Nga Mero Baze, 26 Janar 2013
Ka një shqetësim serioz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian rreth Sali Berishës dhe përpjekjes për të prodhuar një rrëmujë rajonale në hapësirën shqiptare. Nuk është një frikë që vjen nga nacionalizmi i tij klasik, as ndonjë frikë që vjen nga ndikimi i tij në rajon, por mbi të gjitha një frikë që vjen nga mënyra se si ai sillet kur i rrezikohet pushteti.
Burime të besueshme diplomatike në Tiranë bëjnë të ditur se Ministrit të Jashtëm, Panariti, i është dërguar një paralajmërim me shkrim nga qeveria e SHBA rreth përpjekjes së Berishës për të prodhuar një debat rajonal, me qëllim heqjen e vëmendjes nga problemet që ai po krijon brenda vendit. Paralajmërimi është një praktikë pune për t’i vendosur një kufi deri në çfarë mase tolerohet publikisht një retorikë e tillë. Aq shumë ka alarmuar qeverinë ky zhvillim sa kreu i LSI, Ilir Meta, po përpiqet të bëj gjeste distancuese, duke u dërguar sot dhe liderëve të Kosovës një mesazh paqtues dhe distancues nga retorika nacionaliste.
Por dyshimet dhe frika që vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli për retorikën e Berishës nuk janë dyshime klasike që vijnë nga nacionalizmat ballkanike.
Fjala vjen, kur nacionalistët serbë bëjnë paralajmërime, ata konsiderohen seriozë si nacionalistë dhe merren masa. Kur të njëjtën gjë e bëjnë grekët, po ashtu konsiderohen seriozë dhe merren masat. Problemi që ka Sali Berisha është se dy fqinjët tanë kryesorë që duhet të shqetësohen nga nacionalizmi i tij, deklarojnë publikisht që është diçka elektorale dhe drejtojnë shigjetat tek faktorë të tjerë nacionalistë brenda vendit. Është kjo arsyeja që dhe Perëndimi nuk është i shqetësuar nga ndonjë energji nacionaliste e Berishës, por nga biografia e tij dhe praktika e destabilizimit të faktorit shqiptar për nevoja elektorale.
Në vitin 1996, Sali Berisha pasi destabilizoi zgjedhjet e 26 majit dhe nxori opozitën nga parlamenti, tentoi të faktorizohej duke diktuar ndryshimin e skenës politike në Kosovë, mënjanimin e Rugovës, radikalizmin e Maqedonisë dhe kontrollin mbi liderët e rinj nga Tirana. E gjitha kjo as për të çliruar Kosovën, as për të fuqizuar shqiptarët në Maqedoni, por për të qëndruar ai në lojë me faktorin perëndimor si “baba” i kombit në Tiranë.
Tani është duke bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë. Ajo që ai predikon nuk është nacionalizëm, por një “nacion(s)alizëm”, një lëvizje origjinale e Sali Berishës për t’u faktorizuar si njeri që ka aftësi të bëjë rrëmujë me faktorin shqiptar në Ballkan.
Në të vërtetë dhe ky është një mit. Miti kryesor ka të bëjë me faktin se Berisha kontrollon faktorin politik shqiptar në rajon. Kjo nuk është e vërtetë. Berisha është popullor tek pjesa rurale e Kosovës dhe Maqedonisë, por asnjë lider shqiptar në rajon nuk është luajal, ose si të themi një ushtar i besuar i Berishës. Në Kosovë as lideri i LDK, as i PDK, as i AAK as Pacolli e Daci, nuk janë njerëz të Berishës. Nëse i mbledh bashkë në një tavolinë, të flasin pa hezitim kundër tij, nëse sigurohen se dikush nuk ia çon fjalët.
E njëjta gjë dhe në Maqedoni apo Preshevë. Ibrahim Rugova, për të cilin u kujtua më 21 janar, ditën e krimit të tij të përbindshëm, dy vjet pasi kish vrarë katër qytetarë, ishte një udhëheqës që jo vetëm nuk e deshi kurrë Sali Berishën, por e refuzoi atë të takonte apo ta priste në Prishtinë derisa vdiq. Sali Berisha e preku Prishtinën kur Rugova mbylli sytë. Nuk ia dha atë shans të shkelte sa ishte gjallë, për shkak të vetëdijes që kishte si lider paqësor, i moderuar dhe properëndimor. Berisha e di fort mirë këtë, ndaj tenton të përdorë premtime populiste për qytetarët shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e Preshevës për t’u bërë i nevojshëm për ta.
Ai ulëret nga Tirana për lapidarin e UÇK në Preshevë, një simbol i ndjeshëm për shqiptarët atje, dhe bën sikur është gati të djegë Ballkanin për të, ndërkohë që në Shqipëri rrënon vlera të pazëvendësueshme kombëtare siç është afresku i Onufrit në një kishë të mesjetës në Elbasan, i cili nuk ribëhet siç mund të ribëhet një lapidar. Ai, fjala vjen, u premton se do t’u japë pasaporta dhjetë milionë shqiptarëve, apo që do bashkojë institucionet e Shqipërisë me ato të Kosovës, dhe realisht ajo që do të bëjë është thjesht të fusë nja 10 mijë shqiptarë të Maqedonisë të votojnë në Dibër dhe po aq në Kukës, të sigurojë nja 4 mandate deputetësh nga këto dy qarqe. Makineria e pushtetit të tij po punon në klonimin e një liste fallco votuesish, që kanë munguar historikisht në votime në këto qarqe dhe t’i mbushë ato me identitete të panjohura kosovarësh apo shqiptarësh të Maqedonisë.
E gjitha është një përpjekje e kotë, që nuk ka për të funksionuar aq shumë dhe ashtu si do Berisha. Diçka dhe mund të ndodhë, por jo ajo që ai ëndërron. Ka pak shqiptarë në Maqedoni dhe Kosovë që mund të përdoren si mish për top prej tij.
“Nacion(s)alizmi” nuk është një lëvizje nacionaliste, dhe as nuk merret seriozisht nga fqinjët. Ky është një fenomen tërësisht berishian dhe ka të bëjë në thelb me të kundërtën e atdhedashurisë, apo qoftë dhe frymëzimeve nacionaliste. Ai nuk ka të bëjë me vënien e vetes në shërbim të kombit, qoftë dhe me luftim, por vënien e kombit në shërbim të pushtetit personal, qoftë dhe me luftë dhe destabizilim. Ai është një virus që lind nga dekompozimi i demokracisë dhe rritet e fuqizohet nga përpjekja për të mbuluar rrënimin e demokracisë me rrënimin e shoqërisë shqiptare. “Nacion(s)alizmi”, nuk rrezikon fqinjët, as rajonin, por rrezikon gjithnjë Shqipërinë, sa herë që Sali Berishës i prodhohet një makth për humbjen e pushtetit. Në vitin 1996, “Nacion(s)alizmi” e çoi vendin në anarkinë e vitit 1997, dhe sot po tenton të bëjë të njëjtën gjë.
Ky produkt i rezistencës 22- vjeçare të Sali Berishës në politikën shqiptare, nuk kërcënon kurrë fqinjët, nuk është një fenomen eksplodues për ta, por një fenomen inplodues, pra një shpërthim që rrënon shtëpinë e vet. “Nacion(s)alizmi” tashmë i qartë i Sali Berishës është sot i motivuar nga braktisja e Perëndimit për të, nga frika e ndëshkimit ligjor të tij, nga fantazma e së bijës para sallës së gjyqit për “gjobat” tre milionë dollarë, nga fantazma e 26 të vdekurve në biznesin e të birit në Gërdec, nga hija e katër të vrarëve me dorën e tij para kryeministrisë, dhe katastrofa para së cilës gjendet politikisht dhe ekonomikisht pushteti i tij. Është mënyra si ikën ky njeri nga pushteti nën moton “pas meje qameti”. Është mënyra si ai lë pas një “tokë të djegur”.







