Oliverta Lila
Nesër shënohet 85-vjetori i lindjes së shkrimtarit Martin Camaj. Nga institucionet nuk është lajmëruar asgjë, veç disa aktiviteteve që do të organizohen gjatë muajve në vazhdim si iniciativa të mëvetësishme. Dega e Albanologjisë në Uni Munih ka vendosur ta përkujtojë me një botim shkencor dhe me botimin e veprës së plotë në 10 vëllime.
Nesër shënohen 85 vjet ngas lindja e Martin Camajt. Festimi i këtij përvjetori vjen më shumë i nxitur nga jashtë Shqipërisë. Muaj më parë, profesor Bardhyl Demiraj, drejtues i degës së Albanologjisë në Uni Münich, themeluar nga vetë Camaj, njoftoi dy botime të rëndësishme.
Së pari, një vëllim që ai e quan përkujtimor shkencor dhe që mban titullin “Studien zur albanischen Sprache, Literatur und Kulturgeschichte, dem Gedenken an Martin Camaj (1925-1992)” (Studime për gjuhën, letërsinë dhe historinë kulturore të shqipes, kushtuar kujtimit të Martin Camajt). “Është një vëllim me kontribute nga albanologë të vendeve të ndryshme të Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Demiraj, i cili është kujdesur për këtë botim.
Projekti i dytë është botimi i plotë i veprës letrare të Martin Camajt në 10 vëllime nga shtëpia botuese “Onufri”. Këto botime janë realizuar me vullnet të degës së Albanologjisë në Uni Munih në bashkëpunim me shoqatën kulturore “Martin Camaj” në Lenggries, drejtuar nga përkthyesi në gjermanisht i Camajt, Hans- Joachim Lanksch. Ky i fundit, muaj më parë, duke marrë mbështetjen e disa njerëzve të kulturës, i propozoi Ministrisë së Kulturës që të shpallte “Vitin e Martin Camajt”.
Kjo kërkesë nuk u mor parasysh. Studiuesit e letërsisë e quajnë ende të papranuar apo të përjashtuar Martin Camajn nga kultura shqiptare. Nëse nesër do të flitet vetëm në tavolina të ngushta për këtë përvjetor, një javë më vonë, në datën 26 korrik, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër do të mbajë një konferencë shkencore mbi Martin Camajn albanolog dhe shkrimtar.
Aktivitetet e pakta do të vazhdojnë në shtator me promovimin e librit studimor dhe veprës së plotë letrare, ndërsa thuhet se po në të njëjtën periudhë Qendra e Studimeve Albanologjike do të mbajë një konferencë shkencore kushtuar shkrimtarit. Në lajmet që qarkullojnë, përflitet edhe dhënia e titullit “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. Gjithçka vjen si një shtysë nga jashtë, nga pasuesit e Camajt në Gjermani apo edhe nga albanologët që mundën të njihnin letërsinë e kulturën shqiptare falë kontributit të tij. I larguar më ‘48-n nga Shqipëria, Camaj duket edhe sot i përjashtuar.
“Ky përvjetor është një rast që institucionet, njerëzit e gjuhës dhe letërsisë, duhet të kthejnë vëmendjen nga kjo përvojë, nga kjo dukuri letrare e gjuhësore nga më të spikaturat. Camaj është ndoshta autori më i munguar i letërsisë shqipe, sepse shkoi larg, iku për t’i shpëtuar dhunimit politik. Sot, Camaj është dhe nuk është i pranishëm në letërsinë shqipe: është si emër, pjesërisht si krijimtari, por jo si pranim i përvojës letrare, eksperimentale dhe gjuhësore. Camaj është nga të parët që studioi Buzukun dhe mbrojti doktoraturën me “Mesharin”.
Është po Camaj që shkruan se Kuteli është ende i pazbuluar. Ky njeri deshi të ndriçojë mendjet e shqiptarëve. Camaj është nga të paktët shkrimtarë që e kreu misionin e tij, ndërsa kultura shqiptare vazhdon t’i mbetet ende në borxh, për shkak të mbrojtjes që u bëri varianteve të gegërishtes dhe arbërishtes, mbrojtjes që i ka bërë letërsisë së hershme”, shprehet studiuesi Behar Gjoka, i cili ka gati për botim një libër për shkrimtarin.
Duke iu referuar pikërisht krijimtarisë së Camajt, Gjoka shprehet se romani “Rrathët”, i cili do të përfshihet në vëllimet e plota të veprës së tij, mund të konsiderohet si vepër emblematike. “Ky roman është nga tekstet e pakta në letërsinë shqipe që latohet. Camaj (në rrathët e ujit, zjarrmit dhe gjakut) bën autopsinë e Shqipërisë 50-vjeçare. Është një nga ato raste kur arti dhe mesazhi janë në një ekuilibër të frikshëm.
“Rrathët” nuk është kundër, as pro realizmit socialist, është vepër letrarë e mirëfilltë artistike, një analizë e mrekullueshme e njeriut shqiptar. Madje ky roman e ka të projektuar edhe atë çka do ndodhte pas rënies së komunizmit. “Rrathët” është një kryevepër jo vetëm e Camajt, por e letërsisë së shekullit XX”, shprehet Gjoka. Në këtë rast, ata që e kanë studiuar, bëjnë thirrje për të rivlerësuar tekstet e tij letrare e për t’i bërë pjesë të panteonit të vlerave të letërsisë shqiptare.