Më shumë se ‘shoferi i Shkëlzenit’. Skeja del tek kontratat e ‘Liqenit’

0
58


Shekulli Online, 17.11.2010

Gardisti-aksioner. Emri i tij, tek kontrata e “Liqenit” bashkë me Selmanllarin, Tartarin e Avllajn. Garda, Policia dhe PD-ja gënjyen në deklaratat e tyre për Oficerin e Gardës, Fatos Skeja

E quajtëm “shofer i djalit të kryeministrit” dhe na i mohuan. Paskan patur të drejtë. Efektivi i Gardës së Republikës oficeri Fatos Skeja është shumë më tepër se shofer i familjes së Shkëlzen Berishës. Nëse do kishte vend për shaka në këto afera truprojash e shoferash që rezultojnë biznesmenë dhe firmosës kontratash, zotin Skeja, me gjuhën e zotit Berisha mund ta quanim “Tan Lepri PD-së”.

Emri i Fatos Skejës del si aksioner në të famshmin projekt ndërtimi tek “Liqeni Artificial” i Tiranës, projekt i cili u bë mollë sherri disa kohë më parë mes PS-së e PD-së, ku kryetari i kësaj të fundit, njëherazi kryeministër i vendit nuk la gisht e shkresë pa tundur për të denoncuar përqindjet e firmosësve etj.

Me sa duket kryeministri prapë “ka harruar” një emër. Dhe ky është pikërisht Fatos Din Skeja, me detyrë oficer i Gardës së Republikës pranë Degës së Personaliteteve, por që këtë status ushtaraku të lartë me sa duket e ka vetëm për të mbajtur në brez pistoletën e shtetit, atë me të cilën qëllon sa herë nuk i ndërrojnë tavllën e duhanit.

Emri i Fatos Skejës siç rezulton nga këto faksimile të kontratës për ndërtimet te Liqeni, figuron përkrah Arian Tartarit bashkëjetuesi i deputetes së Partisë Demokratike znj.Albana Vokshi, përkrah mikut të njohur të djalit të kryeministrit z.Rrahman Selmanllari dhe shtetasit Dritan Avllaj, i akuzuar si “sekser” i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z.Edi Rama, allias “Tan Lepri” siç e quan ish-kandidati për shkrimtar në rini, kryeministri aktual i Republikës.

Fakti për të cilin po flasim dhe të tjerë që do botohen në vijim, provohen nga kontrata e bashkëpunimit me nr. 465 rep. dhe nr.363 kol. të firmosur para noteres Luljeta Kongoli mes pesë “biznesmenëve”. Në këtë kontratë që “Shekulli” disponon, duket qartë se përveç z.Selmanllari, aksioner në këtë projekt që ka mbetur vetëm në letër është edhe gardisti Skeja.

Sipas kontratës së bashkëpunimit të firmosur me datë 5 korrik 2008 “ndërtuesit” ndajnë përqindjen e aksioneve në këtë projekt të shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 18 mijë metra katror mbi pronat e familjes Sharra, që ndodhen në afërsi të “Liqenit Artificial”.

Kjo kontratë bashkëpunimi është denoncuar publikisht nga deputetja e Partisë Demokratike znj.Albana Vokshi, e cila ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës z.Edi Rama njëherazi kryetar i Partisë Socialiste se ka bërë pjesë të kësaj kontrate sekserin e tij shtetasin Dritan Avllaj i njohur si “Tan Lepuri”. Sipas deputetes, shtetasi Avllaj ka kërkuar 20 % të aksioneve, në këmbim të plan zhvillimit urbanistik dhe sigurimin e lejes së ndërtimit. Bazuar në këtë deklarata, njësia e Task-Forcës në prokurorinë e kryeqytetit ka nisur një hetim penale, për llogari të cilit janë kryer një sërë veprimesh procedurale e hetimore. Gjatë këtyre veprimeve, janë marr në pyetje të gjithë aksionerët, të cilët mësohet se i kanë mohuar akuzat e deputetes Vokshi. Mes tyre edhe vetë gardisti Skeja.

I vetmi që ka mbështetur versionin e deputetes Vokshi, ka qenë shtetasi Selmanllari i cili pasi ka mohuar në prokurori akuzat e deputetes Vokshi, nëpërmjet avokatit të tij, një ditë pasi ka “rrëfyer” në prokurori, ka pranuar se ishin detyruar ta përfshijnë Avllajnë në këtë projekt kundrejt 20 % të aksioneve. Ky pretendim është hedhur poshtë nga vetë Avllaj, sepse sipas tij, mes tyre ka pas thjesht një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtim. Po këtë qëndrim ka mbajtur edhe bashkëshorti i deputetes Vokshi, z.Tartari që është shprehur se kanë bërë thjesht… biznes.

GALERI FOTO: Faximilet ku del emri i Skejes ne kontratat e Liqenit bashke me Selmanllarin, Tartarin e Avllajn

Dje gjykata e Tiranës vendosi masën e arrestit shtëpiak për gardistin Fatos Skeja, i arrestuar fundjavën e kaluar dhe i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.
Skeja akuzohet se ka plagosur 21- vjeçarin Shpati Ruçi, në lokalin “Nëna Mbretëreshë” pasi ky i fundit i “vonoi” shërbimin e ndërrimit të tavllës në tryezën ku shërbente si kamerier.

Oficeri i Gardës, Fatos Skeja, gjatë pyetjeve në polici ka dhënë tre versione të ndryshme lidhur me ngjarjen e rëndë në lokalin “Nëna Mbretëreshë”. Fillimisht ka thënë që “nuk e ka prekur fare viktimën”, më pas ka thënë që “e qëllova vetëm me një shpullë” dhe në versionin e tretë ka pranuar më shumë, por pa pranuar se ka qëlluar me armë.

Të gjitha dyshimet bien mbi Skejën, ndërkohë që në shpatullën e të plagosurit gjendet një plumb, autori i lëshimit të të cilit duhet gjendur. Po dje është mësuar se janë bërë përpjekje të shumta pranë familjes së viktimës “për ta mbyllur” incidentin me forma të tjera, në mënyrë që të shmangen kallëzimet, deponimet dhe procesi gjyqësor.

Vetë Garda e Republikës ka pranuar dje incidentin, vetëm pasi ai është botuar në gazetën “Shekulli”. Botimi ka nxjerrë zbuluar përpjekjet e mëdha të Gardës dhe Policisë për të kaluar në heshtje dhe pa ndëshkim ngjarjen e rëndë.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës në lokalin “Nëna Mbretëreshë”. Mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë që implikojnë një oficer garde me detyrë të lartë “Shekulli” njoftoi opinionin publik, duke theksuar për lexuesit edhe përpjekjet e turpshme të policisë së shtetit për të fshehur rrethanat e ngjarjes.

Në deklaratën e Gardës dhënë, vetëm pas botimit të lajmit në gazetë thuhet tekstualisht:
“Në lidhje me incidentin e ndodhur mesditën e djeshme, datë 13.11.2010, me punonjësin e Gardës, informojmë opinion publik si më poshtë: Fatos Din Skeja, oficer i Gardës së Republikës , është përfshirë në një incident ndodhur në një nga lokalet pranë rrugës së “Elbasanit”. Personi në fjalë është ndaluar nga organet kompetente, ku dhe po vazhdojnë veprimet hetimore për sqarimin e ngjarjes së ndodhur. Sqarojmë se: ky oficer është efektiv i Gardës së Republikës, në Drejtorinë për Sigurinë e Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe shërben në këtë Drejtori..”

Deri në këtë pikë deklarata është korrekte dhe përputhet me të dhënat e artikullit të “Shekullit”. Megjithëse me vonesë, deri në këtë pikë Garda është treguar përballë publikut institucion shumë më serioz dhe shumë më i përgjegjshëm se policia e shtetit, e cila theksojmë: ka tentuar ditën e shtunë të fshehë ngjarjen, megjithëse një qytetar ishte plagosur.

Por në fjalinë e fundit, Garda ka bërë një lojë fjalësh. Deklarata vijon: “Theksojmë se, Fatos Skeja nuk ka asnjë detyrë për sigurinë në Grupin e shoqërimit të Kryeministrit të Vendit apo të familjes së Tij” – thotë deklarata.

Nuk dimë nëse rregullorja e Gardës përfshin postin e drejtuesit të mjeteve të eskortës në “detyrat për sigurinë”. Gjithashtu është fare e lehtë të bëhen lëvizje të oficerëve të Gardës të personaliteteve të ndryshme brenda ditës. Fakti që ekzistoi tentativa për t’ia fshehur publikut ngjarjen, ngre dyshime të forta mbi transparencën e Gardës dhe Policisë në këtë pikë. Nëse z.Skeja është lëvizur së fundmi nga grupi pranë kryeministrit apo vazhdon të jetë aty, kjo është e pamundur të provohet në kushtet e kësaj përpjekjeje të institucioneve për të fshehur informacionin që ligji ua detyron ta japin për publikun nga i cili paguhen.