Naser Rugova, 21 tetor 2010
Deri sot kam menduar se prishja e koalicionit do të ishte lajmi më i mirë për Kosovën por ngjarja e fundit më ka bindur se edhe akti i prishjes së koalicionit është lajm i keq derisa vjen nga ky koalicion i deridjeshëm. Manipulimet me qytetarin dhe besimin e qytetarit në institucione nuk patën fund për tre vite radhazi. Fatkeqësisht manipulimet nuk kanë të ndalur.
Sot jam tronditur tej mase saqë këtë tronditje po e ndaj me ju miqtë e mi në FaceBook. Po e ndaj sepse nuk po e di si ta them ndryshe në opinion. Madje edhe unë si politikan e kam të vështirë që të gjej qetësinë që ta shprehi diku tjetër.
Sot i pata dy takime me disa kolegë deputetë nga PDK dhe LDK. U takuam sepse jo vetëm që jemi kolegë në parlament por edhe njihemi tash gati dy dekada. Miqtë janë miq pavarësisht bindjeve të tyre politike. Ndoshta ishte ky respekt i kësaj miqësie që ata i bëri ta ndanin me mua një fakt që më tronditi tej mase.
Po i bie shkurt!
Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi janë marrë vesh edhe për prishje të koalicionit. Prishja e koalicionit është lojë dhe marrëveshje e këtyre të dyve si një proces që të dyve do u shkojë për shtati për interesa të brendshme partiake.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, PDK i ka ofruar Sejdiut rizgjedhje të sigurt si President të Kosovës me 2013 nëse ai tërhiqej nga LDK-ja por Sejdiu nuk i ka besuar këtij propozimi e madje as partisë së vet. Në vend të kësaj Sejdiu dhe Thaçi janë pajtuar që Sejdiu të tërhiqet nga koalicioni me qëllim që kjo t’ia rris popullaritetin e luhatur në parti dhe që ta qes prej loje çdo opozitë të brendshme në LDK. Si hap tjetër janë marrë vesh që LDK mos të kërkoj votëbesim dhe që për asnjë çast autoriteti i Thaçit si kryeministër mos të lëkundet. Kjo edhe po shihet këto ditë sepse LDK vetëm formalisht ka dalë nga koalicioni dhe në asnjë formë nuk po e sfidon Thaçin. Madje PDK e LDK ende luajnë lojëra jo dola, jo po kthena, jo kthehuni, jo nuk po dojmë.. etj etj… e krejt kjo me qëllimin që PDK dhe LDK ta dominojnë opinionin dhe ta vendosin në plan të dytë neve opozitën ne parlament por pse jo edhe partitë e reja që patën fituar popullaritet.
Pyeta se çka po fiton tjetër Thaçi prej kësaj pune? E fiton Sejdiun si figurë politike përherë të gatshme për bashkëpunim por e fiton edhe një hov që edhe ai të rregulloj punët brenda partisë së vet.
Kam besuar se koalicioni do të binte si rezultat i mospunës, shpalosjes së të palarave, korrupsionit, ku Ministrat e LDK-së hiq nuk janë më të mirë se ata të PDK-së, e një pjesë e imja në mënyrë naive ka dëshiruar që koalicioni të prishej edhe për shkak të parimeve. Mendoj se parimet duhet të na udhëheqin në politikë por ndjehem i dëshpëruar tej mase me ato çka po shohë dhe çka po përjetoj çdo ditë.
Sot ma shumë se kurrë besoj në atë se zgjedhjet nuk duhet mbajtur ne Dhjetor por ato duhet të mbahen NESËR në mënyrë që kjo klasë e mashtruesve dhe e manipulantëve të dënohet nga elektorati.
Kjo ishte e tëra miq të mi.
Sinqerisht ju sugjeroj se nëse keni ndonjë mundësi sado të vogël që të bëni karrierë në jetë, qoftë ajo edhe mjeshtër e zanatlinj shfrytëzoni rastin e mos u merrni me politikë.
A do të kenë ndonjëherë fund lojërat me këtë popull?
Nuk më mbetet tjetër pos që për këtë t’i lutem vetëm Zotit se punët po tregojnë se këta nuk kanë gajle për askë e asgjë tjetër.
21 Tetor 2010