
Preç Zogaj, 13.01.2010
Nuk është raportuar deri me sot rasti i ndonjë jete të rrezikuar serjozisht në zonat e përmbytura të Shkodrës. E megjithatë, kryeministri Berisha dhe zyrtarët e tjerë të lartë të qeverisë raportojnë çdo ditën në media se po shpëtojnë jetë.
Intensiteti i lajmit të krijon përshtypjen se shpëtimtarët e jetëve po përleshen me vërshime dhe dallgë të mëdha, duke mos i lënë të rrëmbejnë fëmijë, gra, pleq, plaka dhe të rritur.
O tempora, o mores! Të gjithë e dimë se nuk është kështu. Sëpaku deri tani nuk është kështu. Uji është shpërndarë fushave nga pamundësia dhe paaftësia e kolektorëve të mbetur për të evaduar shkarkimet e programuara nga hidrocentraleve.
Në shtëpitë e rrethuara nga uji, qofte edhe kur nuk thellësia shkon mbi njëzët apo tridhjetë centimetra, nuk mund të jetohet me shumë se dy tre ditë.
Prandaj, pa përjashtuar ndonjë të papritur që do të riste nivelin dhe vrullin e ujërave, ka qenë dhe është e domosdoshme që njerëzit të evakuohen. Do të ishte e paperceptushme që ata të liheshin me ditë të tëra të izoluar si në varka të palëvizshme.
Nuk po shpëtohen jetë në Shkodër. Nuk kemi arritur ende në këtë pikë dhe urojmë të mos arrijmë asnjeherë. Po të shkonim në skenarin e rrezikimit të jetëve nga vërshime, dallgë dhe thellësi që mbysin njerez e bagëti, kam frikë se nuk do ti shpëtonim dot të gjitha jetët.
Por nuk jemi në këtë skenar. Më e sakta që mund të thuhet për atë që po ndodh në Shkodër është se po punohet për tu ardhur në ndihmë njerëzve të goditur nga kjo fatkeqesi nepërmjet akomodimit të përkoshhëm në vende të banueshme, fornizmit me ujë, ushqime, ilaqe e tjerë.
E gjithë kjo nuk është pak. Përkundrazi. Në bilancin e përkushtimit dhe solidaritetit ndaj zonave të përmbytura gjejnë hapësirë për tu nderuar qeveria, opozita, shoqëria civile, kushdo.
Pesë apo dhjetë persona që nuk kanë zbatuar rregulloren për shkarkimin e ujërave nga hidrocentalet janë përgjegjës para ligjit dhe shoqërisë. Por qindra mijëra të tjerë që kanë shkuar për të ndihmuar në zonat e përmbytura janë për t’u respektuar. Kjo është e verteta.
Përse ateherë kryeministri dhe anëtarët e tjerë të qeverisë ngulmojnë kaq fort në një sukses që nuk e ka sjellë rasti të provohet, siç është shpëtimi i jetëve! Përse ata nuk mjaftohen me atë që po bëjnë realisht në zonat e përmbytura, por duan të marrin edhe aureolën e shpëtimtarëve të jetës?
A është ky pretendim një metaforë, nga ato që Berisha përdor si t’i vijë, me spontaneititetin e dikujt qe nuk ka patur kohë të bëhet poet! Po të ishte kështu, nuk do t’ja vlente të merreshim me ketë ceshtje.
Por kam përshtypjen se, edhe si lapsus, pretendimi se po shpëtohen jete tradhëton jo vetëm një kulturë politike për qeverisjen si mburrje, por edhe një mendim konkret për periudhën postpërmbytje kur do të shtrohet në një formë institucionale çeshtja e pergjegjesive për përmbytjen dhe e faturës së dëmëve. Ndera e madhe humb borxhin e madh, thotë një fjalë e urtë.
Sot ka një perceptim shumë të përhapur në publik se përmbytja në Shkodër është parasëgjithash pasojë e një plani të gabuar për shkarkimet. Të dhënat që janë publikuar në lidhje me sasinë e rreshjeve dhe nivelin e liqeneve të kaskadës së lumit Drin gjatë muajit dhjetor shkojnë në favor të këtij përceptimi. Qeveria ka bërë deklarata, por nuk ka publikuar të dhëna që do të mund të krijonin bindjen e kundërt.
E ka të vështirë qeveria të gjejë dhe të publikojë të dhëna të tilla edhe për një arsye tjetër: të dhëna të tilla do ta shdërronin përmbytjen në fatalitet dhe ateherë shteti shqiptar, me qeverinë brenda, do të vihej përballë një pyetjeje akoma më të rendë se përse nuk ka marrë masa apo përse ka lejuar te ngrihet jeta aty ku derdhen hidrocentralet në periudha mbingopjeje. Por qeveria ” nuk dorezohet”.
Pa ofruar të dhëna të çertifikuara nga istitucionet e specializuara të hidrologjise dhe meteorologjisë, qeveria ngulmon me deklarata se përmbytjet ishin punë e perendise, kurse vetë po shpëton jetë.
Shpëtimi i jetëve të shpëtuara është një mënyrë për të fshehur në planin propagandistik humbjen e asaj që nuk u shpëtua, siç janë të mbjellat, orenditë, bagëtia dhe pasuri të tjera të pakthyeshme. Po të ishte vetem kaq, sërish do ta vështronim këtë histori si blablablanë e radhës.
Por dje në Shkodër shumë njerëz që kanë komunikuar me mua dhe kolegë të tjerë të mediave, kishin mendimin se me shpëtimin e jetëve qeveria po përgatit terrenin për një kosto dëmësh sa për të kaluar radhën. Ne ju shpëtuam jetën! Me shumë se kaq…! Ç’të merrni tjetër, qarë e keni.
Llogaritja e dëmëve, shlyerja e tyre dhe nxjerrja e përgjegjësive do të jetë prova e së vërtetës për atë që ka ndodhur e po ndodh në Shkodër. “Shpëtimtarët” e vetshpallur do të bënin një gabim të madh po tu bënin bisht këtyre detyrimeve.
Qeveria do të zbardhej vetëm nepërmjet hetimit të përmbytjeve nga prokuroria. Deputetë e zonës, bashkë me shlyetjen e dëmëvë, mund të kërkonin minimalisht këtë gjë në emër të zgjedhësve të tyre. Por shpëtimtarët e vëtshpallur janë tepër dhe kushtojnë shtrenjtë edhe kur bëjnë ndonjë punë. Shpëtimtarët e vërtetë nuk tregojnë.
Shpëtimtarët fiktivë u bien borive ” ja ku jemi”. Më mirë pa ta. Më mirë pa shpëtimtarë. Më mirë me njerëz modestë, që bëjnë punën, për të cilën paguhen. Më mirë me “heronjtë që janë bërë njerëz”, siç do të thoshte nobelisti Italian Salvatore Kuazimodo. Kur heronjtë bëhën njerez, është fat për qyteterimin.







