Denis Dedej, 30.08.2010
Deputeti i PS deklaroi dje se diskutimi rreth faktit se janë apo nuk janë materiale zgjedhore fletët e votimit, është absurd
Ish-kryeministri paralajmëron: Aktualisht jemi në një kolaps politik dhe rrezikojmë stanjacionin
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, shprehu dje mendimin se debati i mirëfilltë që bëhet aktualisht për transparencën e zgjedhjeve nuk është një debat profesional, se sa një debat politik.
Në një prononcim të dhënë për gazetën “Shekulli”, zyrtari lartë socialist deklaroi se për mënyrën se si ka ecur procesi prej një viti është e qartë se nëpërmjet këtij debati, në një mënyrë apo tjetër, po qartësohet mënyra dhe cilësia e qeverisjes në Shqipëri.
“Aktualisht jemi në një kolaps politik dhe rrezikojmë stanjacionin. Për fat të keq aktualisht qeverisja në Shqipëri është jashtë çdo kuadri kontrolli ligjor, qoftë nga opozita në parlament”,- u shpreh Majko. Ai theksoi se për arsye tanimë të njohura në publik, edhe institucionet e tjera të pavarura janë mëse të kufizuara për të kryer detyrën e tyre kushtetuese karshi një qeverisje dhe një partie e cila është njësuar me shtetin.
Në këtë kuadër, nënvizoi anëtari i Komisionit të Ligjeve, “diskutimi rreth faktit se janë apo nuk janë materiale zgjedhore fletët e votimit, është një diskutim krejtësisht absurd”. Kjo pasi, vijoi deputeti socialist, nuk mund të hapet debat, apo të zhvillohet një debat profesional me njerëz të cilët tanimë është e qartë që kanë marrë urdhra për t’u shprehur në një mënyrë e cila e vendos procesin e hetimit të zgjedhjeve në një kolaps të mirëfilltë politik.
“Dua të nënvizoj se, në një shtëpi ku është kryer krim nuk besoj se mund të mund të kategorizohet në pjesërisht e banueshme dhe pjesërisht e pabanueshme, ajo bllokohet e gjitha për t’u futur në procesin hetimor.
E njëjta gjë ndodh edhe me zgjedhjet e vitit të kaluar për një arsye shumë të thjeshtë, që edhe vetë mazhoranca e ka pranuar në parim hetimin thelbësor të këtyre zgjedhjeve”,- vlerësoi Pandeli Majko.
Ai tha se nuk beson që në parim Kryeministri aktual do të pranojë fillimin e një procesi normal hetimor për zgjedhjet. Për më tepër, nënvizoi zyrtari lartë socialist, tanimë gjithsecili është i qartë se çfarë ka cilësia e zgjedhjeve që kaluan brenda kutive të votimit.
“Nëse do të kishte një hapësirë politike gjithmonë, për atë e kam fjalën, ju siguroj se kjo do të kishte ndodhur, se ka rreth një vit që ka kaluar nga zgjedhjet e mëparshme, opozita ka bërë disa oferta dhe në përgjithësi strategjia e doktor Berishës ka qenë shtyrja në kohë e këtij procesi, “lodhja” e kësaj historie politike duke bërë që në opinionin publik të shikohet në vazhdim me një lloj mërzie, e cila ka krijuar produktin e një kolapsi politik dhe rrezikon të na shtyjë drejt një stanjacioni”, analizon situatë politike anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste.
Anëtari i Komisionit të Ligjeve vlerësoi gjithashtu se procesi hetimor që po kërkohet prej mëse 1 viti nuk mund të ndërtohet mbi bazën e opinioneve personale të kujtdo që është aktualisht në zyrën e Kryeministrit. “Në Shqipëri ose do të ketë, ose nuk do të ketë një proces hetimor për zgjedhjet dhe si i tillë, ashtu siç është deklaruar edhe në rezolutën e PE, ai duhet të përfshijë të gjitha materialet zgjedhore.
Çështja e transparencës së materialeve zgjedhore nuk përbën asnjë lloj rinumërimi për të rishikuar rezultatin”, deklaroi Majko. Sipas tij, tanimë gjithçka është e qartë që dhe nëse do të arrihet një kompromis, do të kryhet një hetim i cili qëllimin final dhe fondamental ka nxjerrjen e një vargu konkluzionesh për të mos lejuar që të përsëriten të njëjtat gabime të cilat kanë sjellë ripërsëritjen ciklike të krizave politike në Shqipëri.
I pyetur mbi deklaratën e kryetarit të KQZ, se me dekretimin e datës së zgjedhjeve do të nisë puna për pastrimin e kutive, zyrtari i lartë i PS vlerësoi se “përderisa palët politike në Shqipëri kanë rënë dakord në parim për një hetim të zgjedhjeve, mendoj se çdo individ që do të kërkonte djegien e provave të hetimit do të duhej të mendohej më shumë se sa një herë”.
Për debatin
Debati i mirëfilltë që bëhet aktualisht për transparencën e zgjedhjeve nuk është një debat profesional, se sa një debat politik. Aktualisht jemi në një kolaps politik dhe rrezikojmë stanjacionin. Për fat të keq aktualisht qeverisja në Shqipëri është jashtë çdo kuadri kontrolli ligjor, qoftë nga opozita në parlament. Institucionet e pavarura janë mëse të kufizuara për të kryer detyrën e tyre kushtetuese.
Për hetimin
Në një shtëpi ku është kryer krim nuk besoj se mund të mund të kategorizohet në pjesërisht e banueshme dhe pjesërisht e pabanueshme, ajo bllokohet e gjitha për t’u futur në procesin hetimor. E njëjta gjë ndodh edhe me zgjedhjet e vitit të kaluar për një arsye shumë të thjeshtë, që edhe vetë mazhoranca e ka pranuar në parim hetimin thelbësor të këtyre zgjedhjeve.
Për zgjedhjet
Ka rreth një vit që ka kaluar nga zgjedhjet e mëparshme, opozita ka bërë disa oferta dhe në përgjithësi strategjia e doktor Berishës ka qenë shtyrja në kohë e këtij procesi, “lodhja” e kësaj historie politike duke bërë që në opinionin publik të shikohet në vazhdim me një lloj mërzie, e cila ka krijuar produktin e një kolapsi politik dhe rrezikon të na shtyjë drejt një stanjacioni”.
Për materialet
Procesi hetimor që po kërkohet nuk mund të ndërtohet mbi bazën e opinioneve personale. Në Shqipëri ose do të ketë, ose nuk do të ketë një proces hetimor për zgjedhjet dhe si i tillë, ashtu siç është deklaruar edhe në rezolutën e PE, ai duhet të përfshijë të gjitha materialet zgjedhore. Çështja e transparencës së materialeve zgjedhore nuk përbën asnjë lloj rinumërimi për të rishikuar rezultatin.