Më në fund Gjermania e pushtoi Britaninë e Madhe

0
31

TemA, 3 Gusht 2013

Në jug të Oksfordit është një fabrikë njëqindvjeçare.
Në vitin 1913, prej aty dolën makinat e para.
100 vjet më vonë, fabrika vazhdon të mbahet e fortë.
Aty prodhohet Mini, një nga simbolet supreme të stilit britanik, e dashur dhe e njohur në mbarë botën.
Fabrika duket një histori suksesi angleze. Mbi të gjitha, vitin e shkuar në mbarë botën u shitën 300 mijë Mini.

Por ka diçka. Kjo fabrikë nuk është më emblemë e suksesit industrial britanik, por simboli suprem i një perandorie të re ekonomike, të ngritur nga hiri i luftës- perandorisë së gjermanëve.

E vërteta e pakëndshme është se më shumë se gjysmë shekulli pas rënies së Rajhut të Tretë, Gjermania ka më shumë fuqi se kurrë ndonjëherë që nga viti 1941.

Perandoria e Angela Merkel nuk bazohet tek muskujt ushtarakë, por në suksesin ekonomik.

Simboli tani nuk është Panzer-i, por Polo dhe Passat.

Falë suksesit të prodhuesve gjermanë, ku vend është bërë padroni i Europës.

Fabrika që prodhon Mini-n tani është në pronësi të BMW-së dhe është pararojë e perandorisë ekonomike gjermane.

Por jo vetëm kaq. Rolls Royce i përket po ashtu BMW-s.

Bentley, një tjetër ikonë britanike, është në pronësi të Volkswagen.

Deri në vitet ’70, britanikët blinin më shumë makina të prodhuara në vend.

Por tani historia është ndryshe.

Sipas YouGov, shoferët britanikë kanë përzgjedhur Volkswagen-in si markën e tyre më të preferuar. Audi vjen i dyti, Mercedes i treti.

Sot, Gjermania eksporton më shumë makina në Britani se në asnjë vend tjetër në botë.

Nuk është e ekzagjeruar të thuhet se paratë e fituara me mundim nga familjet britanike shkojnë në xhepat e prodhuesve gjermanë, për të mbajtur vendet e punës aty dhe për të paguar për shtetin e tyre bujar të mirëqenies sociale.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ishte në rrënoja. Ringjallja e Gjermanisë, le më ngritja e saj në superfuqi, dukej e pamundur.

Dhe ajo që të habit është se njeriu që i dha kthesën historisë së industrisë së makinave në Gjermani ishte një oficer i ushtrisë britanike.

Ishte gushti i vitit 1945 kur Ivan Hirst mbërriti në Wolfsburg.

Sot, ky qytet është shtëpia e Volkswagen, prodhuesit më të madh të makinave në botë.

Kompleksi futuristik i Volkswagen është më i madh se Monako apo Gjibraltari.

Sot Gjermania është ekonomia më e madhe në Europë dhe e katërta në botë.

Është eksportuesja e dytë më e madhe me 915 miliard sterlina çdo vit. Ndërsa deficiti britanik do të jetë për këtë vit 120 miliard sterlina, gjermanët do kenë një surplus të vogël për këtë vit, ashtu siç ka ndodhur vazhdimisht vitet e fundit.

A mund të kishte qenë ndryshe? Natyrisht që po.

Nuk është aksident që gjermanët kanë zgjedhur që të blejnë markat britanike si Mini, Bentley dhe Rolls Royce dhe vazhdojnë t’i prodhojnë këtu.

Ne gjithmonë kemi pasur aftësitë, por na mungon menaxhimi i duhur, sindikatat e duhura, prioritetet e duhura dhe që të jemi të sinqertë, etika e duhur në punë.

Por druhemi se e ardhmja e Europës do të jetë e stampuar me një frazë të thjeshtë, por domethënëse: ‘Made in Germany’.

*Marrë me shkurtime nga Daily Mail