“Martoja vajzën në pranverë, liqeni shkatërroi pajën”

0
55


Panorama, 07 Dhjetor 2010

Këto janë fjalët e Mark Tomës, njërit prej mijëra banorëve që kanë përjetuar tmerrin e këtyre ditëve, që duket se nuk po marrin fund në Shkodër. Ai është shpërngulur nga lagjja Livadhe prej 6 ditësh sot, por nuk e di ende se kur do të kthehet pas dhe se çfarë do të gjejë aty.

U jam gëzuar atyre bagëtive që kam pasur dhe mendoj se kanë shpëtuar, por që tani nuk di se ku janë. Ju në qendër nuk e kuptoni se për ne atje në Livadhe, bagëtitë janë gjithçka, janë jeta për ne. Ju habiteni se ne e kemi mendjen tek ato. Por unë nëse nuk kam bagëti atje, nuk kam me se të jetoj”. Familja Toma është evakuuar nga lagjja periferike, që me datë 1 dhjetor.

Ai bashkë me dy fëmijët dhe gruan ka lënë shtëpinë e tij në Livadhe, të detyruar nga uji, i cili kishte hyrë në shtëpinë e tij në mbi 1 metër. “Kam parë me sytë e mi sesi televizori notonte në ujë. Kam parë gjithë pajisjet e shtëpisë të shkatërruara. Nuk më ka mbetur asgjë. Nuk e di si jam gjallë akoma. Por njeriu qenka shumë i fortë dhe nuk vdes kollaj”, shprehet Toma.

Shtëpia e re, në konviktin e Pyjores
Familja e tij është evakuuar dhe ndodhet në konviktin e shkollës Pyjore, i cili është përcaktuar nga Shtabi i Emergjencës si një nga pikat ku do të vendosen banorët, që i shpëtojnë zonave të përmbytura. Tashmë në këtë konvikt janë strehuar rreth 200 persona. Toma tregon se shumica e banorëve të zonës së tij janë vendosur në këtë konvikt ose në konviktet e shkollave të tjera. “Unë, të gjithë njerëzit e mi i kam në zonat e përmbytura të Livadheve, ndaj dhe nuk kishim ku të shkonim e na vendosen këtu”.

Rrjedha e jetës së Mark Tomës tashmë ka ndryshuar plotësisht. Ai nuk është i vetëm. Numërohen më shumë se 1800 shtëpi të përmbytura e mijëra persona të evakuuar. Toma, gjatë gjithë kohës nuk bën gjë tjetër vetëm pi cigare. Sa mbaron njërën, ai ndez tjetrën. Tymi i cigares i bashkohet trishtimit të fytyrës së tij.

Kam punuar tërë vitin me gruan dhe fëmijët, por uji na i ka marrë të tëra prodhimet. Jena këtu vetëm me teshat e trupit. Ne jemi mësuar me premtime qeverish, që nuk mbahen. Edhe këtë herë kam frikë se vetëm fjalë janë”, thotë ai. Nga ana tjetër është i kënaqur me mënyrën sesi janë sistemuar në këtë konvikt, pasi ndryshe, siç thotë vetë, nuk do të kishin ditur se ku të fusnin kokën.

Paja e së bijës
Më tej, Marku tregon se në dhomat ku janë vendosur janë kushte normale për të jetuar në një situatë të tillë, ku fjala e vetme ka qenë mbijetesa e njerëzve. Mensa e konviktit i plotëson dhe nevojat e tyre për ushqim. “Njerëzit na kanë qëndruar shumë afër. Këtu na thonë se kemi çdo gjë të paguar”, sqaron Toma. Megjithatë, mendjen e ka te paja e shkatërruar e së bijës, të cilën ai mendonte ta martonte në pranverë.

Kur e kujtoj se nuk do t’i gjej më, më duket se do të më kapë ndonjë gjë, më duket se do të vdes. Kush do të na i risjellë ato gjëra? Çdo gjë është shkatërruar. Mos me e gëzu pajën e vajzës është një gjë e rëndë për prindin, i cili e ka rritur me mund e me sakrifica dhe ka menduar ta martojë”. Por krahas pajës së vajzës, një peng tjetër i familjes Toma është edhe dëmtimi nga përmbytja e disa fotove të familjes, të cilat ata i ruanin me një kujdes të veçantë.

“Më është shkatërruar gjithçka. Kam pasur kujtimet më të bukura të të parëve e të fëmijëve. I kam ruajtur tërë këto vite, por që tashmë mbeten vetëm kujtime”. Që nga dita e largimit, Marku nuk ka mundur dot të rikthehet e të kontrollojë në banesën e tij. Shtëpia është e mbuluar nga uji dhe nuk mund të hyhet brenda saj. Ashtu si dhe mijëra familjarë të tjerë, 60-vjeçari pret me ankth tërheqjen e ujit. Duke shpresuar se brenda shtëpisë së tij të ketë mbetur ndonjë relike nga një e kaluar jo shumë e largët, por e vetëm 6 ditëve më parë, para se uji i liqenit t’i përmbyste.