Nga Thomas Roser, “Die Presse”
Shqiptarët mezi presin që të nderojnë sa më shumë gruan më të famshme të kombit të tyre: Dita e Lumturimit të Nënë Terezës në vitin 2003 u shpall si ditë feste kombëtare. Emri i murgeshës së vdekur në vitin 1997 në Kalkutë, i është vendosur edhe aeroportit të Tiranës. Me çmimin “Nënë Tereza” në vendin e shqiptarëve nderohen personalitetet e angazhuara në çështje sociale.
Shumë monumente në nderim të fitueses së çmimit Nobel gjenden dhe në Maqedoninë fqinje: atje ajo u lind me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në vitin 1910, si bijë katolikësh shqiptarë, në kryeqytetin e sotëm, Shkup.
Fakti që eshtrat e saj ndodhen në Indinë e largët, atdheun e përzgjedhur prej saj, që kur ajo udhëtoi atje në vitin 1929, bën që disa patriotë shqiptarë të mos ndihen të qetë.
Miratimi i shumë bashkëkombësve bëri që kryeministri shqiptar, Sali Berisha, të ishte i sigurt, kur shpalli së fundmi rikthimin e eshtrave të Terezës së bekuar me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes, vitin që vjen.
Tirana ka nisur tashmë bisedimet me qeverinë e Indisë dhe do i “intensifikojë ato, për të sjellë eshtrat e Nënë Terezës sërish në vend.”
Por në subkontinentin e largët, kërkesa shqiptare shkaktoi indinjatë dhe habi.
Qeveria indiane sqaroi se nuk ka një kërkesë të tillë të Tiranës e as nuk mund të vihet në diskutim, nëse do ketë një të tillë për transferimin e eshtrave të saj në Tiranë.
Nënë Tereza është një shtetase indiane, bëri të ditur Ministria e Jashtme: “Ajo prehet në vendin e saj, në tokën e saj”.
Zhurma e medieve në Indi përfshiu shumë shpejt shtypin botëror.
Eshtrat e Nënë Terezës mund të bëhen subjekt i një “përplasjeje të shëmtuar në tri fronte” mes Shqipërisë, Indisë dhe Maqedonisë, parashikonte londinezja “Times”.
Për vendprehjen e një shenjtoreje në qiell shpërtheu në tokë një “debat djallëzor”, – komentonte kanali amerikan, CNN.
***
Ndërsa në Indi, katolikët e zemëruar po bëheshin gati për protesta, në Tiranë i vrullshmi Berisha po përpiqej që të qetësonte gjërat. Përpjekjet e tij ishin para së gjithash për “qëllime humanitare”: “Çdo njeri e meriton që të prehet pranë nënës së tij”, – tha ai.
Megjithatë vëzhguesit thonë krejt të kundërtën, që shefi i qeverisë kujdeset më shumë për imazhin e tij mediatik, sesa ku prehen eshtrat e shenjtores së njohur nga vendi i tij: “Berisha vuan nga mania që të jetë çdo ditë i pranishëm në medie”, – mendon ish-këshilltari i tij, Ermal Hasimja.