Mallkimi i Greqisë

0
50

TemA, 27 Janar 2012

“Kriza në Greqi nuk di të përfundojë kurrë: pak përpara samitit të BE, situata dramatike në Greqi ka acaruar ndjeshëm qeverinë gjermane. Kancelarja dhe FDP në koalicion me të, nuk duan t’ia dinë më për ndihma të mëtejshme për Greqinë – por a do e mbajnë ata dot një linjë kaq të ashpër?”.

Kështu nis shkrimin e saj e përjavshmja gjermane ‘Der Spiegel’.

Sipas saj, kur të hënën në Bruksel të mblidhen shefat e shteteve dhe qeverive evropiane, në axhendë nuk do jetë Greqia. Të paktën jo zyrtarisht. Komisioni Europian ka njoftuar se Greqia ka nevojë për më shumë para. Sërish. Diçka e tillë ka tërbuar Berlinin. Merkel duket e prerë: Greqia nuk do marrë më para. “Është si një mallkim, kriza në Greqi nuk di të marrë kurrë fund,” – shkruan Der Spiegel.

Por ndërsa shumë gjermanë janë të kënaqur që paratë e tyre nuk do shkojnë në Greqi, problemi është se si do dilet nga kjo situatë. Është kollaj të kërkosh nga liderët e Athinës të bëjnë gjërat mirë, por ata nuk po ia dalin dot. Aq më tepër që ‘arka e shpëtimit’, prej nga po dalin paratë për vendet në krizë, nuk po rezulton efikase. Edhe vetë FMN e thotë se masat e shumta monetare për shpëtimin e eurozonës mund të përkeqësojnë situatën.

Duhen reforma më të qarta për të ulur papunësinë, për të nxitur biznesin e vogël. Nëse do dërgojmë para, ato duhet të shkojnë për rritje ekonomike dhe për krijim të vendeve të punës. Megjithatë diçka është e sigurt, në Bruksel do flitet të hënën shumë për Athinën. Veçse Merkel ka diçka bezdi: nuk do të flasë më publikisht për këtë çështje. E ka lodhur.