ME KËMBËT NË KËPUCËT E HUAJA

0
37

Senad Guraziu

( humoreskë – fragment ) (2012)

Drenica është zgjuar, politikisht dhe kulturologjikisht, me abetare e me lapsa, me surle e me tupana, me çdo gjë që njeriu mund të zgjohet. Kryq e tërthuer Drenicës, nga skaji në paskajore është duke ngjarë “Rilindja e vonuar politike-kulturore e Drenicës”. Ndërsa dihet, urtësia thotë: më mirë vonë se kurrë. Me këtë madje pajtohet dhe vetë ai kryeplaku, ai profesori i matufosur, arkitekti i “ideve të vonuara demokratike”…

…ndërsa në vetë Drenicën aso “gazetash gojore” qarkullonin pa pushim. Gazetat “verbale” janë shpikje e tyre dhe me kohën qenë avancuar fort nga drenicasit. Në anën tjetër dhe “intelligencia” e provincave kosovare rreth e rrotull e bënte të veten. Nuk ndaleshin, flisnin e flisnin. Kuptohet tinëz, por gjithmonë sipas rrethanave dhe nevojave momentale “strategjike”. Herë rriteshin si bëma, herë shuheshin, shpalleshin si të paqena, herë zbukuroheshin e herë shtrembëroheshin, lakadredhoheshin. Herë i ndiznin flakë, iu jepnin zjarr deri në qiell, e herë i zhysnin të ftoheshin në baltë. Si ta lypte puna, shpesh duhej të ftoheshin… por ndonjehere dhe të përbaltoseshin.
Me rëndësi është që industria gazetareske e 88 katundeve të Drenicës dhe “intelligencia” e mbarë Kosovës në njëfarë mënyre ishin të sinkronizuara…

* * *

Fakti se drenicasit sot janë madje duke e udhëhequr politikisht e kulturologjikisht Kosovën, është jo fakt dosido, por fakt Historik. Njëjtë siç është historik dhe ai fakti se zezakët sot e udhëheqin politikisht Amerikën. Ata zezakët e shtypur, ata skllevërit, ata të përvuajturit… ia dolën më në fund që ta marrin në dorë timonin e Amerikës. Pesëdhjetë e kusur shtete me një timon të vetëm, në dorën e një zezaku. Histori dhe madje përtej historie, natyrisht. Jo vetëm histori e Amerikës por e mbarë njerëzimit.

Ai zezaku President njëherë dhe pati thënë (nga ku shihet qysh në fillim sa i mençur ishte dhe ështe): Amerika s’është një varkë e vogël si Kosova apo ndonjë kajak i Apaçëve, kursi i saj nuk ndërrohet hooop me një të rrotulluar të timonit, për ta lëvizur kursin e politikave të një Titaniku, qoftë dhe vetëm për disa shkallë… duhet kohë e durim i madh politik.

Nëse tash i rrotullojmë unazat e dylbive dhe e ngushtojmë fokusin, nëse e zvogëlojmë përspektivën dhe kompasin e ngulim pingul në zemër të Kosovës, historikisht e dimë se drenicasit nuk ishin si ata zezakët të shtypur… Por gjithsesi e dimë se ata ishin pakëz të diskriminuar nga kosovarët e tjerë rreth e rrotull. Ky fakt nuk mund të mohohet. Kot shtirën kosovarët e tjerë se gjoja s’dinë gjë.

Ishin të “diskriminuar”, sepse ata si malësorë e trima gjithmonë mburreshin se janë zemra e Kosovës. Se pikërisht ata patën guximin të “çonin krye”, ta kapnin pushkën dhe xhandarëve e ushtarëve të armikut… së paku t’ua nxinin jetën. Tekefundit nuk i linin kurrë të hanë hallvë e pilaf rehat. Sidomos xhandarmërinë e kishin zët. Aq shumë i urrenin… kur ata ashtu pa pikë turpi, askund tjetër por pikërisht në dyqanin e katundit uleshin dhe pinin raki tërë ditën. Gajaseshin të dehur e përqeshnin varfanjakët e katundit, tek sorollateshin me hallet e tyre. Në çdo katund të Drenicës kishte dy-tre xhandarë në patrollim rutinor. Aty-këtu ata dhe kishin ndonjë miqësi të fshehtë, ku dhe drekonin e pushonin. Shpesh dhe e kalonin natën ndër miq sekret… nëpër katundet e Drenicës.

Por njëjtë, pothuaj gjithmonë, kishte ndonjë grup rebelesh diku në kodrinat e Drenicës, kishte kaçakë e “Gunash të zeza”, kishte cubash e lloj-lloj “druzhbash” (kjo e fundit, sipas armikut). Nëpër dushkaja gjithmonë kollitej ndonjë Azem. Shpesh i vetëm fillikat… apo ma ca jarana, por ndonjëherë dhe me ndonje trimuleshë-sokoleshë përkrah.

Duke qenë ashtu, natyrisht, atëherë armiku dhe i kishte gjithmonë në thumb si “rrezik potencial”. Sipas halleve të armikut, sipas psikologjisjes së xhandarmërisë, për t’ia ngrehur gishtin grykëhollës nga ndonjë shkurre, thjesht duhet të jesh pak i krisur nga trimëria, ose të të jetë mërzitur jeta. Plumbi i shkretë kur të jetë i lirë në ajri, nuk di dhe as nuk pyet fare nëse je xhandar, pasha apo bir mbreti. Plumbi thjesht turret çmendurisht drejt cakut të vet, pa u bërë fare “pishman”.

Dhe kur dikujt i vjen në majë të hundës, kur armiku tërbohet dhe ndermerr masat për të ta nxirë jetën, ty s’të mbetet tjetër pos ta dëshmosh rishtas se je trim. (Armiqtë gjithmonë këtë ves të keq e kanë patur dhe e kanë akoma, qofshin turq apo serbë, dhe vetë armiqtë anglezë ashtu ia bënin me ata anglezët e Amerikes, me vellezrit e vet, me ata qe s’rrinin urt, me ata që donin pavarësi). S’të mbetet tjetër pos t’ia shkrepësh, të qëndrosh e të luftosh. Ajo alternativa për t’ia therur kah sytë këmbët, për trimat thjesht nuk vlen. Ose më mirë të thuhet: nëse je i rrethuar nga të gjitha anët, nuk është fare alternativë.

Dhe, si fakt i dhimbshëm ironik, duke qenë se historikisht drenicasit e ngratë kurrë nuk ia dolën ta çlirojnë Kosovën (thua se e kishin borxh, të ngratët sikur ta kishin çliruar së paku Drenicën…), duke qenë Kosova gjithmonë e pushtuar, e roberuar… dhe armiku vetë, por dhe drenicasit e frustruar kurrë s’mbeten pa punë, gjithmonë ngelën nëpër llagëme e dushkaja. Here me Shotat e tyre e herë pa to, herë me pushkë e herë me balada, herë me kushtrime e herë me lëvdata. Të ngratët s’i panë kurrë dy ditë bardha. Në kushte të tilla, si cuba e kaçakë nëpër male, s’patën mundësi as fushat t’i punonin, pa le diç tjetër. Ashtu të izoluar dhunshëm nga qytetërimi, kuptohet s’patën as mundësi shkollimi të mirëfilltë, natyrisht se mbetesh për një nuancë më i “varfër” nga mendja politiko-ekonomike-kulturore… Më e varfër ngelet dhe oda, dhe torishta, dhe oxhaku e edhe sokaku.

Por jo dhe vetëdija e ndjenja patriotike. Ndodhë pikërisht e kundërta, sa më ngusht t’i kesh punët aq më trim e patriot bëhesh, aq më shumë kristalizohet vetëdija për “shkaktarin e të gjitha mizerieve”. Pse a mos paska vallë ndonjë armik që ta do të mirën, vallë ka ndonjë armik që nuk e ka hak plumbin kur bëhet “zot” në shtëpinë tënde?! Madje as urrejtja nuk mbetet hiç më mbrapa, njëjtë dhe ajo bymehet e vuloset pashlyeshëm. Flaka patriotike merr hov dhe thjesht nga krenaria (me kusht që ta kesh krenarinë në gjen, si Skenderbeu, d.m.th jo aso krenarie fals). Ndonjëherë krenaria patriotike është dhe si ngushëllim, është ai pathosi i sigurt për t’i mbështetur këmbët, dhe në të njëjtën kohë të mos jetë fare turp nëse të shpëton ndonjë… e të të mbështillet tirqëve, nga zori.

Ndonëse njohuritë e pleqërimit të hesapeve bazoheshin në urtësitë shekullore dhe në ato të “freskëta”, të odave. Pleqtë i tymosnin kamishët e qelibaret, kolliteshin dhe i dredhonin mustaqet e urtësisë gjithë ditën. Asnjë nga këto urtësi nuk ishin të pasakta. Përkundrazi, ishin të sakta dhe të bazuara në jetën reale, në përvojen ndër shekuj. Problemi me to ishte se duhej deshifruar domethenia e tyre. Ato thuheshin gojarisht dhe ishin teper gjithëpërfshirëse, teper të përgjithshme. Jo gjithkush ia dilte t’i zbërthente për secilin rast e për secilin problem. Jo gjithmonë mund të konkretizohej domethënia e tyre. Vetëm kryepleqtë e katundeve dhe disa skamnorë të krisur e të çuditshëm ia dilnin t’i deshifronin.

Por ama koburet kërcisnin, sporadikat e sopatat vërtiteshin, bëmat e baladat nuk ndaleshin. 88 katunde të Drenicës së Poshtme dhe të Epërme ishin fabrika e bëmave, industria e pandalshme. Lajmet përhapeshin herë nga bregu e herë nga shpati, herë si parulla e herë si “thirrje argati”. Here me tenxhere e here me kusi, herë faculeta e herë shamija, here me lahuta e here me sharkija… Gjithmonë bota dëgjonte për ndonjë bëmë a ndodhi heroike. Lajmet arrinin nëpër çdo odë katundi të provincave më të largëta, nëpër çdo skutë e mejhane qyteti.

Dhe për dallim tash “intelligencia” kosovare (intelligencia – d.t.th ata që ishin pakëz më të shkolluar) jepte e merrte me thashethemet e veta intelektuale, nëpër hane e kafene flitej e përflitej secili detaj. Madje herë-herë përhapeshin zëra se do dilte dhe njëfarë gazete ilegale. Dhe dihet, vështirë të niset një gazetë e vetme. Kur një të jetë nisur, kur akujt thyhen pastaj, padyshim dhe të tjera do ta shihnin dritën, varg e varg.

Ndërsa në vetë Drenicën aso “gazetash gojore” qarkullonin pa pushim. Gazetat “verbale” janë shpikje e tyre dhe me kohën qenë avancuar fort nga drenicasit. Në anën tjetër dhe “intelligencia” e provincave kosovare rreth e rrotull e bënte të veten. Nuk ndaleshin, flisnin e flisnin. Kuptohet tinëz, por gjithmonë sipas rrethanave dhe nevojave momentale “strategjike”. Herë rriteshin si bëma, herë shuheshin, shpalleshin si të paqena, herë zbukuroheshin e herë shtrembëroheshin, lakadredhoheshin. Herë i ndiznin flakë, iu jepnin zjarr deri në qiell, e herë i zhysnin të ftoheshin në baltë. Si ta lypte puna, shpesh duhej të ftoheshin, por ndonjehere dhe të përbaltoseshin.

Me rëndësi është që industria gazetareske e 88 katundeve të Drenicës dhe intelligencia e mbarë Kosovës në njëfarë mënyre ishin të sinkronizuara.

Shtrohet pyetja: mirë dje, na ishte se ç’na ishte dje, por sot… si funksionon sot në kohët moderne industria e katundeve të Drenicës dhe sa janë të sinkronizuara me “intelligencinë” rreth e rrotull?
Përpikmëri 100% mos kërkoni. Me rëndësi historike është vetë Zgjimi Kulturor-Politik i Drenicës. Vetë “zgjimi” nënkupton dhe flet për gjithçka. Mos i varni hundët nëse diç nuk ju pëlqen. Tekefundit edhe në Drenicë tani demokraci është. Ju jeni të lirë të pajtoheni apo të mos pajtoheni, njëjtë sikur dhe atje në Virginia të Amerikës.

Sot dhe janë përzier gjërat, janë bërë lesh. Nuk mund të flitet më strikt vetëm për “industri gazetareske drenicase” dhe në anën tjetër strikt për “intelligenci” kosovare. Sepse sot ka edhe “intelligenci drenicase”. Madje është unike, origjinale dhe disa herë më mirë e organizuar se “intelligencia” e gjithë provincave të tjera kosovare. I ka rrënjët gjithandej, që nga Akademia e Universiteti… e deri në instancat më të imëta, atje diku në qorr-rrugicat e katundeve të humbura të Kosovës. Përndryshe si do t’i prinin gjithë Kosovës?!

Me qindra e qindra profesorë, artistë, shkrimtarë, politikanë, gazetarë e njerëz kulturorë janë “kllasë intellektuale” në vete, kategori më vete, janë ajka e “intelligencisë” moderne drenicase, e me këtë… dashtas e padashtas edhe të asaj kosovare.

* * *

Thjesht po nisem nga vetvetja (pse të marr shembull tjetër duke patur veten këtu, këmbëkryq dhe si babaxhan)!

Unë vetë si pararendës i njohurive politike, si pjesëmarrës i Nacionalçlirimtares sonë (me pushkë apo me penë, cilado të jetë… njëjtë është), ai aktivist i palodhshëm në politikat “paralele” ateherë odave të paraluftës, që nga “Serbica” legjendare e deri në Malishevën e pluhurosur, si koordinator i shumë kampanjave kontributive të diaspores dhe menaxhues i fondeve të tyre, pas luftës si avangardist i mendimit social, politik, artistik, tash sëfundi edhe fetar e madje dhe shkencor; por dhe si dikush qe hodhi ujë pandërprerë në jazin e mullirit të kauzës sonë, si dikush që rrokullisi gurët e rëndë për themelin e bekuar të shtetit e deeeeeri në frutin e pjekur dhe të shumëpritur, shpalljen e pavarësisë… e di se megjithatë në demokraci askush nuk ka të drejtë t’i ketë të gjitha kompetencat për “shtirjen turshi” të trurit të lexuesve nëpër bure të kriposura mediatike.

Mediatikët tanë shpesh dhe lajthiten, jo të gjithë por pjesa dërrmuese e tyre. E shoh dhe vetë se janë ngapak euforistë. Në fakt, jo ngapak por ngashumë. Mediatikët kosovarë (sidomos ata me prejardhje drenicase) e kanë pakëz si ves euforizmin dhe megalomaninë. Tash e dhjetë vite nuk ndalen me baladat gazetareske dhe me lavdet vetëm për neve. Tyrlilloj profesorash e doktorash shkruajnë e shkruajnë, nuk ndalen ditë e natë. E gazetat vetem botojnë, me faqe e qindra-mijera faqesh. E kanë vendosur që ta hedhin në dritë sa më ndritshëm gjithë trashëgiminë patriotike-kulturore-artistike të Drenicës.

Sa shumë luftëtarët e trimat, sa patriotët i kishte pasur Drenica e unë vetë gjë s’pata ditur. Aman patëm vajtur dëm.
88 katunde të Drenicës (disa prej këtyre dikur ishin “bungalows” ose stane barinjësh, sot nuk i kanë më shumë se 7 shtëpi) nxorën nga gjiri i vet rreth gjysmë milioni luftëtarë. Dhe vetë kinezët qenë çuditur kur patën dëgjuar për një shifër të tillë. Kjo mirë… kur duhet luftuar armikun, por tani në liri si do ia bëjmë? Do jenë përgjithmonë barrë e madhe në politikat e pensioneve të veteranëve të luftës. Unë dyshoj… sepse e vështirë do jetë gjithmonë për buxhetin e Kosovës ta përballojë diç të tillë.

Nganjëherë them mirë që na çojnë në qiell, por aman kur t’na lëshojnë vajë halli nëse nuk e bëjnë butë e lehtas, do ta thyejmë qafën. Tash e një dekadë jemi në qiell, derisa ne vetë për çudi nuk e kemi gjoksin aspak “lugnajë”! Për shembull, kam dëgjuar se ata vlonjatët e kanë gjoksin të shtypur, d.mth. duke i rënë grusht… me vetëlavdërime megalomane. (Vlonjatët e thonë vetë këtë fakt – nuk guxon kush t’ua thotë, as nuk i shtynë kush… vetëm kur t’iu mbushet mendja ta përmendin vetë).

Sidoqoftë, siç ia bejnë mediatikët tanë, ashtu fitohet përshtypja se ne paskemi luftuar para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës me mentalitetin e atyre partizanëve komunistë, të atyre hoxhë-tististëve apo të atyre hoxhë-enveristëve. Ai Fadil Hoxhiqi… dhe ai “hoxhë” ishte, çfarë mrekullie, këndej gardhit dhe andej gardhit nga një “hoxhë”! Ashtu, kur i ke shkrirë punët çykë me “hoxhët” e internacionales, as historia s’kishte si të vente ndryshe. Ata partizanët o duhej të fitonin o s’bënte, përndryshe do qeshnin e gjithë bota me ta.

Ndërsa ne fituam si fituam. S’është aspak turp të të ndihmojnë në luftë aleatët. E kam thënë shpesh, po e them prapë. Mediatikët duhet të jenë të kujdesshëm… sepse e gjithë bota e dinë, po t’iu tekej ta dinë. Çdo gjë kosovare, qoftë politike, qoftë ekonomike… qoftë kozmonautike mund të përthjeshtësohet dhe të zhveshet cullak, madje deri në “klane, fise e familjarizma”. Çdokush me pak analiza e shigjeta në hartë mund ta zbërthejë bërthamën dhe strukturën e organizimit tonë, për çfarëdo që të jetë fjala.
Nëse shfaqet nevoja të analizohen gjërat “krahinarisht”, apo “provincialisht” p.sh. e gjithë Drenica mund të jetë një lis i vetëm gjenealogjik. O të kam mik o, nëse helbete jo, padyshim miku i mikut tënd është mik i mikut tim. Ajo rregulla e artë nuk është kot: miku i mikut tënd është dhe miku im.

Pse a mos na qenka Kosova si ajo Rusia territorialisht, mos na qenka shteti më i madh i botës pa skaje e fund. Mos ndoshta Drenica na qenka Xinjangu i Kinës, provinca më e madhe e botës, me banorë ndoshta më e madhe se Evropa së bashku. Është aq pakuptimtë të përhumbemi në eufori, nganjëherë më duket sikur jemi kthyer në “kavie eksperimentale” të Evropës. Kush mund ta dijë se për çfarë qëllimi shkencor-politik, kush mund t’i dijë sekretet e Evropës. Është alogjike qyshkur, jo Drenica apo Dukagjini… por gjithë Kosova sa i përket banorëve mund të jetë më e vogël se një katund kinez!

| – – – – – – – – – v i j o n – – – – – –

S. Guraziu “Me këmbët në këpucët e huaja” (humoreskë) – Ars Poetica
http://www.letrat.eu/alfa-sg_arspo_fp.php?id=96