‘Më vrit, por shpirti im do të vizitojë çdo natë’- i thotë murgesha e gjakmarrjes një kërcënuesi. Dhe ja ç’ndodh

0
74

ResPublica.al, 24 shtator 2012

Kristina Färber është një murgeshë gjermane që jeton prej 13 vitesh në Shkodër. Ajo shoqëroi në verë një grup të rinjsh në gjak në një udhëtim nëpër Gjermani, i cili përfundoi në një audiencë të Papës në Romë. (shih edhe http://respublica.al/artikuj/2012/08/02/po-pse-kjo-gjakmarrj…). Ajo është pyetur nga radio Deutsche Welle lidhur me dekretin e fundit të Kishës Katolike në Shqipëri që shkishëron të gjithë ata që vrasin për gjakmarrje. Dhe ndër të tjera në këtë intervistë tregon një episod që u ka bërë shumë përshtypje gazetarëve të huaj që e kanë intervistuar.

E pyet intervistuesja: “Sa është e vërtetë se dikush ju ka kërcënuar, duke dashur t’ju pengojë në punën tuaj të pajtimit dhe ju i jeni përgjigjur, “mund të më vrasësh, por do të të shfaqem çdo natë” dhe ai ju ka uruar jetë të gjatë?” – Dhe Farber përgjigjet: “…Unë nuk kam thënë se do të shfaqem si fantazmë, por që shpirti im do ta vizitojë çdo natë. Po. Inë i kam thënë atij gjakmarrësit, që do të vazhdoj të shkoj tek të ngujuarit prej tij dhe ai mund të më vrasë, po të dojë. Por veçse prite “vizitën” kur të jem në qiell. Dhe ai u largua pastaj menjëherë duke thërritur: “Dyqind vjeç u bëfsh”. Kurrë më nuk më ka shqetësuar”.

Më pas ajo e quan “Kanunin një fe dytësore” kur pyetet: “A kujdeseni edhe për familje muslimane, që janë në gjak?”. “Ne nuk bëjmë dallim në përkujdesje. Megjithatë konstatojmë se ne këtu kemi thuajse vetëm fise katolike, që jetojnë në gjakmarrje. Por fenomeni është i pranishëm tek të dyja fete, sepse Kanuni paraqitet gati si një “fe dytësore” – thotë Farber.

Kjo deklaratë e fundit ka patur reagime nga shoqata që merren em pajtimin e gjaqeve. Një prej tyre që quhet Komiteti Për Pajtimin e Gjaqeve në një deklaratë për shtyp thotë: “Murgesha e shquar Kristina Faber po punon me përkushtim prej vitesh kundër gjakmarrjes dhe po ndihmon familjet e ngujuara në veri të vendit. Por gjejmë shprehjen se Kanuni është feja dytësore e shqiptarëve. Si e huaj ajo është futur në thellësi të botës shqiptare por nuk ka mundur të zbulojë se ç’janë krimet e sotme që thuhet se bëhen në emër të kanunit. Ato janë në kundërshtim të plotë me kanunin…”.