetarëve
“Republika jonë dhe gazetaria do të ngrihen ose do të fundosen së bashku. Një media cinike, mercenare, demagoge, me kalimin e kohës do të prodhojë një publik po aq pa vlerë sa vetja”.
Kështu do të deklaronte në maj të vitit 1904 Joseph Pulitzer, por duket se kaq mercenare dhe demagoge është media sot në Shqipëri.
Sipas kryetarit të Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, media në Shqipëri është në ditën e saj më të zezë që pas vitit 1990. Gazetarë të papaguar, të flakur në rrugë, nën presion, jo të lirë, pa kontrata pune, e rrallë herë dhe të paarsimuar është çka gjen sot në mediumet shqiptare.
Pikërisht këta njerëz, që në të shumtën e rasteve nuk guxojnë të hapin as padi gjyqësore ndaj pronarëve të medias, janë emetuesit e opinionit publik.
E sigurisht në këtë situatë nuk bëhet më fjalë për profesionalizëm apo dhe moslejim të përdorimit të medias. Por më shumë se sa liria, shqetësues është fakti që shumica e gazetarëve shqiptarë nuk paguhen në kohë.
Sipas Çipës, në pjesën më të mëdha të mediave ka vonesa të pagesës për më shumë se dy muaj dhe asnjë prej institucioneve shtetërore nuk ndërhyn në zgjidhjen e këtij problemi.
Çipa tha se kjo situatë më së shumti ka ardhur për shkak të shpërndarjes jo të drejtë të reklamave nga qeveria.
Duke bërë publik një raport që pasqyron situatën e medias në Shqipëri, Çipa ftoi gazetarët të protestojnë përballë zyrës së Jozefina Topallit.
“Do të apeloja që të gjithë gazetarët shqiptarë të mblidhen në tubimin protestues në datë 3 maj, në orën 12.00, para parlamentit, për ta denoncuar këtë fakt dhe për të kërkuar reagimin e institucioneve tona, që kjo situatë të mos mbahet në këtë status-quo dhe të mos mbetemi në këtë gjendje mjerane që është sot. 90 përqind e gazetarëve, përderisa përjetojnë vonesat e pagave mujore, e kuptojnë vetë se në çfarë brenge dhe halli social janë,” tha Aleksander Çipa./l.ç