Mbi romanin e Anton Nikë Berishës: “Nëna e Dritës”

0
43

Shkruan don Pren Kola

Këtyre ditëve kemi në dorë një roman të mirëfilltë, tema e të cilit është fëmijëria, thirrja në kushtim për Zotin, vepra dhe jeta zulmmadhe e Nënës Tereze.

Për mendimin tim, por bazuar në njohurinë e përgjithshme të letërsisë shqiptare, është roman i llojt të veçantë që sheh dritën e të botuarit në gjuhën tonë. Veçoria e tij është në temën e të trajtuarit të një personi që tashmë e njeh bota, perceptimi i dukurive të jetës së një njeriu të veçantë, që me jetën dhe veprën e vet tejkalon vdekatarët e tjerë, dhe që bëhet edhe shëmbëlltyrë për ta mbizotëruar të keqen dhe për të ngadhënjyer mbi ligështitë.

Posa ta mbarosh së lexuari romanin, që lexohet me një frymë, dhe mezi pret të kalosh prej një kapitulli tek tjetri, të imponohet në mendje gjuha e zgjedhur dhe e pasur me neologjizma, fraza të krijimtarisë sonë gojore, që shekuj me radh u shqiptuan thekshëm në biseda pranë oxhaqeve të trojeve tona, që edhe në romanin në fjalë u del në pah fisnikëria, dëlirësia dhe forca për të mbijëtuar varfërinë pa e pasur përlyer shpirtin dhe pa u pasur dëshpëruar në Krijuesin.

Në familjen Bojaxhiu dhe në familjen e dajave të Gramaqelit të Nënës Tereze, del në spikamë familja e shëndoshë dhe e fisnikshme edhe në varfëri, qëndrueshmëria e saj në situata të vështira, përballimi i vetmisë dhe i zezonave të shumta që e rastisnin shqiptarin, sprovat e jetës, apo siç shprehet autori përmes nënë Dranes: “vuajtja është mësim dhe njohje… shndërrohet në dashuri e dashuria të shpie në zbulimin e të vërtetës”.

Mbresa e veçantë të lë përshkrimi i filizit të thirrjes së Nënën Tereze në Kishën e Shën Ndout, shenjtërore kjo, ku përgjëroheshin pjesa dërmuese e besimtarëve katolikë dhe ku mësonin se “shpirti dhe dashuria nuk rrënohen” (citim nga romani). Zelli i dajave (dajë Gjonit) linte përshtypje të thellë në zemrën fëmijërore të Gonxhes, shtegtimi i përvjetshëm i të gjithë fshatrave të Jakovës dhe rretheve të tjerë në Kishën e Shën Ndout, e qet në pah ndikimin e madh të Kishës në jetën e shqiptarit katolik, mësimin e saj për t’iu mallëngjyer jetës, forcën që japin fjalët hyjnore për të ngadhënjyer të gjitha pritat e djallit, qëndrueshmëria në ballafaqim me barrën e jetës, si edhe heroizmi i fesë, që duke u mbrojtur ajo, mbrohej edhe kombi.

Shtegtimi në Kishën e Zojës Cernagore në Letnicë, që, sipas romanit, është edhe tundimi i parë i Nënës Tereze, qet në dritë një forcë të madhe të Gonxhes, një pjekuri të thellë, dhe, pothuaj që atëherë, një vendosmëri për një jetë në dashuri të plotë ndaj tjetrit, vëllait dhe motrës njeri. Në shenjtëroren e Zojës bashkë me hiret që jep Biri i saj Jezusi përmes Nënës së vet, si edhe e prekur thellë me trimërinë e martirëve të Karadakut dhe heroizmin e tyre për fenë e Krishtit, Gonxhja merr si fshehtazi në gji, dhe i skalit thellë në zemër dhe i ruan me smirë porositë që i mori nga Zoja.

Pastaj, autori do të lundrojë dallgëdallgë me jetën e Gonxhes duke shpalosur për lexuesin jetën e njeriut në mënyrë shumëdimensionale, me të gjitha lavditë dhe peripecitë e saja, duke sjellë para nesh edhe një grimë histori të përgjakshme të popullit tonë, por duke iu shmangur urretjes nacionale.

Nëna Tereze në këtë roman nuk na del si një njeri thjesht shpirtëror, thua se në të kishte diçka të jashtëzakonshme dhe të kishte lindur jashtënatyrshem apo siç u thuhet fëmijëve, ta kishte sjellë në botën tonë lejleku. Tundimi me Albin, tregon fillet e emocioneve vajzërore, dhe mendoj se pa një tundim të tillë Nëna Tereza do të mbetej personalitetit i përgjysmuar; tundimet me Albin ia shtojnë madhërinë jetës së saj vajzërore, zbulojnë shenjat e pjekurisë, qesin sheshazi karakterin, tregojnë vendosmërinë për të hequr dorë nga një pjesë e qenësishme e jetës, nga vetvetja, për një të mirë absolute, për dashurinë univerzale, që tejkalon gjithçka.

Berisha, duke e dramatizuar udhëtimin e gjatë të Gonxhes për në Indi dhe duke e hijëshuar me imagjinatën e vet, shpreh aftësinë e një nëne që t’ia kushtojë Zotit të bijën, ta falë të falurën, dhe njëkohësisht pjekurinë shpirtërore të një tetëmbëdhjëvjeçareje që të lërë gjithçka për dashuri ndaj Krishtit në shëbim të tjetrit.

Posa vijmë tek lagjja “Motili”, aty fillon në mënyrë të veçantë përshkrimi më real i ngjarjeve, dramatizimi i të cilave të bën të kujtosh se nëna Tereze ishte “mbinjeri” (“übermensch”) në kuptimin më mirë të fjalës, pasi u shndërrua vetë në dhimbje që ta kuptojë dhimbjen e tjetrit, u bë vetë dashuri, që ta kuptojë dashurinë.

Tundimi i tretë i Nënë Terezës, që edhe nga vetë rrëfimi i saj është shtegu pa rrengje kah personifikimi me Krishtin, shfaq vlerat dhe forcën më të përimtësuar e të detajizuar të saj për flijim, për shëmbëllim, pothuaj absolut, me Krishtin e kryqëzuar.

Ajo tashmë duhet të fillonte një betejë, në të cilën do “t’ia lehtësonte barrën Krishtit në kryq” (thotë autori), në atë shteg, sipas autorit, do të mësonte përfundimisht se varfëria nuk është zhvlerësim. Udhëtimi në Darjeling, shfaq në roman teologjinë mbi mëkatin, mbizotërimin e zbrazëtisë, rrugëtimin për t’i përjetësuar ditët në shërbim, dhe shpresat se një ditë do të jemi në atdheun qiellor me Krijuesin.

Nëna Tereze krahasohet me gruan e murosur, me Doruntinën dhe Konstantinin, me ç’rast autori sheh forcën e mitologjisë, përmabjtja e të cilave nuk besohet lehtë, por lë mbresa të pashlyeshme, sikurse nuk besohet lehtë as mënyra e të jetuarit në tokë e Nënës Tereze vetëm në shërbim të tjetrit. Krahasimi i Nënës Tereze me baladat dhe figurat e tjera mitologjike, mëton ta përjetësojë Nënën Tereze dhe mahnitja për figurën e saj të jetë kujtim dhe gjakim i përhershëm.

http://www.buzuku.info/Arkivi/Buzuku17/Recension.htm