Marinaj: “Ju tregoj si i kapërceva telat me gjemba”

0
27

Intervistë me poetin Gjekë Marinaj, me rastin e 20-vjetorit të largimit nga Shqipëria

Intervistoi: Mujë Buçpapaj, Nacional, 19 shtator 2010

Marinaj: “Fati më i madh i poezisë “Kuajt” ka qenë fakti se populli shqiptar pat shumë nevojë për një poezi të tillë dhe se ajo vinte nga unë; një malësor i panjohur dhe i papërlyer në privilegjet e kohës. Ngaqë nuk kishte arsye objektive të dyshonte tek unë, lexuesi gjeti durim ta interpretonte poezinë sipas dhimbjeve shpirtërore e fizike që ndiente. Ajo që gjendej përtej durimit të tyre për ta kuptuar ishte fakti se botimi i poezisë “Kuajt” nuk do të ishte i mundur pa guximin e Rudolf Markut, Skënder Buçpapajt, Ndoc Gjetos, Nasi Lerës etj. Unë e kam shkruar atë poezi i shtyrë kryesisht nga rebelimi shpirtëror. Ata e botuan te “Drita” të shtyrë edhe nga rebelimi intelektual. Rebelimi intelektual dënohej shumë më rëndë në atë kohë. Kështu, një meritë e madhe u takon atyre që e botuan atë.”

Nacional: Zoti Marinaj, njëzet vjet më parë, kapërcyet kufirin e telave me gjemba dhe shkuat në tokën e premtuar; në Amerikë. Si i kujtoni ato çaste, si e morët atë vendim?

Marinaj: Vërtet u bënë dy dekada nga origjina kohore e zgjatjes time nga Shqipëria për në Amerikë. Them “zgjatjes,” sepse duke u nisur nga një pikë simingle referimi, besoj se i kam qëndruar elastik kohës. Edhe kur ka ndodhur të epem, të tërhiqem apo të përkulem para ndonjë momenti të vështirë në jetë—gjithmonë kam gjetur forca në vetvete, të kthehem përsëri në gjendjen e mëparshme shpirtërore. Ato çaste mbeten sektorë informacioni në kujtesën time dhe kur u referohem më bindin se kushtet social-dinamike nëpër të cilat kam kaluar nuk më kanë shpërbërë, por ndërtuar si njeri.

Ndërsa arsyetimi i marrjes së këtij vendimi mund të kërkohet tek ai kushtëzim i caktuar psikologjik
që e aktivizon njeriun të harrojë ato që ka dhe të pushtohet nga një fiksim entimirist i cili të shtynë
të mendosh se nuk ke asgjë të mirë për të humbur. Ndonëse jam protonist nga natyra dhe logjika, ky ka qenë një qëndrim pragmatik nga ana ime, sepse u përqendrova në rezultatet praktike dhe jo në praktikën e rezultateve të atyre që kisha. Po të mos kishin ndodhur ato që ndodhen, nuk do të isha sot në Amerikë. Larg saj, do të ishte e pamundur të jetoja këtë jetë që jetoj sot.

Nacional: Cilat ishin emocionet e lënies pas të një diktature komuniste e cila gjatë periudhës janar-shtator 1990 kishte pushkatuar në kufij rreth 150 shqiptarë të rinj, ashtu si Ju, në përpjekje për të dalë jashtë shtetit?

Marinaj: Emocionet e asaj periudhe i kam projektuar brenda dy vizioneve të ndryshme të kohës. Pikëpamja ime e parë u bazua në preçizonin matematik dhe objektivitetin e realitetit, si një segment i pandalshëm që fillon tek pika zero dhe nuk ka kthim prapa. Kjo përkufizon përqendrimin tim intelektual dhe njerëzor tek ideja se e shkuara i përket së kaluarës dhe vetëm e tanishmja ka ekzistencë me parametra domethënës. Njeriu mund të ndryshojnë vetëm të tanishmen dhe të orvatet të projektojë të ardhmen. E kaluara është histori dhe duhet trajtuar si e tillë.

Po të ecim me kokën të kthyer prapa forca e gravitetit dhe ligjet e orientimit do ndikonin në ekuilibrin tonë fizik, shpirtëror dhe intelektual. E kaluara na ofron privilegjin e mësimit të arsyeve, zhvillimeve dhe rezultateve të aksioneve të mëparshme. Detyra jonë është studimi i këtyre të dhënave dhe ndërmarrja e veprimeve në akord me interesat humane—parandalimi i metodave që sjellin negativitet dhe përsëritja dhe avancimi i ideve që rezultojnë te vlershme.

Kurse vizioni i dytë ka pasë një natyrë më subjektive për mua. Koha ecën me hapin e saj, por incidentet nuk qëndrojnë të distancuara në kujtesë. Përjetimet dhe observimet ekzistojnë të pashpërfytyruara, të gjalla dhe aktive, duke e injoruar filozofinë kohore dhe ndryshimet që mund të pësojnë fenomenet jetësore brenda saj.

Edhe kur ndodh të ndjehem i montuar tek e tanishmja fizikisht, e kaluara luan rolin e saj dinamik në vetëdijen time, gjë që shpjegon edhe vendimin tim të vitit 1990 për ta ndryshuar formën, por jo esencën, e lidhjeve të mia me Shqipërinë, fat të cilin nuk e gëzuan asnjë nga ata që kufiri shtetëror u kthye në kufi vendimtar të jetëndërprerjes së tyre.

Nacional: Poezia “Kuajt” e botuar nga Ju në gazetën e shkrimtarëve “Drita”, që bërë e famshme për frymën disidente dhe nënkuptimet e drejtpërdrejta që përcillte, njëkohësisht duke ju afishuar ju si një kundërshtar të regjimit komunist, apo jo?

Marinaj: Po. Fati më i madh i poezisë “Kuajt” ka qenë fakti se populli shqiptar pat shumë nevojë për një poezi të tillë dhe se ajo vinte nga unë; një malësor i panjohur dhe i papërlyer në privilegjet e kohës. Ngaqë nuk kishte arsye objektive të dyshonte tek unë, lexuesi gjeti durim ta interpretonte poezinë sipas dhimbjeve shpirtërore e fizike që ndiente.

Ajo që gjendej përtej durimit të tyre për ta kuptuar ishte fakti se botimi i poezisë “Kuajt” nuk do të ishte i mundur pa guximin e Rudolf Markut, Skënder Buçpapajt, Ndoc Gjetos, Nasi Lerës etj. Unë e kam hkruar atë poezi i shtyrë kryesisht nga rebelimi shpirtëror. Ata e botuan te “Drita” të shtyrë edhe nga rebelimi intelektual. Rebelimi intelektual dënohej shumë më rëndë në atë kohë. Kështu, një meritë e madhe u takon atyre që e botuan atë.

Nacional: Sidoqoftë, pas botimit të saj, veglat e diktaturës filluan gjuetinë e shtrigave ndaj jush. Si e kujtoni atë periudhë, përfshirë edhe klimën politike të kohës, dredhat politike të udhëheqësit komunist të kohës, si dhe padurimin e të rinjve si Ju për të prekur sa më parë lirinë?

Marinaj: Regjimi i asaj kohe u zu i papërgatitur, natyrisht, për ta pranuar forcën shpresëdhënëse të poezisë “Kuajt” tek njerëzit dhe burimin e panjohur të autorësisë së saj. Të ndërgjegjshëm se, zakonisht, çdo ngacmim sjell një reagim, regjimi e pa poezinë time si një katalizator që mund ta shpejtonte revoltën e popullit kundër tyre dhe, që andej, edhe rrjedhën politike. Dënimi im ishte i pashmangshëm.

Nacional: Fiks dy dekada më vonë, Universiteti i Dallasit e përkujtoi arratisjen tuaj nga diktatura, në një mënyrë domethënëse, me një video të bazuar në poezinë tuaj “Kuajt.” Çfarë ishte kjo veprimtari?

Marinaj: Pranë Universitetit të Teksasit në Dallas jam diplomuar me Bachelor of Arts in LiteraryStudies (Magna Cum Laude), me Master of Arts in Humanities—Studies in Literature, dhe jam aktualisht duke përfunduar Doktoraturën, pra ku jam kandidat për Ph.D (Doktor i Filozofisë) që së bashku do të thotë mbi dhjetë vjet jetë akademike në këtë institucion. Falë kësaj atmosfere, lindi edhe ideja e kthimit të poezisë “Kuajt” në këngë. Kur drejtoresha e departamentit të muzikës Prof. Kathryn Evans më tregoi rreth këtij projekti, iu luta të përdornin muzikën e shkruar nga i ndjeri Gjon Kapedani, që ma kishte dhenë si dhuratë në 2006 kur isha në Shqipëri.

Aq u desh. Vargjet u adaptuan për këngën nga kandidati për çmimin Nobël në Letërsi Frederick Turner. Ato u kënduar nga tenori i njohur Prof. Hoyt Neal. Në piano luajti pianisti i famshëm Prof. Michael McVay. Kënga, që ka për mision celebrimin e 20 vjetorit të largimit tim nga Shqipëria për në Amerikë, është ilustruar me fotografi filmike që deri diku shpjegojnë historinë time gjatë kësaj kohe dhe arsyeve që më çuan deri në këtë vendim. Këtë pjesë të projektit e mbuloi mjeshtri i efekteve vizuale Robert L Williams.

Producente e gjithë projektit është sopranoja e mirënjohur amerikane Prof. Kathryn Evans. Projekti është inçizuar në sallat e inçizimit dhe filmimit pranë Universitetit të Dallasit, në fillim të shtatorit, dhe mund të shikohet dhe dëgjohet në www.youtube.com, në faqen time elektronike të sponsoruar nga universiteti,
www.marinaj.info ,si dhe në faqen elektronike të universitetit www.udt.edu.

Nacional: A ju preki fakti që kolegët tuaj amerikanë kishin zgjedhur këtë mënyrë simbolike për të kremtuar rilindjen tuaj të dytë, siç mund të konsiderohet; 11 shtatori 1990?

Marinaj: Vërtet po. Amerika mund të jetë rilindja e dytë e të gjithë njerëzve që i pranojnë me ndershmëri oportunitetet që ajo të ofron dhe me dëshirën që të punosh, po me ndershmëri, për t’i bërë këto oportunitete të mundshme për të tjerët kurdo që të jetë e mundur. Kolegët dhe profesorët e mi janë indikativ i këtij realiteti të shenjtë. Në këtë pikë, fjalët e mia nuk mund të jenë kurrë të njëtrajtshme me atë që ndjej.

Nacional: Ke bërë studime vërtet intensive. Nëse do të ishe i detyruar t’i përmbledhësh në më pak se njëzet fjalë mësimet më të çmueshme që ka fituar nga jeta juaj akademike, si do i përshkruheshe ato?

Marinaj: Kam mësuar se si t’i identifikoj idetë e mira nga të këqijat dhe njerëzit e mirë nga ata të këqij.

Nacional: Nga Brruti i Malsisë së Madhe, pedagog në kolegjin elitar të Richland-it në Dallas, SHBA. Si ka rrjedhur jeta e Gjekë Marinajt gjatë këtyre 20 vjetëve?

Marinaj: Jetë e lumtur! Padyshim e lumtur, por dhe e lodhshme, njëkohësisht. I jam nënshtruar një jetë tërësisht epistemologjike. Të fitosh njohuri dhe t’i vësh në funksion ato është një proçes i padukshëm që kthehet në adaptim. Gjithmonë jam përpjekur t’i aplikoj njohuritë e fituara në situata konkrete. Pastaj rezultatet e secilës përvojë, të dëshirueshme apo jo deri në fund të tilla, i kam trajtuar si njohuri të reja me implementim të mundshëm gjatë marrëdhënieve me situatën tjetër apo ambientin e ri në të cilin jam gjetur. Jam munduar seriozisht të mos i hipotekoj njohuritë si fenomene emblematike as në tekstet që kam lexuar as në ato që kam shkruar.

Nacional: Prej disa vitesh jeni kthyer në një ambasador të kulturës dhe letërsisë shqiptare në SHBA, me përkthime, botime dhe prezantime të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në këtë metropol të kulturës botërore. Sa kohë ju kushton kjo ndërmarrje pasionate, disi idealiste apo patriotike?

Marinaj: Të gjithë shkrimtarët janë ambasadorë të kulturës. Dashuria për atdheun dhe kulturën tënde është një privilegj që kërkon investime të mëdha në disa drejtime. Injorimi i vlerave kombëtare është investim i humbur jo vetëm për ne shkrimtarët por edhe për vendet në të cilat jetojmë.

Nacional: Si një kundërshtar i diktaturës, cilat do të ishin këshillat tuaja për demokracinë shqiptare?

Marinaj: Demokracia është shumë delikate. Ajo mbetet vetëm një emër nëse nuk është e drejtë se secilit qytetar për ta jetuar atë. Mungesa e sensivitetit ndaj konditave aktuale në intervenimet personale dhe sociale të njerëzve mund të sjellë rezultate kolatike për vendin tonë. Mendoj se demokracia e re shqiptare duhet të mësojë nga historia luhatëse e saj.
Sepse demokracinë dhe komunizmin i ndanë një vijë shumë e hollë.

Në parim, komunizmi nuk ishte asgjë tjetër veçse një skemë e dhunshme piramidale. Vetë komunistët e shihnin ardhjen e shembjes së sistemit të tyre. Ata vunë në qarkullim një diktaturë të jashtëzakonshme si “shpresë” për të blerë sa më shumë kohë në pushtet. Duke e bërë këtë shkatërruan, ose të paktën shfytyruan, gati gjithçka të rëndësishme në jetën e popullit shqiptar.

Pas rënies së komunizmit erdhi Partia Demokratike. Deri në ’97, falë demokracisë, demokracia në Shqipëri u kthye në një skeme “demokratike” piramidale. Edhe demokratët duhet të kenë qenë të ndërgjegjshëm për shembjen e “fitimeve” të piramidave. Ata përdorën jo dhunën, por heshtjen, si “shpresë” për të blerë kohë në pushtet.

Duke e bërë këtë, edhe ata shkatërruan, ose të paktën shfytyruan, gati gjithçka të rëndësishme në jetën e popullit shqiptar, përfshi këtu edhe shtëpitë e tyre, shumicën prej të cilave i kishin ndërtuar me gjak dhe djersë gjatë sistemit diktatorial komunist.

Thënë ndryshe, demokracia është fati më i madh për popullin shqiptar. Por nëse ajo i trajton ish komunistët apo pasardhësit e tyre socialistë ndryshe nga ç’trajtohen demokratët apo mbështetësit
e tyre, ai sistem, në opinionin tim, do të mbetet më afër komunizmit sesa demokracisë.

Vuajtjet që kemi kaluar nën atë regjim nuk do ja dëshiroja as armikut më të madh e jo më vëllezërve e motrave shqiptarë. Demokraci do të thotë ta kuptosh, vlerësosh e nderosh secilin anëtar të shoqërisë për atë që bën sot jo patjetër për atë që ka bërë, apo mendohet të ketë bërë, para 20 apo 50 vjetësh…