ME DËRGOI MESAZH KRYEMINISRI – esé –

0
44

Mbi një mesazh që me erdhi në celular me 21.6.2013 i derguar nga kryeministri i Shqiperisë 48 orë para zgjedhjeve parlamentare

Nga KOLEC TRABOINI

Dikur kur i ka prekur dorën Enverit tre ditë e tre netë nuk e ka la dorën Doktori që sidozot e kemi Kryeministër. E nuk ja jepte tjetrit në përshëndetje sepse donte aromën e Enverit ta kishte vetëm për vete. Tash Enverin e ka mohue se stina ka ndrrue. Ka njerëz që lumturohen edhe kështu. Po të ndiqja të njëjtin stil e mëndësi të adhurimit si perëndi të atyre që ke mbi ty, dhe përbuzje për ata që ke nën ty, edhe unë sonte me datë 21 qershor 2013, do të isha njeriu më i lumtur, në mos në botë të paktën në këtë Shqipërinë tonë. Sepse mua më ka dërguar mesazh Kryeministri.

Dhe lumturia prodhon lumturi, prodhon frymëzim, e frymëzimi prodhon vargje, e vargjet përbëjnë poezinë, e poezinë e vëmë në këngë, e këngët i këndojmë me lahutë, çifteli e sharki, me zumpare, me daulle a ç’të jetë, madje edhe me teneqe. Eshtë çast madhor, suprem e deri në delir që udhëheqësi më i madh që ka lindur Shqipëria (siç thonë lajkat në emisionet e Çan çamarrokut – pjesë e Klanit) e që meriton ajkën e melosit popullor, bash ky Kryeministër të sjellë pra një mesazh. Seç më kujtohet në këtë çast kënga marroke, “Dy luanë ka sot bota, një azia një Europa” e hidhu dridhu nëpër gropa, hopa-hopa.

Në fillim nuk e besova. Mendova mos ishte ndonjë provokator i rëndomë që më kërcënon nga se unë jam që njëzet vjet më parë opozitar i mënyrës së qeverisjes dhe politikave konfliktuale të ish-presidentit i kthyer në kryeministër në stilin i njohur tashmë në botë si ala Putin. Pastaj mendova se mos do të më prish mendjen me ndonjë miklim, ta zëmë si ata mesazhet që i ka dërguar Eduard Selamit kur ky bënte një punë të rëndomtë kallauz makinash në pikë të diellit e të shiut, në borë e breshër si njëri pa asnjë shpresë.

Sepse aty më së shumti punojnë emigrantët e varfër libanez, meksikanë, haitjanë e plot të tjerë, pa asnjë shkollë se ajo punë është thjeshtë punë tellalli: “My name is Eduard Selami, Can I help You, Sir!”. Kur e ke kokën në diell e shi, patjetër që oferta për deputet në Shqipëri të duket si një mrekulli zbritur nga qielli. A mos po jetoja edhe unë në këtë ekstaze selamiane? Por unë gjithherë kam qënë shpirti i dyshimeve. Kisha të drejtë të dyshoja dhe tani.

Nuk e tjerra me tej mendimin dhe e hapa celularin e drejt e tek mesazheri. Ndër to ishte një e një miku tim njujorkez, dy mesazhe nga Ambasada Amerikane që thoshte të bëja kujdes se në Shqipëri manifestimet sado paqësore eskalojnë. Me të drejtë e thonë. Kështu nisin, se pari me buzëqeshje, vazhdojnë bromb me raki dhe përfundojnë me perleshje e pum-pum me allti. Në kurrnji vend në botë ma të papritura se kuvendet e shqiptarëve nuk gjen. Sapo u dha një lajm sot në mes të zallamahisë së metingjeve euforike politike se dy prindër në periferi të kryeqytetit, nisën kuvend me të birin 44 vjeçar, ju nxehen gjakrat që të treve, dy u bënë bashkë dhe e therën me thikë të tretin. Pra djalin.

Pike vdekur. Dhe e dini si ja bënë mortin? E morën dhe e hodhën të birin në lum të Tiranës. I dëgjon këto mysebetet tona lajmësore Ambasada dhe me të drejtë na shkruan kujdes. Se këtu siguria ka nivelin Ground Zero. Sepse policia e ka mendjen të angazhohet politikisht në fushatë si vegël qorre e pushtetit. Një histori me Kukës e ministër të Brëndshëm i cili shkon vetë e arrreston qytetarët opozitar si të ishim në shtetrrethim.

Po kush e di, ndoshta jemi. Prandaj larg, sa më larg vendit ku manifeston opozita se këtu edhe qeveria e ngopur është po aq gjaknxehtë e kokëkrisur si manifestuesit e uritur . Dhe ajo ka armë dhe i shtrin qytetarët në mes të sheshit duke realizuar katër morte për një demostratë katër orëshe. Rekord botëror kasaphane. Shifër kjo për një shtet çmendi. Po le ti lëmë këto se me kësisoj çmëndurinash ndër ne fillon rrugën në mëngjes e nuk e di a sosesh në mbrëmje.

Pra çka më shkruante Kryeministri i shtetit në mesazhin që them do të ketë lumturuar sonte qindra mijra shqiptar që bëjnë si të marrosur pas tij.
Ja edhe mesazhi i kryeministrit:

21/6/13 15:47
Ju ftoj të votoni 44, projektin e PD që të hapim 250.000 vende të reja pune, paga minimale mbi 350 usd. paga e mësuesit 700 usd e pensioni minimal 150 usd, trefishojmë grantet për fermerët, të përfundojmë legalizimet dhe japim tapitë e tokave për 6 muaj, të heqim taksat për çdo të ri të punësuar , të ndërtojmë boshtin e Jugut dhe rrugën e Arbërit, të marrim statusin dhe ecim në integrimin në BB dhe liberalizimin e vizave me SHBA.
Miqësisht Kryeministri

Mendova se a thua më prishej ndopak mendja me gjithë këto miradina që më afronte Kryeministri që në fakt kishte shënuar emrin e mbiemrin e plotë por unë nuk dua ti lë emrin në këtë shkrim. Po çfarë më duhen mua gjitha këto premtime- thashë me vete. Këto janë si një plan-konspekt punësh botore përditësore se ndryshe nuk është qeveri. Janë detyra që duhet ti bëjë pa marrë mundimin të bëjë zotim. Ti bënte kësisoj premtimesh elektoratit një kandidat për president në Amerikë do ta kishte të vulosur humbjen njëqind për qind.Po ku ka president a kryeminister në botë që thotë do të bëj një rrugë. Se shteti jep para e rrugët bëhen nga kompanitë dhe kaq.

Po sikur Kryeministrit ti këtë rëne damllaja për gjashtë muaj, mos o zot, do na ngelë ndonjë vrimë tuneli pa bërë, nuk do të kemi kush të na i presë shiritat e inaugurimeve? Se kush guxon tjetër ti presë? A patë ndonjë tjetër veç Kryeministrit me gërshërë në dorë? Do na ngelë edhe pensioni në 100 dollarë usd të cilat nuk na dalin si shpenzim as për 5 ditë se gjysmën e merr elektriku dhe uji dhe 20 përqind riciklohet në xhepat e qeverise tënde ( se e imja nuk është) si taksë e leshtë, ku të pasurit paguajnë njësoj me të varfërit. Pra zoti Kryeministër me që më ke ardhur në shteg pa të ftuar po të shpjegoj se unë marr realisht 80 dollarë me të cilat nuk rron dot një qen e jo me një njeri.

Po ti nuk i di këto gjëra sepse je në maj të pikaloit e të duket se vendi yt jeton në parajsë meqë ka fatin të ketë ty e vetëm ty në krye të piramidës së shtetit. E ato vende pune more shoku Kryeministër se ti ke mbetur me mëndsinë e bolsheviku, je shok e s’bëhesh zot, janë vrima në ujë, se ato u kish dashtë të hapeshin që në mandatin e parë, po ti edhe vendet e punës që hape i mbushe me mercenarët e partisë tënde të cilën e ke si kopësht personal ku mbjell domate, speca, kastraveca e çfarë të dojë zogu i qejfit. Ti siç ke mbjell partinë ke mbjell edhe qeverinë me një lloj rasati të keq që kurrfarë rendimenti nuk ka.

Një fjalë ta them si burrat, po të më kishe premtuar një gënjeshtër të vetme, ta zëmë një vend pune, unë do ta kisha dhënë votën me dëshirë se njeriu është i prirur ta kthej nderin me nder, po kësisoj që më afron 250 mijë rrena jo për besë. Unë votën nuk ta jap. Votën e kam taksur për ata që më premtojnë të paktën një gjë që është më e rëndësishme se sa të gjithë premtimet e tua sofiste: Do tua jap atyre që më premtojnë që të rrëzojnë ty nga kali, e çojnë Mehdi Gërdecin me bishtra në gjykim si vrasës dhe Lul Basha të merret në prokurori për dy çeshtje, të vjedhmet me miliona në Rrugën e Kombit dhe katër vrasjet në bulevard me urdhërin tënd dhe miratim të tij më 21 janar 2011.

Vota ime shkon në atë krah që premton se Shqipëria do të bëhet, e jo thjeshtë të shkojë në Europë, por pikë së pari të bëhet si Europë se këtu është vendi ku lindin, jetojnë e vdesin shqiptarët.

22 qershor 2013

http://traboini-ese.blogspot.com/