TemA Online, 4 Shtator 2012
Deklarata e presidentit të Parlamentit Evropian, Martin Schulz, se Serbia nuk mund të jetë pjesë e BE-së pa e njohur Kosovën shtet, ka shokuar Beogradin. Kjo deklaratë e Schulz është komentuar nga analistët në Beograd, të cilët kanë thënë se Serbia tashmë gjendet para faktit të kryer.
Drejtori i Qendrës për Politikë të Re, Vladimir Todoriç, vlerëson se forcimi i retorikës të disa zyrtarëve të BE-së e ka burimin në situatën politike dhe ekonomike të Serbisë, respektivisht vlerësimet se Beogradi në rrethana aktuale më lehtë lëshon pe e gjendur nën presion.
“Peshkaqenët e kanë hetuar gjakun dhe mendojnë se Serbia, pasi është në situatë të rëndë ekonomike, duhet te tregohet më tolerante në përmbushjen e kushteve të pakëndshme”, ka thënë Todoriç për Tanjug.
Ai ka thënë se deklarata e Schulz është më eksplicitja e këtij lloji nga kreu i BE-së, kurse në rast se Serbia nuk reagon, edhe të tjerët do ta kenë më të lehtë të vazhdojnë me këto apo edhe me deklarata më të rënda.
Profesori i Shkencave Politike, Predrag Simiç ka thënë se deklarata e presidentit te Parlamentit Evropian se Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet, duhet kuptuar si mesazh tepër i rëndë dhe i pakëndshëm për kryeministrin e ri të Serbisë, Ivica Daçiç.
“Schulz nuk vrapon pas deklaratave. Ai është njëri nga politikanët më të rëndësishëm evropian dhe deklaratat e tij nuk duhet hedhur poshtë”, ka sqaruar Simiç.
Sipas tij, një deklaratë e tillë nuk është qëndrim personal i Schulz, por qëndrim i Parlamentit Evropian. Ai ka thënë se ky është lajm i rëndë për Qeverinë serbe.
“Kjo është goditje e re për Serbinë e cila të dielën ka pranuar që Kosova të përfaqësohet pa fusnotë, kurse në anën tjetër Prishtina nuk ka bërë asnjë lëshim”, ka thënë ai. (ORAinfo)