Martirja e Kosovës Marie Shllaku (1920-1946), strehohet në shtëpinë e Nikollë Mrijaj

0
54

Tomë Mrijaj

Para disa vitëve, kam botuar një libër monografik, kushtuar heroinës shqiptare të trojeve etnike shkodranes Marie Shllaku. Sot për lexuesit, po ofroj disa kujtime të gjyshes dhe babait tim, të cilat zbardhen për herë të parë.

Marie Shllaku, ishte femër e vetme shqiptare ndër 50 çetat nacionaliste, në mesin e shekullit XX, që vepronin në Kosovë me armë në dorë, me synim patriotik të bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe në luftë të papajtueshme, kundër epidemisë së mortajës komuniste në trojet tona. Maria dhe Atdheu, ishin motra binjake të shpirtit dhe zemrës së saj.
Lidhur me qëndrimin e Marie Shllakut në shtëpinë tonë (gjatë kohës që Kryetar i Komunës në Zllakuqan ishte babai im), po risjell të freskët kujtimet e paharruar, për sokoleshën e re sypatrembur shkodranen dhe martiren liridashëse të Dardanisë.
Sëpari, trimëresha patriote Marie Shllaku, në luftën e saj kishte si synim Shqipërinë Etnike, që është edhe thelbi kryesor i Lidhjes së Parë të Prizrenit (1878), të Dytë (Prizren, 1942) dhe të Tretë (1962, New York, ShBA), për të cilën s’ka nevojë të bëj koment.


Sëdyti, qysh në moshën time të femijërisë, shumë herë e dëgjoja ketë emër në odën e burrave, në sofrat, që shtronte babai im për miqtë e ftuar ose vizitorë të rastit, që ishin të shpeshtë në shtëpinë tonë.
Më gjerësisht për këtë personalitet të madh më tregoi gjyshja (lokja), se si ajo vajzë trime, kishte buajtur mëse një javë në shtëpinë tonë.

Me ardhjen e babait të saj, Mark Simonit nga Shkodra në Kosovë (i dërguar nga Qeveria komuniste dhe forcat e Sigurimit, që përndiqnin për t’i vrarë antikomunistët dhe nacionalistët e vërtetë asokohe, shënimi im T.M.), për t’ia mbushur mendjen vajzës së tij të re, që të heq dorë nga rruga e saj patriotike, në male me çetat nacionaliste të Kosovës, kishte lindur ideja, që Maria të vinte në shtëpinë tonë, ku, ishte më e sigurtë. Për më tepër Marku, i ishte drejtuar fratit të Pejës At Benardin Llupi O.F.M. dhe ky e kishte dërguar tek frati i Kishës së Zllakuqanit Patër Tomë Xhaja O.F.M.

Pader Toma, si vend strehimi më të sigurtë dhe me besë shqiptare, kishte zgjedhur shtëpinë tonë, sepse misionari franceskan kishte lidhje të ngushte me babain tim. Dhe pse!? Duke qenë, se babai punonte në administratë të pushtetit lokal, askush nuk mund të dyshonte, se në shtëpinë e tij, ai mbante heroinën Marie Shllaku, një kundërkomuniste të përbetuar, të rregjimit kolonial sllavo-komunist serb dhe atë shqiptarë të vendlindjes.

Një ditë kujtonte gjyshja ime, miku i shtëpisë Lekë Marleku, një burrë besnik e solli Marien nga malet e Dollcit (Lugu i Drinit), të veshur me teshat e nuses në shtëpinë tonë.
“Unë, -tregon gjyshja ime- fjeta në një dhomë me Marien, ku, ruaj shumë kujtime. Ishte një javë shumë e gjatë për mua dhe e frikshme, sepse nacionalistja shkodrane mbante me vetë armë, disa bomba dore, radio-lidhje dhe një bllok shënimësh (ditar).


Ishte shumë e bukur nga pamja e tepër tërheqëse në biseda të lira. Gjatë natës, kur dëgjonim ndonjë të lehur qeni, ajo me armë në dorë vraponte drejt oborrit pa pasur frikë.
Unë frikësohesha, se gjatë zgjimit të rrufeshëm të saj dhe daljes së shpejtë me pushkë në dorë drejt oborrit të shtëpisë (mes territ të natës), mos padashje po ndeshet me bombat e saj luftarakë, të cilat, mund të shpërthenin nga çasti në çast.
Gjatë ditës, kur antarët e familjes gjendeshin në fushë, për t’u marrë me punët e përditshme të bujqësisë (në arat e mbjellura), ajo kalonte ditën, duke biseduar me babain e saj. Ishin vërtetë momente emocionuese, dhe gëzohesha, kur i shihja tek bisedonin ngrohtësisht atë e bijë.

Askush nga familja e jonë, nuk ka ditur, se kush ishin këto miq shumë të rëndësishëm, që qëndronin në shtëpinë tonë, përveç meje dhe djalit tim Nikollës. Ditët kalonin shumë shpejt.
Nuk e harroj kurrë ditën e ndarjes mes babait dhe bijës së vet të re. Shumë lot derdhi shkodrani Mark Simoni, për bijën e tij. Maria, si burrëneshë malësh qëndroj e fortë deri sa babai i saj u largua.
Ajo, duke menduar babain, filloi të qajë me dënesë, saqë mendova se zemra po i del nga kraharori. Në mbrëmje Lekë Marleku, e mori Marinë dhe e dërgoi tek shokët e vet në male…
Edhe më vonë, kam dëgjuar sërisht dëshmi qendresë të fortë të çetave nacionaliste, të prirë nga luftatarët e vërtetë liridashës, ku, spikaste trimëresha Marie Shllaku.

Gjatë tërë jetës time, kam risjellur në kujtesë ditët e paharruara, që kalova me sokoleshën stoike, vendosmërinë e saj, për t’i luftuar pushtuesit e huaj shumëshekullorë serb në Dardani nga sëmundja vdekjeprurëse e komunizmit, bolshevik (proletarë), që ishte përhapur si kancer, për fat të keq, në të gjithë trojet arbërore në shekullin XX…”
Dhe për herë të parë, këtë histori po e zbardhi me ngjarjen, që më ka treguar gjyshja disa herë. Nanë lokja fisnike e moshuar, kishte shumë besim tek unë edhe pse isha një fëmijë.
Ju kujtoj, se i isha betuar babait tim, se një ditë unë do t’a shkruaj një monografi të kësaj heroine dhe e realizova me sukses, mbas shumë dekadave këtu në Amerikë.

Shtëpia e jonë, ishte vatër e sigurtë e heroinës Marie Shllaku, e cila aty qëndroi e fshehur për një javë. Tek ajo, familja jonë shikonte një luftëtare të vendosur, për të flijuar jetën, sikurse ka thënë Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta O.F.M. “me ba deken si me le”, për interesat e larta të Atdheut.
Ajo, qëndroi në krah të bashkëluftëtarëve të mirënjohur asokohe, si: Ndue Përlleshi, Ukë e Shaban Sadiku, Prof. Ymer Berisha, e trima të tjerë, prandaj nuk pranoi të shkonte me të atin.
Babai im, kishte lidhje miqësore me dy tribunët e luftës çlirimtare në Dukagjin: Sadik Ramën e Gjurgjevikut (1872-1944) dhe Zef Gjidodën (1878-1948), por ndihmoi edhe luftëtarët e mëvonshëm, si: Marie Shllakun, Ndue Përlleshin (1908-1949), Ukë e Shaban Sadikun, Prof. Ymer Berishën (1912-1946), Qazim Bajraktarin, Alush Smajlin, Shaban Demën (1919-1948) etj.

Flamuri kombëtar në kujtimet e mia

Për çdo shqiptar në Kosovë, që ishte nën zgjedhën e egër të kolonizatorëve barbarë serbë, shfaqja e flamurit të Gjergj Kastriotit, ishte një dëshirë dhe mall i papërshkruar.
Të gjithë ne e kemi të fiksuar historinë e lavdishme të simbolit tonë, për të cilin kanë dhënë jetën me qindra dhe mijëra martirë, gjatë shekujve, për liri dhe pavarësi.

Për herë të pare, flamurin kombëtar e pashë në shtëpinë time në vitin 1958. Porsa hyra në dhomën e grave, në një cep të shtëpisë shoh gjyshen, që mbante në dorë një rubë të kuqe, të cilën ishte duke e larë dhe nga sytë e saj pashë lot dhimbjeje, me një pikëllim të thellë…
Në atë gjendje që ishte, unë iu afrova ngadalë, për t’a qetësuar, por ajo vetëm qante… Iu afrova më shumë dhe gjyshja nisi të përshpërisë fjalët… që për momentin si kuptoja … Ajo fliste ngadalë dhe me një zë të ulët, ku, vaji ishte bashkuar me përshpëritjen e lehtë, që vinte nga dhimbja e brendshme e shpirtit të trazuar…

Gjyshja mes lotëve, që i rridhinin rrëke tha: “E kisha amanet! E kisha amenet!” E pyeta gjyshën, se për çfarë ameneti e kishte fjalën?! Ajo ashtu e përlotur m’u drejtua me flamurin, që e mbante shtrenguar në duar: “Bir, e kisha amanet nga ajo e gjorë e mjerë, që sot nuk i dihet as varri….”
Sërisht e pyes, se për cilën e kishte fjalën. Ajo m’u përgjigj: “Marie Shllakun!”
Po kush është Maria, vijoi t’a pyes sërisht gjyshën. Ajo pasi më hedh një vështrim të butë në sy, nis të flasë me zërin e saj, që i dilte me vështirësi, por e sigurtë për gjithçka thoshte, sepse kishte përjetuar histori të dhimbshme gjatë jetës së saj.

“Bir im, -vijoi gjyshja- Marie Shllaku, ka bujt mase nji javë si mike speciale në shpinë tonë, ku, frati i Pejës At Benardin Llupi O.F.M., e kishte drejtue babën e saj Mark Simon Shllakun tek Pader Tom Xhaja O.F.M. e ky i fundit i kishte sugjerue të vinte në shpin tonë, mbasi takimi ishte ma i sigurt mes babës e bijës. N’at kohë Qeveria komuniste e Enver Hoxhës e kishte dergue Mark Simon Shllakun, që t’a bind vajzën e vet të kthehet n’Shqipni.
Bir i dashtun! Babi yt Nikolla, ishte njeriu ma i besueshem tek drejtuesit e çetave nacionaliste t’malit. Ata ia besuen edhe takimin e babës me të bijën në shtëpin tonë. Mbas nji jave qëndrimi të Markut me vajzën, ai nuk mundi t’ia mbush mendjen asaj të kthehet në vendlindje. Dhe babë e bij, u ndanë atë ditë me lot nder sy…”

Marije Shllaku, në Luftën e Drenicës

Gjatë hulumtimeve të mia, për të shkruar librin jetëshkrimor: “Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës” (New York, 2004), kam ndeshur një shkrim shumë interesant, shkruar nga miku im Profesor Zef V. Nekaj (1919-2003), me pseudonimin Kosovari.

Autori, me banim në Kaliforni, shkrimin e botoj në numërin e parë të revistës fetaro-kulturore “Jeta Katholike Shqiptare” (New York, 1966), me titull: “Marije Shllaku, martire shkodrane në Luftën e Drenicës” (Viti I, No.3, 1966, f.22-23), ku, ndër të tjera shkruan, se:
“Gjatë gjithë dimërit 1944-1945, ajo u gjet aty, ku shkoi gjaku deri ne gju. Në pranverën e vjetit 1945, ajo ishte në mes t’Kryengritjes së Drenicës me trimin e pamposhtun Shaban Polluzhën n’krye. Kur kjo kryengritje u shue nga ushtrit e panumërta titiste të përqendrume n’Kosovë nga të gjitha anët e Jugosllavis, Marije Shllaku qëndron n’llogoret e fundit pa e molisë as tymi as flaka, as uria e as t’ftohtit.
Ajo vendos m’u shkri dhe mos me u dorëzue. Por fati nuk i qeshë, sepse gjashtë plumba ia bajnë trupin shoshë dhe e sakatojnë krahësh e këmbësh.

Me të gjithë shokët e vramë, ashtu e plagosun, ajo s’qe ma në gjendje as t’ia merrte shpirtin vetes dhe u kap ende gjallë, por pa ndjenja…
Dy javët e fundit, Marijes i erdhi një afsh me u shfry ne kangë, sa që të gjithë të burgosunit tjerë, o kujtoheshin se po del mendsh, ose se kishte marrë ndonji lajm tinëz e po e falin, mbasi ishte vajzë.
Por Marija, i qetësonte me këto fjalë: “Edhe ‘kaq’ ditë e po martohem, prandej po këndoj, e këndoni edhe ju kosovarë, se kurr s’ka marrë Kosova nuse shkodrane ma kangëtare se sa mue!”…”