Maska e vdekjes e Aleksandër Moisiut…

1
21

Sjell për publikun shqiptar informacione dhe foto nga reliket e panjohura të gjeniut Aleksandër Moisiu…

Nga Pjetër Logoreci

Gjatë punës kërkimore për të zbuluar dokumenta dhe foto, që hjedhin dritë mbi të panjohurat e jetës së bashkëatdhetarit tim, aktorit të madh Aleksandër Moisiu në Vjenë, rastësia (këmbëngulja e madhe me shpërbleu) më nxori në gjurmë të disa objekteve krejt të veçanta, gjëra personale të aktorit. Menjëherë mendova se do të përballem me unazën e Ifflandit, që po kerkoja prej kohësh, unazë që në qarqet teatrore Perëndimore është shumë e famëshme dhe shumë e dëshiruar nga të gjithë artistët e skenës, që gjeniut Moisi ia patën vendosur mbi sargun e vdekjes. Dija që disa nga këto objekte ishin të dhuruara nga familja e Moisiut, por nuk dija me egzaktësi se çfarë do të kisha kënaqësinë të shikoja.

Nuk arrija t’i rezistoja dot kuriozitetit dhe isha i padurueshëm deri në ditën e takimit që më kishte caktuar personi pergjegjës, që kujdesej për këto objekte. Të enjten, datë 12 shtator, i pregaditur shpirtërisht për surpriza të këndëshme, i veshur (për këtë rast) me teshat më të mira, që kam në garderoben time të thjeshtë, u gjenda në vendin e paracaktuar. Pas krahut shtërngoja aparatin fotografik me të cilin do të fiksoja pamjet e rradha, të cilat do të kisha privilegjin, si i pari bashkëatdhetar i Moisiut (në kohën tonë), ti shikoja.


Foto 1: Aleksandër Moisiu pak muaj para vdekjes

Gjatë rrugës për në arkivë po kaloja nëpër kokë qindra faqe gazetash e dokumentash, që kisha patur në dorë, foto e kostume që kisha parë nga garderoba e tij… po më silleshin në imagjinatën time rolet e luajtura aq mjeshtrisht nga Aleksandri. Unë shqiptari në Vjenë, krenohesha me të, në çdo ambient mbaja në gojë emrin dhe bëmat e tij e ndjehesha “i barabartë” në mes të tjerëve, kisha genin e tij.


Foto 2: Këto rreshta, origjinal të shkruar nga Luigi Pirandello, tregojnë respektin dhe simpatinë e tij për veprën e Aleksandër Moisiut (dërguar me një letër me rastin e 50 vjetorit të aktorit).

ASGJË NUK ESHTE E VËRTETË, POR GJITHÇKA MUND TË JETË E VËRTETË, KUR SHPIRTI ME FORCËN E TIJ KRIJUESE NDIHMON TA BËJË TË JETË E VËRTETË

Eshtë meritë e kulturës së kultivuar në çdo qelizë të shoqërise austriake, ruajtja, restaurimi si dhe demostrimi i shumë objekteve historike, monumentale, artistike, që na sjellin ndër kohë dhe situata historike shumë të njohura, ose që na sjellin në kujtesë personazhe nga më të famëshmit, që i kanë dhuruar botës vepra të pashlyeshme humane. Ndër to rreshtohet edhe inventari me objekte të përbotëshmit Aleksandër Moisiu.
Atë ditë… së bashku me bashkëshorten time, hymë në një sallë pune (pjesë e arkivës), mbi një tryezë të së cilës ishin dy objekte të mbështjedhuna me kujdes me letër mbrojtëse të veçantë. Punonjësja e muzeut zbuloi me ngadalë një si fytyrë të bardhë në gips…

ishte maska e vdekjes e burrit të madh Aleksandër Moisi


Foto 3: Maska e fytyrës së Aleksandër Moisiut të vdekur… (Foto: Pjetër Logoreci)

Kisha përjetuar në familje disa herë vdekjen dhe në këtë çast u ndjeva sikur më kishte ngjarë diçka e rëndë… ndjeva se po filloj të ngashërohem e të dridhem nga emocioni… më ngjante sikur përpara meje shtrihej i vdekur, trupi i gjeniut… desha t’i afrohem e t’i puth duart, por… e ftoftë dhe e zbehtë …vetëm maska e tij, …sikur na falenderonte, që erdhëm ta vizitonim…

– Zotëri, me foli punonjësja e muzeut, duke më treguar një kuti të vogël që e mbante në dorë, kjo këtu është nje relike e Moisiut… këtu janë flokët e tij të vertetë, që e shoqja ia preu në shtratin e vdekjes për ta perjetësuar… atë…

U përmenda nga gjendja ku ndodhesha nga surpriza e dytë mallëngjyese. Në një kuti te vogël ngjyrë ari, pas xhamit shihej një tubë me flokë të Sandrit. Flokët e gjatë ishin mbështjellur me kujdes në formë rrethi dhe një karficë e vogël i mbante ato të shtërnguara.

Natyrshëm më lindën shumë pyetje për t’i bërë punonjëses të muzeut. Ajo më informoj që, Maska e Vdekjes dhe Kutia me Flokët e Moisiut, kishin ardhur në muze nga koleksioni i aktorit vjenez Albin Skoda, i cili kishte qenë nxënës i Aleksandrit, kurse zarfi me një tufë të vogël flokësh, ishte dhuruar nga familja e tij.


Foto 4: Kutia me flokët e Aleksandër Moisiut (Foto Pjetër Logoreci)

I bëra lutje zonjës së arkivit, që të më lejonte të bëja një foto kujtim, pranë maskës së Moisiut, duke mbajtur në duar kutinë me flokët e tij, këtë relike shumë të çmuar e domethënëse për mua.
Për mua, sot me Moisiun, është hera e dytë, që në Vjenë fiksoj në foto kujtime e emocione të paharrueshme të këtij kalibri. Herën e parë, ishte kur mbajta në duar kokën (nga eshtrat) e patriotit dhe nismëtarit të pavarësisë të Shqipërisë, Imzot Nikollë Kaçorrit…, e tashti, objekte që i përkasin gjeniut të skenës, Aleksandër Moisiut.


Foto 5: Autori i shkrimit pranë maskës dhe relikes me flokët e Moisiut (Foto: Pjetër Logoreci)

Sipas thënieve të familjarve dhe miqve të Moisiut, maska e tij u bë, si dhe flokët u morën, përpara se trupi i tij të digjej në krematoriumin e Vjenës. Më pas hiri i trupit, sipas dëshirës së tij, u dërgua në Morcote një fshat afër Bissones (Lugano) për t’u varrosur. Aty Moisiu zotëronte një vilë, ku shpesh shkonte për pushime dhe ku më pas gruaja e tij Johanna Terwin jetoi deri sa vdiq. Ne ditën e varrimit, shtypi austriak (S. und M. Zeitung, dt. 14.4 1935) pasqyroi ngjarjen, ku në mes të tjerash lavdërohej akti i një prifti katolik shqiptar në exil, në Vjenë (mendohet të jetë Dom Lazër Shantoja), që nëpërmes një mikut të Moisiut, kishte dërguar në Morcote një grusht dheu nga atdheu i tij Shqipëria, të cilin me pëlqimin e gruas së tij Johanna, ia hodhën në gropën e varrit, duke shqiptuar fjalët: … që ai (Mosiu) të pushojë përjetësisht në dheun e babait të tij … dhe këtë dëshirë ia përmbushi gruaja e tij…


Foto 6: Shtypi pasqyroj varrosjen e Hirit të Moisiut në Morcote / Bissone dhe aktin e dheut të ardhur nga toka e Shqipërisë


Foto 7: Shtypi për varrimin e Moisiut në Lugano


Foto 8: Flokët e Moisiut, dhuratë e familjes bërë muzeut


Foto 9: Kutia me flokët e Moisiut, me kartelë


Foto 10: Maska e Moisiut, me kartelë


Foto 11: Flokët e Moisiut nga familja


Foto 12: Kutia me flokët e Moisiut (nga Albin Skoda)


Foto 13: Maska e vdekjes së Moisiut 2

Wien, me 17.9.2013

1 COMMENT

  1. Megjithe respektin per “kerkimet historike” te artikullshkruesit detyrohem te them se nuk duhet te fyhet inteligjenca e lexuesit!

    Ne çdo vend te botes, perveç Shqiperise vitet e fundit, reliket, doreshkrimet, veshjet etj e njerezve te medhenj ruhen e arkivohen fenomen qe nuk kishte si mos te ndodhte edhe me te madhin Moisiu, e aq me teper ne Austri!!

    Per analogji, ne teatrin Migjeni, ruhet garderoba e doreshkrimet e themeluesve te tij… do te kalojne edhe disa vite dhe do t’i gjejme aty, do te kalojne disa vite te tjera dhe ata qe ua dine vlerat do t’i pervetesojne sepse, sepse NE nuk kemi nje arkive/muzeum/institucion kategorizues te ketyre vlerave…

    (kjo tregon, në një farë mënyrë se lexuesi shqiptar nuk është edhe aq inteligjent, sa nuk din t’i ruajë vlerat e veta, si e gjithë bota e civilizuar, apo jo? /shënimi im, AC)

Comments are closed.