Manifestime të denja shqiptare në Bukuresht dhe Brailë

0
41

Rumania është vendi që ka frymëzuar rilindësit shqiptarë, kurse Bukureshti është një nga qendrat më të rëndësishme të organizimit për krijimin e shtetit shqiptar, është qyteti prej nga patriotët shqiptarë u nisën për në Vlorë, për të ngritur flamurin e pavarësisë.

Baki Ymeri

Bukureshti është simbol krenarie që e kall energjinë e patriotizmit shqiptar. Në kontinuitet të angazhimit për forcimin e urave të miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht, zt. Sami Shiba, së bashku me stafin e tij, ka organizuar një numër të konsiderueshëm aktivitetesh në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në kuadrin e 12 manifestimeve inkorporhen edhe dy lansime krijuesish rumunë të rikënduar në gjuhën shqipe nga autori i këtij shkrimi, gjë që nuk do të thotë pak. Takimi i parë protokolar u mbajt gjatë prillit të këtij viti në hotelin Continental (ku u vendos fati i Shqipërisë në mbledhjen historike të 5 nëntorit 1912), me disa përfaqësues të komunitetit të këtushëm shqiptar. Një manifestim tjetër i rëndësishëm ishte ai i majit, kur u mbush ambasada e Shqipërisë me veteran të komunitetit, me studentë e miq të kulturës shqiptare, për përkujtuar rëndësinë e aktit të independencës shqiptare.

Në funksion të intensifikimit të relacioneve diplomatike mes Shqipërisë dhe Rumanisë, në bashkëpunim me autoritetet e Brailës dhe komunitetin e atjeshëm shqiptar, ambasada e Shqipërisë organizoi më 26 shtator, një manifestim të denjë kushtuar iluministit të parë shqiptar dhe autorit të abetares së parë shqipe, Naum Veqilharxhi. Përveç trupës diplomatike, këtë eveniment e nderoi edhe kryeveterani i komunitetit, Dr. Xhelku Maksuti, si dhe funksionarë të lartë të Brailës. Në fotografi janë të pranishëm përfaqësues të ambasadës shqiptare dhe autoritet lokale pranë bustit, pasi u vendosën kurorat. Një e vuri Ambasadori në emër të ambasadës, një tjetër Këshilli i Qarkut, tjetrën Bashkia e Brailës, një kurorë e vuri Prefektura dhe një tjetër Drejtori i Biblikotekës. Njëkohësisht u hap edhe ekspozita me materiale dhe dokumente lidhur me aktivitetin e Naum Veqilharxhit.

Me këtë rast u zhvillua edhe një simpozium kushtuar aktivitetit dhe kontributit të Naum Veqilharxhit (1797-1846), një nga ideologët e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Aktiviteti respektiv u oraganiza nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rumani, në bashkëpunim me Këshillin e Rrethit dhe Bashkinë e Brailës, si dhe me Bibliotekën e Rrethit dhe Shërbimin e Arkivave Nacionale të Brailës. Në këtë aktivitet morën pjesë Ambasadori i Republikës së Shqipërtisë në Rumani, zt. Sami Shiba, i shoqëruar nga Ministri Këshilltar zt. Luan Topçiu dhe Këshilltari i ambasadës, zt. Aleks Jaso. Nga autoritetet lokale, morën pjesë, Zv.Kryetari i Këshillit të Rrethit, zt. Mija Florin, Zv.Kryetarja e Bashkisë së Brailës, znj. Doinita Ciocan, Zv.Prefekti i Rrethit Braila, zt. Grosu Catalin Ionut, Drejtori i Bibliotekës, z. Dragos Neagu. Nga komuniteti i shqiptarëve në Rumani morën pjesë Kryetari i Nderit i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, Dr. Xhelku Maksuti, shqiptarë etnikë të Brailës etj.

Në fillim, Ambasadori Shiba dhe autoritetet lokale vendosën pesë kurora me lule pranë bustit të Naum Veqilharxhit, që është vendosur në Bulevardin “Independentei”, në njërin nga sheshet kryesorë të qytetit të Brailës. Në sallën e Bibliotekës së qytetit të Brailës, ishin ekspozuar dokumenta, të cilat pasqyronin aktivitetin e plotë të Naum Veqilharxhit. Ambasadori i Shqipërisë, theksoi se ku aktivitet bëhet në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, për të nderuar dhe shprehur mirënjohjen për ideologun e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naum Veqilharxhi, për kontributin e tij për pavarësinë e Shqipërisë, si dhe për të nderuar popullin e Brailës që priti dhe mbështeti Veqilharxhin dhe mjaft përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptar në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Për rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar foli Kryetari i Nderit i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, Xhelku Maksuti, ndrësa për kontributin e Naum Veqilharxhit, bazuar në dokumentat arkivore, foli zoti Ion Volcu, përfaqësues i Bibliotekës së këtij qyteti.

Takime dhe kostume shqiptare në Muzeun e Fshatarit Rumun

Përndryshe, në kuadër të akriviteteve të ndërlidhjes së Shqipërisë me botën, në bashkëveprim me ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore të Rumanisë, Puiu Hashoti, me drejtorin e Muzeut te Fshatarit Rumun, Virgil Niculescu, si dhe me Fondacionin “Tradita Shqiptare”, këto ditë (11 tetor), në lokalet e Muzeut të Fshatarit Rumun, ambasada e Shqipërisë hapi ekspozitën me kostume popullore kombëtare, të cilat u përkasin trevave të ndryshme shqiptare. Morën pjesë Sekretari i shtetit i Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Sergiu Nistor, përfaqësues të institucioneve të tjera rumune, një numër i konsideruar ambasadorësh dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Bukuresht, gazetarë të mediave elektronike e të shkruara, studius, artistë, miq dhe dashamirës të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe studentë që studiojnë në Rumani. Në hapje të aktivitetit, Zv.Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Fshatarit Rumun, Dr. Georgeta Roşu, e vlerësoi ekspozitën si një moment të rëndësishëm për njohjen e kulturës shqiptare, duke evidentuar larmishmërinë e kostumeve dhe shijen e hollë estetike të popullit shqiptar në shekuj, veçanërisht elementet e përbashkëta me kostumet popullore rumune, dhe me ato të popujve tjerë të Ballkanit.

Populli shqiptar është i vetmi popull në botë, më i afërt me popullin rumun. Respekti dhe admirimi mes këtyre dy popujve ka qenë gjithmonë në nivel të lartë. Ekspozita, tha zv/drejtoresha, do të vlerësohet nga të gjithë studiuesit e folklorit dhe të gjithë dashamirësit e kulturës popullore. Znj. Roşu hodhi idenë për shkëmbime të mëtejshme kulturore, për njohje më të thelluar të kulturës shqiptare përmes çeljes së ekspozitave të kësaj natyre dhe veprimtari të tjera si dhe per gatishmërinë për të rezervuar një vend edhe për traditën shqiptare në këtë muze. Manifestimi respektiv qe prezantuar edhe nga valët e Radio Romania Actualitati (13 tetor). Në këtë manifestim morën pjesë diplomatët e Ambasadës së Shqipërisë, Luan Topçiu dhe Aleks Jaso, studentë shqiptarë dhe miq të mëdhenj të kombit shqiptar, si Tiberius Puiu, Gheorghe Bucura, Gheorghe Micu etj.

Ambasadori i Shqipërisë, Sami Shiba, në fjalën përshëndetëse, falenderoi Ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Drejtorin e Muzeut të Fshatarit Rumun, për mbështetjen në hapjen e ekspozitës së Kostumeve popullore kombëtare në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke e vlerësuar si një kontribut dhe vlerë e shtuar për afrimin dhe afirmimin e dy kulturave tona, për krijimin e urave të miqësisë midis dy popujve tanë, për mbajtjen gjallë të dialogut kulturor që i ka rrënjët që nga koha e Rilindjes sonë Kombëtare. Ambasadori Shiba shtoi se ekspozita e kostumeve kombëtare të Shqipërisë, të punuara me dorë nga stilistja Edlira Sula, me kombinimin e formave dhe larminë e ngjyrave është dëshmi e traditës, kulturës, historisë, etnicitetit, identitetit shqiptar.

Sekretari i shtetit i Ministrisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Sergiu Nistor, solli përshëndetjet e posaçme të Ministrit të Kulturës së Rumanisë, zotit Puiu Hashoti, duke theksuar se lidhjet e thella kulturore midis Rumanisë dhe Shqipërisë, dëshmojnë konkretisht se jemi dy popuj miq që dime ta duam dhe vlerësojmë njëri-tjetrin. Ai tregoi gatishmërinë për bashkëpunime të tjera në fushën e kulturës, për të realizuar një njohje më të mirë të të dy popujve tanë, të kulturës sonë materiale dhe shpirtërore. Një mik i sinqertë i kombit shqiptar, përfaëqsuesi i parë i Zyrës së Rumanisë në Kosovë, zt. Gheorghe Bucura (Gjergj Bukura), na shkruan se “Këtë manifestim të rëndësishëm e nderuarn anëtarë të trupës diplomatike, të akredituar në Rumani, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, gazetarë, TV kombëtar dhe ai privat, qytetarë shqiptarë të stabilizuar në vendin tonë, student nga Shqipëria, si dhe miq të Shqipërisë e të kulturës shqiptare.” Pasojnë edhe manifestime tjera të rëndësishme, të gjitha të organizuara në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Java e fimit shqiptar në Bukuresht

Falë ambasadorit të Shqipërisë me ekipin e tij dhe drejtorinë e kinematografisë rumune, më 16 tetor u inaugurua në Kinematekën Eforie, në zemër të Bukureshtit, java e parë filmit shqiptar organizuar në Rumani. Pjestarë të komunitetit shqiptar dhe dashamirë të Shqipërisë, ditën e parë patën fat të admirojnë filmin “Gjallë” të regjisorit Artan Minarolli, që ka fituar një çmim të rëndësishëm në Festivalin e 31 Ndërkombëtar të Filmit në Montpellier të Francës. Goxha film, thot njëri nga dashamirët tanë. Dashuria e studentit me Fatimen ishte fenomenale. Hakmarrje ka kudo por jo në këtë mënyrë. Kjo është një njollë e zezë në historinë e traditave tona. Duhet bërë më shumë nga shteti dhe sidomos opinioni publik që të eliminohet ky fenomen. Më mallëngjeu kujtimi i atyre që u mbytën në Otranto, duke tentuar të arratisen në Itali për të shpëtuar nga varfëria. Shpresoj se brezi i ri shqiptar duhet të ketë shpresë për të ardhmen dhe arritjet që janë bërë duke marrë parasysh sakrificat që kemi kaluar, thekson një komentator shqiptar i filimit respektiv.

Mirënjohje komunitetit shqiptar në Bukuresht

Asnjë vend tjetër në historinë e 100 viteve të fundit nuk mban më shumë simbole të atdhetarizimit se sa Rumania, me një komunitetet të fortë shqiptar, që kanë hyrë në historinë e Shqipërisë si atdhetarët më aktivë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në praninë e personaliteteve të shquara rumune dhe shqiptare, më 18 tetor, kryeministri Sali Berisha mori pjesë ne nje ceremoni mbresëlënëse në Kishën Ortodokse të Shën Nikolait, në qendër të Bukureshtit, kishë e cila u vu në shërbim të komunitetit ortodoks shqiptar për më shumë se 3 dekada, deri në vitin 1945. Në këtë kishë, ku shqiptarët e Rumanisë festuan për vite me rradhë Ditën e Flamurit, themeluesi i kishës autoqefale shqiptare, Fan Noli, ka mbajtur meshën e parë në gjuhën shqipe, në vitin 1911.

Ishte një histori që u përsërit edhe gjatë meshës së mbajtur në prani të Kryeministrit Berisha, kryetarit të Bashkisë së Bukureshtit, ish-presidentëve rumunë Emil Constantinescu dhe Ion Iliescu, të dhjetra ambasadorëve e diplomatëve të akredituar në Bukuresht, si dhe të përfaqësueve të familjeve të vjetra, anëtare të delegacionit të komunitetit të shqiptarëve të Rumanisë, të parët e disave duke qenë pjesëmarrës dhe firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë. Mirënjohës për atdhetarizmin e komunitetit shqiptar në Bukuresht dhe mbështetjen e Qeverisë rumune të asaj kohe, kryeministri Berisha përmendi faktet më të rëndësishme historike që lidhen me pavaresinë e Shqipërisë dhe simbolet e saj: “Këtu janë shkruar dhe shtypur abetaret e para të shqiptarëve. Këtu do të këndohej për herë të parë himni i vendit tim, himni kombëtar që këndohet që nga viti 1912.

Kryeministri i asaj kohe Take Ionescu ishte kryeministri i parë që do të kontribuonte me një shumë të konsiderueshme në buxhetin e Qeverisë së parë shqiptare. Dhe vendi juaj do të ishte i pari që do të njihte qeverinë e pavarur dhe pavarësinë e Shqipërisë. Në këtë qytet të bekuar komuniteti shqiptar luajti një rol përcaktues në vendimin për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali”, tha Berisha. Në një tjetër akt simbolik, pas meshës në kishën e Shën Nikolait, ambasada e Shqipërisë në Rumani dhe kryetari i Bashkisë së Bukureshtit organizuan një pritje në Grand Hotel Continental. Një pllake perkujtimore vë në dukje se 100 vjet më parë, Ismail Qemali qëndroi në këtë hotel, ku pasi diskutoi me pjestarë të kolonisë shqiptare të Bukureshtit lidhur me veprimet për shpalljen e pavarësisë, u nis për në Shqipëri për të kurorëzuar këtë akt në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Ndoshta e teprojmë nëse i qesim pak krypë këtij shkrimi, po qe se themi se e vetmja që nuk e nderoi këtë dhe manifestimet tjera shqiptare në Bukuresht e Brailë, ishte deputetja e komunitetit shqiptar, e akredituar si deputete pa votat e komunitetit shqiptar, Oana Manolescu, profesoresha e kimisë që gëlltit nga 5 mijë euro në muaj në emër të komunitetit shqiptar, gjatë 4 mandateve të pamerituara parlamentare (1996-2012). Momentalisht nuk tentojmë ta hedhim në gjyq pa i skaduar imuniteti parlamentar, duke i kërkuar llogari për rreth një milionë euro që ia ka gëlltitur buxhetit të fshtarit të varfër, të uritur e të sëmurë të këtij vendi, por pyetja që parashtrohet është se kush meriton të dekorohet nga Qeveria e Shqipërisë apo Ambasada jonë në Bukuresht, në vigjilje të kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë. Redaksia e revistës Shqiptari i propozon tre emra: Akademiku Grigore Brënkush, Dr. Xhelku Maksuti dhe filoshqiptari Tiberius Puiu. Shëndet dhe Gëzuar!