Bledar H. Prifti, 17.08.2010
Shumë pak mediave dhe analistëve mund t’iu kenë shpëtuar deklarimet e Ambasadori Amerikan, John L. Withers II, në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës.
Gjithashtu, shumë pak mediave dhe analistëve mund t’ju ketë shpëtuar çështja e letrës “anonime” që Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm , Ilir Meta, i ka dërguar Washingtonit si shprehje e shqetësimit kundër deklaratave dhe qëndrimeve të Ambasadorit Amerikan në Tiranë. Por, shumë pak media dhe analistë reaguan përkundrejt këtyre ngjarjeve shumë të rëndësishme të politikës sonë të jashtme.
Pjesa dërrmuese e mediave i dhanë më shumë hapësirë publicitare pushimeve të notarit-kryeministër sesa i dhanë hapësirë mediatike incidentit të rëndë diplomatik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Kush “merr pak erë” nga parimet bazë të diplomacisë duhet ta kuptojë se për SHBA-në, veprimet politike të qeverisë shqiptare (përfshirë këtu edhe letrën “anonime” të Ministrit të Jashtëm) janë tregues shumë i fuqishëm i faktit se qeveria shqiptare është injorante dhe e papërgjegjshme në kryerjen e misionit të saj dhe e pabesueshme në një partneritet ndërkombëtar.
Në “Top Story”, Ambasadori Amerikan lëshoi tre deklarata shumë të fuqishme që jo vetëm nuk mund të injorohen nga media, politika, dhe shoqëria, por duhet konsideruar prioritet për çdo lëvizje sociale dhe politike në vend. Së pari, Ambasadori lëshoi deklaratën-këshillë për Shqiptarët: “Mbroni Demokracinë!”.
Pavarësisht “zbukurimeve” që Ambasadori i bëri deklaratës së tij “bombë”, kuptohet nga të gjithë se në vendet me demokraci në progres apo të qëndrueshme përdoret këshilla “Forconi Demokracinë!” kurse në vendet me demokraci regresive dhe të kërcënuar përdoret këshilla “Mbroni Demokracinë!” Prej këtej, duhet kuptuar se demokracia e brishtë shqiptare është në regres të vazhdueshëm dhe nën një kërcënim gjithmonë edhe më të madh nga elementë antidemokratik.
Në vazhdim, Ambasadori lëshon një deklaratë tjetër të fortë kur ai thekson se disa individë të cilët personalizojnë deklaratat e tij ose janë të keqinformuar ose luajnë rolin e INJORANTIT në lidhje me mënyrën se si funksionon diplomacia Amerikane. Ambasadori theksoi fuqimisht se çdo deklaratë e tij ka qenë qëndrimi zyrtar i Washingtonit dhe i Sekretares Klinton.
Dhe është mëse e kuptueshme nga të gjithë që Ambasadori i drejtohet pushtetarëve shqiptarë që kanë lëshuar deklarata të atilla përkundrejt tij. Në mënyrë më të specifikuar, kjo deklaratë e Ambasadorit Amerikan i drejtohet Ministrit të Jashtëm Ilir Meta.
Kjo deklaratë e Ambasadorit vjen si kundërpërgjigje ndaj letrës “anonime” që Ministri Meta i kishte dërguar Washingtonit, letër e cila konsistonte në ankesa përkundrejt Ambasadorit dhe deklaratave të tij.
Kujtdo mund t’i kujtohet shumë mirë deklarata e Ministrit Meta kur ai u pyet nga shumë media shqiptare rreth qëndrimeve dhe deklaratave të Ambasadorit Amerikan përsa i përket çështjes së debatuar të “SHISH” dhe emërimeve nga parlamenti të gjykatësve. Ministri Meta reagoi duke deklaruar se “çdo individ ka të drejtën të japi mendimet e tij personale”.
Mediat e posedojnë këtë deklaratë të Ilir Metës të regjistruar, por ngelet akoma për t’u përcaktuar nëse këto media nuk e ripublikojnë deklaratën për shkak të lidhjes së tyre me pushtetin apo për shkak të paaftësisë dhe injorancës për të përmbushur detyrimet dhe funksionet e tyre përkundrejt shoqërisë.
Media konsiderohet “pushteti i katërt” dhe ka për detyrë të kontrollojë pushtetet e tjera dhe jo t’i shërbejë atyre, me ose pa vetëdije. Deklarata të ngjashme janë bërë disa herë në media nga ministri në fjalë dhe kolegët e tij pushtetarë.
Për më shumë, deklarata pararendëse e Ambasadorit në studion e “Top Story” është prelud i një deklarate “bombë” që tregon marrëzinë e qeverisë shqiptare dhe kërcënimin që i bëhet anëtarësimit dhe partneritetit në NATO-n nga veprimet e kësaj “qeverie kamikazësh”.
Në mënyrë të hapur, si rrallë ndonjëherë, Ambasadori Withers deklaroi se qeveria shqiptare ka shkelur paktin e firmosur me NATO-n, pakt i cili e detyronte qeverinë shqiptare që në tre vitet që do të pasonin anëtarësimin në NATO të mos bënte asnjë lëvizje në strukturë dhe në personelin strategjik të institucioneve që kishin lidhje me sigurinë kombëtare, rajonale, dhe globale.
Ambasadori nënvizoi se shkelja e paktit komplikon dhe vë në rrezik serioz partneritetin dhe qëndrimin e Shqipërisë në institucionin e NATO-s.
Duke dëgjuar këto deklarata të drejtpërdrejta, nuk arrij ta kuptoj se ç’duhet të deklaronte më fortë Ambasadori me qëllim që të vinte në lëvizje median, analistët, dhe mbarë opinionin publik.
Në aspektin më pozitiv, këto deklarata të Ambasadorit përdoren nga shumë pak analistë (1-2) si argument suplementar për të analizuar një çështje që në të vërtet është dytësore, kurse në aspektin më negativë, këto deklarata jo vetëm që nuk analizohen publikisht por ajo keqinterpretohet qëllimisht dhe marrëzisht.
Është e papranueshme që një çështje parësore siç është demokracia apo marrëdhëniet me partner strategjikë të konsiderohen si çështje të dorës së dytë apo të injorohen dhe keqpërdoren nga media dhe pushteti deri në kufijtë e marrëzisë dhe perversitetit politik.
Për të mashtruar opinionin publik, disa syresh, përfaqësues dhe hafije të pushtetit Berisha-Meta, përdorin deklaratat e Departamentit të Shtetit për marrëdhënie “të forta” me Shqipërinë për të mbuluar injorancën, paaftësinë, dhe marrëzinë e qeverive shqiptare në marrëdhënie me SHBA.
Në momentet e fundit të qëndrimit në Shqipëri (në aeroportin “Nënë Tereza”), Ambasadori Amerikan deklaroi se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë “të forta” dhe se pavarësisht opinioneve të ndryshme, “lidhja midis dy popujve është shumë e veçantë”. Siç kuptohet qartë, këtu Ambasadori nuk i referohet në asnjë moment lidhjeve me qeveritë e Tiranës.
Ai i referohet marrëdhënieve midis dy popujve; marrëdhënie që kanë filluar që me krijimin e shtetit shqiptarë, që kanë vazhduar edhe gjatë regjimit komunist, që u intensifikuan gjatë rrëzimit të regjimit komunist, dhe që kulminuan në ditët e sotme, sidomos pas sulmeve të NATO-s mbi regjimin e Millosheviçit dhe pavarësisë së Kosovës.
Deklaratat rutinë të Departamentit të Shtetit në lidhje me roli politikës sonë të jashtme në rajon nuk kanë të bëjë më një vlerësim real të politikës sonë të jashtme, por me një angazhim të qeverisë amerikanë për të inkurajuar dhe mbajtur nën vëzhgim performancën e qeverisë sonë në rajon.
Por kjo nuk duhet të ngatërrohet dhe të portretizohet si marrëdhënie “të forta” midis qeverive pasi ajo nuk ka qenë e tillë as gjatë regjimit komunist, as gjatë qeverisjes 1992-1996 të Sali Berishës, as gjatë qeverisjes së Fatos Nanos (përjashtim bën rasti kur kryeministër ishte Z. Pandeli Majko), dhe as sot gjatë qeverisjes përsëri të Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Por, duhet theksuar gjithashtu se në diplomaci shumë pak çështje ndërqeveritare bëhen publike. Nëse një shqetësim diplomatik bëhet publik, atëherë diplomacia midis dy vendeve është drejtuar drejt incidenteve më të rënda apo edhe drejt kolapsit.
Deklaratat dhe bërja publike e një çështje të caktuar nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për “t’i tërhequr vëmendjen” dhe për të paralajmëruar shoqërinë dhe qeverinë për veprime diplomatike më të ashpra në të ardhmen.
Por çfarë duhet të kuptojmë dhe mësojmë nga gjendja aktuale e demokracisë dhe politikës sonë të jashtme? Së pari, besoj se përsa i përket politikës së jashtme, SHBA kanë të gjithë potencialin politik për të frenuar marrëzinë e qeverisë Berisha-Meta në lidhje me politikën e jashtme dhe me çështje që lidhen direkt me sigurinë e NATO-s, të rajonit, dhe më gjerë.
SHBA posedon të gjithë mekanizmat për ta frenuar dhe bërë nulë një politik perverse dhe të marrë siç është ajo që po prodhon qeveria aktuale e Shqipërisë. SHBA ka ditur të mirë menaxhojë në të shkuarën situata tejet më të komplikuara me aktorë tejet më të marrë dhe të fuqishëm sesa dyshja Berisha-Meta.
Dikush me të drejtë do të pyeste se mirë për politikën e jashtme e kemi të qartë, por si i bëhet halli me demokracinë në vend?!
Duhet fiksuar njëherë e mirë në mendjet tona se jemi ne përgjegjësit kryesorë për gjendjen e demokracisë në vend. SHBA mund të jap këshilla dhe rekomandime por nuk mund të zgjedh qeveritarët Shqiptarë.
Sidomos që pas formimit të “Church Committee”, qeveria Amerikane nuk mund të ketë asnjë influencë direkte mbi vendet e huaja (që nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë globale) për të larguar diktatorë dhe për të sjellë në pushtet qeveri demokratike. Tashmë ajo është detyrë e çdo populli të largojë përmes çdo mjeti qeveritë diktatoriale që punojnë kundër interesave të shteteve dhe shoqërive të tyre.
Është detyrë e çdo populli të mbrojë dhe konsolidojë demokracinë dhe të drejtat e tij të patjetërsueshme.
Ambasadori Amerikan deklaroi se demokracitë gjenden ngaherë të kërcënuara nga elementë antidemokratik dhe se shumë vullnet, aspirata, dhe sakrifica kërkohen për ta mbrojtur atë. Duke qenë i vetëdijshëm për rreziqet që i kanosen vazhdimësisht demokracisë dhe me idealin dhe aspiratën për një republikë demokratike, Thomas Jefferson deklaroi se “çdo gjeneratë ka nevojë për një revolucion!”.
Por ai ishte i drejtpërdrejt kur theksoi se jo çdo shoqëri e meriton demokracinë. Për Jefferson, “një shoqëri që shkëmben pak demokraci për pakëz rregull do t’i humbasë që të dyja dhe nuk meriton asnjë nga të dyja.”