TemA, 4 Qershor 2013
Deputeti demokrat, Mark Marku, që nuk ndodhet më në listat e Partisë Demokratike, në një koment të botuar në gazetën Panorama, kritikon vendimin e Presidentit Bujar Nishani për të dekretuar shkarkimin e tre gjeneralëve me kërkesë të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.
Marku thotë se presidenti më së paku ka shkelur Kodin Zgjedhor, që nuk lejon pushimin nga puna të gjeneralëve, pa përcaktuar se cilat janë shkeljet.
Por Marku sulmon ashpër ministrin Imami, duke thënë se ai, sipas akuzave të vetë PD-së, ka një rol qendror në goditjen më të madhe historike që ka pësuar ndonjëherë ushtria shqiptare në vitin 1997.
“Edhe pse zoti Berisha, tashmë Kryeministër, u tregua bujar, ia fali gabimin dhe e caktoi ministër të po asaj ushtrie që më parë e kishte shkatërruar me sukses, prapë se prapë një kujtim i tillë i pakëndshëm e bën të dyshimtë marrëdhënien e tij me Forcat e Armatosura. Zoti Nishani duhet ta ketë përjetuar rëndë këtë ngjarje, pasi mesa di unë, ai ishte oficer në atë periudhë dhe për këtë shkak ngeli pa punë,” shkruan Marku.
Në fund ai e mbyll me një mesazh për Presidentin: “Dikush duhet t’ia shpjegojë Presidentit se ai është më lart se ministri i Mbrojtjes dhe nuk duhet t’i nënshtrohet urdhrave të tij. Nishani, një vit pas kurorëzimit, duhet ta pranojë më në fund realitetin e pabesueshëm: ai është komandanti,” shkruan Marku./ep