Arben Çokaj, Gazeta Dita, 11 qershor 2015
Fushata elektorale për zgjedhjet lokale është në kulmin e saj. Tani po shfaqen edhe premtimet nga kandidatët e ndryshëm dhe mund të vihet re edhe preferenca e publikut për kandidatin fitues, duke u nisur edhe nga mbështetja që zgjedhësit tregojnë me pjesëmarrjen e tyre në takimet elektorale. Për kandidatin Tonin Marinaj, kjo mbështetje ka ardhur gjithnjë në rritje. Ai është kandidat për kryetar bashkie në Malësinë e Madhe, si përfaqësues i Aleancës për Shqipërinë Evropiane.
Një socialist me përvojë, Ramiz Cubaj, shprehet se Tonini i ka bashkuar strukturat e PS-së në Malësi të Madhe, pasi çdo kandidat tjetër mund të kishte patur kontestime. Kurse Tonini, jo vetëm që është pranuar plotësisht nga strukturat dhe elektorati i majtë, por ai po mbështetet fuqishëm nga LSI dhe partitë e tjera të Aleancës, si dhe nga një pjesë e madhe e demokratëve malësorë.
Me datën 8 qershor u mbajtën 2 aktivitete në Malësinë e Madhe, që i dhanë një impuls pozitiv kësaj fushate, sidomos takimi për Prezantimin e Programit nga Tonin Marinaj, i cili u mbajt në restorantin e famshëm ”2 luanët”, në fshatin Gjorm i poshtëm, ku pjesëmarrja ishte mjaft e madhe dhe projektet e premtimet e paraqitura nga kandidati Marinaj, ishin të mbështetura në koncepte bashkëkohore të mirë-menaxhimit. Stafi i tij i kishte konsultuar ato edhe me grupet shoqërore dhe të interesit, prandaj ishin projekte serioze, realiste, bindëse dhe padyshim optimiste, aq më tepër kur kundërshtari politik i tij, nuk ka paraqitur asnjë program elektoral.
Aktiviteti tjetër, që u mbajt me datën 8 qershor ishte dhënia falas e një numri prej 360 legalizimeve nga Aluizni, dega Shkodër-Malësi e Madhe, me praninë edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Aluiznit, Artan Lame. Puna e mirë e kësaj drejtorie po vërehet sidomos tani me drejtorin Ardian Dodani dhe për Malësinë e Madhe, me përgjegjës Fatjon Gjonaj dhe Denisa Kukaj, Arnold Skënderaj, Suad Smakaj e Julian Nokaj, të cilët po e konsiderojnë seriozisht detyrën që kanë marrë përsipër, për të zbatuar politikat e qeverisë, që shqiptarët të pajisen sa më shpejt të jetë e mundur me legalizimin e banesave dhe ndërtesave të tyre.
Ky aktivitet tregon padyshim edhe për një premtim të mbajtur nga qeveria shqiptare, dhe seriozitetin e institucioneve shtetërore, në shërbimin e tyre ndaj qytetarëve. Nuk ka dyshim, që nëse do të ishte punuar kështu edhe më parë, numri i legalizimeve do të kishte qenë edhe më i lartë. Kështu që edhe Tonin Marinaj, si përfaqësues i koalicionit qeverisës, do të vijojë punën e mirë, sapo të zgjidhet kryetar bashkie, duke sjellë një zhvillim më të madh për të gjithë Malësinë.
Kandidati Tonin Marinaj, i cili për nga vlerat njerëzore dhe cilësitë personale e familjare, si dhe aftësitë menaxhuese të tij, qëndron shumë më lart se kandidati kundërshtar, ka edhe një favor më shumë për të qenë më i besueshëm në premtimet e tij, pasi atij i bashkohet edhe kjo tendencë e punëve të mira, që qeveria Rama po kryen në këto dy vjet, në orientimin e shoqërisë sonë drejt një shteti më funksional e ligjor dhe drejt atyre vlerave të vërteta e progresive, që ka Evropa dhe ku ne synojmë të integrohemi.
Takimi i djeshëm me 9 maj 2015, ku mori pjesë edhe Kryeministri Rama, tregon për interesimin e vetë kryeministrit dhe mbështetjen e tij, krahas deputetit Paulin Sterkaj dhe deputetëve të Shkodrës, Hafizi e Kopliku, për vendosjen e Malësisë së Madhe në qendër të vëmendjes, si Bashkia e Alpeve në krye të vendit, ku varet në gozhdë edhe harta e Shqipërisë. Në qendër të Koplikut u mblodhën njerëz disa herë më shumë, se në takimin e fundit të Bashës me mbështetësit e PD-së në fushatë. Mesazhet e zotit Marinaj në këtë takim ishin mjaft të qarta e politike, duke theksuar se malësorët janë aq të zgjuar, sa ata do të dinë ta bëjnë dallimin në mes njeriut që ofron projekte për zhvillimin e Malësisë së Madhe dhe atyre, që politikën e duan për abuzime e konflikte të përhershme.
Ndeshemi me situata kur kemi patur 8 vjet në pushtet qendror Partinë Demokratike dhe 8 vjet në pushtet lokal po përfaqësues të Partisë Demokratike, por ka lagje në Koplik, që nuk kanë as ujë të pijshëm. Dhe tani është disi anakronike të presësh ujin e pijshëm që ta sigurojë një kandidat i PD-së, në konflikt të përhershëm me qeverinë, në kohën kur Tonin Marinaj premton me programin e tij, jo vetëm sigurimin e ujit të pijshëm për të gjithë, brenda një mandati 4 vjeçar, por edhe rregullimin e kanalizimeve, ujitjen e tokave me ujë të rrjedhshëm, etj., brenda po këtij mandati.
Nga Alpet krenare të Shqipërisë, ku një projekt i Qeverisë Shqiptare prej 22 milion Eurosh, do të investojë 70 % të tij për zhvillimin e turizmit malor në Alpet e Malësisë së Madhe, e deri te rruga Pedonale për në breg të liqenit, premtim i Kryeministrit Rama, si dhe investime të tjera në fushën e turizmit dhe të infrastrukturës, do e çojnë turizmin në një stad tjetër të zhvillimit dhe krijimit të të ardhurave për malësorët.
Brenda një mandati, do të bëhen investime serioze për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, aty ku është më e nevojshme. Investime për ujësjellësat, ujitjen e tokave dhe kanalizimet, do të synojmë zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi brenda këtij mandati. Si dhe investime për përmirësimin e shërbimit shëndetësor e arsimor, për nxitjen e punësimit dhe shitjen e produkteve bujqësore e blegtorale, për nxitjen e zhvillimit të industrisë së lehtë e ushqimore.
Tonin Marinaj shprehet para elektoratit se: “Prona juaj, shtëpia, biznesi e toka do të bëhen tuajat pa asnjë lek më tepër, vetëm aq sa parashikon ligji. Ju premtoj një Bashki me administratë të pakorruptuar dhe në shërbim të çdo qytetari, pa dallime partiake! Të gjithë do të trajtohen në mënyrë të barabartë!”
Do të ketë investime serioze edhe në fushën e sportit dhe kulturës, ku synohet ndërtimi i një kompleksi sportiv; një fushë futbolli brenda standardeve dhe ambiente të tjera sportive në Koplik, përmirësimin e ambienteve sportive në shkolla, si dhe dy qendra kulture në Koplik e Bajzë, kinema në Koplik, etj.
Do të krijohet një menaxhim i integruar për mbetjet urbane në një landfill, si dhe një transport i garantuar publik në rrugët kryesore të Bashkisë. Bashkia do të jetë zonë e lirë ekonomike dhe Marinaj premton se do të përpiqet të bëjë maksimumin për thithjen e investimeve të huaja dhe të vendit, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo është edhe rruga e duhur drejt fitores për Tonin Marinaj, me projekte e mbështetje konkrete për zhvillimin e Malësisë së Madhe, e jo me konflikte politike e abuzime.