“Më braktisi burri, familja ime dhe shteti”

0
62

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ, 12 Nentor 2010

Zana Xheka ishte endur më kot dyerve të Bashkisë së Sukthit për të gjetur një përkrahje. Askush nuk ia kishte hapur derën gruas që i duhej të ushqente me mund katër fëmijët e saj. “Takova edhe kryebashkiakun e Sukthit, por ai nuk më ndihmoi. Më kot u enda disa kohë dyerve të bashkisë”, – u shpreh ajo. Sipas saj, argumentimi kishte qenë se ajo nuk ishte banore e Sukthit, por e komunës Hamallaj, prej nga e cila ishte larguar për të jetuar në Sukth. Tashmë 38-vjeçarja ndodhet në shok psikologjik.

Ndihet më fatkeqe se kurrë. Fëmijët e saj nxorën shpirt teksa ajo këndonte disa kilometra larg tyre për t’iu siguruar bukën e gojës. Djalit më të madh, 13 vjeç, i duhej të kujdesej për më të vegjlit. Çdo natë, ai i vinte në gjumë, ndërsa ende pa zbardhur dita ngrihej t’i hapte derën nënës që vinte nga puna. Tragjedia ndodhi kur në Sukth ikën dritat dhe 13-vjeçari do të ndriçonte skamjen me një qiri…

Kur u larguat nga shtëpia?
U largova pasdite vonë, pasi lashë gjithçka gati. Ashtu si çdo herë, unë përgatisja darkën për fëmijët. Pasi sigurohesha që do të flinin të qetë, nisesha për punë. Dje pasdite i kam parë katër fëmijët e mi për herë të fundit. Kur arrita në punë rreth orës 22:00, mora komshiun tim në telefon për ta pyetur për fëmijët. Ai më tha të mos merakosesha se gjithçka shkonte mirë.

Fëmijët jetonin vetëm me ju? Ku ndodhej babai i tyre?
Që prej 13 vitesh, thuajse i kam rritur e vetme fëmijët, pasi bashkëshorti nuk punonte. Ai vetëm ushtronte dhunë mbi mua dhe fëmijët. Kjo me detyroi që të divorcohesha. Që prej dy vitesh, ai nuk është bërë i gjallë. I kam rritur me shumë probleme dhe mundime. Tre fëmijë shkonin në shkollë dhe mua më duhej të kujdesesha për ta, duke bërë punë të ndryshme.

Kur e mësove se ç’u kishte ngjarë fëmijëve? U kthyet vonë nga puna?
U ktheva rreth orës 02:30, e shoqëruar nga kolegët dhe pronari i lokalit ku punoj. U afrova tek dera dhe i thirra djalit të madh për të ma hapur derën, ashtu si çdo natë tjetër. Por edhe pse po trokisja me forcë, asnjëri nga fëmijët nuk reagoi. Kjo më trembi shumë dhe u afrova tek dritarja për të parë se ç’kishte ndodhur.

Tek xhami i thyer arrita të dalloj vajzën e vogël, e cila nuk lëvizte fare. Fillova të klithja dhe të kërkoja ndihmë tek komshinjtë, të cilët shpërthyen derën. Kur hyra brenda shtanga, sytë më zunë vetëm tre fëmijët dhe nuk po shihja djalin e madh. Pas pak çastesh, komshinjtë e gjetën edhe atë në një cep të dhomës, por unë nuk guxoja t’i prekja fëmijët me dorë. Më pas erdhi policia dhe nuk mbaj mend se si kam ardhur këtu në spital.

A e keni njoftuar bashkëshortin se çfarë ka ndodhur?
E kam njoftuar që në mëngjes herët, por sërish nuk ka ardhur. Ai i braktisi të gjallë, tashmë po i braktis edhe të vdekur. Ne u shpërngulëm nga Dibra në vitin 1998, kur u vendosëm në Hamallaj, për një jetë më të mirë, por ajo mbeti një shpresë që nuk u realizua kurrë.

Si arrije të përballoje jetesën me katër fëmijë?
Pas divorcit, që prej dy vitesh jetoja me fëmijët në Sukth në një banesë me qira. Mundohesha shumë që t’ju siguroja jetesën. Më duhej të bëja dy punë për t’u ushqyer, por të ardhurat që siguroja nuk mjaftonin.

Keni kërkuar ndihmë ekonomike?
Duke qenë se banoja në Bashkinë e Sukthit, kam shkuar për të kërkuar ndihmë, por gjithmonë i kamë gjetur dyert e mbyllura. Askush nuk më ndihmoi, madje takova edhe kryetarin e bashkisë.
Asnjë nuk më ndihmonte, as të afërmit e mi. Prindërit prej kohësh nuk më mbështesnin, as në shtëpi nuk më pranonin. Fëmijët m’i i keqtrajtonin në shkollë, askush nuk i përkrahte. Ata vinin përditë në shtëpi duke qarë.

——————————————————————————–

Familja Xheka, në Sukth për të jetuar në varfëri, por pa dhunë

SUKTH – Një dhomë e përbashkët, ku ndodhej shtrati i madh, një tavolinë e një televizor. Ky ishte ambienti ku strehohej nëna me 4 fëmijët e saj, më i madhi 13 vjeç dhe më e vogla 6 vjeçe. Në këtë godinë, e cila as shtëpi nuk mund të quhet, jetonte prej rreth 2 vitesh Zana Xheka me 4 fëmijët. E braktisur nga të gjithë, nga burri, familja e saj dhe shteti. Zana tregon se në këtë godinë ishte vendosur me qira, pasi u largua nga fshati Hamallaj, ku kishte jetuar me të shoqin deri para divorcit. Me origjinë ishin nga Dibra. Por, pas martese u vendosën në fshatin bregdetar, për të nisur jetën që vetë 38-vjeçarja e kishte menduar ndryshe.

Dhuna e ka shoqëruar gjithë jetën e megjithë denoncimet në polici, ish-burri nuk kishte hequr dorë, derisa ajo kërkoi divorcin. Megjithatë, as gjykata nuk e kishte detyruar kryefamiljarin që të mbante përgjegjësitë e veta për të rritur fëmijët. Ai i braktisi ata, duke detyruar nënën e tyre të siguronte bukën për ta në çdolloj mënyre. Për atë dhomë që nga jashtë të ngatërrohej me një plevicë kafshësh, Zana paguan çdo muaj një qira prej 3 mijë lekësh. Pikërisht në këtë banesë, ku edhe pse e dinte se varfëria do të ishte me të për vite të tëra, Zana pranoi të jetonte se kishte lirinë. Pikërisht këtu, liria e saj nga dhuna u “shpërblye” me dhimbjen më të madhe, atë të humbjes së 4 fëmijëve të saj.

——————————————————————————–

Shoqja e Zanës: U martua që kur ishte 15 vjeçe

Zana rrinte gjithnjë në ankth për fëmijët e saj. Ishte e detyruar t’i linte vetëm ata, pasi i duhej të punonte që t’u siguronte bukën e gojës”. Kështu u shpreh dje mes lotëve njëra nga koleget e punës dhe njëherazi mike e Zana Xhekës. Sipas saj, Zana ishte në varfëri ekstreme, ndërsa askush nuk e ndihmonte për të ushqyer katër fëmijët e vegjël.

Ndonëse ishte martuar që 15 vjeçe, nga kjo martesë ku lindën katër fëmije nuk gjeti mbështetjen e bashkëshortit të saj. Ai e braktisi bashkë më fëmijët. Zana punonte në dy punë, paradite kameriere në një lokal në Sukth, ndërsa në mbrëmje punonte si këngëtare në një lokal nate në Tiranë, aty ku punoj edhe unë”, u shpreh ajo. Sipas saj, Zana kujdesej mjaft për fëmijët e saj, dhe vazhdimisht shprehte frikë se mos iu ndodhte gjë teksa rrinin vetëm gjatë gjithë natës. l.m

—————————————————————————

Tragjedia me 4 femijët rrëfehet babai


TIRANE – Ngjarja ne familjen Xheka, ku 4 femije te mitur humben jeten si pasoje nga asfiksia, ka qene tragjedi dhe per babain e ikur nga shtepia. Ne nje rrefim per te perditshmen Gazeta Shqiptare, Besim Xheka thote se i ka parë katër fëmijët e tij të mjerë, rreth 3 muaj më parë, kur ata fshehurazi nga e ëma, shkuan të takojnë të atin. Me lot në sy dhe fjali që i lë përgjysmë në mes nga ngashërimi, Besim Xheka rrëfen historinë e dhimbshme të jetës së tij.

Isha në shtëpi kur kunata më tha se djali i madh ishte në gjendje shumë të rëndë sepse i kishte rënë një vetëtimë. U çmenda. Sillesha në shtëpi si i marrosur dhe doja të shkoja në Sukth për të parë se çfarë po ndodhte. Kunata më qetësoi dhe bashkë me tim vëlla më thanë që t’i prisja në shtëpi. Kur erdhën dhe më thanë lajmin, nuk i besoja dot veshëve. O Zot pse fëmijët e mi, pse të gjithë… “, shprehet babai i kater femijeve per Gazeta Shqiptare.

Të martuar prej 14 vitesh, Besim dhe Zana Xheka kanë kaluar nëpër konflikte dhe mosmarrëveshje të mëdha. Të vendosur në atë shtëpi që s’i dihet emërtimi, çifti, prindër të katër fëmijëve, dy djemve dhe të dy vajzave, kanë provuar të ndahen e të bashkohen disa herë, ndërkohë që shkak i sherrit ishte pikërisht moskombinimi mes tyre. Gruaja akuzonte të shoqin për paaftësi për të qenë kryefamiljar, ndërkohë që vetë Besimi mundohej të shpjegonte se në të vërtetë është munduar me sa fuqi ka pasur për të rritur fëmijët e tyre.

Por, me sa duket, përpjekja në kohë e bashkëshortit 46-vjeçar ka qenë e pamjaftueshme për të siguruar qoftë edhe një jetë normale, jetë që sipas të tjera të dhënave, gruaja është munduar ta sigurojë duke punuar vetë dhe e vetme. Kështu, vetë Besimi, teksa rrëfente momentin e sherrit të fundit me Zanën tregonte se ajo e kërcënonte herë pas herë se do t’i sillte policinë në shtëpi dhe jo vetëm do ta rrihnin, por edhe do ta mbanin në qeli.

Kam qëndruar këtu te vëllai. Me këto rri sepse gruaja më trajtonte keq dhe se kohëve të fundit më kërcënoij se do të më sillte policinë për të më rrahur e burgosur, ndaj vendosa të iki“.
Sërish burri tregon se kjo histori është përsëritur shumë herë, ndërsa herën e fundit ka vendosur të lërë edhe fëmijët e tij dhe të vijë nën mbrojtjen e të vëllait në Tapizë, ku edhe ka qëndruar prej asaj kohe.

Po pa shpi jam. Rri të vëllai siç edhe kam ndenjur, por tashmë s’kam më shpi e asgjë. Askush s’më ndihmon për të pasur edhe unë diçka timen e tashmë pas vdekjes edhe të të gjithë fëmijëve për mua nuk e di kush mund të kujdeset përveç familjes sime. Më kanë thënë se për gruan po kujdeset shteti, ndërsa për mua nuk i bie kujt ndërmend“.

Dy ditë më parë, në Tapizë të Krujës qindra persona përcollën për në banesën e fundit katër të vegjlit e familjes Xheka. Trupat e pajetë të Robertit, Vilsonit, Kasandrës dhe Nertilës të vrarë nga asfiksia e shkarkimit të dioksidit të karbonit nga një djegie e çuditshme materialesh në banesë, u varrosën në Tapizë. Sipas familjarëve nga babai i femijeve, shteti nuk pagoi asnjë qindarkë për shpenzimet e varrimit, madje asnjë pushtetar nuk ishte prezent në ceremoni. Ata fajesojne nenen si shkaktare dhe theksojne se kane qene njerezit e Zana Xhekes, qe nuk pranuan qe ajo te merrte pjese ne varrim.

Me 11 Nentor, Robert e Vilson Xheka 13 dhe 9 vjec, Kasandra e Nertila Xheka 9 dhe 6 vjec u asfiksuan nga një vatër zjarri e krijuar në shtëpi. Nga mungesa e energjisë, fëmijët harruan ndezur një qiri, që shkaktoi edhe zjarrin në banesë. Ka qënë nëna e tyre, Zana Xheka që i gjeti të asfiksuar në orët e para të mëngjesit, teksa kthehej nga puna.

Në një rrëfim rrënqethës për News24 gruaja e vetme tregoi se nuk kishte asnjë ndihmë nga bashkëshorti për rritjen e tyre, madje, ky i fundit i dhunonte sa herë kthehej në shtëpi. Kjo ishte edhe arsyeja që gruaja kishte zgjedhur të jetonte vetëm me fëmijët e saj, në varfëri e skamje.

(d.b/BalkanWeb)