Makthi vret

0
61


Nga Mero Baze

Përpara syve të mi dhe kolegëve të tjerë gazetarë, bile në transmetim të drejtpërdrejtë, u pa se si një qytetar shqiptar u këput në mes nga plumbat e një snajperi, ndërsa ishte thuajse i vetmuar para dyerve të kryeministrisë. Sipas një video shokuese që mund ta gjeni në adresën e gazetës Tema, (www.tema.al), shihet qartë se ai u qëllua nga brenda kryeministrisë me snajper. Gazetarët ishin të parët që i dhanë ndihmën dhe tentuan ta hipin në një ambulancë.

Më pas ai ndërroi jetë në spital. Ishte një nga qindra- mijëra shqiptarë që kishin dalë në Bulevardin qëndror të Tiranës për të protestuar paqësisht kundër qeverisë. Arma më e rrezikshme e disave prej tyre ishin çadrat. Tre prej tyre humbën jetën, ndërsa i katërti është në gjendje kome. Tre të tjerë janë po ashtu në gjendje shëndetësore të rënduar. Për fat asnjë punonjës rendi nuk humbi jetën, falë paqes dhe qetësisë së qytetarëve.

Unë dëgjova pas beteje kryeministrin akoma të padorëhequr të vendit tim, Sali Berisha. Koshienca ja thoshte se gjithçka po i ngjante ngjarjeve në Tunizi, por vetë nuk donte të ishte Ben Ali. Koshienca ja thoshte se ata duheshin vrarë dhe i vrau, por donte të ishte njëkohësisht dhe viktimë, duke akuzuar se armiqtë e tij u vranë po nga armiqtë e tij!!!

Si mjek duhet të ishte pranë të vrarëve, por koshienca e tij i donte të vdekur dhe ndaloi gjithkënd të kuronte apo të shpëtonte armiqtë e tij, bile dhe Ministrin e Shëndetësisë. U trondita kur pashë skanerin dhe kartelën mjekësore të një prej viktimave, që është ende në gjendje kome, dhe që ishte tërësisht e kundërta me se shpikte në daljen publike Sali Berisha. Për fat të mirë ky skaner në CD, dhe kartela e fotokopjuar, është në duart e opozitës.

Skaneri tregon qartë se plumbi ka ardhur nga distanca dhe nga lart, ndërsa kryeministri fliste për plumba të qëlluar nga afër, dhe bile në rrëzë të veshit. A thua i kishte porosit dhe ku t’i gjuanin! Është përfytyrimi se si ai do realisht të vrasë kundërshtarët e vet. Pashë mes turmës paramilitarë, bile pikërisht ata që kanë rrahur Neritan Cekën e Preç Zogajn në vitin 1997, dhe nuk është çudi që të kenë përdorur dhe pistoleta për disa nga viktimat.

Kur një kryeministër, pa dalë ende asnjë hetim, pa dalë akoma asnjë analizë laboratorike balistike, të flasë për kalibra armësh dhe plumbash, kur plumbat janë ende në trupat e paftohur të viktimave, do të thotë se kemi të bëjmë me një krim të paramenduar. Ky njeri që është përgjegjës për jetët e tyre, kujton se shpëton nga gjaku i tyre po tha se u vranë nga njerëz brenda turmës. Ky njeri që gjithë kundërshtarët e vrarë i ka akoma pa autor krimi, kujton se do ta kalojë lehtë me vrasje pa autorë dhe këtë krim. Ky njeri, i cili u tall me jetën e tyre, kujton se mund të tallet dhe me vdekjen e tyre.

Nuk dua të analizoj projekte dhe paranoja për skenarë nga Sali Berisha. Nuk ka aq shumë skenarë sa ç’mendojmë. Ka vetëm një faktor. Frika e Sali Berishës nga humbja e pushtetit. Për orë të tëra para syve të tij, ndërsa qytetarët përlesheshin me policinë dhe paramilitarët, sillej momenti i frikshëm i ikjes nga duart i të gjithë parajsës që i ka prodhuar pushteti i paligjshëm. Ajo që ndodhi para kryeministrisë, ishte pasojë e maktheve të tij për rrezikimin e pushtetit. Lulëzim Basha u soll si një kapter i paaftë i Familjes në pushtet.

Ajo që bënin njerëzit e tjerë të pushtetit ishte edhe më cinike. Mëritë e mëdha dhe të heshtura ndaj njëri- tjetrit brenda pushtetit, dje gjetën kohën të shpërthenin. Unë pashë njerëz që e duan në burg Lulëzim Bashën, të cilët mbronin aktin e tij me shpresë se kështu ja shkurtojnë ditët dhe karrierën politike. Është cinizëm i tepruar që dhe në ditë të tilla zie, brenda PD njerëzit nxitojnë t’i vënë stërkëmbësha njëri-tjetrit.

Pashë Arben Imamin dhe Sokol Olldashin të mbronin Lulëzim Bashën dhe aty e kuptova sa pak respekt kanë për jetën e çdo qytetari, ata njerëz dhe sa të gatshëm janë të bëhen dhe avokatë të krimit me shpresë se kjo fundos rivalët e tyre. Ndaj nuk duhen marrë seriozisht. I vetmi projekt që duhet marrë seriozisht është makthi i Sali Berishës. Ai është i vetmi institucion që vret në këtë vend. Ai makth duhet mbajtur nën kontroll. E di që është gati një mision i pamundur, por makthi i tij vret dhe mund të marrë viktima të tjera. Ndaj opozita shqiptarë dhe qytetarët e saj nuk duhet të lënë Shqipërinë në dorë të këtij institucioni vrasës.

Me të njëjtin përkushtim që nisën demonstrimet paqësore kundër makthit të Sali Berishës, duhet të vazhdojnë atë për të shpëtuar të gjithë nga rreziku i vrasjeve të reja. Janë disa gjëra që nuk ka kohë të negociohen. Nuk ka kohë të negociohet dorëheqja urgjente e Ministrit të Brendshëm dhe Komandantit të Gardës. Nuk ka kohë të negociohet çuarja para drejtësisë e gjithë personave civilë që vepronin në protestë duke arrestuar qytetarë dhe duke i rrahur dhe vrarë ata.

E vetmja gjë që duhet negociuar është dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të gjithë e dimë se në këtë vend askujt nuk duhet t’i shkojë në mendje të marrë pushtetin me dhunë, por Sali Berishës as nuk i duhet lënë më kohë ta mbajë pushtetin me dhunë. Makthi i tij do të vrasë çdo ditë.