Nga Mero Baze, 17 Mars 2012
Në spiralen e degradimit të pushtetit të Berishës, degradimi i të projektuarve për pasardhës të tij po bie në sy më shumë se çdo gjë tjetër. Të parët që nxitojnë ta bëjnë të dukshëm këtë degradim janë vetë të vetëshpallurit pasardhës të pushtetit. Lulëzim Basha, karriera e të cilit kalon nga skandalet financiare, tek vrasjet politike dhe përfundon tek vjedhja e zgjedhjeve, është shfaqur në një gjimnaz të Tiranës për të nxituar tu thotë gjimnazistëve se ai do të jetë në krye të Tiranës dhe dy mandate të tjera. Ashtu me gjysmë të qeshur e gjysmë makth, ai ka zbuluar atë çfarë fsheh brenda vetes, makthin nëse do të qëndrojë dot në politikë pas rrugës që ia kanë shtruar të tjerët në politikë.
Makthi i tij u shfaq në një ditë kur ish ambasadori i SHBA, John Withers, një nga njohësit më të mirë dhe të kulturuar të politikës shqiptare, ka bërë një vlerësim fundosës për të, duke e quajtur një politikan me mentalitet të vjetër, pavarësisht moshës së tij të re. Në intervistën e dhënë për “Java”, Withers thekson se “udhëheqësve shqiptarë, qoftë kur janë në moshën e Kryeministrit Berisha apo të Lulzim Bashës, ky besim ju mungon”. Dhe e ka fjalën pikërisht për faktin se politikanët nuk i bën të rinj mosha, por idetë e tyre për vendin që drejtojnë duke i krahasuar idetë e Havelit dhe Mandelës në moshën e tyre madhore si ide të reja përballë ideve të plakura dhe regresive të çiftit Berisha- Basha.
Vlerësimi i dytë fundosës për Bashën është vlerësimi i ambasadorit Withers që “votimet për bashkinë e Tiranës vitin që shkoi ishin një farsë dhe, për ta thënë troç, turpëruese për vendin.”. Një politikan, i cili është në detyrë në krye të kryeqytetit pas një procesi të tillë turpërues për vendin, dhe që brenda vetes ka makth nëse do ta përsërisë dhe dy herë të tjera këtë turp, është një njeri që realisht ka makth për të ardhmen e vet.
Por ajo që është thelbësore dhe e bën të pashpresë këtë “pasardhës” të vetëshpallur të pushtetit të sotëm, është fakti se berishizmi nuk ka të ardhme pa Berishën gjallë në politikën shqiptare. Lulëzim Basha nuk ka hyrë në politikë me ndonjë identitet të tij, biles ka refuzuar të ngjajë ndryshe nga Berisha. Dhe kur e ka bërë këtë si në një lojë teatri në fushatë elektorale, është bërë më i shëmtuar se sa një aktor pas fushate kur është rikthyer sërish tek ato çfarë ka dashur dhe çfarë ka thënë Berisha. Duke qenë i tillë, ai ka problem me riciklimin e berishizmit në të ardhmen në PD.
Berisha është duke ikur nga pushteti me një bilanc turpërues, pasi ka ridërrmuar shtetin shqiptar, pasi ka shkatërruar institucionet, lirinë e shtypit dhe drejtësinë dhe pasi ka çuar nën zero kapacitetet financiare të shtetit. Çdo pasardhës i së djathtës brenda PD-së ka shans të mbijetojë vetëm nëse është një kundërshtar i Berishës, ose së paku një figurë joluajale e tij, që mund të ngjallë besim që të ringrejë këtë parti pas rënies përtokë. Garnitura e njerëzve që po qeverisin bashkë me Berishën, dhe sidomos kryesurrogati i tyre, Lulëzim Basha, jo vetëm që nuk kanë të ardhme në atë PD që do ngelet pas gërmadhave që do të lërë Sali Berisha, por nuk do të kenë vend as në politikën shqiptare në përgjithësi.
Një faktor tjetër që e bën të pashpresë Bashën brenda PD-së është futja në politikë e polit antiberishë në PD përmes partisë së Bamir Topit. Në mos marrtë më shumë vota se PD e Berishës, Bamir Topi dhe partia e tij e re është e sigurt se marrin të drejtën për të diktuar të ardhmen e PD-së pas zgjedhjeve të radhës. Ata do të diktojnë paqen brenda së djathtës dhe shpresën që ajo të ringrihet nga rrënojat ku do ta zhysë Berisha, dhe kjo e bën tërësisht të pashpresë makthin e trashëgimtarëve të vetëshpallur të pushtetit të sotëm. PD-ja dhe e djathta pas humnerës ku Berisha apo e çon me shpejtësi, është e detyruar të ringrihet duke pajtuar palët brenda saj, ku më kryesorja dhe me fuqi politike do të jetë pala e atyre që bënë betejë për të ndalur rrënimin e së djathtës nga Berisha.
Përfytyrimi se opozita e ardhshme e PD-së do të jetë vazhdimi i pushtetit të Berishës, është naiv. Vetëpastrimi i opozitës do të jetë një proces, i cili përveçse do të kërkojë sakrifikimin e shumë emrave që e zhytën qeverisjen e PD-së në krim dhe korrupsion, do të kërkojë mbi të gjitha një lidership të ri, që të ketë besimin e publikut që nuk komandohet jo vetëm nga Berisha, por as nga fëmijët apo nipat e mbesat e tij.
Lulëzim Basha duket se ka nisur qysh tani t’i ndjejë këto ethe dhe në stilin e Berishës po shpall fitoret e pritshme të tij në pushtet. Ka plot arsye të ëndërrojë pushtetin, pasi në fakt deri tani pushteti e ka mbrojtur nga një proces gjyqësor ku akuzohet për 220 milionë euro, nga një gjyq ku akuzohet për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, dhe i ka dhënë një mandat “turpërues për vendin” në krye të Bashkisë së Tiranës.
Por nuk duhet të harrojë se gjithë çfarë ka bërë pushteti i Berishës për ta përdorur dhe për ta mbrojtur si kukull nga krimet, janë një histori e cila është për tu ndëshkuar nesër dhe jo për tu vlerësuar. Dhe pasardhës të tillë fatkeqë si Lulëzim Basha duhet të ndjehen me fat nëse e mbyllin karrierën në qeli. Janë dhe tetë jetimë që ka lënë rrugëve dhe mund ta mbyll karrierën duke u ndeshur në rrugë me ta.