Me 2005 iku Nano – Tash, me 2013, ikën Berisha

1
59

Që nga viti 2005 deri më tash- në dy palë zgjedhje të përgjithshme dhe në dy palë zgjedhje lokale, LSI ka përcaktuar fituesin, rrotacionin, ndryshimin. Edhe këtë herë LSI po përcakton ikjen edhe të një lideri tjetër. Kësaj radhe Dr. Sali Berishën.

Nga Baton Haxhiu 17 Qershor 2013

Një javë ka mbetur nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Skena politike aktuale e Shqipërisë, e dominuar nga dy partitë kryesore (PS dhe PD), vazhdon të jetë bipolare, por ajo në të vërtetë po përcaktohet gjithçka është se një parti e tretë- LSI, po përcakton skenën reale që, realisht është tri-polare. Antagonizmat mes dy subjekteve kryesore nuk janë si dikur, të ashpra, fyese, acaruese. Fushata, në të vërtetë vazhdon të zbusë tensionet dhe të iket nga tensione kërcënuese për stabilitetin e vendit.

Tre sondazhe të bëra, tani, tregojnë se pjesa dërmuese e pjesëmarrësve në biseda nuk kanë treguar shkallën e lartë të zhgënjimit të militantëve dhe simpatizantëve të tyre me dy partitë kryesore- PS-në dhe PD-në.

Por është theksuar se monopolizimi i politikës nga PS ose PD ka pamundësuar zhvillimin e alternativave politike. Përpjekjet e deritashme për krijimin e një force të tillë sfiduese për dy partitë kryesore, vlerësoheshin si të pasuksesshme qoftë për shkak se i kanë bllokuar PS-ja dhe PD-ja, qoftë edhe për faktin se vetë subjektet e vogla i kanë rrudhur ambiciet e veta.

E vetmja LSI po perceptohet si një përpjekje më serioze dhe potencialisht shumë më ndikuese për ribalancimin e skenës politike dhe thyerjen e monopoleve, por që i duhet të dëshmohet edhe një herë si e tillë me 23 qershor.

Që nga viti 2005 deri më tash- në dy palë zgjedhje të përgjithshme dhe në dy palë zgjedhje lokale, LSI po përcakton edhe një herë fitoren, rrotacionin, ndryshimin dhe ikjen edhe të një lideri tjetër të moshuar. Kësaj radhe dr. Sali Berishën.

LSI në tri sondazhet e bëra ka kaluar shifrën 7-8% dhe merret si subjekti që do të përcaktojë fituesin e ardhshëm për qeverisjen e Shqipërisë.

Edhe pse në përgjithësi shqiptarët shprehen të pakënaqur me partitë politike, megjithatë ka një shkëputje nga pesimizmi sidomos për faktin se ka ulje të tensioneve dhe emancipimin e fjalorit dhe të sjelljeve të protagonistëve kryesor në skenën politike. Hiq Shkodrën dhe fjalimet e Jozefina Topallit dhe Kryeministrit Berisha në disa momente të fushatës.

Por, në një farë mënyre, këto zgjedhje janë lehtë të konstatuara dhe mund të thuhet se Shqipëria është bërë luftë e ambicieve dhe rivalitetit personal të Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Më kritikët e Ramës e perceptojnë atë si udhëheqës që përfaqëson interesat e klaneve dhe që është shkëputur nga interesat e PS-së por me ambicie të shkon mbi interesat socialiste duke u orientuar tek qytetarët. Edhe pse qytetarët shprehen se Shqipëria po ecën përpara dhe nuk vendnumëron sepse nuk e pengojnë dilemat e pasigurisë dhe armiqësive të panevojshme nga e kaluara.

Vlerësimet e qytetarëve në sondazhe bëhen në relacion me orientimet dhe preferencat politike të qytetarit. Përjashtim nga kjo nuk është as Edi Rama që dikur vlerësohej relativisht lartë edhe nga pjesëmarrësit me orientime të djathta politike.

Edhe Ilir Meta në përgjithësi vlerësohet sepse në shumicën e rasteve po konsiderohet si person që është jashtë konfrontimeve PS – PD.

23 qershori do të fuqizoi shoqërinë bipolare edhe pse me një sistem të tillë zgjedhor(të përforcuar me variantin e 12 regjioneve) mund të dalë që Rama dhe PS-ja bashkë me LSI, do të jenë fitues absolut.

Varianti real është që votat e LSI-së janë si ndihmë Ramës për të qeverisur Shqipërinë. Me këtë rast do të largohej Berisha nga mundësia e qeverisjes dhe do të mbante premtimin për dorëheqje nga PD. Por, të gjithë thonë, dhe me gjasë do të jetë ashtu që Berisha, nuk do të largohet nga PD-ja edhe nëse i humb zgjedhjet.

Kështu në një periudhë prej dy zgjedhjeve dy liderët e fuqishëm, si Nano me 2005 edhe Berisha me 2013 do të mund të pamundësohen për të qenë kryeministra të vendit. Dhe meritë kryesore e gjithë kësaj i takon LSI-së.

Pas kësaj, ka një kërkesë nga qytetarët që del nga sondazhet, për lindjen e një formacioni tjetër politik dhe qytetar kundër një monopoli politik që është në Shqipëri. Këto janë vetëm kalkulime dëshirash zgjedhore të dala nga hulumtimet e opinionit. Të presim se çfarë të ndodhë në të vërtetë.

1 COMMENT

  1. Shpresoj që të ndodhë kjo, të largohet edhe gjyshi me antiplumb, kështu që edhe Edi Rqama e bën realitet ëndrrën e tij për të larguar politikën e vjetër, hajdute e ngatërrestare nga skena politike.

Comments are closed.