Manipuloi shifrat për ekonominë, PS padi penale INSTAT-it

0
33

Shekulli Online, 12.03.2010

TIRANË – Instituti i Statistikave ka manipuluar shifrat mbi rritjen e çmimeve, inflacionin, zhvlerësimin e lekut, etj. Partia Socialiste ka vendosur ta padisë këtë institucion, për veprën penale të manipulimit të shifrave dhe falsifikimit të vazhdueshëm të të dhënave të ekonomisë.

Lajmin e bërit të ditur sot, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili tha se kjo përbën një krim dhe ky krim mund të prodhojë pasoja të paparashikueshme në planin e stabilitetit social.

“Po hyjmë përditë e më thellë në tunelin e errët të një krize ekonomike që mbulohet me shifra të rreme, me të dhëna të falsifikuara dhe me prapagandë premtimesh absurde. Ne po studiojmë mundësinë e ngritjes së një padie penale për INSTAT”, u shpreh Rama.

Referuar të dhënave të INSTAT, ushqimet janë shtrenjtuar 7 – 8 për qind, në 6-mujorin e fundit, ndërsa Partia Socialiste thotë se e vërteta në tregjet e pakicës apo në raportime të ndryshme të pavarura tregon se rritja e çmimeve të ushqimeve luhatet në nivelet 15 – 30 %. Ndërsa inflacionin e raporton në nivelin 4.4 %. Sipas Ramës, kjo nuk është e vërtetë, sepse grupe të ndryshme mallrash, zyrtarisht, kanë një peshë specifike në shportë, shumë më të vogël se sa në realitetin e buxheteve familjare mujore.

“Nuk është e vërtetë që energjia elektrike zë vetëm 2.4 % të shpenzimeve mujore, sa për të sjellë një rast në listën e mallrave që duke i pozicionuar tërësisht gabim në shifrat zyrtare, del pastaj edhe ajo shifër inflacioni e gabuar”, tha Rama. Sipas tij, fatura e energjisë zë 10 për qind e shpenzimit mujor të një familjeje shqiptare. Po në këtë linjë, Rama tha se “INSTAT-i që mbahet nga taksat e qytetarëve, i gënjen ata duke u thënë se shpenzimet për ushqime zënë 37.2 % të shpenzimit mujor të një familjeje, kur vetë Anketa e Matjes së Standardit të Jetesës, raporton se ushqimet zënë 55 % të buxhetit mujor”.

Pensionet

Rama ka folur sot edhe për mashtrimin e tërthortë të qeverisë për pensionet. Ja si e shpjegon ai rritjen e pagesës dhe taksimin e tyre. “Në 2009 qeveria i rriti pensionet 5 %. Çdo pensionist mori, mesatarisht, një shtesë prej 6 mijë lekë (të vjetra) në muaj. Por, që prej shtatorit 2009, zhvlerësimi i lekut ka funksionuar si një taksë e fshehtë dhe shtesën që kanë marrë në maj 2009 pensionistët, ia kanë rikthyer qeverisë, duke paguar edhe interesat për borxhet e larta që zoti Berisha mori në prag të zgjedhjeve”, u shpreh Rama.

Energjia

Lidhur me faturat e energjisë, që siç deklaroi drejtori i OSSH-së kanë pasur gabime, Rama tha se “Berisha flet për defekte teknike në prerjen e faturave të energjisë dhe premton rimbursime, por nga kjo qeveri nuk ka asnjë herë rimbursime që nga koha kur është formuar në vitin 2005. E vërteta është se ndërkohë që ligji dhe autoritet shtetërore flasin për rritje të çmimit të energjisë elektrike në nivelin 13.2 %, dhe jo për arsye teknike, apo defektesh në shkrimin e faturave, në shumicë familjet shqiptare këta dy muaj kanë marrë faturat 30 % më të shtrenjta se 1 vit më parë. Kjo nuk është çështje teknike, por është një grabitje dhe kjo ndodh sepse qeveria s’di nga t’ia mbajë për të përballuar krizën ekonomike dhe arkën trokë të shtetit për shkak të shpenzimeve elektorale”.

______________________

Rritja e çmimeve, PS: Berisha dhe Bode janë përgjegjës për krizën

TIRANE – Partia Socialiste ka reaguar për rritjen e çmimeve, duke deklaruar se kjo është përgjegjësi direkte e kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave Bode.

Deputetja Olta Xhaçka tha se “PS e kishte paralajmëruar këtë situatë që para një viti. “Për më se një vit Sali Berisha dhe qeveria e tij besuan se do t’ ia dilnin me sukses të mbulonin diellin me shoshë, duke keqpërdorur INSTAT për të fshehur rrokullimën që po merrte ekonomia shqiptare”.

“Sot, që kjo flluskë sapuni e krijuar me anë të një propagande të papërgjegjshme për çudirat ekonomike të Saliut e Ridvanit ka plasur, ne e ftojmë kryeministrin e Ruzhdies, që të pranojë publikisht dështimin e tij monumental ekonomik dhe t’u tregojë shqiptarëve se ç’masa është duke marrë qeveria e tij për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi në këto kohë të vështira”, vijoi ajo.

Referuar shifrave të djeshme të INSTAT, PS përmendi rritjen e skajshme të kostos së jetesës për shqiptarët duke publikuar faktin se rritja vjetore e çmimeve për muajin shkurt është plot 4.4%, ndërkohë që vetëm në krahasim me muajin janar çmimet janë rritur me 1.1%.

Çmimi i energjisë i shtrenjtuar me 13.1%, çmimet e zarzavateve të rritura me 13.2%, dhe lista e gjatë e rritjes së çmimeve të çdo produkti bazë po e rëndon në mënyrë të papërballueshme gjendjen ekonomike e financiare të familjeve shqiptare.

___________

Pranverë e çmendur çmimesh, inflacioni kalon çdo kufi të BSH

TIRANE – Çmimi i energjisë, çmimi i ushqimeve apo pijeve ka qenë më i shtrenjtë gjatë muajit shkurt. Kjo s’ka kaluar pa u vënë re nga familjarët që janë rrudhur në blerjet e tyre. Por ajo ç’ka vihet re në mënyrë individuale sot merr një përgjigje institucionale. Ka qenë INSTAT që ka referuar shifrat e reja të indeksit. Kështu inflacioni për muajin shkurt kapi nivelin rekord dhe madje tejkaloi normën prej 4.0 për qind vendosur nga Banka e Shqipërisë, duke shkuar në 4.4 për qind.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar inflacioni është rritur me 1.9%, ndërsa kundrejt një muaji më parë është shënuar një rritje prej 1.1. Specialistja e INSTAT, Hazbie Bunguri, shpjegon se në shtrenjtimin e kostos së jetesës ka ndikuar kryesisht rritja e çmimeve të produkteve ushqimore. “Indeksi i grupit ‘ushqime dhe pije alkolike’ ka shënuar një rritje prej 2.4 për qind. Po kështu rritja me 13 për qind e çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh ajo.

Rritja e çmimit të ushqimeve është më e larta që nga viti 1998, dhe kjo po ndodh në një kohë kur ekonomia edhe sipas treguesve zyrtare ka hyrë në një fazë të fortë ngadalësimi. Gjasat janë që rritja e çmimeve në treg të vazhdojë edhe për një periudhe të pacaktuar.

_______________

Mbifaturimi, OSSH bën verifikimin e ankesave: Dëmi, 105 milionë lekë

TIRANË- Pas ankesave të qytetarëve për mbifaturimin e energjisë, OSSH ka deklaruar sot se dëmi i shkaktuar është në shifrën 105 milionë lekë.

Deklarata është bërë nga kreu i OSSH-së, i cili ka njoftuar për mediat se është mbyllura faza e verifikimit të faturave, pas ankesave të konsumatorëve.

Sipas tij, janë marrë ekspertë çekë që kanë bërë bilancin për ata persona që janë dëmtuar nga faturimi i energjisë me çmimin e rritur, ndërkohë që ky çmim nuk kishte hyrë ende në fuqi.

Më tej, do të vijojë edhe dëmshpërblimi për konsumatorët e dëmtuar. Pas kontrollit dhe kapjeve të shkeljeve janë marrë masa ndëshkuese dhe OSSH ka shkaktuar nga puna 100 faturistë.

___________________________

Braçe: Shqiptarët grabiten nga ortakët OSSH-Qeveri

Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka folur sot sërish për mbifaturimin e energjisë elektrike që po e vujane mijëra familje dhe subjekte. Ai tha se ortakët refuzuan të marrin përsipër përgjegjësitë e këtij skandali. “Një milionë klientë shqiptarë janë vjedhur, por ortakët e përfshirë në këtë vjedhje, Qeveria e Sali Berishës dhe OSSH, në mënyrë të turpshme, të denjë për hajdutë tradicionalë të zyrave shqiptare, përqeshën fakte publike e ligjore, vunë në dyshim vjedhjen e qartë, refuzuan të marrin përgjegjësinë për të, munguan me një ndjesë serioze për çdo shqiptar të vjedhur”, u shpreh sot Braçe.

Partia Socialiste mban qendrin ndaj sjelljes së kompanisë që manaxhon energjinë elektrike në vend.

Qendrimi i PS-së:

1- grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike – me fuqi ligjore nga 1 janari – që në muajin dhjetor, nuk është një çështje politike por thellësisht ligjore.

Për ne aludimet për lojëra politike të artikuluara nga drejtuesi i monopolit OSSH, janë të papranueshme.

– faktet që dëshmojnë grabitjen u bënë publike nga përfaqësues politikë në momentin kur pavarësisht dijenisë së plotë për këtë grabitje, monopoli OSSH u mundua ta kalonte atë në heshtje duke pranuar edhe përfitimet monetare nga kjo grabitje.
– monopoli OSSH është përfshirë në politikë qyshkur pranoi politikisht dhe jo ekonomikisht kërkesën elektorale të Sali Berishës për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike për vitin 2009, me efekt në zgjedhjet e qershorit, duke flakur tej një plan ekonomik me një rritje më të butë e të arsyeshme të çmimit të energjisë në vitet që do të pasonin, duke përfshirë edhe 2010.

2- grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike -me fuqi ligjore nga 1 janari – që në muajin dhjetor, nuk është një gabim njerëzor por një veprim i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm që ka arkëtuar për llogari të OSSH të ardhura të paligjshme, duke konsumuar veprën penale të vjedhjes së afro 1 milionë klientëve.

Për ne alibia e përsëritur me gabime njerëzore, huazuar si e tillë nga sjellja kriminale e qeverisë së Sali Berishës me pasoja të rënda e të provuara si në Gërdec, është e papranueshme.

– nuk mund të ketë gabim njerëzor në vijimësi dhe të shtrirë në afro 1 milion fatura që sipas ligjit janë titull ekzekutiv. Njerëzit po heqin bukën nga goja, po marrin borxh për ti paguar ato.

– Përmasa e kësaj grabitjeje, verifikuar, dëshmuar dhe paguar nga çdo kryefamiljar shqiptar, biznes i vogël e i madh, konsumatorë të tjerë publik, përbën një provë të qartë e të fortë për një veprim të qëllimtë e përfitues.

3- grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike – me fuqi ligjore nga 1 janari – që në muajin dhjetor, nuk mund të jetë më një çështje në verifikim, për më tepër nga ortakët e monopolit OSSH, ajo duhet të jetë një çështje nën hetim, gjykim dhe ndëshkim. Vjedhja është e provuar nga faturat, përmasa e saj duhet hetuar nga Prokuroria.

Për ne zgjidhja e artikuluar nga ortakët e monopolit OSSH të përshirë në vjedhje, sipas së cilës gjithçka kalon lehtë duke folur me klientët – kur në zyrat e OSSH gjen njerëz të grabitur që prej muajsh kërkojnë e s’marrin të drejtë, apo duke shkarkuar faturistë – kur ata prej vitesh zëvendësohen nga të tjerë grabitës zyrtarë, nuk vlen më, për ne e për gjithkënd.

– qytetarët tani kërkojnë tu kthehen mbrapsh sa më parë çdo qindarkë e grabitur nga monopoli OSSH.
– qytetarët kërkojnë garanci që kjo vjedhje nuk të përsëritet më, ndaj hetimi, gjykimi dhe ndëshkimi i monopolit OSSH dhe zyrtarëve të tij, lidhur me këtë vjedhje është detyrim ligjor dhe moral.
– qytetarët kërkojnë të paguajnë vetëm atë që konsumojnë dhe investimi në sistem për të ofruar këtë shërbim ndershmërisht dhe me cilësi është jetik e nuk duhet të vonojë. Madje duhet të jetë kusht për çdo masë tjetër në favor të monopolit OSSH.

______________

Mbifaturimi flet drejtori i OSSH-së

Gabim njerëzor e ka quajtur drejtori i OSSH, Jozef Haisek, faturimin e energjisë për muajin dhjetor 2009 me çmimin e janarit 2010. Gjatë një deklarate për mediat, Haisek ka sqaruar se do të bëhet vlerësimi rast pas rasti dhe do të nisin kompensimet e konsumatorëve.

“Do të bëjmë vlerësimin rast pas rasti, duke verifikuar gjendjen e matësave dhe nëse vërejmë abuzime do të nisim kompensimet. Muajin tjetër do të nisin kompensimet e konsumatorëve” – tha drejtori i OSSH-së.

Më tej ai ka deklaruar se do të ndëshkohen gjithë ata faturist që do të kapen në gabime të tilla, ashtu si është bërë edhe më parë.

Duke folur për rritjen e çmimit të energjisë, ai ka pranuar se kjo ishte e nevojshme dhe do të shërbejë për rritjen e investimeve në sistemin e energjisë. Përpos kësaj, sipas tij, kjo rritje bëhet edhe për të mbuluar humbjet dhe për të furnizuar vendin me energji.

_________________