Shenasi Rama, 30 korrik 2013
Në një shkrim interesant, “Zoti i Majmunëve” që sapo e vendosa edhe në Rrethin e Ferrit, Koloreto Cukali shpreh shqetësimin qytetar në lidhje me gjendjen në shtetin shqiptar dhe me kapjen e vendit nga oligarkia e parisë së Tiranës. Shkrimi ka vlera sepse e shpreh gjendjen ashtu si e vlerëson autori. Përtej kësaj, duhet thënë se shkrimi mundohet të ndërtojë sekuencat që do të cojnë nga kundërvënia ndaj oligarkisë tek zgjidhja e duhur. Si gjithnjë, Cukali gjen një fabulë, parabolë, krahasim apo anekdotë të njohur dhe duke e përdorur metaforikisht ose si krahasim, mundohet të nxjerrë në pah thelbin e cështjes.
Këtë herë ai mundohet të ndricojë sekuencën dhe urat që mungojnë në rrugën që duhet të nxjerrë shqiptarët nga kriza e thellë ku janë. Mirëpo, në rrugë e sipër, Cukali e humbet fillin dhe shkrimi që nxjerr me forcë në pah problemin, mbyllet me nota negative e pesimiste me një thirrje për kundërvënie. Arsyeja pse nuk shkon një hap me tej është se Cukali nuk sheh se ka njerëz, grupe, ide të shtruara apo sisteme vlerash që e ofrojnë këtë zgjidhje. Pa dashur të ul aspak vlerat e këtij shkrimi, por përkundrazi për ta nxitur Cukalin që të shohë pak më larg e më qartë, do të vija në dukje katër problemet e mëposhtme.
Zotnia dhe Shteti
“Zoti i Majmunëve” është një mesele e bukur, mirëpo nuk e kap qartësisht thelbin e dilemës tonë historike. Majmunët rebelohen kundër Zotnisë. Mirëpo, në rastin tonë, problem është se ne na duhet shteti. Mund të rebelohesh kundër një shteti që nuk është i yti, mund të rebelohesh kundër atyre që duan të përdorojnë shtetin, por në thelb të cdo ideologjie e grupi, revolucionar apo kundërshtar, është gjithnjë ideja e një shteti më të mirë. Pra, mbledhja e frutave nga majmunët vetë në pemë është anarki. Detyrimi për të punuar për ‘plakun’ është skllavëri. Mirëpo, në rastin tonë, në botën modern mund të mbijetosh, të arrish të lulëzosh e të zhvillosh potencialin tënd vetëm në se kë shtet-komb. Shtet-kombi nuk ka pronarë.
Shtet-kombi nuk ka zot.Shtet-kombi ka ligj, barazi, mbrojtje për të gjithë, mundësi zhvillimi e shfrytëzim racional e efektiv të burimeve materiale e njerëzore të shoqërisë. Në mos tjetër, në botën e sotme, popujt që nuk kanë shtet-kombe, bien nën zgjedhën e dikujt tjetër. Shtet-kombi është struktura që arrin të zhvillojë më me efektivitet e sukses shoqërinë. Sepse, në mos tjetër, shtet-kombi është struktura më e lartë, sovrane dhe e pazëvendësueshme, njësia bazë, që pavarësisht nga madhësia ka të drejtën ta konsiderojë veten sit ë barabartë me shtetet e tjera. Në parim të gjtihë shtetet janë të barabartë me njëri tjetrin. Sovraniteti I bën të barabartë.
Pra, metafora e Cukalit duhej të kishte edhe një element tjetër. Ai element do të ishte ky: në se nuk ke strukturë, atëherë do të vijë një plak tjetër që do të përdorjë, sepse frutoren e kontrollojnë këta. Zgjidhja e majmunëve është që të bëjnë një majmun si plakun e tyre.
Rezistencë dhe Delegjitim
Së dyti, Cukali e ka kapur mirë thelbin e problemit të kundërvënies ndaj regjimit oligarkik të parisë së Tiranës. Për të, edhe pse nuk ka rezistëencë të hapur diku duhet filluar. Sepse, dhe këtu jemi në një mendje, sistemet oligarkike kanë një thembër të Akilit që është legjitimiteti. Në se njerëzit votojnë, nëse e shfaqin mbështetjen për regjimin, atëherë, askush nuk mundet me thanë se këta njerëz janë të shfrytëzuar, të përdoruar, të dhunuar, të skllavëruar. Përfundimi në të cilin mbrrin Cukali është se kjo ndodhi edhe me sistemin e partisë-shtet dhe, megjithëse mund ta kishte zgjeruar e pasuruar argumentin, në fakt e në thelb, ka të drejtë. Mirëpo, diskutimi historic mund të zhvillohet një herë tjetër, ajo që ka rëndësi është se cka po ndodh tani? Ku është rezistenca? Ku është delegjitimimi? Ku është kundërvënia? Më vjen mirë se Cukali e ka gjetur rrugën tek “Vota e Bardhë” dhe tek Bojkoti. Ai e ka kuptuar potencialin e asaj përpjekjeje dhe fisnikërinë e saj. Kjo i bën nder z. Cukalit.
Bojkoti dhe e Keqja më e Vogël
Problemi i tretë që ka z. Cukali është me votën e bardhë, inisiativën për Bojkot dhe me kundërvënien e rreptë ndaj tyre nga ana e parisë së Tiranës dhe e veglave të llapaqenërisë mediatike. Cukali shpreh habinë me kundërvënien e rreptë të parisë së Tiranës dhe të kolegëve të tij të shtypit që propganduan me ngulm të keqen më të vogël dhe rotacionin. Këtu hyjnë ata që duhej t’ia bënin ‘qokën’ parisë, sepse ashtu llogarisin të fitojnë koromanen e shkretë. Për këta që të paktën e dinë se cka po ndodh, njeriu nuk din as se sit ë ndjejë mëshirë, sepse këta shërbëtorë që bëjnë krim duke u shitur si intelektualë janë në fund të fundit të mullarit të llumit. Ndoshta nuk do të japin kurrë llogari e vetë shpresojnë të harrohen, por nuk munden me harrue mjerimin e ndytësinë e tyre. Këta janë të ndëshkuem me jetue me poshtërsinë e tyre e kaq del e tepron.
Por në lidhje me kundërvënien ndaj sistemit, më duhet të sqaroj se unë e kam mbështetur inisiativën e Votës së Bardhë, por ajo ishte tërësisht një përpjekje e një grupi të rinjsh nga Tirana si Gjergj Erebara, Alida Karakushi, Alban Nelaj e të tjerë si Eljan Tanini. Një përpjekje tjetër u bë nga një grup që njihet Demokracia Direkte në të cilin spikat Sokol Shameti. Fatos Lubonja bëri vetëm një shkrim por e gjithë paria u mor me të, sepse, në fund të fundit edhe ai aty han, është në tavën e parisë së Tiranës dhe me të e kishin me të lehtë dhe mbas atij shkrimi e qepi gojën.
Por, ka pasur një grup shumë të konsoliduar ideologjikisht e profesionalisht në të cilin konsideroj Valbona Karanxhen, Grid Rrojin, dhe kolegë të tjerë të Rrethi të Ferrit. Më argumente të forta, me qetësi, qartësi e profesionalizëm si dhe me përkushtim qytetar, kolegët e Rrethi të Ferrit kontribuan shumë në qartësimin e cështjes dhe pranuan të paguajnë cmimin e madh. Në politikë, kush mbështet një kauzë që duket e humbur, e paguan cmimin me emrin e me reputacionin e vet. Ne kemi qënë të vetëdijshëm të gjithë, por mbas disa diskutimeve vendosëm që në atë llumhane që është shteti shqiptar, cdo përpjekje për të ndezur një shkëndijë duhej mbështetur, e fuqizuar duke bërë gjithcka mundeshim. Dhe cimin e paguajmë përditë sepse llapaqenëria mediatike, dhe minjtë e gjirizeve blogiste, nuk lënë rast pa na e kujtuar. Por, si katundar që jam, më kujtohet një fjalë që ma thoshte një plak në fermë: nuk digjet gja ma me lehtësi se bajga e tharë. E gjendja në Tiranë është shumë afër bajgës së tharë. Cdo shkëndijë mundet dhe ia vë zjarrin.
Në Tiranë ndodh një fenomen interesant: Llapaqenëria mediatike merret me llapaqenërinë mediatike dhe politika është dicka tjetër. Por në rastin e Bojkotit, e gjithë struktura punoi me efektivitet që ta zhvlerësonte. Po rata kishin edhe gurin edhe arrën në dorë, numëruan votat e hedhura, mbushën kutitë, hoqën votat kundër bënë cka deshën. E prapë se prapë, edhe nga shqiptarët që ishin në shtetin shqiptar Bojkoti ishte partia më e madhe. Dhe mbështetësit e Votës së Bardhe ishin Partia e pestë. Shqetësimi I parisë është ndjerë e ndjehet gjithë kohën sepse ata e kuptojnë se nuk mund të sundojnë duke qënë të deligjitimuar.
Dhe sa për këta vemjet e gjirizeve mediatike e blogiste, vlen të thuhet se ndihmuan në mbytjen e një inisiative që në shkretirën dështimit të aprtive të mëdha do të ndihmonte në hyrjen në lojë të djemve e vajzave të reja që do të jenë e vetmja shpresë që ne kemi për t’u bërë një shtet-komb normal. Duke I thyer, paria iu ofron vetëm alternativat e braktisjes së vendit ose të kooptimit në radhët e saj. Katër vjet prej tash do të dalin të tjerë, poir nuk do të kenë legjitimitet, do të jenë të dobët dhe kjo I intereson parisë. Prandaj edhe këta vemjet që iu kundërvunë Bojkotit e Votës së Bardhë janë instrumentalë e përgjegjës për vrasjen e nje shkëndije që mund të ishte bërë një shpresë. Megjithatë, Cukali e ka kuptuar thelbin e asaj inisiative, dhe në mos tjetër, kjo mjafton me thanë se kapitali moral që është investuar nuk ka shkuar kot.
Labirinti dhe rrugëgjidhja
Në fund Cukali ngulmon se armiku është oligarkia e parisë së Tiranës, se kjo ishte një inisiativë fisnike, por se nuk ka as plan e as zgjidhje. Mendoj se në të dy drejtimet është gabim. Në këto qindra shkrimet e postuara në Rrethin e Ferrit, të gjithë ne kemi dhënë të qartë, besoj unë, edhe rrugën, edhe vlerat, edhe kredon, edhe zgjidhjen e duhur. Punë tjetër se në këtë pikë duket se nuk do të merremi me politikë. Por po të gjejë kohën z. Cukali që të lexojë me vëmendjen që meritojnë shkrimet e Grid Rrojit, të Valbona Karanxhës dhe të Ledjan Priftit, do të gjejë edhe përgjigjen e shumë prej pyetjeve që ngren.
Në vend të përfundimit
Një shkrim i tillë meriton respekt. Mirëpo, përpjekja ër të nxjerrë vendin nga bataku ku e mban paria e Tiranës, dhe ky system është oligarkik, kriminal, antishqiptar, i degjeneruar dhe i zvetënuar në të gjithë drejtimet, kërkon shumë njerëz. Njerëzit që merren me lexime si puna e imë janë si dentisti. Dentisti të thotë se cili dhëmb është i prishur, të ndihmon ta ruash apo pot ë jetë I prishur që ta heqësh por kur të vijë puna për ta nxjerrë dhëmbin e ri, atë duhet ta nxjerrësh vetë. Kjo është edhe tragjedia sepse nga jeta në katudn më kujtohet se si dikush e mbillte bostanin, dikush e kultivonte, dikush tjetër e shiste, dhe në fund të fundit, ajo që kishte rëndësi ishte fakti se fëmijët e hanin të lumtur e gëzimi i tyre ishte shpërblimi që prisnin të gjithë ata që kishin pjesë në atë frut të mundit të tyre. Shpresoj që Z. Cukali të lexojë Blogun Rrethi i Ferrit dhe jam i sigurtë se do të ndrrojë mendje në lidhje me planin dhe me ideologjinë që duhet në mënyrë që shoqëria shqiptare të gjejë ekuilibrin e duhur, në një shtet-komb modern dhe larg kontrollit të këtyre majmunëve që mbajnë njerëzit skllevër.