Me sytë dhe veshët nga Kolegji, 4 vendimet që mund të merren sot

0
64

Denis Dedej, 13.06.2011

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë paraditen e sotme padinë e tretë të Partisë Socialiste për zgjedhjet në Tiranë. Teksa ka rrëzuar dy kërkesat e para, Kolegji duhet të shprehet sot për kërkesën më të rëndësishme: A janë apo jo të vlefshme votat e hedhura në kutinë e gabuar? Seanca do të nisë në orën 10:00 me pretendimet e PS-së dhe më pas do të vazhdojë me arsyetimin juridik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si palë e paditur dhe PD-së si palë e interesuar.

Por vendimi i dytë i Kolegjit, me relator Tom Ndrecën duket sikur e ka ezauruar kërkesën e PS-së për fletët në kutinë e gabuar. Edhe pse nuk është pyetur për fletët e votimit, në vendimin e dhënë të premten e kaluar kolegji është shprehur se asnjë nen i Kodit Zgjedhor nuk pengon rivlerësimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar. Juristët e PS-së janë shprehur se në këtë rast pesëshja gjykuese ka tejkaluar kompetencat pasi i është përgjigjur një çështje që nuk ka qenë në kompetencën e tij.

Vetë Kolegji në vendim ka pohuar se mund të përgjigjet vetëm për çështjet që pyetet (faqja 8 e vendimit), por më pas ka vendosur të shprehet për një çështje që nuk është objekt i shqyrtimit (faqja 17 e vendimit).

Ky paradoks i Kolegjit i jep mundësinë KQZ-së dhe PD-së që të kërkojnë rrëzimin e kërkesës së PS-së pasi gjykata është shprehur një herë për fletët në kutinë e gabuar. Nëse ndodh kjo hyn në lojë kërkesa e dytë e PS-së: Mospërputhja e numrit të votave me numrin e njerëzve që kanë votuar më 8 maj. Shifrat zyrtare të KQZ-së kanë nxjerrë në pah mospërputhje të dukshme mes numrit të personave që kanë votuar në zgjedhje dhe faktit që në kuti janë gjendur më shumë vota se sa votues.

Sipas KQZ-së, në të gjithë Tiranën janë gjendur 870 vota më shumë se sa persona kanë marrë pjesë në zgjedhje. Ndërsa në 117 kutitë e rihapura nga KQZ kanë dalë 357 fletë votimi më shumë se sa njerëz që kanë votuar. “KQZ, nga hetimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për kryetar Bashkie në 117 kutitë ku ka ndërhyrë, ka vlerësuar 357 fletë votimi më shumë se vullnete të shprehura. Nga tabela përfundimtare nuk përputhet asnjë komponent i mësipërm, që do të thotë se tabela përfundimtare e rezultatit është një tabelë alogjike në lidhje me shifrat dhe nuk mbështetet mbi të dhëna reale.

Nëse KQZ do kishte vepruar në zbatim të nenit 123 për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar duke u referuar tek tabelat 11 minibashkive dhe procesverbaleve të 485 grupeve të numërimit, rezultati do të ishte real”,- thuhet në kërkesën e PS-së, e cila do të shqyrtohet sot nga Kolegji.

4 versionet e vendimit që mund të marrë sot Kolegji

Sipas juristëve të konsultuar mbrëmë nga Shekulli janë së paku katër, versionet e vendimeve që mund të marrë sot Kolegji Zgjedhor:

1.
– Kolegji i shpall “votat e hedhura në kutitë e gabuara” të pavlefshme. Ky vendim e detyron KQZ të ribëj tabelën përmbledhëse duke hequr këto vota. Kjo e kthen situatën në rezultatin e dalë nga numërimi i rregullt i 8 majit, para se KQZ të hapte kutitë dhe të shpallte një rezultat të dytë

2.
Kolegji i shpall “votat e hedhura në kutitë e gabuara” si të vlefshme dhe le në fuqi tabelën përmbledhëse të KQZ-së. Në këtë version, Kolegji shpall “pushimin e ankimimit” të PS për punën e mosrakordimit të shifrave pra nuk merret fare me këtë detaj të rëndësishëm ku është mbështetur shpresa ligjore e PS-së. Lënia në fuqi e tabelës së KQZ-së do të thotë që si rezultat përfundimtar Kolegji njeh jo rezultatin e dalë nga numërimi i 8 majit, por rezultatin e shpallur nga KQZ pas hapjes së kutive.

3.
– Kolegji i shpall të vlefshme “votat e hedhura në kutitë e gabuara” por detyron KQZ-në të zgjidh pikëpyetjen e madhe të mosrakordimit të shifrave, pra të numrit të ndryshëm vota-votues. (pra nuk shpall “pushim ankimimi” për kërkesën e PS-së mbi shifrat. Në këtë version, i kalon KQZ-së detyrimi të rimerret me tabelën përmbledhëse, dhe ky version vendimi i rikthen palëve të drejtën e ankimimit, pasi automatikisht rivendos afate të reja për procedurat

4.
– Kolegji shpall pavlefshmëri totale të zgjedhjeve, çka e dërgon situatën në një rivotim në Tiranë.

* * *

Hysi: Aksioni politik varet nga vendimi i Kolegjit

TIRANË – Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, ka vlerësuar rrëzimin e kërkesës së PS nga Kolegji Zgjedhor si një vendim të padrejtë, jo vetëm për mënyrën sesi është arsyetuar, por edhe për referime në nene të gabuara, ose interpretime të fakteve ose dispozitave ligjore në mënyrë politike dhe jo juridike. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ajo thekson se Kolegji nuk ka arritur të njohë dhe të studiojë provat e paraqitura në gjykim nga PS, ose ka qenë në pamundësi t’i referohet atyre për shkak të presionit.

Për sa i përket kërkesës që do të shqyrtohet sot nga Kolegji Zgjedhor, anëtarja e Komisionit të Ligjeve pret që ky institucion të veprojë me integritet moral dhe profesional në gjykimin e padisë se re dhe do të kthejë shpresën tek publiku se ka ende drejtësi në Shqipëri dhe se sistemi i drejtësisë funksionin, qoftë edhe pjesërisht.

Zonja Hysi, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar disa ditë më parë kërkesën e PS për procesin e vlerësimit të fletëve të pavlerësuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Si e vlerësoni ju këtë vendim?

U njoha me përmbajtjen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, pasi Gjykata shpalli vendimin të paarsyetuar, duke shkelur haptazi Kushtetutën dhe kërkesat e ligjit. Vendimi është i padrejtë, jo vetëm për mënyrën sesi është arsyetuar, por edhe për referime në nene të gabuara, ose interpretime të fakteve ose dispozitave ligjore në mënyrë politike dhe jo juridike. Ndonëse, Kolegji Zgjedhor qëndroi, të paktën formalisht, 4 orë në dhomën e këshillimit, i dha vetes 5 ditë kohë ta arsyetojë dhe e zbardhë atë, mesa kuptoj nuk ka arritur të njohë dhe të studiojë provat e paraqitura në gjykim nga Partia Socialiste, ose ka qenë në pamundësi t’i referohet atyre për shkak të presionit.

Vendimi në pjesën më të madhe të tij është arsyetuar sipas argumenteve të sjella në qëndrimet publike dhe para Kolegjit nga Partia Demokratike, dhe në pjesa tjetër i përngjan modeleve teorike të gatshme që përdoren në trajnimet për të drejtën administrative të magjistratëve në Shkollën e Magjistraturës, pra nuk analizohen provat dhe faktet konkrete të paraqitura në gjykim.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor e trajton problemin e fletëve të gjetura në një kuti tjetër si problem të ri dhe që duhej të rregullohej pas daljes së rezultatit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por “harron” se ky problem është i vjetër dhe i përsëritur në çdo zgjedhje. Në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, këto fletë janë vlerësuar të pavlefshme. Gjithashtu, deri para shpalljes së z. Edi Rama fitues me 10 vota më shumë se z. Basha, këto fletë janë vlerësuar të pavlefshme dhe janë të mbyllura në kutitë e votimit si të tilla.

Kolegji duhej të gjente kohë të lexonte procesverbalet e KZAZ-ve ku gjenden vendimet e tyre për vlerësimin e këtyre fletëve para daljes së z. Rama fitues. Këto fletë janë vlerësuar të pavlefshme. Raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2007, 2009, konstatojnë pavlefshmërinë e këtyre votave dhe rekomandojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të rregulluar gjendjen. Raportet paraprake të OSBE/ODIHR, vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë dhe vendorë për zgjedhjet e 8 majit 2011 shprehin shqetësim për mënyrën e veprimit të KQZ-së lidhur më këtë problem dhe bazën ligjore jo të qartë të përdorur prej saj.

Asnjë nga shqetësimet e tyre për veprimet e KQZ-së nuk mori përgjigje ligjore të drejtë nga vendimi i Kolegjit zgjedhor të datës 3 qershor 2011.

PS ka dorëzuar një tjetër kërkesë në Kolegjin Zgjedhor, e cila do të diskutohet të hënën. Cilat janë pritshmëritë tuaja mbi këtë seancë?

Pavarësisht nga shija që ka lënë vendimi i mëparshëm i Kolegjit, nuk do të doja ta paragjykoja atë. Dua të besoj se Kolegji Zgjedhor do të veprojë me integritet moral dhe profesional në gjykimin e padisë se re dhe do të kthejë shpresën tek publiku se ka ende drejtësi në Shqipëri dhe se sistemi i drejtësisë funksionin, qoftë edhe pjesërisht.

Nëse nuk ndodh ajo që ju prisni, që drejtësia të bëjë drejtësi, çfarë hapash të tjerë do të hidhen nga PS?

Krahas rrugës ligjore, strukturat vendimmarrëse të Partisë Socialiste do të vendosin për hapat e mëtejshëm politikë.

Një sugjerim i ardhur nga ndërkombëtarët për këtë çështje të nxehtë ka të bëjë me marrjen e një mendimi nga Komisioni i Venecias. Nga PD nuk ka pasur një përgjigje për këtë çështje. Si mundet që Venecia të sugjerojë dhe ne t’i drejtohemi asaj?

Komisioni ofron ekspertizë për çështje ligjore të paqarta. Çështja objekt padie në kolegj është e qartë për Partinë Socialiste dhe juristët që kanë sado pak njohuri juridike, por “nuk është e qartë” për humbësin e këtyre zgjedhjeve që do të marrë fitoren në tavolinë. Në kushte të tilla, tërheqja e mendimit të tyre mund të bëhet. Ka rregulla të përcaktuara se kush mund të vë në lëvizje Komisionin e Venecias.

Bazuar në nenin 3 të statutit të Komisionit të Venecias, ky i fundit mund të japë opinion brenda mandatit të tij mbi bazë të kërkesës së Komitetit të Ministrave, të Asamblesë Parlamentare, të Kongresit Lokal dhe Autoriteteve Rajonale të Europës, Sekretarit të Përgjithshëm të KE, nga shtete ose organizata, ose organizma ndërkombëtar.

Komisioni bashkëpunon me Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat me juridiksion të njëjtë ose mes organizatave që përfaqësojnë gjykatat. Pra, mund të jetë një prej tyre, ose mund të vihet në lëvizje nga Gjykata, Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit. Në përvojën e tij, Komisioni i Venecias ka dhënë mendim Shqipërisë bazuar në kërkesën e Avokatit të Popullit, të Gjykatës Kushtetuese, etj,.

Kolegji Zgjedhor ka dhënë vendimin për ripërsëritjen e zgjedhjeve në dy komuna, për shkak se numri i votave dhe i votuesve nuk përputheshin. A mund të ndodhë e njëjta gjë me Tiranën?

Bazuar në faktet dhe provat që përmbajnë procesverbalet origjinale që zotëron Partia Socialiste dhe KQZ-ja, të bëra publike dhe që do të paraqiten në gjykatë ka bazë të qartë për të shpallur pavlefshmëri të vendimeve të marra nga KQZ-ja lidhur me rezultatin e deformuar në Tiranë. Kolegji Zgjedhor në bazë të hetimit të tij konstaton pavlefshmërinë dhe merr vendim. Le të shpresojmë që do Kolegji Zgjedhor do të japë drejtësi për këtë çështje.

* * *

Pensionistët, asi nën mëngë i opozitës

Teksa lufta politike për Tiranën është përqendruar tek përplasjet mes PS-së dhe PD-së në Kolegjin Zgjedhor, opozita mund të ketë një as nën mëngë. Një parti e vogël e koalicionit të majtë, Partia e Pensionistëve, ka ankimuar në Kolegj vendimet e KQZ-së për rezultatin dhe votat e pavlefshme.

Kërkesa e pensionistëve ka një precedent tepër interesant, komunat Kolsh dhe Shalë. Në të dy këto njësi vendore është vendosur pavlefshmëri dhe përsëritja e zgjedhjeve. Në komunën Kolsh diferenca mes dy kandidatëve ishte pesë vota, ndërkohë që në një kuti votimi ishin gjetur tetë vota më shumë se sa njerëz që kishin votuar. Në Tiranë diferenca mes kandidatëve ishte 10 vota.

Pas rivlerësimit të votave në kutinë e gabuar diferenca mes kandidatëve u bë 81 vota. Por vetëm në 117 kutitë që u rihapën nga KQZ rezulton të ketë 357 vota më shumë se sa njerëz që kanë votuar më 8 maj. Bazuar tek precedenti Kolsh, Kolegji është i detyruar që ti japë të drejtë Partisë së Pensionistëve dhe të bëjë ripërsëritjen e zgjedhjeve. Kjo mund të ndodhë edhe në rastin e padisë së Partisë Socialiste.

“Shekulli” është konsultuar dje me juristë të ndryshëm, të cilët kanë bërë një analizë të çështjes duke dhënë edhe tre variantet e mundshme të Kolegjit. Sipas tyre, në variantin e parë Kolegji mund të rrëzojë kërkesën, duke mos marrë parasysh mospërputhjet e numrit të fletëve të votimit, siç është objekti i padisë. Kjo do të ishte kundërshtim flagrant i ligjit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, sepse faktet e paraqitura bashkë me padinë, nuk lënë vend për interpretim.

Në variantin e dytë Kolegji Zgjedhor mund ta kthejë çështjen në KQZ, për ta shqyrtuar nga ana procedurale. KQZ më pas mund të vendosë të hapë dhe kutitë e tjera (veç këtyre 117 që janë hapur), dhe të konsiderojë situatën përfundimtare. Varianti i tretë është që Kolegji Zgjedhor mund të shpallë menjëherë përsëritjen e zgjedhjeve, duke pranuar padinë e Partisë së Pensionistëve.

Tabela e votave të shtuara sipas çdo Njësie Bashkiake

Minibashkia numër 2
Ka 38 vota më tepër se sa numri i zgjedhësve në të 13 qendrat e votimit që ka shqyrtuar .

Minibashkia numër 3
10 Qendra Votimit të shqyrtuara, 38 vota të pavlefshme në kuti më shumë se sa numri i zgjedhësve.

Minibashkia numër 4
Janë parë 12 Qendra Votimi, rezultojnë 27 vota më shumë se sa numri i zgjedhësve.

Minibashkia numër 5
Për 32 Qendra Votimi, numri votave më shumë se sa numri i votuesve është 59 vota.

Minibashkia numër 6
KQZ ka shqyrtuar 8 kuti votimi për kryetar apo këshill minibashkie, ka shtuar 43 vota më shumë.

Minibashkia numër7
Janë parë 5 Qendra Votimi, janë 28 vota më shumë se sa numri i votuesve.

Minibashkia numër 8
10 qendra votimit, ku janë 46 vota më shumë se sa numri i votuesve.

Minibashkia numër 9
13 Qendra Votimi, janë 23 fletë votimi më shumë se sa numri i votuesve.

Minibashkia numër 11
10 qendra votimit, rezultojnë 55 vota më shumë.

Totali
Janë 357 më shumë në kutinë e kryetarit.

5.
Ditë iu deshën Kolegjit Zgjedhor që të argumentonte vendimmarrjen e marrë për rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste mbi procesin e vlerësimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Kodit, vendimi duhej të ishte zbardhura brenda 3 ditësh.

4.
Orë iu deshën trupës gjykuese të Kolegjit Zgjedhor për të marrë një vendim. Pasi u tërhoqën për vendimmarrje për të diskutuar mbi argumentimet e palëve dhe për të krahasuar tabelat e procesverbaleve të grupeve të numërimit me shifrat, gjyqtarët janë kthyer pas disa orësh të dhënë vendimin.

Nga dolën 357 vota?

Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë sot rezultatin e Tiranës ku vihet re një problem i madh: Në kuti ka më shumë vota se sa votues. Në këto kushte, Kolegji Zgjedhor nuk mund të pranojë një rezultat ku ka më shumë vota se sa votues. Bëhet fjalë për jo pak, por për 357 vota më shumë se sa votues. Ky numër votash mund të përmbysë disa herë rezultatin, qoftë diferenca 10 vota në favor të ramës apo 81 vota në favor të Bashës.

“Këto vota sjellin të gjithë spekulimet e tabelës. Nuk mund të pranojmë që ka 357 vota më shumë se votues. Edhe nëse e pranojmë rivlerësimin dhe rinumërimin si logjikë, ku do i çojmë ato vota. Ato vota duhet të korespondojnë në tabelë, por në rastin konkret kjo gjë nuk po ndodh. Ato vota duhet të dalin nga vullneti i zgjedhësve, jo nga vullneti i zyrtarëve të shtetit”,- thanë dje juristët e kontaktuar nga “Shekulli”.