Mark Marku: PD duhet të rishpikë vetveten për një mandat të tretë. Po përjetësohen mediokrit në qeveri

0
53

TemA Online, 3 Mars 2012

Deputeti democrat, Mark Marku, është shprehur se fitimi i një mandate të tretë nga ana e PD-së, mund të arrihet vetëm me një ofertë të jashtëzakonshme, pasi dy mandate e kanë konsumuar këtë qeveri.

“Mandati i tretë mund fitohet vetëm nëse oferta elektorale është e jashtëzakonshme. Për këtë arsye, PD dhe koalicioni qeverisës duhet ta rikonceptojnë thellësisht programin dhe ekipin realizues të programit, duhet të rishpikin vetveten. Sjellja jonë e ardhshme elektorale duhet të jetë diçka përtej instinktit të ruajtjes së pushtetit.

Duhet një kontratë e re me qytetarët shqiptarë, e qartë, e detajuar në imtësitë më të vogla, me të gjitha garancitë e domosdoshme. Mendoj se është e rëndësishme që të krijohet një bërthamë pune, të fillojë analiza, mbledhja e ideve dhe të hapet komunikimi me qytetarët shqiptarë”, ka thënë Marku në një intervistë për Panorëmën.

Më tej ai ka kritikuar faktin se në qeveri ka ministra mediokër dhe banal, të cilët duhet të ndryshohen.

“Përjetësimi i ndonjë mediokri apo ndonjë tipi pa kurrfarë vlere në postet ministrore, siç po ndodh me qeverisjen tonë, nuk reflektohet pozitivisht në cilësinë e qeverisjes, përkundrazi. Disa ministra duhet të ndryshohen sepse i kanë ezauruar mundësitë dhe energjitë e tyre, por jo vetëm për këtë: vetë dinamika e jetës politike i ka banalizuar dhe tejkaluar”, ka shtuar deputeti Marku.

Ky i fundit duket se është kthyer në një prej zërave të paktë kritikë të PD-së.