Marin Mema i kundërpërgjigjet kryetarit të komunës së Ohrit

0
30

Marin Mema E Verteta, 13 prill 2015.

Deklarata e bërë nga kryetari i komunës së Ohrit për dokumentarin e gazetarit shqiptar Marin Mema, në lidhje me shqiptarët e Ohrit duke i quajtur të pavërteta, ka sjellë dhe kundërpërgjigjen e gazetarit në lidhje me këto informacione.

Ja reagimi i plotë i Marin Memës:

“Kryetari i Bashkise së OhritNikola Bakraceski “Nuk dua të komentoj të pavërtetat dhe reklamacionet që kanë tendenca politika dhe mesazhe tendencioze. Historia është e bazuar në fakte dhe argumente jo mbi supozime tendencioze. Supozoj se autorët e materialit kishin disa qëllime dhe nuk do të bëj asnjë koment mbi arsyet dhe burimet e këtyre pohimeve”.

Pikërisht për histori dhe fakte flas zoti Bakraceski. Historinë se bëjmë as unë e as ju. Dasaretët , Enkelejtë dhe Lynkestet janë fise Ilire që mbizotëronin mes të tjerash edhe në Ohër. Është fakt për të cilin mund të konsultoni qindra arkeologë dhe historianë se kishat datojnë shumë kohë , shekuj para se sllavët të dukeshin në këto anë. Pavarësisht se këto objekte kulti u ndryshuan e rindryshuan shumë për të humbur identitetin ato mbeten në rrënjë qartësisht Ilire. Sa për kalanë është fakt historik që Ostrogotët 5 shekuj para se bullgarët të dukeshin në këto vise u thyen këtu në betejën për të pushtuar Lyhnidosin.

Gjetjet arkeologjike në brendësi të kalasë datojnë në shekullin e VI dhe të V para krishtit e ç’lidhje kanë sllavët me to kur dyndjet e tyre nisën vetëm 11 shekuj më vonë?! Po me teatrin antik ndërtuar rreth VII shekuj para tyre ?! Filipi i dytë a nuk ishte djali i Euridikës nga fisi Ilir i Lynkesteve ? Vetë Filipi a nuk morri për bashkëshorte Olimbine Iliren nga Epiri ? Pra çfarë ishte Aleksandri nipi i tre gjyshërve Ilire ? Plini, Ptolemeu e Livi janë referenca të besueshme e të dhënat e tyre kanë hedhur baza në histori.

Zoti Bakraceski ku shkuan shumica shqiptare për të cilën shkruan në 1903 – 1904 britanikja Edit Durham në librin “Brenga e Ballkanit” ? Po të dhënat e rregjistrave osmane për popullësinë Myslimane dhe Ortodokse shqiptare? A nuk është fakt që Progon Zgurin hierarkun e Ohrit në 1295 vetë historianë tuaj mes tyre edhe Bogumil Hrabake e quajnë arbanas pra shqiptar? A nuk ishte familja shqiptare e Gropajve mbrojtëse e Patriarkanës së Ohrit?

Pse vallë një qytet që sipas jush nuk ka lidhje me shqiptarët kërkoi të bashkohej me Shqiperinë e dokumentat për këtë janë të pafundme? Pse pati plot tre firmetarë pavarësie në aksin Ohër – Strugë? Pse u bënë aq shumë kërkesa për bashkimim me Shqipërinë pas kryengritjes se 1913? E ne fund zoti Bakraceski a mundet te me thoni ju jeni maqedonas? apo sllav?

Tarm, O. Hoffman, A. Jard, Geigand, O. Muller, P. Jougeut, H. Hirt, Edit Durham… etj, shprehin pikëpamjet e tyre se etnia dhe gjuha e Maqedonëve të lashtë ka qenë ilire dhe ilirishte.
Zoti Kryebashkiak, historia ka lindur atëherë kur ngjyrat partiake s’kishin vlerë, atëherë kur faktet s’mund të manipuloheshin ndaj dhe refrencat për “Ohrin shqiptar” janë të shumta e mund të gjendet lehtësisht nëpër arkiva. Referenca që s’kane lidhje me ekstremizmat, me nacionalizmat modernë, me diskurset politike por thjesht e vetëm me fakte historike.

Historia nuk bëhet, nuk ndryshohet, nuk ngjyroset, nuk rrotullohet aq me tepër kur flitet me ndarje shekujsh në mes…. Ballkani apo siç quhej dikur do apo s’do dikush gadishulli Ilirik ka nevojë të dije edhe për historinë e tij të vërtetë, atë histori që bashkon vlerat, kulturat e nuk nxit dasitë.

Të fshish historinë e tjetrit do të thotë të mos njohësh veten…. Sidomos në një Ballkan imagjinar e që sot më shumë se kurrë kërkon të shkojë drejt Europës. E në këtë këndëvështrim “e vërtetë është se Ohri është një qytet i bukur, i hapur,mikëpritës për të gjithë”, thuhet në reagimin e Memës.