Nga Enver Robelli
Nuk ka fyerje më të madhe për qytetarin e Kosovës se t’i thuash që për një çështje penale t’i drejtohet gjykatave vendore. Megjithëkëtë, politikanët këtë e bëjnë përherë, ata ndaj çdo akuze përgjigjen njësoj: “Shkoni në prokurori, drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj, gjykatat janë të pavarura, politika s’përzihet në punën e tyre.” Këto fjalë të kota janë bërë të mërzitshme ngaherë. Sepse dihet: gjykatat në Kosovë nuk janë të pavarura dhe njerëzit që duhet të ndajnë drejtësinë ose janë disa figura të diskredituara në kohën e komunizmit ose janë involvuar thellë në korrupsion dhe krim të organizuar. Në secilin raport të organizatave ndërkombëtare që është shkruar për Kosovën në këto dhjetë vitet e fundit gjyqësia është kritikuar si hallka më e dobët e organigramit administrativ.
Një hile e madhe
Në gusht të vitit 2008 kryeministri, Hashim Thaçi, kishte thënë se prokurorët dhe gjykatësit janë duke bërë gjumë të rehatshëm mbi dosjet e krimit. Që nga kjo deklaratë e shefit të qeverisë ka kaluar më shumë se një vit. Asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar në drejtësi. Dhe për këtë nuk është përgjegjëse vetëm Partia Demokratike e Kosovës. Ministrja e Drejtësisë vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri më sot as ministrja dhe as partia e saj nuk kanë prezantuar një strategji për luftimin e krimit të organizuar, ndonëse udhëheqin njërin prej resorëve më të rëndësishëm, i cili duhet të kujdeset për sundimin e ligjit. Tani jo pak zyrtarë të LDK marrin hov, duke u ngjitur në trenin e nisur nga vrasësi i vetëshpallur Nazim Bllaca dhe me deklarata populiste kërkojnë që të gjitha krimet e pasluftës duhet të hetohen dhe dorasit të zbulohen. Ku ishit deri dje? Pse s’ju dëgjua kurrë zëri? Prej nga kjo trimëri tani? Në gjithë këtë zallahi ka një hile të madhe. E vërteta është se as PDK dhe as LDK nuk kanë dhënë asnjë dëshmi të bindshme se janë të interesuara të reformojnë sistemin gjyqësor. Përkundër këtij dështimi zyrtarë të të dy partive janë bashkuar si një kor ushtrie dhe këndojnë këngën e vjetër për drejtësinë e pavarur, e cila duhet ta thotë fjalën e saj.
Edhe pse shumë mirë e dinë të gjithë, i madh e i vogël, se Kosova, dorën në zemër, është shtet pa sistem funksional të drejtësisë. Paramendojeni si mund të merret me “rastin e Nazim Bllacës” kryetari i Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, Anton Nokaj, shoferi i të cilit nëpër pompa benzine përpiqet të merret vesh me një palë lidhur me një rast në gjykatë. Natyrisht fjala është për disa mijëra euro. Paramendojeni si mund të merret me raste të krimit të organizuar një prokuror tjetër në Prishtinë, i cili në zyrë kishte bërë seks me një daktilografe dhe këtë orgji e kishte incizuar. Më vonë ky zyrtar prapë kishte kërkuar seks, por ishte refuzuar nga daktilografja. Situata kishte eskaluar, kur prokurori e kishte shantazhuar atë, duke i thënë se do ta publikonte incizimin. Daktilografja pastaj kishte tentuar të bëjë vetëvrasje. Paramendojeni si mund ta luftojë korrupsionin një gjyqtar që kërcënon gazetarët me vrasje. Paramendojeni si mund një gjyqtar ta dënojë, ta zëmë, një vjedhës të veturave, kur po ky gjyqtar pranon ryshfet prej mbi 100 mijë euro dhe një veturë. Kështu së paku thuhet në aktakuzën që u ngrit kundër këtij ish-gjyqtari. Paramendojeni si mund ta luftojë tregtinë me drogë gjykatësi që vjen nga Gjilani në Prishtinë dhe intervenon kundër dënimit të një familjari të tij të involvuar në biznes me narkotikë.
Kush është kurvë?
E pastaj politikanët në pushtet dhe ata në opozitë, intelektualë e gazetarë me tru të tredhur ankohen që Evropa, kjo kurvë e madhe, s’po na i heq vizat, se prapë po e favorizon Serbinë etj. Çfarë përralle! Një ndër arsyet pse po stagnon integrimi i Kosovës, i Shqipërisë dhe i Bosnjës në BE është pikërisht mosluftimi i krimit dhe mosndërtimi i institucioneve të pavarura gjyqësore. Si mund ta dëshmojnë politikanët e Kosovës në Bruksel se shteti kosovar është serioz, kur nuk ka asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar vendor që mund ta trajtojë rastin e Nazim Bllacës. Ka shumë arsye që kosovarët të ankohen ndaj pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Por, “rasti Bllaca” tregon se pa prezencën e misionit të Bashkimit Evropian gjendja ndoshta do të dilte jashtë kontrollit.
Dikur shkrimtari i madh gjerman, Bertolt Brecht, këndonte: “O Deutschland, bleiche Mutter” (“Gjermani, nanë e zbehun”). Poezia e tij shumë mirë e përshkruan Kosovën e ditëve të sotme. E përshtatur në gjuhën shqipe dhe në kontekstin kosovar, kjo poezi sot tingëllon kështu:
Kosovë, ti nanë e zbehun!
Qysh po qëndron këtu e njollosun
Mes popujsh.
Mes të njollosunve
Ti po bjen në sy
Kur po flasin prijësit e tu, po duhet me qeshë.
Por, kush të sheh ty, duhet me rrokë thikën.
Le të flasin të tjerët për marren e tyne,
Ti fol, fol tash për korinë tande.
Prej bijve të tu ma i ligshti
Asht shtri i plagosun.
Kur ishte i uritun,
Bijtë e tu të tjerë
Çuen dorë kundra tij.
Kjo tani asht kuptu.
Me duer të ngrituna
Të ngrituna kundra vllaut të tyne
Ata largohen prej teje pa asnji marre
Dhe të përqeshin në ftyrë.
Kjo dihet.
Në shtëpinë tande
Bërtasin, rrejnë.
E, e vërteta duhet me heshtë
A s’asht qeshtu?
Pse po të thurin lavde shtypësat,
e të shtypunit po të fajësojnë?
Të plaçkitunit
Po ta bajnë me gisht
Por, plaçkitësat po i thurin lavde sistemit
I cili asht shpikë në shtëpinë tande.
Të gjithë po të shohin
Cepin e fustanit tand e ke mshefë, ai cep asht i përgjakun
Prej gjakut të birit tand ma të mirë.
Kosovë, nanë e zbehun!
Oh, çka të kanë ba bijtë e tu
E ti qëndron mes popujsh
E tallun, e fyme, nji vend i frigësuem.
Në gjithë këtë rrëmujë të krijuar rreth “rastit Bllaca” pothuaj askush nuk mund t’i lajë duart në pafajësi. As pozita dhe as opozita. “Bllaca” është simptomë që na tregon se si është qeverisur Kosova pas luftës dhe si vazhdon të qeveriset: më shumë nga nëntoka se sa nga instancat demokratike, më shumë nga klubet e natës se sa nga kabinetet qeveritare, më shumë me muskuj se me mend, më shumë me alltia se me dije. Prandaj, sot, në këtë ditë pushimi, pas një jave të trishtueshme dhe ndoshta në prag të trishtimeve të reja, ngushëllimi i vetëm janë sërish disa vargje të Bertolt Brechtit: “Humbjet tona / Nuk dëshmojnë asgjë, përveçse jemi tepër / Pak / Që luftojmë kundër poshtërsisë / Dhe prej shikuesve presim / Që së paku të ndihen të turpëruar!“
“Koha Ditore”