Me tunel dhe pa tunel si nata me ditën

0
41

 Preç Zogaj, 01.03.2011

Me të folurën e zakonshme propagandistike, kryeministri Berisha njoftoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar se në datë 3 mars do të shpallen ofertat ekomomike për tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan nga drejtimi i Qafë- Krrabës. Punimet, tha ai, do të zgjasin tetëmbëdhjetë muaj dhe pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2013. Kaq ishte informacioni i tij për këtë vepër madhore.

Në të vërtetë opinioni publik, politik dhe mediatik është i interesuar të dijë shumë më shumë për këtë tunel dhe për këtë rrugë, për të cilën që nga vera e vitit 2009 janë dhënë njoftime kundërthënëse sa në një foltore qeveritare në tjetrën. Sa do të kushtojë?

Si do të financohet? Nga kush? Janë të dhëna elementare, që nuk mund të fshihen e nuk duhet të fshihen më në fjali evazive të tipit ” ka të ngjarë të jetë më e kushtueshmja”, siç ka thënë Berishës para një viti në Elbasan. Kryeministri mund të flasë vetëm një herë me “ka të ngjarë”. Herën e dytë, sidomos pasi kanë kaluar mbi treqind ditë, ai duhet të jetë konkret.

Nuk kam ndonjë arsye të mendoj se Berisha është duke ia mbajtur fshehur publikut të dhënat konkrete për koston dhe financimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Unë besoj se ai nuk i ka ende ose nuk është i sigurt për këto të dhëna.

Prandaj, duke dashur të rifreskojë aspektin progandistik të lajmit, është i detyruar të operojë me të dhëna të pjesshme, me fjali të drunjta, me retorikë. Vetëm për këtë? Jo. Berisha, qofsha i gabuar, është duke përgatitur me rrugën Tiranë-Elbasan një histori “bis” të rrugës Rreshen- Kalimash.

Që do të thotë se kostot reale të rrugës dhe tunelit do t’i mësojmë përgjatë ndërtimit të tyre.
Procedurat ligjore të tenderimit kanë rëndësi të madhe për ndershmërinë e harxhimit të parave publike.

Qeveria, si një prej tre pushteteve në demokraci këtë detyrë ka: të administrojë mirë paratë e buxhetit dhe të kujdeset për sigurinë. Në rastin e rrugës Tiranë-Elbasan ka një fakt tjetër të shpërdorimit të mundësive për të ndërtuar mirë dhe me kosto sa më të ulët. Nga Tirana në Elbasan dhe anasjelltas shkohet pa tunel. Nuk është një llaf goje.

Nuk është një shikim me dylbi nga lart dhe nga larg i terrenit. Ka qenë dhe është një projekt i autorizuar nga qeveria shqiptare dhe i realizuar deri në nivelin e projektit të zbatimit nga shoqëria shqiptare “Alba Construksion” në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë e famshme italiane “Serenisimia” të Venecias. Ky është varianti i rrugës fushore që fillon te kthesa e Kamzës dhe përfundon në Papër të Elbasanit. Kemi shkruar e folur disa herë për treguesit e kësaj rrugë.

Epërsinë e saj të padiskutueshme ndaj variantit malor me tunele nga drejtimi i Krrabës e verteton fakti kokëfortë se për ndërtimin e saj është ofruar shoqëria private “Serenisima”, ndërkohë që për ndërtimin e variantit malor që ka zgjedhur tash vonë qeveria nuk është ofruar asnjë privat. Më mirë se e di privati që përdor paratë e veta, nuk e di qeveria që përdor paratë e të gjithëve.
Kjo është prova më e fortë e rentabilitetit të një rruge.

Rruga me tunele dhe ajo pa tunele ndryshojnë si nata me ditën në radhë të parë sepse tek e para do të hidhen minimalisht 120 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë për të hapur një mal që pak më tutje e ka hapur natyra.

A thua qenkemi aq të pasur sa nuk dimë ku t’i hedhim paratë, ndërkohë që kjo qeveri nuk shperblen dot pensionistët me 5 mijë lekë për festat e Vitit të Ri dhe nuk ka paguar dot akoma borxhet që u ka ndërmarrjeve të ndërtimit për veprat e vitit 2009?!
Epërsitë e rrugës fushore nuk kanë të bëjnë vetem me tunelin.

Janë të gjithanshme. Fushorja e rrok dhe e mbledh më mirë se malorja Jugun dhe Veriun, Lindjen dhe Perendimin, pa hasur në pengesa urbane pothuajse të pazgjidhshme.

Qeveria ka përdorur e përdor argumentin e distancës. Malorja është më e shkurtër, thotë qeveria, duke e konsideruar thjesht një rrugë ndërqytetase dhe duke e filluar numërimin e kilometrave nga Sauku.

Por çfarë autostrade do të ishte ajo që do të përfundonte në Sauk? A mund të përfytyrohet vazhdimi i saj në unzën e ashtuquajtur të madhe, që kalon nga lagjia Komuna e Parisit, tashmë brenda kryeqytetit?

Rruga Tiranë-Elbasan si koridor zhvillimi, si autostradë kombëtare e ndërkombetare e njerëzve dhe e mallrave, e makinave të vogla dhe e kamionëve është një drejtëz që bashkon në të gjitha variantet dy pika: Kthesën e Kamzës në afërsi të Tiranës, që sherben si rrethrrotullimi i Durrësit dhe Veriut deri në Kosovë; Paprin në afërsi të Elbasanit, që sherben si rrethrrotullimi i Boshtit të Jugut dhe koridoreve të tjera drejt Lindjes e Perendimit.

Gjatësia e kësaj rruge, si korridor i Shqipërisë së Mesme dhe si zemër e infrastrukturës kombëtare, është distanca Kthesa e Kamzës-Papër. Një gjatësi e përafërt nga fusha dhe nga mali, por me frymëmarrje shumë me të gjerë nga fusha.

Është e çuditshme se si qeveria ka braktisur variantin fushor të bërë gati me projekt zbatimi dhe me financim të siguruar, duke përqafuar ndërkohë variantin malor në fazën e projektidesë, që me sa shihet nuk ka ende, as pas një viti e gjysëm, një projekt tërësor zbatimi. Po të kishte vazhduar qeveria planin e saj për dhënien me konçension të variantit fushor, sot rruga do të ishte duke u ndërtuar.

Nëse qeveria u pendua për dhënien me konçesion, ajo kishte dhe ka detyrimin të kompensojë investimin tekniko-profesional, material dhe moral të inxhinierëve që përgatiten projektin e zbatimit. Qeveria mund ta blinte ketë projekt për ta ndërtuar vetë.

Në brakstisjen pa shpjegime të variantit fushor dhe në përqafimin pa argumente bindëse të variantit malor, shohin gjurmët e ustallarëve që ndërtojnë prej vitesh rrugë të palidhura në Shqipëri, rrugë me hendeqe, rrugë që ngushtohen si grykë shisheje duke humbur vlerën dhe efikasitetin. Por shohim edhe gjahtarët e “punimeve të maskuara” në tunele, që janë një burim i njohur abuzimi dhe korrupsioni.

Kryeministri edhe dje bëri ironi me ” deputetët antitunel” të opozitës. Në fakt nuk ka asnjë. Për rrugën Tiranë-Elbsan nuk kam dëgjuar të flasë asnjë deputet opozitar. Nga një anë, mirë bëjnë. Nuk kanë pse marrin anë në variante për të cilët as kanë lobuar, as kanë njohje.

Qeveria ka të drejtë të zgjedhë variantin që pelqen. Por këta deputetë kanë detyrimin të kërkojnë zbatimin e legjislacionit shqiptar për çdo element të ndërtimit të rrugës, që nga tenderimi deri te financimi.

Dhe do t’u kisha sugjeruar- por kjo është thjesht një bindje imja që mund të mos e ndajnë me mua: Jo më, autostrada dhe rrugë strategjike me paratë e buxhetit të shtetit. Konçensioni është zgjidhja që do të ndryshojë radikalisht hartën e rrugëve dhe do ta kthejë vendin në kantier të punës dhe fitimit.