MBRESA QE NUK SHLYHEN

0
48

Refleksione rreth vëllimit “Ka gjithmonë diku”, të autores Albana Melyshi – Lifschin, “Arbëria”, Tiranë 2010, f. 135.

Tomë Mrijaj, New York

Këto ditë më ra në dorë libri i ri poetik “Ka gjithmonë diku” (Tiranë, 2010), të autores Albana Melyshi – Lifschin, i cili shoqërohet në hyrje me një meditim sinjifikativ të poetit brilant Ali Podrimja, me titull kuptimplotë: “Loja mes zjarrit e fjalëve”(f. 3-4).

Duke lexuar vëllimin e ri me poezi “Ka gjithmonë diku”, të poetes dhe tregimtares së njohur të komunitetit në Amerikë e përtej zj. Albana Melyshi – Lifschin, më kujtohej një porosi e çmuar e profesorit tim të gjuhës dhe letërsisë, që na e përsëriste shpesh: “Përpiquni të shkruani sa më pak, por të thoni sa me shumë”.
Kanë kaluar shumë vite dhe për mua kjo sentencë kuptimplote si një “porosi” më ka shërbyer në jetën time modeste publicistike. Ky mesazh udhëzues, për çdo krijues me të vërtetë është shumë i qëlluar. Për mua, sa herë që ulem të shkruaj ndonjë studim apo diçka tjetër, fjalët e arta të profesorit tim, mundohem ti kem parasysh, ndonëse është shumë e vështirë, që gjatë punës studimore ti qëndroj besinikërisht fjalë për fjalë sentencës së tij…

E përmenda këtë episode, sepse askund dhe asnjë herë se kam gjetur të zbatuar në mënyrë kaq konkrete dhe të përkryer atë “porosi”, se sa në poezitë e sapobotuara të shkrimtares dhe publicistës së njohur Albana Melyshi – Lifschin.
Dhe shpesh pyes veten: Si është e mundur dhe si ka arritur të dalë me sukses konceptual e estetikisht poetja jonë Albana, të koncentrojë një botë të tërë mendimesh, ideshë dhe ndjenjash njerëzore me pak fjalë dhe vargje!?

Vetëm një botë tejet e pasur shpirtërore, me një zemër tejet të ndjeshme njerëzore dhe artistike, mund të ia dalë me sukes të na dhurojë poezi vërtetë të bukura, që mund t’i shijosh dhe kundrosh në çdo mjedis, të shoqëruar me meny të muzikës së pasur klasike në sfond….

Dhe për mendimin tim, poezite e vëllimit ose buçetës së freskët poetike, dëshmojnë se endsja e kujdesshme e artit poetik Albana, i ka të dyja këto cilësi në një shkallë të lartë.

Në to, mund të them pa medyshje, ndodhet e koncentruar e gjithë filozofia e jetës, të gjitha ndjenjat më intime në të gjitha aspektet e tyre:
Në Dashuri (“pse të desha ty”, “ai/ajo”, “si” etj.)
Në Psikologji (“Dashuria e gruas”, “pse”?, “Lotë në sytë e burrit”)
Në Sociologji (“Falje dhe Pendim”, “Apokalipsi”, “Ai që s’je”), dhe
Në Politikë (“Shtypësi dhe i Shtypuri”, “Ç’të thanë dhe Ç’u the”).

Por titujt e këtyre poezive, që rrezatojnë botën e madhe të ndjenjave të poetes, nuk janë të vetme, ato shpalosen pothuajse në të gjitha vargjet e më se njiqind poezive të këtij vëllimi mbresëlënës.

Kush i lexon me vemendje poezitë, kush përpiqet ti zbërthejë dhe t’u hyjë kuptimit të tyre, do të bindet (të pakten kështu mendoj unë), se ato nuk janë aq të thjeshta sa duken, por janë sentenca të sakta, të përftuara nga përvoja e jetës, janë sinteza që mund të shërbejne edhe si tema hartimi për ciklet e ulëta në të gjitha shkollat dhe njiherit edhe si teza diplome për ciklet e larta, në ato fusha të dijës.

Përveç knaqsisë intelektuale, që prodhon leximi i këtyre vargjeve, me një densitet të madh mendimesh të ngjeshura, mendoj se mesazhi i tyre, të bën patjetër të meditosh gjatë, mbasi lexuesi ndjenë edhe knaqësinë artistike, që shkakton shperthimi i hovshëm i ndjenjave të poetes, mbi të cilat dominon ajo e Dashurisë, për “TË MIREN, PËR TE BUKURËN, PËR TJETRIN”, të shprehura këto me gjuhën më të bukur: atë të poezisë, plot sinqeritet e thjeshtësi.

Sa e njohim ne poeten?

Albana Melyshi – Lifschin, është ndër krijueset më prodhimtare të këtyre vitëve në botën shqiptare, e cila në fushën e letrave bashkëkohore po shfaqet si një zë original, që duhej kushtuar një vemendje të veçantë, falë cilësisë së tematikave, që ajo ka marrë për të trajtuar në fushën e krijimtarisë dhe publicistikës shqiptare.

Deri më tani poetja jonë, përveç punës krijuese si në gjininë e poezisë, prozës moderne, ajo ka botuar dhjetra vëllime në gjini të ndryshme. Pothuajse të gjithë librat e saj, janë pritur mirë nga kritika letrare, lexues dhe studiues të letërsisë. Në veprat e saj shprehet mprehtësia dhe serioziteti i një studiueseje erudite.

Disa nga veprat e poetës janë:

1. Ka gjithmonë diku.
2. Ura mbi oqean.
3. Magjia e një zëri.
4. Yesterday I cut my hair.
5. Udhëtimi në historinë amerikane (2003, 2006)
6. Takim me të papriturën.
7. Zëra nga larg.
8. Fundjava në Hillsaide.
9. Childien of Kosovo.
10. “Kafe Shkodra” e New York-ut.
11. Fëmijëri.
12. Poezi.

Gjatë muajit Korrik 2010 në Prishtinë, po qëndron i hapur Muzeu simbolik “Amerika për Kosovën”, projekt që e ka ideuar dhe hartuar Prof. Dr. Riza Sadiku. Në pavionet e saj të veçanta, një vend i dukshëm i është dhënë edhe shkrimtares shqiptaro-amerikane Albana Melyshi – Lifschin, me librin e saj të suksesshëm: “Childien of Kosovo”.

Duke dashur edhe unë të mos zgjatëm më, po i mbylli këtu përjetimet e mia, duke e përgëzuar poeten, për botimin e vëllimit të ri poetik, duke i thënë:
Të lumtë Albana, se me këto poezi na ke dëshifruar shumë mistere të shpirtit njerëzor në përgjithësi dhe sidomos të “femres” në veçanti.

Sërisht nga zemra të lumtë dhe suksese të mëtejshme!