Artan Lame
Harxhuam një muaj kohë duke u përpjekur të provojmë se regjistrimi me kamera brenda banesës së tjetrit, nuk është shkelje e privacy-së. Unë po marr për të vërtetë të kundërtën, pra që është shkelje. Mirëpo e keqja nuk është këtu.
E keqja është se, që prej ditës që gjyqtari Bendo dha vendimin kundër TCH-së, i gjithë opinioni publik u përqendrua tek kjo pikë: ishte shkelje s’ishte shkelje, ishte tejkalim s’ishte tejkalim. Mirëpo në këtë histori, që tashmë po mbush vitin, kjo hollësi në fakt është e fundmja në radhë dhe realisht më e parëndësishmja. Përpara kësaj, qëndron fakti që një ministër që është betuar mbi kushtetutën tonë, e shkeli betimin jo vetëm me këmbë por edhe me pallë; që ky ministër zyrën-tempull ku duhej të venim të lypnim kulturë, e përdorte për t’ua lypur femrave; që ky funksionar i lartë kishte shkelur edhe ligjin e deklarimit të pasurive; që ky ministër i Republikës ishte në konflikt skandaloz interesi, pasi kishte një institut privat; që ky Institut privat kishte shkelur edhe ligjet fiskale, pasi punonin njerëz në të zezë; që ky funksionar i sërës së lartë merrej me një punë që s’i takonte absolutisht, duke shkelur në mënyrë flagrante edhe ligjin e rekrutimit të punonjësve të ministrisë, e kështu me radhë.
Gjithë këtij vargani shkeljesh, turpesh e kundravajtjesh, iu vu kapak me një gjest të kryeministrit, që aq shumë na mallëngjeu sa qemë gati t’i ngrinim këngë, kur e pushoi nga puna ministrin për 4 minuta. Nuk e di kush i mati këto minutat, por legjenda kështu thotë. Mirëpo ne, kur këndojmë strofën e parë të kësaj kënge, harrojmë të dytën, atë ku kryeministri, ashtu siç thonë për Perëndinë që “të bjen me një dorë, e të pret me tjetrën”, me njërën dorë i firmosi pushimin dhe me tjetrën i firmosi emërimin në një tjetër post publik dhe bajagi të lartë dhe sërish në fushën e letrave e të kulturës.
Njerëzia pastaj (them “njerëzia”, pasi s’i them dot “opinion publik”), pas shokimit të parë, ku po t’ua kishe lënë në dorë, do ta kishin djegur ministrin me benzinë, vazhduan punët e tyre dhe s’u kujtuan më t’i kërkojnë qeverisë së tyre se ç’u bë me atë birbon, a u dënua për gjithë ato shkeljet e ligjeve të mësipërme, apo u lanë e u shpëlanë të gjitha me shkarkimin nga detyra e parë. Ca më pak reagoi kush, kur zoti Pango u riemërua në postin e ri shtetëror kur, me ç’më kujtohet, vetëm se u shkruan nja dy reshta njoftim nëpër gazeta dhe kaq.
Tani që na ra sërish binaja në kokë, në vënd të merremi me këto punë, kemi rënë në kurthin qesharak “e teproi apo nuk e teproi ajo çupa kur filmoi Ministrin tek ja lypte, sepse kështu u shfaqën publikisht edhe kolltukët e këtij kingut”. Po ç’të bënte ajo, apo t’i thoshte “hajde shkojmë të ma lypësh nga liqeni” si qëmoti që të mos quhet shkelje e privacy-së; apo ta fuste kamerën brenda në të mbathura, që kështu të dukej vetëm “pajisjet” e zotni ministrit, por jo çarçafët dhe kolltukët, se ata janë pronë private. Turp e faqe e zezë jo më për këto muhabete, po për atë që na bëri të merremi me këto muhabete.
Si çdo mekanizëm i ndërlikuar, edhe shteti i mbështetur mbi ligje, funksionon vetëm kur të gjitha mekanizmat janë në vëndin e tyre dhe rrotullohen njësoj, përndryshe s’vlen një lek. Debati mbi privacy-në është i fundit në rradhë dhe, do kish kuptim, vetëm pasi të ishin zbatuar të gjithë ata ligjet e tjerë, përndryshe jo vetëm që nuk vlen për të ndrequr punë, por përkundër, kthehet e prish punë, siç edhe po ndodh.
Nëpër depot e ushtrisë sonë, me sa di unë, ende mungojnë nja dyqindmijë pushkë, kobure automatikë e mitralozë, që gjënden të gjitha nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Ka një ligj që dënon deri në 5 vjet burg armëmbajtjen pa leje. E pra, le të dalë një gjyqtar e të çojë në burg këta dyqindmijë shqiptarë nga 5 vjet secilin dhe pasaj të më thojë që zbatova ligjën. E solla këtë shembull pikërisht për të shpjeguar se ligjet kanë kuptim kur zbatohen në sistem, përndryshe, vijmë e mblidhemi të merremi me qimen e fatkeqes, në vend të merremi me traun e faqeziut.
Ca më tej, edhe kjo mënyrë arsyetimi që përdora unë, do kish vlerë vetëm sikur të kemi të bëjmë me një trupë gjyqësore që realisht do kish marrë përgjegjësinë të vendoste drejtësinë në këtë vend deri në elementin më të fundmë. Lere pastaj sikur kësaj t’i shtosh edhe gjendjen mjerane në të cilën noton trupa e gjyqësorit tonë në përgjithësi.
Pa qenë avokat e as gjykatës, por mëndja më thotë se po të bëhej ky gjyq në një vënd të Evropës, në Zvicër apo në Austri bie llafi, Filipi edhe mund të ish gjobitur. Por më parë do ish bërë gjithë karvani i dënimeve për fajet e ministrit dhe të atij që e vuri dhe e mbajti ministrin. Hajt të bëjmë edhe ne ato gjyqe më parë dhe pastaj po deshët po vij edhe unë të dënojmë Filipin.
Përndryshe, ajo që po bëjmë ne, është që po dënojmë atë djalin e përrallës që thirri “Ejjj, Mbreti qenka lakuriq” dhe jo mbretin që dolli lakuriq. Sot në Zvicër apo në Austri, ndoshta do ta dënonin edhe atë djalin, se edhe ai ka shkelur nenin për prishje të qetësisë publike kur bërtiti, por mbretin maskara ama, e kanë zhdukur nga faqja e dheut me kohë e vakt.