Me Brukselin do çajmë bllokadën!

0
25

Nga Ernest Bunguri

Në kërkim të justifikimit të radhës, i ndihmoi sërish e “padashje” Brukseli. E gjetën! Po kërkonin me qiri formulën magjike: “Bllokimin”. Fjala për më shumë përmban të tjera kuptime në vetvete, siç është ai që të kujton bllokun e zi të Ilir Metës ose atë tjetrin të Enverit, Mehmetit, Ilirit, Jozefinës e të tjerëve bashkë. “Bllokim, bllokmen, bllok, bllokues është Edi Rama”, bërtet Bregu sy për sy edhe në Bruksel sa herë që vjen.

Ndërkohë në Tiranë, fjala “Bllokim” ishte hedhur nëpër kapilarët e të gjithë “qenve të gjahut” salistë, të cilët mprehën dhëmbët dhe nisën kafshimet majtas e djathtas se duhet të bindin më parë edhe veten për broçkullën e radhës.

Vijnë në Bruksel prej kaq vitesh rresht e përsërisin gjithnjë e më fort se për viktimat në Gërdec, fajin e ka Rama. Se ndër-regjistrimin Meta-Prifti e bëri Rama. Se për të vrarët e 21 Janarit, fajin ja lenë po Ramës. E njësoj këtij të fundit i vënë mbi shpatulla dhe “fajin” e zgjedh-vjedhjeve të radhës.

Për hir të sezonit të ri të raportit turpërues të 12 tetorit, ia gjetën e do i vënë mbi shpinë dhe “Bllokimin”. Këta ndukin male e lumenj, përcëllojnë pyje e lëndina, s’fryhen me krom, naftë, e me gjak a djersë shqiptarësh; kjo qeveri me në krye dy krye-familje të babëziturish, me ministra e deputetë me kompani nafte e me hidrocentrale, që vilat qindramilionëshe i ndërtojnë pa leje e me beton buzë plazheve me plehra dhe fekale, ka kohë që bërtet me gishtin nga Rama: “ai është bllokuesi”.

E gjetën në raportin e radhës të progresit për Shqipërinë. Ose më saktë, në disa pjesë të tij, të siguruara para kohe nga besnikët e partisë. Aty lexuan fjalët: krizë, polarizim, domethënë bllokim…e u kënaqën. Hartuan shpejt e shpejt strategjinë e radhës “të integrimit”, të cilën erdhën dhe ia shfrynë edhe Brukselit javës që kaloi me krye-temën e preferuar “fajet” e Ramës.

Përgjigja që marrin zakonisht e së fundmi mund të përmblidhet në pak fjalë. Meqë këta në Bruksel nuk janë Edi Rama, iu lënë 12 kritere për të plotësuar nga fillimi dhe i ftojnë të duken pasi t’i kenë zgjidhur. Nga burokratët e këtushëm s’duhet pritur kurrë më shumë. S’na kanë asgjë e s’i kemi asgjë është më e pakta të thuhet, por duhet të ndihemi me fat vetëm pse bëjnë atë dreq raporti (që e paguajnë me paratë e tyre) ku shqiptarët shohin ç‘kanë bërë vetë gjatë vitit, e ku qeveria qorrohet para përgjegjësive të saj, ndërsa sytë i ndrijnë vetëm kur shpikin formulën e radhës magjike për t’i rënë kokës Edi Ramës.

Këtë e them sepse jam i sigurt që menjëherë me 12 a 13 tetor, si ngahera pas publikimit, Saliu do dalë e do këndojë refrenin: “Mirëpres raportin objektiv të Komisionit, i cili do të shndërrohet në një fletore detyrash për mua dhe qeverinë time.” E përkthyer më shqip sipas meje: lek për fletoret e fëmijëve të varfër shqiptarë s’ka, por për “fletoret” e përvitshme me të njëjtat detyra për qeverinë me thasë, ndërsa për statusin e vendit kandidat, s’na plas.

Në mungesë të fjalës “progres” në një raport të hartuar me qëllimin për ta shënuar vetëm aty ku është vërejtur, fjala “Bllokim” do të përdoret pafund nga megafonët e regjimit për të errësuar ç‘do cep të raportit ku faji fshihet pas atyre që e kanë bërë, me aq sa i takon gjithsecilit.

Një periudhë tjetër shfaqet para nesh pas 12 tetorit me po 12 detyra të vjetra për të plotësuar: një valle “e nxehtë” me e ka kush e ka, njësoj me gërr-vërre ndoshta deri afër raportit tjetër të progresit, siç tha danezi, duke hedhur një hap para e dy mbrapa, por edhe ndonjë a dy në krah.