Ismet M. Hasani
Me rastin e 69 vjetorit të Masakrës se Tivarit (në Mal të Zi) të kryer në vitin 1945, ku u vranë e u masakruan me mijëra të rinjë shqiptarë. Kjo është Tragjedia Më e Madhe e Shqiptarëve. Nga Kosova dhe Maqedonia, gjatë periudhës 24 mars – 26 prill të vitit 1945, për në Tivar e Dubrovnik janë dërguar gjithësejt: 21.023 /njëzetenjëmijëenjezetetre/ të rinjë shqiptarë, prej të cilëve një numër tejet i vogël nga atje u kthyen të gjallë…Tmerr!
Të rinjët, regrutët shqiptarë të detyruar të marshojnë drejt
Tivarit – atje ku i pret ”varreza masive” e shqiptarëve” (1945)
Pak si parathënie, pak si hyrje
Një nga tragjeditë e mëdha të jetës, që të bën të dëshprohesh është dhe ajo dhëmbshuria e përzemërt ndaj babait, vëllait e të afërmit me të cilët nuk do të takohesh më kurrë në jetë.
Plagët e zemrës kanë këto veçori: fshihen, por nuk mbyllen, ato dhëmbin kah të lyhen dhe janë gjithmonë gati të lëshojnë gjak, sapo të rekën, se ngelen të gjalla e të hapura brenda në zemër! Në fatkeqësi, njeriu është ai që di t’i durojë ato. Brengat e mëdhaja janë të heshtura.
Njeriu për njeriun nuk është armik, por bëhet i tillë nga sistemi dhe regjimi kriminel sundues.
Njerëzit që do të vdisnin për një ideal janë më të shumtë sesa ata që do të jetonin për të.
E vërteta, liria dhe virtyti, janë tri gjëra për të cilat duhet ta duam jetën.
Vetëm liria i jep kuptom e gjallëri jetës. Me të shpërthejnë të gjitha aftësitë e forcat pozitive që shoqërinë njerëzore e çojnë drejt majave më të larta të artit, shkencës dhe përparimit të tmendimit njerëzor.
Pas të gjitha këtyre, nënave e baballarëve, vëllezërve e motrave shqiptare iu mbetet njëra nga detyrat më të rënda që i takon njeriut të drejtë, që të shkulin vazhdimisht nga shpirti i tyre një keqdashje që mezi zhduket.
(a u t o r i)
Ngulfatje në erë gjaku
(Tragjedia e Tivarit)Tivar, të vjen era gjak…
Aroma e tij ndjehet gjithëandej,
Në rrugë, në çdo fije bari, në ujë deti,
Në çdo oborr të çdo shtëpie
Në fasadat e çdo muri
Në çdo bodrum…
Në çdo rrugë, rrugicë, a çosh rruge
Në trotoare rrugësh
Çdo shesh, gjithëkah
Kahdo e kudo gjak…
Lulet e njoma po “kositen” e po biejnë
Nga këto lule të kuqe po rrjedh gjak…
Edhe rrezet e diellit shihen të gjakosura,
Sespe depërtojnë nëpër rétë e përgjakura
Pamëshirshëm ngulfatë era e gjakut
Këtu fshehet një pjesë jete…
E historisë se hidhur të vendit tim
Çdo shesh, është shesh krimi
Çdo rrugë, rrugë krimi
Çdo godinë e oborr, vend krimi
”Monopoli” i duhanit, godinë krimi
Çdo derë e hapur, ishte derë krimi
Çdo bodrum, më shumë gjak se njerëz të vrarë
Duke parë krimin në bodrumin e shtëpisë
E zonja e shtëpisë çmendet nga tmerri i paparë
Bërtima e saj: ku-ku-ku-ku i mbet për sa ishte gjallë
As uji nuk mund ta pastroi gjakun
Nëpër det ”notojnë” plisat e bardhë,se
Kokat me trupin e tyre i ”gëlltiti” deti
Uji i detit e ndryshoi ngjyrën…
Uji i detit me ngjyrë gjaku,
Mbi këtë ujë-gjaku plisat e bardhë, notojnë…
…
Mallkuar qofsh Tivar!…
Kurrë mos u harrofsh!
Se edhe sot zgerdhihesh
Mban mbi vete peshë të rëndë krimi
Shenjat e krimit nuk zhduken kurrë…
Tivar!… lugat në historinë shqiptare
Edhe sot e gjithë natën na shqetëson
Të shohim në ëndërr – dhampir!
Plagët nuk na shërohen dot
Edhe pse nga atëherë (1945)
kaluan afër 70 vjet (2014)!
Deshira për liri na u plotësua më në fund
Lirinë e fituam, por derdhëm gjak shumë…!
*
O p i n i o n e
Shteti jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë.
Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar, pra me Shqipërinë. (Uran Butka)
2. Më 30 mars 1945 kolona e dytë, me 4.700 veta, rreth orës 14:oo, kanë hyrë në qytetin e Shkodrës, ku në të dy anët e rrugës janë përshendet nga mijëra qytetarë shkodranë. Gjatë kësaj kohe, shkodranët sollën ushqime dhe ujë për vëllezërit e tyre nga Kosova të lodhur, të etur e të uritur, por, xhelatët serbo-malazezë, të ndihmuar edhe nga forcat e ndjekjes e sigurimit shqiptar, e ndaluan një gjë të tillë dhe me shpejtësi kolona e të mobilizuarve u vendos në një kazermë aty në kodrën e lartë në Rozafat.. Nga këta shqiptarë, mbi 1.700 prej tyre, u masakruan të pasnesermen në Monopolin e Duhanit në Tivarin e Ri.(!) e K. Xoxe, pas kësaj tragjedie të pashembull deklaronte: “u vranë ca kosovarë”, “mirë ua bëjnë” etj.
Ende, sot e tanë jeten, indinjohem se si mund ta lejonin këtë paturpësi E. Hoxha. K.Xoxe, (që këto ditë ndodhej në Shkodër) etj., që në tokën shqiptare të mos mundej shqiptari me ia dhanë dorën shqiptarit, që të mos mundej shqiptari me ia dhanë një gotë ujë e një copë bukë shqiptarit ?!!! (Ramiz Lushaj)
3. Masakra e Tivarit kishte mbetur në kujtesën time gati si një rrëfim që kufizohej me rrëfimet popullore. Që herët, nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë, kam mësuar dy gjëra: E para, se një familje e katundit tonë kishte mbajtur në shtëpi disa njerëz nga Kosova, më saktësisht nga Suhareka, me të cilët i kanë vazhduar miqësitë familjare edhe bijtë dhe nipat e tyre. Për këtë fakt në katund flitej nën zë dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja pse mbi këtë familje për një kohë qe ushtruar një terror i vërtetë, derisa pushteti nuk arriti ta thyente përfundimisht.
E dyta, atëbotë, gjatë udhëtimit që bënim këmbë për në Tivar, diku nën Maje të Shkallës, kështu quhej vendi, rruga i binte të kalonte midis disa shtëpive të një katundi të vogël malazez-boshnjak dhe, ndërsa kalonin andej, njerëzit e Krajës i pushonin bisedat, i shpejtonin hapat dhe u grahnin mushkave në heshtje. Nga im atë pata mësuar se banorët e atyre shtëpive, nga dritaret, kishin vrarë shtatë-tetë kosovarë, të cilët i kishin shpëtuar masakrës dhe kishin marrë përpjetë malin e Rumisë. (Mehmet Kraja)
4. Mijëra të rinjët shqiptarë nga Kosova që u mobilizuan për të “luftuar” në frontin e luftës në veri të ish-Jugosllavisë, u masakruan në Tivar—për të mos u këthyer kurrë më pranë familjeve të tyre në Kosovë. Këta ndoshta ishin të parët ndër shqiptarët që përjetuan natyrën e vërtetë ç’njerëzore të komunizmit. Komunizmi ka vdekur, por trashëgimia e këtij sistemi dhe përjetësimi i gënjeshtrave të atij sistemi vazhdon, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe kombin shqiptar, por edhe për vendet e tjera të Europës që kanë përjetuar të njëjtin fat.
Çka është kombi pa kujtesë? Ata të cilët e harrojnë të kaluarën, ka thënë fillozofi Xhorxh Santajana, janë të dënuar t’a përsërisin. Organizuesit dhe pjesëmarrësit, studjues dhe historianë nga të gjitha trojet shqiptare në Konferencën e Ulqinit mbi Masakrën e Tivarit, meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen mbarëkombëtare për nismën dhe kontributin e tyre të çmuar për të kujtuar, duke hedhur sado pak dritë mbi atë krim, duke na kujtuar rishtas atë periudhë të errët të historisë shqiptare. Por njëkohsisht Konferenca mbi Masakrën e Tivarit, nënvijoi edhe rëndësinë e përgjegjësisë morale dhe profesionale që intelektualët dhe akademikët shqiptarë kanë në zhvillimin e debatit të lirë, në një shoqëri të lirë – duke na kujtuar ato që janë harruar, qëllimisht. (Frank Shkreli)
*
Si e thura poemën Masakra e Tivarit?
Poemën e thura në bazë të intervistës “live” të pjesëmarrësit dhe dëshmitarit të gjallë të Masakrës së Tivarit z. Azem Hajdini – Xani – jurist i diplomaur nga Prishtina (me prejardhje nga fshati Krushec – Drenicë,), të dhënë në ”Radio-Kosova” më 12 maj 2006, kur ishte 82 vjeçar*(*vdiq në Prishtinë në 26 shtator të v. 2010 në moshën 86 vjeçare). Intërvistë të ngajshme pat dhënë edhe pjesëmarrësi dhe i shpetuari gjallë i kësaj Masakre, Musë Bali Mahmuti nga fshati Batushë e Gjakovës. Pas shumë viteve jete e pat lëshua Batushën dhe një kohë pat jetuar në fshatin Nivokaz e pleqërinë e kaloi në Prishtinë, ku pati blerë truallin dhe ndërtoi shtëpi (në lagjën ”Emshir”) ku jetoi me gruen e tij Xhevahire Dalamon Hasani nga fshati Pacaj e Gjakovës dhe me femijët. Të vetmin qëllim që e kishte t’i shkollojnë fëmijët e tyre: Afrimin, Besimin, Zejnepen e Linditën…
Musa Mahmuti vdiq në Prishtinë në vitin 1998, në moshën 75 vjeçare, por me deshiren e tij u varros në vendlindje në kohën kur në Dukagjin- Rekë të Keqe, bëhej Luftë e ashpër me forcat serbo-çetnike, me ushtri e polici serbe. Sa ishte gjallë Musë Mahmuti, krejt pak dhe tejet diskret ka folur për Tivarin, por thoshte: ”Në qoftë se vdes, do më mbesin sytë çelë pa e ditur se a do të zbulohet diçka për Tragjedinë në Tivar, ku janë vra, mbytë e masakrue me mijëra shqiptarë të ri, që i kam pa me sytë e mi dhe më duket si sot, e për 53 vjet nuk guxova të flas haptas asgjë për Tivarin, jo vetëm unë por asnjëni nga shokët e mi, bile e mbanin shumë sekret të mos di regjimi i atëhershëm serbo-jugosllav i Titos që né ishim pjesëmarrës e dëshmitarë të gjallë të tragjedisë së Tivarit të vitit 1945.!”
*
Këtë poemë ia kushtoj këtyre dëshmitarëve dhe pjesëmarrësve, si dhe të gjithë pjesëmarrësve të masakruar në Tivar, si dhe atyre të vdekur më vonë dhe atyre që ende gjënden në jetë.
Të masakruarve dhe të vdekurve ua lë Lavdinë e pavdekshme.
Të gjallëve ua dhuroj dashurinë e përjetshme!
*
Para se ta jap Poemën, do shpjegoj për shtjellimin e tëmës!
Shtjellimin e temës do ta jap sipas kësaj renditje të materies
1. Pikë-grumbullimi i regrutëve shqiptar –
2. Deportimi në rrugë të pa kthim
3. O p i n i o n e nga:
4. Uran Butka,
5. Ramiz Lushaj,
6. Mehmet Kraja,
7. Frank Shkreli
8. Ngjarja e plotë
9. Poema
10. Qëllimin e veprës
11. Përfundim…
Bashkangjitur:
12. I vdekuri – i gjallë
13. Vepra e mirë
14. Kangë për Tivarin
Poema, sa e gjatë, por shumë domethënse, e thurur në poezi, do i bëhet më e kapshme lexuesit nëse ndjek me vëmendje radhitjen e materies së temës:
1. Pikë-grumbullimi i regrutëve shqiptarë-deportimi në rrugën e pakthim
Pak histori
Duke shfrytëzuar rrethanat e luftës midis forcave aleate (amerikane-angleze-ruse) dhe ushtrisë hitleriane (1944), Kryetari i Jugosllavisë Titoja*1 , organizoi ushtrinë jugosllave për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar qëllimet, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit”*2 , për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit (Serbi). Ndonëse Qendra e Rezistencës Shqiptare ishte përqëndruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën*, që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII-të dhe të vazhdojnë marshimin për në Srem. Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile shqiptare në Drenicë gjetiu në Kosovë.
Me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së Qëndrës së Rezistencës Shqiptare në Kosovë, Shtabi Operativ i “Kosmetit”* i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së*4 gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në Frontin e Dytë të ashtuquajtuar të
________________________________________________________________
(*1 Josip Broz Tito – Kryetar i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë gjer në vdekje ( 1893 – 04 maj 1980),
(*2 Kos- Met – shkurtësë për Kosovo i Metohija, gjer në vitin 1974 kur quhet KSAK- Krahina Socialishte Autonome e Kosovës, pjesë konstituive e RSF të Jugosllavisë)
(*3 Shaban Polluzha – Trim dhe atdhetar i shquar nga Drenica)
(*4 SHS – Shtabi Suprem i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë)
”Adriatikut”-në Veriperëndim të Jugosllavisë. Organizatorët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda (ish Suhareka, Burimi (ish Istogu), Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni, Vushtrria etj, me një fjalë nga e tërë Kosova.
Sipas pohimeve të atyre që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm, bëhet e ditur se:
“… të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake të komanduara nga oficerë shqiptarë kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese – kazermën ushtarake në Prizren. Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t’i marrin “kur të mbrrijmë!” Çarmatosja atyre ju ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejt ka lindur dyshimi në përgaditjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër,atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptarë dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII e Divizionit 46-të Serb, e njohur për terrorizimin e popullit shqiptarë…”
Më konkretisht, Azem Hajdini*5) , njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga Masakra e Tivarit, kështu e përkujton ngjarjen:
“Me të përfunduar të këtij akti mizor, meqë ne ishim në kolonë për 4, në gjatësi prej 5-6 km, e ku mundësia për një shfarosje masive ishte më e vogël, na kanë urdhëruar të ngritemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë. Pas pak na kanë urdhëruar të ecim drejt një ndërtese të madhe 3 katshe,i ashtuquajtur “Monopol i duhanit”, me një sipërfaqe prej afro 300m2 dhe me oborr të rrethuar. Ndërtesa ishte e rrethuar nga të 3 anët me kodra shkëmbore, kurse oborri ishte i rrethuar me mure të larta e me rrethoja të hekurt… Në të hyrë të oborrit ishin 10-15 ushtarë të cilët me shufra hekuri godisnin në kokë, gjoks apo në shpinë çdo njërin prej nesh… dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta.
Pas futjes së shqiptarëve brenda në ndërtesë (rreth 1000 veta) dhe brenda oborrit të rrethuar me mure (2.200-2.500veta) dhe një pjese tjetër të mbetur në rrugë para oborrit,rreth orës 14:00, ata do të sulmohen nga të katër anët. Shtihej me te gjitha llojet e armëve të zjarrit si: me pushkë automatike, mitra-lozë, mortaja dhe bomba dore, revole etj, kështuqë brenda një ore, gjithë masa e grumbulluar në ato hapsira nuk mbeti në këmbë. Me këtë rast oborri dhe sheshi u shndërrua në lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë, me mijëra kufoma shqiptarësh brenda saj. Kësaj masakre makabre arritën t’i shpëtojnë kryesisht ata që u gjendën në ndërtesë dhe ndonjëri, që kishte rënë në tokë para se të filloj sulmi. Kufomat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar mizorisht gjatë tërë natës së në mes 1 e 2 prillit 1945, u bartën me qerre dhe u hodhën në det për tu zhdukur nga vendi i krimit…”
____________________________________________________________________________________________________
(*5 Azem Hajdini – Xani – jurist i diplomuar nga Prishtina, me prejardhje nga fshati Krushec – Drenicë, i lindur n ë vitin 1924, vdiq në Prishtinë në moshën 86 vjeqare, më 26 shtator të vitit 2010).
Përfundoj pjesa (1)