Nga Mero Baze, 3 Prill 2013
Koalicioni i ri opozitar u zyrtarizua. Opozita e vjetër katërvjeçare u shkri dhe në 82 ditët e fundit shqiptarët do të kenë një ofertë tjetër nga ajo katërvjeçare në emër të opozitës zyrtare. Ka rënë projekti i opozitës së bashkuar, ka rënë projekti i betejës kundër korrupsionit, ka rënë projekti i hetimit dhe anulimit të koncesioneve dhe privatizimeve, ka rënë premtimi i hetimit dhe gjykimit të 21 Janarit, ka rënë projekti i rihetimit dhe dënimit të fajtorëve të Gërdecit. I vetmi projekt që ka fituar duket se është rotacioni politik. Ka plot zemërim dhe shpresë nga kjo që po ndodh. Por ka dhe një bindje se tek socialistët do të dominojë ideja se pushteti është më i mirë se opozita dhe emocionet do të bien.
Jam shumë i vendosur të jem i qetë si humbës i një kauze që nuk përfaqësohet më politikisht nga opozita, por nuk jam i dorëzuar. Edhe pse mund të mos ekzistojnë në ndonjë sigël partie opozitare, këto kauza ekzistojnë në mendjen e shumë qytetarëve shqiptarë që mund të mbeten pa u përfaqësuar në këto zgjedhje.
Si shenjë e parë e mosdorëzimit tim si qytetar kam disa rekomandime.
E para, që partitë opozitare katërvjeçare që bënë opozitën, të rezistojnë dhe të bashkojnë forcat përtej koalicionit të Berishës dhe Ramës në një koalicion vlerash opozitare. Aleanca Kuq e Zi, e cila ka një pritshmëri më të lartë votuesish, duhet të ulet me partitë e vogla të së majtës, por dhe partinë e Bamir Topit, për t’i dhëne jetë një koalicioni opozitar që të përfaqësojë vlerat politike të opozitës katërvjeçare. Emocionet negative të shkaktuara nga një qark i shkurtër mes opozitës zyrtare dhe një pjese të pushtetit, nuk duhet të na çojnë drejt mbajtjes në pushtet të Sali Berishës. Ai duhet të ikë dhe për t’i hapur rrugë reformimit të një opozite serioze të së djathtës nesër, përballë një koalicioni, i cili kam frikë se do të tentojë të ndryshojë shumë pak historinë e krimit dhe korrupsionit në vend, siç e ka nisur.
Koalicioni i vlerave opozitare duhet të organizohet me kurajë dhe duke tejkaluar problemet politike mes fraksioneve opozitare për t’u dhënë shpresë qytetarëve se shumica e re do të ketë një garante të vlerave për të cilat opozita luftoi për katër vite. Aleanca Kuq e Zi, FRD, socialdemokratët dhe partitë e tjera të së majtës, që nuk ndjehen të përfaqësuara nga aleanca PS-LSI, duhet të bëhen bashkë për t’i lënë një shans maksimalizimit të votave opozitare kundër Sali Berishës. Ata kanë disavantazhe të mëdha pasi nuk kanë komisionerë, nuk kanë para dhe nuk kanë medie siç kanë koalicionet zyrtare. Kjo mund t’ua bëjë të vështirë triumfin, por nuk duhet t’i bëjë të tërhiqen. Ndryshe abstenimi i së majtës idealiste do të bëjë kërdinë dhe mund të ndodhë, larg qoftë, që Berisha të triumfojë.
E dyta që ka shumë rëndësi, ka të bëjë me arrogancën e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Kam 48 orë që i shikoj se krekosen, njëri duke na quajtur ne opozitarëve të dëshpëruar vegla të Saliut, dhe tjetri duke bërë cinikun me historinë e tij të duarve të pista dhe të përgjakura në pushtet. U them me qetësi se duhet të jenë më kokulur. Ilir Meta, i pari, duhet të kalojë kokulur pragun për në opozitë dhe jo të krekoset si gjeli majë të plehut. Ai nuk po vjen në opozitë si shpëtimtar, por si një mëkatar që do të pastrohet. Meqë e ka gjetur në ditë të keqe këtë opozitë me këtë lidership që ka, ai u ftua dhe u pranua në këtë katarsis, por duhet të ketë përgjegjësinë të vijë kokulur. Ngado që të hedhë sytë kur ecën kryelartë, përveçse kur mban sytë në tavan, ka për të parë ata që ka vrarë, ka vjedhur dhe ka gjobitur këto katër vjet. Ndaj më modest, më kokulur dhe më pa fjalë në këtë dasmë pa dhëndër.
E njëjta gjë vlen dhe për Edi Ramën. Nuk ka pse bëhet kaq arrogant dhe cinik as me të dëshpëruarit nga pafuqia e tij dhe as me kritikët brenda partisë. Arroganca e tij do të kish kuptim sikur të mundte Sali Berishën, dhe sikur të ishte ai hero i kësaj beteje. Ai jo vetëm që nuk e ka më këtë status, por na hoqi shansin të gjithëve ta mundim Sali Berishën. Të paktën të na kursejë poshtërimet pas kësaj.
Ndryshimi i pushtetit, që ngjan i sigurt më 23 qershor, ka nevojë për një vetëpërmbajtje dhe modesti. Nuk ka qenë e shkruar me sa duket që opozita ta mundte në betejë Sali Berishën dhe zgjodhi këtë rrugë. Por tashmë duhet të ketë mirësinë të mos na e paraqesë si rrugë heroike dhe as si triumf. Ata që ju shikojnë si krekoseni janë votuesit tuaj dhe ata e dinë që nuk është betejë e tyre, dhe as pazari i tyre. Fakti që s’i bëtë dot të lumtur si fitues, por u mjaftuat të ishit vetëm ju fitues, mund t’i bëjë ata të rrinë në shtëpi më 23 qershor dhe t’i japë fund fluturimit tuaj të shkurtër si një pilivesë.
Më modestë dhe të përulur ndaj atyre, vota e të cilëve u duhet akoma. Më njerëzorë me emocionet e tyre, dhe më të sinqertë për pafuqinë tuaj. Ndonjëherë roli i viktimës prodhon më shumë admirim se sa roli i triumfatorit. Kijeni parasysh kur doni të na mbushni mendjen përditë me arrogancë se ia ‘hodhët Saliut’. Më kokulur, kur dilni para kamerave. Aq kokulur, sa të paktën të mos na shihni në sy, se ndoshta ua falim, ngaqë radhën për të ikur e ka Berisha!