Manipulimi i mendjeve

0
51


Ardian Klosi, 22.11.2010

Teksti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe 10 (botime shkollore Albas) ka një ndërtim mjaft interesant. Ai ndahet në dy pjesë të mëdha: I. Gjuha shqipe dhe përdorimi i saj dhe II. Letërsia.

Vetë pjesa e parë ka tri nënndarje: Gjuha dhe komunikimi; Teksti dhe llojet e tij; Përdorimi i gjuhës. Ndërsa pjesa e dytë ka këto nënndarje: Teksti tregimtar; Teksti poetik dhe Teksti dramatik. Po t’u futesh brenda nënndarjeve ato paraqiten edhe më interesante.

Kështu po të ndalemi vetëm në pjesën e parë, marrim në fillim njohuri të përgjithshme për gjuhën dhe komunikimin, për ligjërimin verbal dhe joverbal, për dialektet dhe standardin e shqipes; kurse në nënndarjen e dytë mësojmë se ç’është teksti, cilat janë llojet e ndryshme të tij, duke bërë një udhëtim nëpër tekstet informuese, udhëzuese, ato argumentuese e bindëse, për të ardhur te tekstet rrëfyese e deri te gjuha e reklamave.

]
Pasi kemi marrë këto njohuri bazë, përgatitemi ta përdorojmë vetë gjuhën shqipe në nënndarjen Përdorimi i gjuhës. Këtu na jepen së pari Strategjitë e të folurit (vëreni ç’emër: strategji), pastaj Strategjitë e të dëgjuarit dhe në fund Strategjitë e të shkruarit. Më logjike nuk bëhet, së pari duhet të dimë të flasim, pastaj të dimë të dëgjojmë (jo të dimë, gabova, të përgatitemi taktikisht, të skicojmë llogoret, transhetë, majat dhe pritat nga do nisim mësymjen tonë verbale-auditive) që të kemi pastaj aftësinë ta rrethojmë armikun, pa shpëtim, me strategjinë tonë të të shkruarit.

Nuk do të merrem më gjatë me këtë lloj ndërtimi të një teksti të Gjuhë-Letërsisë për gjimnazet, sepse nuk më intereson. Ka vite që nxënësit e shkollave tona janë kthyer në kavie mbi të cilat eksperimentohen lloje-lloje strategjish, mbi të cilët ngrihen lloje-lloje grupe autorësh me emra dhe pa emra.

Ka vite që kemi ngritur zërin për tekste të thjeshta, ku nxënësve t’u jepet struktura bazë e gjuhës shqipe dhe disa nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë botërore dhe kombëtare, siç i ka patur dekada më parë brezi ynë, i cili në këtë pikëpamje, të njohjes dhe përdorimit të gjuhës shqipe, të njohjes dhe dashurimit me letërsinë e mirë, u rrit shumë më i shëndetshëm se i sotmi.

Është e kotë, askush nuk dëgjon, tekstet vijnë gjithmonë duke u fryrë e vështirësuar, sikurse vijnë dhe grupet e autorëve duke u mbushur me emra të panjohur, të cilët në njëfarë mënyre duan të hanë edhe ata.

Jo, nuk do t’u isha kthyer përsëri teksteve të gjimnazit, po të mos më kishte ardhur para pak ditësh vajza ime që është në klasën e 10 dhe të më thoshte: “babi, përmendeshe shumë keq në tekstin tonë të gjuhës, ti dhe Oliver Schmitti”.

Pse, i thashë, kishte gjë ndonjë tekst të Oliver Schmitttit aty që kritikohej? Jo më tha, ishte teksti i një Ardian Ndreci që thoshte se Schmitti dhe ti e keni nxjerrë babain e Skënderbeut sllav. E çfarë mendoni tani ju? e pyeta. “Nxënësit mendojnë shumë keq për ju të dy, vazhdoi vajza, por mua më vjen keq që ne nuk lexojmë asgjë nga Schmitti dhe emri i tij bëhet tabu”.
Këtë fjalë përdori ajo “tabu”.

Mora atëherë librin e saj dhe lexova tekstin në fjalë, i cili ndodhet në faqen 95. Jemi në kapitullin Strategjitë e të shkruarit dhe këtu nxënësve u jepen si shembull të teksteve-model dy fragmente, njëri nga Gjenerali i ushtrisë së vdekur i I. Kadaresë dhe tjetri teksti polemik i Ardian Ndrecës kundër Oliver Schmittit, nga një libër të cilit nuk i thuhet titulli. Kërkesa që u shtrohet nxënësve është: “Shkruani përmbledhjen e tekstit të mëposhtëm”.

Pra saktësia, vërtetësia, koherenca, mirësia e tekstit në fjalë nuk diskutohen, ai thjesht duhet bluajtur dhe përmbledhur nga mendjet e njoma. 5 faqe më parë, në krye të këtij kapitulli, u tregohet nxënësve se kush është “një shkrues i mirë”: “Për të qenë një shkrues i mirë nuk është e thënë të shkruash një kryevepër.

Të jesh një shkrues i mirë do të thotë thjesht të dish të shkruash një tekst të vërtetë, pra, një tekst të saktë, të plotë, të rregullt e koherent” (nënvizimet e autorëve të tekstit). Pasi kanë marrë këtë përkufizim, nxënësit, të etur për të patur shembullin e tekstit të vërtetë, të saktë, të plotë, të rregullt dhe koherent, gjejnë në vazhdim dy paragonët që përmendëm, nga Kadare dhe Ndreca.

Le të vijmë tani te teksti konkret, për të shpjeguar shkurt se si manipulohen mendjet e 15-vjeçarëve lidhur me një kohë e problematikë tejet komplekse siç është ajo e periudhës së Skënderbeut.

Fragmenti në fjalë është marrë nga një libërth i Ndrecës, i cili është botuar më së pari vjet në Gazetën Shqiptare, ka dalë edhe si botim më vete. Ai u botua bashkë me 5 a 6 libra të tjerë dhe nja 500 a 600 artikuj në shtypin tonë që sulmonin në mënyra të ndryshme monografinë e historianit zviceran.

E pata lexuar kalimthi, siç mund të lexohet një ese e tillë që nuk sjell asnjë të re historike, që mbështetet vetëm mbi akrobacitë e fjalës dhe figurat artistike, që shtrembëron, spërdredh dhe denigron kundërshtarin me colpi bassi, në pamundësi të barazimit në dije historike dhe objektivizëm shkencor.

Ishte njësoj si të luftohej një monografi e fizikës kuantike me mjetet e mekanikës njutoniane, ose një trajtesë e biologjisë molekulare me metodat e materializmit historik.

Veç këtyre gegënishtja e autorit i jepte përpjekjes së tij një tingëllim shumë arkaik, sikur dikush po lëshonte një thirrje patriotike a një kushtrim malesh nga faqet e revistës “Hylli i Dritës” kundër asaj, kurvës së motit, Evropës, 80 vjet më parë, kundër një punimi historik që në të vërtetë vinte më 2008 nga Europa e bashkuar.

Natyra eseistike-manipulative e libërthit është krejt evidente edhe në fragmentin që u jepet nxënësve si shembull i “tekstit të vërtetë, koherent” etj. Vëreni stilin: “Historiani i ri Schmitt nuk e msheh se qëllimi i veprës së tij asht me çmitizue figurën e Skënderbeut”.

Qysh në krye vendoset kokëposhtë platforma e vërtetë e veprës, e cila si çdo vepër serioze shkencore, nuk ka aspak për qëllim çmitizim, ose hyjnizim ose degradim etj., por thjesht të ndërtojë një tablo historike me mjetet që i japin në dorë burimet dokumentare dhe niveli i dijeve të sotme.

Në qoftë se kjo tablo arrin njëkohësisht të çmitizojë diçka, ky është një efekt dytësor, shoqërues i veprës, po kurrsesi një qëllim bazë, për arsyen e thjeshtë se Schmitti nuk ka ndërtuar një polemikë (këtë e ka bërë Ndreca më pas) por një vepër narrative historiografike.

Vazhdojmë: “Në këtë objektiv ban pjesë edhe orvatja e tij me interpretue arsyet e kryengritjes së Gjergj Kastriotit tue u nisë prej shkaqesh thjesht personale”.

Lexuesit i kujtojmë se Schmitti zbuloi në arkivin e dukëve Sforza në Milano një dëshmi të korrierit të Skënderbeut, ku thuhet se sulltan Murati i pati vrarë këtij babanë dhe Skënderbeu u hakmor.

Këtë zbulim të rëndësishëm, historiani e radhit së bashku me dokumentet e tjera të njohura që shpjegojnë arsyet e kryengritjes së Skënderbeut, pra ai zbulon edhe një motiv për kryengritjen dhe asgjëkundi nuk thotë se kanë qenë shkaqet thjesht personale ato që shtynë Gjergj Kastriotin dhe aleatët e tij të ngrenë armët kundër sulltanit.

Ja pra si u serviret nxënësve të gjimnazit si shembull i “tekstit të vërtetë, të saktë” etj. një manipulim i atyre që kanë qenë idetë dhe pohimet e vërteta të veprës që sulmohet.

Më tej: “autori mundohet qysh në faqet e para me paraqitë “unitetin” skanderbegian si diçka të rrejshme, të paqëndrueshme, si fryt të nji përceptimi të mavonshëm të historianëve”.

Në qoftë se Ndreca e ka fjalën këtu për Kuvendin e Lezhës, i kujtojmë lexuesit se rrallëkund has një tablo aq të saktë e të paanshme të këtij bashkimi, sikurse në librin e Schmittit që mbështetet mbi tri burimet e vetme që flasin për këtë kuvend: Gjon Muzakën bashkëkohës e bashkë-fisnik, Barletin dhe Frangun që shkruan 60 vjet më pas.

I mbështetur mbi faktet historike Schmitti tregon se si pas disfatave të vitit 1448 dhe rrethimit të parë të Krujës më 1451 Kuvendi i Lezhës praktikisht nuk ekzistoi më. Por kjo s’do të thotë se ai e paska paraqitur “unitetin skanderbejan si diçka të rrejshme” etj.

Po kjo mënyrë manipulative përdoret edhe në argumentimin e famshëm të temës Ivan-Gjon, ku teksti i Ndrecës nxjerr se Schmitti pohoka që babai i Skënderbeut ka qenë sllav “po të pranojmë kushtin paraprak të logjikës së Schmitt-it, pra tue u nis thjesht prej dokumenteve serbe për me përfundue se i jati i Gjergj Kastriotit përmendet vetëm si Ivan dhe si rrjedhojë ishte sllav, prapëseprapë ky silogjizëm nuk asht i rregullt”.

Një mënyrë tinëzare dhe e ulët, një perfidi mistrecësh dhe silogjizëm i vetë polemizuesit për të dëshmuar se Schmitti e paska nxjerrë të atin e Gjergj Kastriotit “si rrjedhojë sllav”. Schmitti, natyrisht dhe unë si shqipërues në respekt të origjinalit, përdor emrin Ivan në monografinë e tij, pasi Ivan/Juvan Kastrioti shfaqet kështu në të gjitha dokumentet, jo vetëm në ato sllave, por dhe në ato venedike, osmane etj.

Turqit vendin e tij e quanin Juvanlli, sepse Juvan e kishin dëgjuar atë emër, ndryshe do kishin regjistruar Gjonlli. Që ishte ortodoks kjo nuk ka asnjë dyshim, sikurse ishin në përgjithësi fisnikët e krahinës së Dibrës.

Por që emri Ivan apo Juvan të bën automatikisht sllav, ky është një sendërgjim i llavës që u sul prej nëntorit 2008 deri më sot kundër Schmittit, duke dashur që ky të paskej thënë se i ati i Skënderbeut ishte sllav, ndërkohë që Schmitti asgjëkund nuk e diskuton shqiptarësinë e Ivanit/Juvanit.

Është njësoj sikur ish-shefin e protokollit të Enver Hoxhës, të ndjerin Jovan Antoni ose ish-ambasadorin e tij në Rumani, Jovan Bardhin, në të ardhmen t’i quajnë sllavë për shkak të emrit të tyre.

Veç insinuatave për autorin, fragmentit në fjalë nuk i mungojnë as insinuatat për përkthyesin dhe botuesin e librit “Skënderbeu” që në fillim u jepet nxënësve si A. K. pastaj me mbiemrin e plotë Klosi: “përkthyesi e ndiente veten paksa bashkautor të veprës, kajherë tue tërhjekë autorin e vërtetë në gjinin e polemikave, ndoshta thjesht për arsye marketingu” (për ata që nuk e kuptojnë gegnishten: kajherë do të thotë nganjëherë, tërhjekë dmth. tërheqë, gjini është gjiri).

E përkthyer shkurt kjo fjali do të thotë, që A. Klosi nxiti debatin mbi Skënderbeun në mënyrë që të shiste librin “Skënderbeu”.

Nuk ngremë këtu aspak çështjen që përse boton Ardian Ndreca libërtha të tillë. Në shoqërinë e sotme kushdo që ka një tufë të hollash mund të botojë gjërat që mendon, qoftë të vërteta, qoftë tallash e sendërgjime si ky që pamë.

Problemi i madh është që një tekst i tillë miratohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sikurse thuhet në faqen 2 të tij, problemi është që autorët e tij Dhurata Shehri ose Ardian Marashi, shpërdorojnë besimin dhe përgjegjësinë e madhe që u është dhënë si autorë tekstesh për moshat e gjimnazit, për të nxjerrë mëri ose urrejtje që mund të kenë në gji për persona të caktuar, shfrytëzojnë pozitat politike që mund të kenë burrat ose gratë e tyre dhe shumëfishojnë në mijëra kopje shembuj të kulluar manipulimi, duke ua paraqitur nxënësve këta si shembuj të “teksteve të sakta, të plota, të rregullta e koherente”.

Po mirë, e pyeta time bijë në fund, çfarë lexoni ju për historinë e Skënderbeut, derisa këto të rejat që kanë dalë ndalohen. “Na kanë dhënë për të lexuar me detyrim, m’u përgjigj, romanin ‘Skënderbeu’ të Sabri Godos”.