Nga: KIÇO BLUSHI
Kushpoembanmisupepushtetin e Berishës në këto 20 vjet? Kjo pyetje po stërmundon e komplekson shumicën e shqiptarëve të ndërgjegjshëm. Më dramatike përgjigja bëhet veçanërisht në situata rreziqesh, në kohë krizash, katastrofash apo sikundër thuhet sot “emergjencash”, si në vitet 1997-‘98, në 2005-ën, në ngjarjet e Gërdecit dhe përmbytjet e tanishme në Veri…Në të tilla raste kur kombi bie në hall mbi hall, kur pllakos fatkeqësia, marrin kuptim pyetje të tilla që mbeten, tekefundit, pa përgjigje, pa fajtorë e pa autorë: Përse punët ne shqiptarëve na shkojnë rrokopujë, zi e më zi, aq sa mbetëm të fundit në Ballkan? Si ndodh që edhe kur përmbytemi ka qytetarë që dalin nëpër media e thonë: “T’i marrin të keqen Berishës dhe qeverisë ata që i kritikojnë!”? Përse, njëlloj si në kohën e Enverit, kur zgjedhjet presupozohen të jenë edhe të lira, edhe demokratike, nuk i ndërrojmë me votë e me vullnet të lirë kuajt e karrocës, d.m.th, udhëheqësit tanë?
Përse në zgjedhjet politike diktator-demokratët e të gjitha ngjyrave, së gjalli ndihen të lavdishëm e të gjithëpushtetshëm (kupto: të pazëvendësueshëm), edhe kur na shtypin, edhe kur na gënjejnë, edhe kur na hedhin në erë, edhe kur na pështyjnë, edhe kur na përmbytin me kuç e me maç? Përse ne prapëseprapë i duartrokasim dhe i adhurojmë, duke u dhënë, edhe pas dështimeve “spektakolare”, shumicën e votave që ata, -”udhëheqësit historikë”, – të vazhdojnë të shtyjnë sa më gjatë kalërimin e tyre mbi kurrizin tonë? Si ndodh që ata i largon nga pushteti vetëm vdekja, përmbysja me dhunë apo arratia e detyrueshme nga Shqipëria? Përse ne i mallkojmë udhëheqësit pasi ata bien vetë nga kali, dhe përse e kuptojmë zhgënjimin pasi ata të jenë sikterrisur, sigurisht jo nga ne, po nga Perëndia?
***
Aq e vërtetë është kjo, sa Fan Noli thosh në kohën e vet se kolltukofagëve tanë mund t’ua heqësh kolltukun e pushtetit nga prapanica vetëm po t’ua sharrosh atë…! Por e keqja është se jo vetëm pushtetarët e lidhin kësisoj veten me pushtetin, duke bërë të pamundurën që prapanica e tyre të mos shqitet nga “kolltuku”, por edhe ne, si qytetarë, ca me votë e ca me hyrjabyrja, ca me mercenarizëm e ca me verbëri mundësojmë e lehtësojmë mbajtjen gjallë sa më gjatë në pushtet të këtyre uzurpatorëve narcistë e të papërgjegjshëm! Fakti që, pavarësisht nga ndërrimi i sistemit, pra, qoftë kur gjendemi në monarki, në diktaturë apo në demokraci ndjekim qorrazi të njëjtin model udhëheqësi autoritar e autokrat, provon se në këtë çështje ne jemi jo vetëm bashkëvuajtës, por edhe bashkëfajtorë! Sepse ne i qasemi njëlloj si monumentit të Enverit dhe statujës së Saliut, e kjo nuk ka nevojë për veshë e për pasqyrë që të shihet!
***
I cytur e i hallosur nga të njëjtat shqetësime të rrafshit mbarëkombëtar, një i ri më shkruan nga Londra, duke ilustruar merakun e mësipërm me analizën e mëposhtme, të cilën besoj se ia vlen t’ua bëj me dije lexuesve, natyrisht për hir të thellimit në argument…Ja ç’shkruan ai:
Nga .. “populli shqiptar, të paktën nja 20% e kuptojnë situatën…30% janë si delet që ku të shkojë e para shkon e gjithë kopeja, qoftë kjo edhe të bien në shkëmb apo në ujë…20% janë në emigracion, nëpër botë, pasi vendi i tyre nuk premton asgjë… 10% janë kriminelët dhe qeveritarët që ndërrojnë herë pas here pozicionet…tërhiq e mos e këput, bëjnë sikur punojnë, bëjnë sikur qeverisin, bëjnë sikur kapin kriminelët, bëjnë sikur po luftojnë korrupsionin dhe populli mbyll sytë dhe i voton përsëri…Dhe pjesa e mbetur janë pleq e fëmijë që në shumicën e rasteve përdoren nga qeveritë për propagandë e për metingje që të mbushin radhët. Dhe kjo është Shqipëria jonë, mor njerëz!…Shiko si jemi katandisur!…Është tamam si ajo shprehja që thotë populli: Të mjerët ju, ore bijtë e mi, dynjaja në ju e ju ndër vete!….Që do thotë, për ndonjërin që nuk e kupton, se bota është kundra jush dhe ju kundra njëri-tjetrit…Më vjen me të vërtetë keq për këtë pjesë të popullit të Shkodrës!”…
Të them të drejtën nuk jam i prirur të ndaj popullin tim me përqindje, në jugorë e në veriorë (këto janë vetëm përcaktime gjeografike!), në të kulturuar e në të pakulturuar, në atdhetarë e antikombëtarë, në dele e në përçorë, në demokratë e në (ish)komunistë, në të rinj e pleq, etj…Edhe sikur këtë ta bëjnë për shoqërinë tonë sondazhet më të specializuara të Gallupit a të Gobit të Kosovës, mua kjo lloj analize nuk më bind!…Sidomos për çështje të tilla si përmbytjet, apo edhe zgjedhjet dhe qasja ndaj lirisë e ndaj liderit, ndaj demokracisë dhe parimeve të saj, ndaj Ligjit dhe të Drejtës, ndaj të zgjedhurve, populli duhet të gjykohet si një trup i vetëm, i njëjtësuar, i mbrothësuar që funksionon përsëmbari në ditë të tilla katastrofash….Por, a jemi bërë ne si popull në këto gati 100 vjet me shtet e me pushtet të mëvetshëm, të njëjtësuar e të ndërgjegjësuar të paktën për interesat vetiake, le më për ato të komunitetit apo edhe kombëtare? Kjo pyetje ha pykë…”As paninet nuk u a pranuan qytetarët “sherr-budallenjve” të opozitës!”, deklaroi më mburrje kryeministri ynë, – i gjithë shqiptarëve(?!),- në mbledhjen e improvizuar të qeverisë në Shkodër!
Dihet që mbrothësimin e kombeve e bëjnë prijësit, drejtuesit e mençur, qeveritë e përgjegjshme…Makaiveli thotë se kur një popull drejtohet nga një udhëheqës i paaftë që ka rreth vetes këshilltarë po aq të paaftë, ai komb është i destinuar të shkojë në mjerim, në shpërbërje, në vetëshkatërrim! Nuk lipset shumë kujtesë e mend për të kuptuar se për gati njëzet vjet me këtë gjasme demokraci politika jonë ka mbjellë dhe ka gjeneruar pa ndërperje më shumë përçarje se bashkim, më shumë urrejtje se pajtim, më tepër shkatërrim se ndërtim, më shumë anarki se rend, më shumë dasi e djerrëzim se kulturë, identitet e mbrothësim…! Por më e rënda është se “njeriu i ri” i diktaturës u zëvendësua me “njeriun e ri” të demokracisë…Por ç’është në të vërtetë ky “njeri i ri” dhe cilat janë tiparet e tij morale? Mund të zbulohet lehtë, në çdo edicion televiziv të këtyre fitëve se njeriu i ri i kohës sonë nuk është më pak partiak se njeriu i ri i diktaturës. Lejfenët e kuq të dikurshëm në të vërtetë nuk kanë ndonjë dallim esencial nga lejfenët e sotëm, të paktën për sa i përket shpëlarjes së truve nga propaganda e partisë dhe nga nënshtrimi pa kushte ndaj kryetarit të partisë…
Dallimi i vetëm është se një “njeri i ri” i sotëm mund të blejë diplomën e universitetit me para ose me trafik influence, madje partia mund t’i japë edhe titullin Dr. e Pr, mund ta bëjë jurist me kurs gjashtëmujor, anëtar të KLD-së, pronar të madh (pa pasur asnjë trashëgimi), komisar policie, deputet, n’daç edhe kryeministër (pa qenë asnjë ditë në punë, d.m.th, pa librezë pune!), mund ta bëjë edhe akademik pa vepra, mund ta shtyjë të shkruajë historinë sipas oreksit të kryetarit, mund të hapë edhe portat e hidrocentraleve, sigurisht nëse këtë ia kërkon “komandanti”…Ndërsa kmerët e kuq vrisnin njerëz, prishnin kisha e xhamia, të sotmit po prishin natyrën, po rrënojnë mjedisin, po shkatërrojnë pyjet, lumenjtë, pronat publike, buxhetin, administratën, të drejtat e njeriut, barazinë para Ligjit, besimin dhe shpresën te e nesërmja!
Njeriu i ri i kohës sonë nuk ka moshë, ai mund të jetë plak, por edhe i ri, sepse mosha e tij matet me kohën që militon në parti dhe sidomos me përkushtimin ndaj kryetarit, duke dhënë përditë, pa asnjë skrupull e pa pikë turpi prova verbërie e besnikërie, tamam si shërbëtorët e oborrit të faraonëve, të cilët e dinin se po të vdiste faraoni, do të varroseshin së gjalli bashkë me të!…Gjuha e njeriut të ri të sotëm është gjuha e zëdhënësve të partive! Vini re p.sh, në këto ditë si gjuha e zëdhënëseve partiake përsëritet pa u përtypur në të gjithë hierarkinë partiake e mediatike, nga lart poshtë, me të njëjtin fjalor e të njëjtin yrrysh!
Kështu, nëse hedhja në erë e Gërdecit dhe përmbytjet në Shkodër trajtohen si “sukses i menaxhimit të mrekullueshëm të qeverisë”, të gjithë “njerëzit e rinj” të partisë, edhe kur përmbyten vetë, do të dalin të thonë se atyre më shumë u bën përshtypje që Jozefina futi këmbën në ujë për t’i dhënë dorën një ushtaraku, se sa përmbytja e mijërave vetëve!…Sepse sukses për ta quhet kur qeveria shkon e bën mbledhje në Shkodër!… Shpëlarja e kësollojshme e truve kërkon të na bindë: Berisha bashkë me ministrat kanë ardhur disa herë e na kanë qarë hallin, kurse kryetari i opozitës paska qenë në detërat e ngrohtë…! Ç’kërkoni pra nga Saliu e nga qeveria e tij, o njerëz, të ndalojë shirat dhe tërmetet?Ndaj është me vend të pyesim: sa janë këta “njerëz të rinj” që përnjimend i hanë dhe i besojnë këto broçkulla? A përbëjnë ata shumicën, e cila tekefundit vendos me vota që populli shqiptar në vitin 2010 të drejtohet nga një udhëheqës “karizmatik” si Sali Berisha?
Duhet pranuar:Berisha për 20 vjet është udhëheqësi i vetëm që ka mundur të krijojë një radhë besnikësh e qëndrestarësh, të cilët janë lidhur me fatin e tij politik në mënyrë të pazgjidhshme, sigurisht jo nëpërmjet idealeve e bindjeve, antikomunizmit apo frymës së djathtë, respektit ndaj ligjit e vlerave të demokracisë, po nëpërmjet interesit dhe përfitimit vetiak. Berisha është lideri i vetëm në Ballkan që edhe në ditët e tij më të këqija ka ditur të ketë aq ndjekës, jo vetëm në veri po edhe në jug, sa të pushtojë kryeqytetin, si ka pas thënë vetë, duke sulmuar me tanke dhe antitanke Kryeministrinë e RTSH-në, edhe kur është në opozitë…
Ai ka dëshmuar se nuk të braktis e nuk të harron kurrë po i qëndrove besnik e po i shërbeve, madje edhe nëse ke probleme me ligjin e ndiqesh penalisht. Të gjithë ata që u përfshinë në grushtin e shtetit në vitin 1998 sot janë në poste të larta drejtuese, duke përfshirë këtu edhe shembujt që dha me Sefgjinin apo me të ndjerin Gazidede…Uniteti i çeliktë i këtyre “njerëzve të rinj” që emrin e Enverit në këngën ku ai “e mprehu shpatën për situatën” e kanë zëvendësuar tashmë me emrin e Saliut; por uniteti i tyre nuk është dhe aq me partinë, po direkt me Berishën. Në një darkë të një institucioni qendror për Vitin e Ri dikush kërkoi të këndohej kënga për Sali Berishën…Të gjithë nëpunësit, pa dallim, u detyruan të kërcejnë të ngazëllyer, duke dorovitur madje edhe orkestrën! Cili nëpunës do të guxonte të bënte të kundërtën?
Ë pra, jo vetëm në administratë, por tashmë të gjithë të shpërngulurit e më pas të legalizuarit, të ikur nga malet, ku nuk ka më punë, po dimër të vetmisë së madhe, që kanë zbritur në kryeqytet e në zonat bregdetare, ia dinë për nder Berishës dhe jo sistemit, as pluralizmit, as demokracisë! Të bërë pronarë, me vila e me toka, me grada e poste, qoftë edhe policë trafiku apo faturues dritash, atyre nuk u bën përshtypje as Gërdeci dhe as përmbytjet, pasi e dinë që, po të kishin mbetur në male, do të kishin vdekur edhe për bukën e gojës!…Në vitet 92-97 të gjitha agjencitë e privatizimit nëpër Shqipëri ishin përbërë nga “borde”me drejtorë drejtorish ku “karrigen” kryesore e zinte kryetari i SHIK-ut…Ndaj privatizimet sigurisht që do t’i merrnin militantët ë PD-së, d.m.th, “njerëzit tanë”…Këta tani janë bërë biznesmenë! A mund ta harrojnë ata nderin “historik” që u bëri Saliu duke i nxjerrë nga hiçnaja?!
Për këto arsye, Saliu më shumë se një parti elektorale, ka krijuar një parti me ushtarë, me mercenarë, me “njerëz të rinj”, me militantë, të cilët nuk kanë nevojë të urdhërohen, as të komandohen, sepse e dinë tashmë që vetëm me Berishën, si në një bixhoz, ose do të fitojnë, ose do t’i humbin të gjitha…Tashmë Berisha e ka çimentuar veten në të gjitha nivelet e administratës me besnikë të tij të bindur shumë më “profesionalisht “se kur ishte President!Këtë të vërtetë e kuptuan edhe “karrigethyerit”, të cilët njëri pas tjetrit u kthyen në prehrin e Berishës si një provë tjetër e fuqisë së tij! Për këto arsye sistemi që ka ngritur Berisha në këto 20 vjet duket hë-për-hë i pathyeshëm e i papërballueshëm me vota e me propagandë!
Ja përse ai ka deklaruar se do të jetë në pushtet edhe për 30 vjet! Ja përse ka ende njerëz që, edhe kur përmbyten, nuk durojnë dot t’i bëhet as edhe një vërejtje Saliut! Jo, këta votues nuk janë dele që shkojnë pas dashit të kopesë, por janë njerëz që kanë dalë nga mjerimi e tash i japin të drejtë vetes të mos vënë asgjë para interesit vetjak, para mbijetesës, para sigurisë së familjes, ndaj duan të mbrojnë me çdo kusht favoret, duke përfituar mundësisht ndere, pasuri, poste, ofiqe dhe prona të pamerituara nga pushteti i pakufizuar i Berishës…Ky është sistemi që ka ngritur Berisha! Ja përse askush nuk e di e nuk mund të parashikojë se si, me mjete “demokratike”mund të çmontohet nesër ky lloj sistemi që nuk mund të quhet as diktaturë, as demokraci,as monarki, por një Sali-Sistem, ku “qëndrestarët” nuk do të pranojnë të lëshojnë kapon, edhe sikur ky të …