Shekulli Online, 03.12.2009
Hap kutitë ose largohu do të jetë kryefjala e protestës së opozitës që do shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Vendimi është bërë publik pak më parë, nga kreu i PS-së, i cili ka deklarua se opozita nuk tërhiqet dhe nuk futet në Parlament pa rikthyer dinjitetin e votës së lirë
UPDATE – Duke deklaruar se Berisha e mbylli me turp kohën e dhënë nga opozita për reflektim, lideri socialist Edi Rama ka deklaruar se pas kësaj, opozita dhe populli opozitar nuk pret më vetëm hapjen e kutive, por largimin e një qeverie të kapur mat.
“Kjo qeveri e kapur mat humbet të drejtën të qëndrojë. Hap kutitë ose largohu do të jetë kryefjala e protestës sonë që do shtrihet në të gjithë Shqipërinë”- tha Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit kuvendor të PS dhe të zgjedhurve socialist, njëherësh si një mesazh drejtuar gjithë shqiptarëve.
“Atë që ne i dhamë në emër të forcës së arsyes, ai e quajti ultimatum, vuri alarmin për rrëzimin e pushtetit me dhunë. Ngriti gojën ndaj nënës time, nënës së djalit tim, ndaj bashkëpunëtorit më të afërt në krye të partisë dhe në krye të 10 ditëve iu kthye grupit të deputetëve, duke nxjerrë një armë të stërpërdorur në vite, dosjet”- tha ai.
Duke kujtuar fjalën e turpshme të mbajtur mbrëmë nga kryeministri Berisha, Rama shprehu solidaritetin e tij dhe të PS-së me të gjithë ata deputetë që mbrëmë u përgojuan poshtërsisht për shkak të sipërmarrjeve të ligjshme të tyre.
“Publikisht u kërkoj që ta padisni Berishën në gjykatë pa iu ndarë për asnjë shpifje një për një. Nuk bën vaki që një qeveri të përgojojë sipërmarrës e t’i shpallë kriminelë që meritojnë fundin e vrasësve seriale. Ne jetojmë në llumokraci”- tha më tej ai.
Sipas Ramës, protestat do të peshohen me rëndësinë e çështjes së çdo shqiptari në nevojë dhe jo me numrin e protestuesve. “Hap kutitë ose largohu nëse nuk u jep dot invalidëve dhe njerëzve në nevojë atë që u jep ligji. Nuk do paguajnë shqiptarët për energjinë që pritet t’i rritet çmimi në janar, përpara se të paguajë Berisha që e gënjeu popullin për t’i marrë votat”- tha Rama.
Përpara këtij realiteti, sipas Rames opozita bëri zgjidhjen e duhur; betejë për ta shkatërruar këtë model pa e lënë të rrënjoset. “Ne nuk hyjmë në parlament pa u çmontuar 28 qershori si precedent i suksesit të rrezikshëm elektoral, pa u rishprehur vullneti i qartë për të ringritur shtetin e së drejtës”- tha ai.
Mblidhet grupi i PS
Kreu i PS-së, Edi Rama ka mbledhur sot grupin parlamentar socialist dhe të zgjedhurit vendorë të kësaj force politike, për qëndrimin që do të mbahet pas mosplotësimit të kërkesës drejtuar qeverisë për hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve.
Ndërkohë që kanë pritur deri në fund një përgjigje nga qeveria, pas kohës lënë në dispozicion si mundësi për reflektim dhe morën të tjera kërcënime, PS do të dalë sot me një qëndrim publik.
Njoftimin e ka bërë vetë kreu i PS-së, Edi Rama, mbrëmë gjatë konferencës së vonë për shtyp, pas akuzave të kryeministri, Sali Berisha.
“Në mesditë, në orën 12, unë do t’i drejtohem të gjithë popullit opozitar me një mesazh të plotë”- ka thënë Rama, duke i kujtuar Berishës se nuk mund t’u mbyllë gojën forcërisht atyre që erdhën 100 mijë në 20 nëntor dhe do të vijnë dyfish herën tjetër.
Dje Namik Dokle është shprehur se në përfundim në afatit të vendosur nga opozita për hapjen e kutive, kryeministri tha një përgjigje të çoroditur.
“Opozita kërkoi transparencën e plotë të procesit zgjedhor e ata u përgjigjën me kërcënime e shpifje”, tha Dokle. Më tej vojoi se “opozita kërkoi hapjen e kutive ku numërimi i votave është bërë keq dhe shumë keq, ata u përgjigjën me arrogancë e shurdhëri”.
Sipas Dokles, edhe kërkesës së PS-së për krizën e demokracisë së shtetit të së drejtës me dialog dhe mirëkuptim, Kryeministri iu përgjigj me skenarët e krizës së vitit 1997 për shtypjen siç thoshte ai “me zjarr dhe hekur” të protestave popullore.
“Ne i themi Kryeministrit dhe mazhorancës së tij që për sa kohë ka mundësi reflektimi dhe arsyetimi, të mbyllë poligonin enverist të luftës kundër opozitës. Gjuha e çoroditur dhe agresive as nuk e tremb dhe as nuk e shkurajon opozitën”, tha Dokle
Në përfundim Dokle u shpreh i vendosur për qendrimin e mëtejshëm të opozitës se do të vazhdojë qendresën për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit.
Po dje ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani ka deklaruar se qeveria duhet të plotësojë kërkesën e opozitës për hapjen e kutive. Sipas tij, kjo është një kërkesë legjitime në kuadër të transparencës së zgjedhjeve.
“Zgjidhja më e mirë është transparenca dhe për këtë duhet të hapen kutitë e votimit”- tha Meidani.
Ai ka folur edhe për deklaratat e bëra nga kryeministri i vendit Sali Berisha dhe gjuhën e akuzave në përgjithësi të deputetëve të PD-së ndaj liderit socialist Edi Rama dhe familjes së tij. Sipas Meidanit deklarime të tilla janë të turpshme.