Marku: Po nuk reflektuam, e kemi të vështirë të fitojmë. Berisha shantazhon me dosje

0
48

TemA, 2 Korrik 2012

Deputeti Mark Marku hedh hije dyshimi për projektin e Lulzim Bashës tek Rruga e Elbasanit, duke prerë pemët. Ai thotë se projektin e tij për rithemelimin e PD do ia prezantojë shefit të PD

Deputeti Mark Marku, duke folur për gazetaren Rudina Xhunga në Top Channel, tha se ai ka ndërmend që idetë e tij për rithemelimin e PD do t’i paraqesë më shkrim tek kryetari i PD dhe strukturat. Ai përsëriti ato gjëra që kishte deklaruar më parë në një intervistë për Panorama. Marku e quajti normale këtë që po bën dhe deklaroi se nuk ka konflikt me PD-në.

“Unë kam ndërmend që idetë e mia për rithemelimin e PD dhe të së djathtës t’i formalizoj në formë të shkruar, të konceptuar. Në këtë formë do ia paraqes kryetarit të PD dhe strukturave të PD.

Nuk kam dëshirë të angazhohem në një formacion tjetër politik,” tha Marku.

Marku tha se dosjet duhet të hapen për të çliruar njerëzit që shantazohen me anë të tyre. Ai tha se Berisha ka përgjegjësi për shantazhimin e Artan Hoxhës dhe shtoi se dosjet e shantazhit nuk janë vetëm ato të Sigurimit të Shtetit.

“Dosjet ekzistojnë dhe duhet të hapen. Unë mendoj se shqiptarët janë të qytetëruar për të kuptuar atë se çfarë ka ndodhur me ta. Sigurimi i Shtetit e ka njëfarë pushteti pasi ekziston një kategori që shantazhohet. Ne kishim një kandidaturë për president që u shantazhua. Në rastin konkret përgjegjësia e Berishës është shumë e madhe. Njerëzit nuk shantazhohen vetëm me dosjet e Sigurimit të Shtetit, por edhe me dosjet e korrupsionit, etj,” tha Marku.

I pyetur për referendumin kundër plehrave, Marku tha se mbështet të drejtën e referendumit, edhe pse mendon se ligji ishte i mirë. Marku tha se ky është një vend i vogël, ku institucionet kapen kollaj, ndaj referendumet janë të nevojshme.

I pyetur për prerjen e pemëve tek Parku Kombëtar, Marku tha se është e pakuptimtë që të zgjerosh rrugën pa pasur diku degëzime. Sipas tij, rruga do zgjerohet nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë e sipër, por aty e poshtë do ngushtohet si në një hinkë, duke zhvlerësuar çdo zgjerim.

“I thashë një miku tim hajde të dalim të shohim se çfarë bëhet. Dhe aty çfarë pashë. Unë mendoj se prerja qoftë edhe një peme është e paligjshme. Rruga do hapet aty, por do ngushtohet tek fakulteti. Por nëse e hap rrugën, duhet ta hapësh deri aty ku ke mundësi të bësh degëzime. Unë mendoj se ajo pjesë është piketuar për ndërtime,” tha Marku.

Sipas Markut, për mazhorancën do jetë e vështirë të fitojë një mandat të tretë, edhe pse opozita që kanë përballë është e dobët.

“Pas mandatit të dytë është shumë e vështirë të bëhesh i besueshëm për qytetarin. Ka një paaftësi të opozitës për të ndërtuar alternativë. Me një opozitë tjetër do e kishim shumë të vështirë. Por është shumë e vështirë që të fitojmë nëse nuk reflektojmë,” tha Marku.