Me kë është në luftë qeveria?

0
63

Nga Mero Baze, 15 Shkurt 2012

Qeveria shqiptare po shkëlqen në përpjekjet e saj për të bërë të padobishëm çdo faktor tjetër që tenton të ndihmojë në lehtësimin e fatkeqësisë natyrore që ka pllakosur vendin. Ajo jo vetëm që nuk është e angazhuar në kanalizimin e gjithë energjive të shoqërisë dhe institucioneve në një qendër të vetme për ta bërë më të lehtë menaxhimin e krizës, por po harxhon energjitë e saj për t’i “treguar vendin” gjithkujt që do të ndihmojë në këtë situatë. Ajo i ka shpallur luftë presidentit, opozitës, medies dhe kujtdo që tenton të bëjë diçka.

Ka një sërë aktesh irrituese të saj, të cilat e bëjnë më të rëndë këtë fatkeqësi. Qeveria sillet me të humburit, të izoluarit, të vdekurit, të uriturit dhe të pashpresët, sikur të mos jenë viktima të motit, por viktima të saj dhe ajo duhet t’i mbajë fshehur. Berisha po tenton të fshehë pleqtë e vdekur në Tropojë si baxhanakun në tragjedinë e Gërdecit, a thua i ka vrarë dhe ata me dorë të vet. Koshiente për përgjegjësinë e saj që ka lënë zona të tëra pa furnizim, rrugët pa kripë, dhe kompanitë e rrugëve pa lek, ajo po sillet me situatën si e zënë në faj dhe përpiqet ta fshehë pa pikë kuptimi.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, një i paaftë mediokër, informacionin e vetëm që i ka dhënë publikut deri tani është se telefonatat alarmuese për situatën janë bërë nga kafenetë e Tiranës dhe ky i paska zbuluar. Në çdo vend të botës, në situata të tilla, ata që informojnë publikun dhe ngrenë alarme për një situatë të keqe janë për t’u shpërblyer, pasi rrisin angazhimin e shoqërisë dhe qeverisë për situatën.

Ministri jonë i Brendshëm, jo vetëm që i urren ata që thonë po vdesim nën dëborë, por dhe paska kohë të hetojë dhe të përgjojë telefona redaksish këto ditë, për të zbuluar nga cili telefon rruge janë bërë telefonatat. Dhe këtë e thotë kur situata në Veri po bëhet ora- orës më e keqe, dhe kur zërat për ndihmë po shterojnë nga fikja e celularëve, nga ikja e energjisë dhe ndoshta larg qoftë dhe shuarja e jetëve. Më gjeni një ministër tjetër të tillë në botë që në një situatë të tillë ka shqetësim kush raporton për situatën e keqe dhe shantazhon redaksitë se u përgjon telefonat!

Më gjeni në botë një rast të dytë kur raportet informative të qeverisë janë qesharake dhe fyese për intelektin e qytetarëve, ku thuhet se rruga është plotësisht e hapur, por ka disa vende të pakalueshme, apo rruga është 80 për qind e hapur, por kujdes kur të ecni!!! Në një situatë të tillë krize, detyra e atij ministri është që të informojë shqiptarët çdo sekondë për gjendjen, biles duke na dhënë lajmin më të keq të parin, për ta ditur si po shkon situata, detyra e tij është t’i shkojë çdo banori në rrezik me helikopter apo makinë tek shtëpia, të falenderojë medien që sensibilizon situatën për krizën dhe kur e gjithë kjo të mbarojë, të kërkojë ndjesë që u shkaktoi aq mundime njerëzve nga paaftësia e tij.

Ai përpara se të verifikojë telefonatat e bëra në redaksi televizionesh apo gazetash, duhet të verifikojë situatën për të cilën ata flasin. Ka telefonata që nuk bëhen nën ortek, ka telefonata që nuk bëhen dot nga vendet ku tashmë s’ka më as energji elektrike. Një i afërm i të zhdukurve në Nikaj- Mërtur merr nga SHBA, por kjo s’do të thotë se ai kërkon të ngrejë alarm fallco. E vetmja gjë fallco që të irriton në këtë histori, është qetësia fallco që përpiqet të transmetojë Bujar Nishani, maskuar me një palë mustaqe primitive dhe nga viskoziteti i gjymtyrëve të tij.

Shqiptarët janë në luftë me fatkeqësinë natyrore, ndërsa Berisha është në lufte me shqiptarët që duan të ndihmojnë shqiptarët të shpëtojnë nga kjo fatkeqësi natyrore. Në gjithë këtë krizë, ende nuk kemi një emër, një figurë të shtetit apo pushtetit, një ministër, një prefekt apo komandant ushtarak të jetë bërë simbol i shpëtimit. Është ndoshta e vetmja krizë humanitare në botë që ka prodhuar dordolecë dhe barsoleta. Gjithë energjitë e qeverisë deri më sot po harxhohen kundër opozitës dhe medies që merret me krizën.

Ministri i Brendshëm me shantazhe, Sali Berisha me nekrofili dhe Jozefina Topalli me papërgjegjësi, po sillen me krizën si me xhelati me viktimën. Nishani pa shumë sforcim i bën njerëzit të kenë neveri, Berisha pa shumë mundim, herë me lajthitjen e tij, e herë me diabolizmin e tij, e gjezdis krizën sa nga varrezat shqiptare tek Muri Kinez, kurse Jozefina Topalli vetëm këtë javë ka marrë 10 mijë euro dieta për të shëtitur në botë arabe dhe 10 euro dieta për të shkuar në Shkodër e për të këputur broçkulla për situatën.

Duke qenë një krizë, ku Berisha po tenton t’i orientojë energjitë e njerëzve larg saj, ne sot gjendemi para një situate paradoksale, ku Presidentit i duhet të marrë ekipin e tij dhe të shkojë në disa komuna dhe një hidrocentral për të ngritur alarmin për gjendjen. Është qesharake për një shtet që Presidenti të shkojë në vendngjarje të krizës dhe të informohet nga rrethana spontane se një familje ka nevojë të evakuohet dhe ajo pastaj të evakuohet. Ç’do të ndodhte nëse ajo familja nuk njihte njeri afër Presidentit?

Kjo zbulon pikërisht faktin që shteti nuk funksionon, shteti nuk ka hartë emergjencash, nuk ka statistika, nuk ka informacion të update-ar për situatën dhe gjithkush përpiqet të bëjë diçka spontanisht. Presidenti e ka vendin në zyrën e vet dhe duhet të bëjë presionin e duhur mbi Kryeministrin dhe qeverinë të përballojnë krizën duke koordinuar gjithë strukturat, përfshi dhe pushtetin lokal të opozitës. Por ai e ka të pamundur. Pyetja e parë e Jozefina Topallit në Shkodër ishte “kush e ka pritë Bamirin” dhe jo kush ka vdekur e kush është gjallë.

E njëjta situatë ka çuar në pozicion të padobishëm dhe gjithë përpjekjen e opozitës. Është e pazakontë që një opozitë të marrë thasë me miell dhe çanta me ndihma dhe të shkojë t’ua ndaj banorëve. Jo se bën gabim, por nuk është ai roli i saj. Gjeste bamirësie mund të bëjmë të gjithë, por jo në rolin tënd institucional. Unë jam gazetar dhe në këtë krizë duhet të raportoj. Po qe se kam 100 dollarë dhe mund t’i dhuroj. Opozita është opozitë dhe në këtë krizë duhet të korrigjojë pushtetin dhe të mobilizojë strukturat e saj të bashkëpunojnë me qeverinë për të përballuar gjendjen.

Nëse dikush prej opozitarëve ka mundësi, mund të bëjë dhe bamirësi. Presidenti është president dhe në kohë krize duhet të japë garanci se shteti funksionon. Kështu si po sillet qeveria ndaj krizës, ka nxjerrë jashtë loje jo vetëm veten e saj, por gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë, ku secili përpiqet të bëjë diçka që të mos duket sikur rri duarkryq, por në fakt në tërësi nuk bëjnë dot asgjë.

Krizat përballohen nga pushteti dhe janë përgjegjësi e tij. Pushteti duhet të bëjë efektive jo vetëm fuqitë e veta, por energjitë e të gjithëve që duan të ndihmojnë në këtë krizë, edhe atë që telefonon për rreziqet që shikon, edhe gazetarin që raporton nga dëbora, edhe opozitarin që do të ngrejë shqetësimin për fatkeqësinë natyrore dhe të japë një dorë të kalohet, dhe Presidentin që duhet të drejtojë strukturat e shtetit për të përballuar situatën. Por kjo qeveri jo vetëm që s’po bën vetë asgjë, por po ndihmon që të gjithë të vijnë vërdallë dhe askush të mos jetë efektiv në dëshirën për të ndihmuar.

Të qartë se vetë janë të paaftë ta përballojnë këtë krizë, janë gati të rrisin çmimin e saj, me jetën e qytetarëve, mjafton që askush tjetër të mos krahasohet me ta si më i aftë. Është kjo arsyeja që Nishani ka fuqi vetëm të shantazhojë median duke u kujtuar se i përgjon, Berisha ka fuqi vetëm të shantazhojë opozitën dhe na heq mendjen nga kriza me gallate kineze, dhe Jozefina ka fuqi vetëm të ruajë kush takon Bamir Topin. Askush prej tyre nuk e ka mendjen tek ata shqiptarë fatzinj që po vdesin nën terrorin e bardhë të borës. Ata s’kanë fuqi të prekin dhe ndryshojnë pushtetin e tyre. Prej tyre u duhen vetëm emrat në listat e votimit. Votat i hedhin vetë, qofshin dhe të vdekur.