Me ne fitojnë të gjithë

0
31

Arben Rrozhani, 11.05.2011

Mero Baze kur kujton kohët ngjitur me kryetarin e PD-së, nuk harron të kujtojë momentin kur sajoi sloganin për fushatën e zgjedhjeve të vitit 1996. “Me ne fitojnë të gjithë” u shndërrua në emblematike, jo pse ndodhi e kundërta, ngaqë pas ca muajsh do të humbisnin gati të gjithë shqiptarët, sepse siç kujton me sarkazëm Baze, kur ata të PD-së e akuzonin për interpretimin e sloganit, se: “Unë nuk ju thashë fitojini të gjitha, por fitojnë të gjithë”.

Tani jemi 15 vite më vonë. Baze është shpallur armik i PD-së. Por një tjetër është pranë kryetarit të PD-së në vend të tij. Mund ta ketë shpikur ai sloganin “Ju jeni të parët”, pra duke iu drejtuar qytetarëve. Dhe si 15 vite më parë, mund të jetë gjetur arsyetimi që t’ua bëjmë qejfin shqiptarëve, t’u themi se ne jemi shërbëtorë të tyre dhe me ne ata do të kenë përparësitë, dhe si atëherë në kohë fajdesh, edhe sot e vetmja gjë që mund t’i bashkonte shqiptarët me PD-në, përtej të majtës dhe të djathtës, do të ishte ekonomia, e cila, nëse rritej, nëse njerëzit fitonin. Shkurt një kalë i mirë beteje për PD-në.

Sot, në ditën e dytë, pas mbylljes së qendrave të votimit, opozita shqiptare po shkon drejt një fitoreje peblishitare në shumicën e bashkive dhe komunave të vendit. Ndërsa rezultati përfundimtar i zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 pritet të dalë më vonë, është e pamundur të mos shihet tendenca që partitë e koalicionit të udhëhequr nga PS-ja ia kanë dalë të konfirmohen triumfues në një garë që është cilësuar zyrtarisht politike nga lideri i PS-së, Rama. Analizimi i fitores së opozitës në zgjedhjet vendore nuk është rastësi, por një historik i pasur, sepse prej korrikut 1992, PS-ja i ka fituar shumicën e sfidave vendore, edhe pse ka qenë në opozitë. Analizimi i humbjes së PD-së duhet ndalur sërish te slogani: “Ju jeni të parët”.

Ai në thelb është slogani i vitit 1996. Në një shumatore të premtimeve elektorale të bëra në fushatë gjatë periudhës 8 prill-6 maj 2011, PD-ja dhe partitë e tjera në koalicionin qeverisës premtuan gjithçka të pamundur, duke e bërë të mundur në 4 vitet e ardhshme nën drejtimin e administratorëve të saj vendorë. Mijëra kilometra rrugë, rrugica, trotuare, shkolla, kopshte çerdhe, spitale, qendra shëndetësore, mijëra vende pune dhe biznese të reja në komunitetet vendore, kampuse universitare, stadiume dhe fusha sportive. Pra, ato që u kanë munguar këtyre zonave në 20 vitet e shkuara, partia në pushtet do t’i bënte në 4 vitet e ardhshme.

Joshja ishte publike: “Me ne fitojnë të gjithë”. Kësaj iu shtuan përfitimet nga falja publike, që bëri parlamenti në mungesë të aministisë fiskale të rrëzuar nga opozita, si aksion elektoral. Në funksion të kësaj ishin edhe legalizimet e njëpasnjëshme që vijojnë të bëhen, kompensimet për ish-të dënuarit politike, apo ligjet qeveritare që bëhen për përfitimet e shtresave në nevojë.

Në maj dhe tetor 1996, PD-ja fitoi, por Shqipëria humbi. Pak muaj më vonë vendi do të zhytej në kaos, kursimet e shqiptarëve do të treteshin bashkë me shtetin e Berishës.
Në 8 maj 2011 PD-ja humbi, sepse populli refuzoi ta lexojë si të vërtetë mashtrimin elektoral të 15 viteve më parë. Por ka fituar Shqipëria. Një fitore që duhet plotësuar me largimin e një koalicioni të rënë, që mbahet në pushtet nga një rezultat i dyshimtë zgjedhor i dy viteve më parë, me armët që u shkrepën në 21 janar kundër popullit dhe me premtimet me lugë zbrazur. Një fitore që duhet shoqëruar me sloganin që i shkon për shtat pozitës së sotme: “Me ne (në opozitë) fitojnë të gjithë”.