Mark Marku, ma në fund nji heretik

0
20

Ardian Ndreca

Tue perifrazue nji shprehje të filozofit gjerman Ernst Bloch, me vjen me thanë: e due demokracinë pse herë mbas herë në gjinin e saj dalin heretikë. Me “heretikë” nënkuptoj ata që të lodhun tue çue dorën për me votue me symbyllë, vendosin me ngrit grushtin dhe zanin për me “luftue” për të vërtetën.

Ka vite që në PD nuk shohim asnji që ta mendojë ndryshe prej kapos për arsye parimore. Sigurisht kjo vjen jo pse PD-ja asht mbushë me dele pa personalitet që i shkojnë mbrapa dashit të kumonës, por pse kapoja ka gjithmonë të drejtë.

Mark Marku ka qenë i vetmi në gjithë këtë kohë që ka dijtë herë mbas here me e çue zanin dhe me kritikue linjën e partisë dhe udhëheqësin e saj. Përveç tij, deri tash, asnji tjetër nuk ka folë, madje as vetë Jozefina Topalli e cila u poshtnue publikisht prej zgjedhjes president të Shqipnisë të nji figure krejt mediokre si Bujar Nishani. Në këto vite Sali Berisha i ka dhanë nji profil antidemokratik partisë së tij, tue e kthye atë thjesht në nji instrument të pushtetit; ky asht vizioni i vetëm që doktori tropojan ka për politikën e prej tij nuk mund të pritet ma asnji përmirsim i këtij botëkuptimi.

Në intervistën e djeshme te gazeta Panorama duket se deputeti Mark Marku e ka kalue Rubikonin, tue kritikue ashpër dhe gjanësisht PD-në dhe koalicionin qeverisës.

E dinim që qeveria Berisha ishte e mbushun me figura të pakuptimta si Majlinda Bregu, Edmond Haxhinasto, Bujar Nishani, Nasip Naço, Eduard Halimi, Spiro Ksera etj. – rezultatet e punës të të cilëve janë krejtsisht të papërfillshme në çdo pikëpamje, por tash së fundi pamë sesi njeni prej tyne – nji person krejt i randomtë në të gjitha kandvështrimet – mbërriti falë alkimisë së pushtetit me u ba mbrenda pak orësh President i vendit. Nuk mjaftoi kjo, por Berisha dhe Meta përzien vorbën qeveritare tue emnue disa ministra të rinj, por plotsisht të denjë për kabinetin e vjetër dështak.

Deputeti Marku në intervistën e tij dhanë gazetës Panorama kritikon rreptë edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit, mungesën e konsensusit dhe mospërmbushjen e udhëzimeve të ndërkombëtarëve. Gjithashtu, ai kritikon faktin që PD-ja dhe LSI-ja përzgjodhën si kandidatë njerëz me nji të kalueme të dyshimtë, të lidhun me PPSH-në dhe me famëkeqin Sigurim të Shtetit. Si ka mundësi që Berisha, ky kalorës i kryqëzatës antikomuniste (mbas ramjes së komunizmit), së bashku me kumbarën e tij, Metën, nuk mbërritën me përzgjedhë, dy dekada mbas ramjes së komunizmit, nji emën të pastër e të panjollë? Nuk besoj se kjo gja përban nji mister për shumicën e shqiptarëve që përpiqen herë mbas here me mendue lirshëm e jashtë kornizave ideologjike: Berisha dhe Meta kërkonin nji njeri që mund të shantazhohej lehtë dhe mund t’u shërbente atyne me përkushtimin e nji eunuku.

As Berisha dhe as Meta nuk pranuen propozimin që bani Ismail Kadareja, pse qëllimi i tyne asht kontrolli i SHIK-ut, i emnimeve dhe i shkarkimeve në fushën e drejtësisë, si edhe sigurimi i kollajtë i firmës presidenciale për çdo dekret, ligj apo emnim.

Patozi, si mendje e hollë e politikës së PD-së, u shpreh se ata nuk donin nji “republikë ushtarake”, tue shpikë kështu nji term të ri, të cilit në historinë e njerzimit nuk i përkon asnji entitet real apo logjik. Po ku ka me e dijtë Patozi se në ato sisteme ku qeverisin me të vërtetë ushtarakët (pra, tue mbetë ushtarakë) nuk kemi të bajmë me republikë, por me diktaturë! Në fund të fundit këta janë njerëz që shpirtnisht janë prodhime të nji diktaturë që po mbijeton suksesshëm në nji sistem të ashtuquejtun demokratik.

Berisha, Meta dhe Patozi që nuk deshtën nji gjeneral të NATO-s për president, votuen për nji komandant toge të Shkollës së Bashkueme “Enver Hoxha”. Kjo asht fytyra e vërtetë e PD-së dhe e LSI-së, ata dijnë me zgjedhë si kandidatë o ish-spijuna të Sigurimit, o ish-antarë të PPSH-së, o ish-oficera të pangjyrë të shkollës “Enver Hoxha”!

Sfida e madhe që hedh Mark Marku asht nevoja e rithemelimit të PD-së. Me rithemelim e PD-së ai, me sa duket, nënkupton braktisjen e nji linje të vjetër, largimin e të korruptuemve dhe të paaftëve, të atyne që kanë grumbullue miliona euro në kurriz të shqiptarëve, të ish-spijunëve të Sigurimit, të ish-antarëve të PPSH…

Kjo gja do të ishte nji tërmet 10-ballësh në radhët e PD-së e un jam i bindun se ka shumë pak gjasa që të ndodhin, pse me shokët e Aldo Bumçit, Edi Palokës, Fatos Bejës, Tritan Shehut, Arenca Trashanit s’mund të ndërrohet as edhe nji llambë e djegun në selinë e PD-së, jo ma vetë linja e saj politike.

Ka shumë mundësi që i vetmi që do të ndërrohet, sapo të paraqitet rasti ma i parë, do të jetë vetë deputeti Mark Marku, i cili mundet me u largue i kënaqun, pse të paktën ua ka përplasë në fytyrë të vërtetën e për ketë gja besoj se pa vonue do të ketë mbështetjen morale të ndërkombtarëve, përfshi ndoshta edhe atë meraklinë e kërnackave dhe të birrës Korça!