Skerdilajd Zaimi, 24.09.2011
Intervistë
Flet ish-kryeministri: Jo shkëmbimit “tregtar” me mazhorancën
Opozita është e hapur për bashkëpunim, por kushtet e saj janë vërtetë një kërkesë për minimum garancie ndaj një shumice, e cila për disa vjet rresht ka shpërdoruar me manovra të pafundme besimin, vullnetin por edhe mjetet e sistemit. Ish-kryeministri Pandeli Majko, në intervistën për “Shqip”, duke analizuar situatën në vend gjykon se pretendimi opozitar është sa praktik, aq edhe parimor, por në çdo rrethanë sipas tij, integrimi i Shqipërisë nuk ka për të mbetur në vend për asnjë çast. Sa i përket problemeve të PS-së, Majko apelon që t’i jepet fund klimës që shoqëron atë prej kohësh dhe që e ka penalizuar dy herë.
Z. Majko, ‘Kursi i ri’ i Partisë Socialiste është bërë, le të themi, operativ në Parlament, por pa arritur me sa duket të ciklojë atë konsensus që pritej nga një kthim i saj në këtë institucion. Mendoni se vijimi i krizës politike është tashmë një interes i shumicës në funksion të mbulimit, sidomos në kushtet e krizës ekonomike?
Jo, nuk mendoj kështu. Nuk besoj se aktualisht në skenën politike po luhet ndonjë “lojë” e sofistikuar politike nga palët politike dhe aq më pak nga mazhoranca. Nuk ka çfarë të fshihet asgjë, përveç faktit që politika nuk di të menaxhojë krizën e saj të lodhur. Me pak fjalë; opozita “përbuz” marrëveshjen që e rrezikon ta konsideroje anësore në një histori politike ku nuk ka munguar as përgjakja e 21 janarit. Mazhoranca e di se nuk fiton gjëra esenciale nga bashkëpunimi me opozitën në prag të një vendimmarrjeje në procesin e integrimit europian, ku e vetmja “lojë” që po luhet është ajo se “kush e ka fajin”…Politika shqiptare i ngjan si dikur pikturave të Edi Ramës mbi kartonët e ambalazheve të lavatriçeve, përballë të cilave, përveç habisë, secili ka një pyetje dhe shumë përgjigje.
Për të mbetur te kjo çështje; çfarë kërkon realisht PS-ja me kushtet e veta në miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5? Deri ku është e gatshme të lëshojë ajo, pasi duket se sa më shumë flitet për mirëkuptim, aq më shumë zgjerohet keqkuptimi?
Çfarë do opozita…Pyetja shtrohet në një nivel thuajse tregtar, por ju keni të drejtë se e tillë shtrohet ajo. Në këmbët e saj janë një grup ligjesh që duan votat e saj, të cilat më shumë se vullnetin, kërkojnë “teknikën” e plotësimit të tre të pestave për të miratuar ndryshimet në ligjet më të rëndësishme pas Kushtetutës së vendit. I gjithë problemi është pikërisht tek ironia se, “çfarë do opozita në shkëmbim”…sepse në një vend normal nuk mund të ketë sens pikërisht ideja e “shkëmbimit”.
Sipas meje, opozita ka një vendimmarrje shumë më të rëndësishme, e cila ka të bëjë me moralin e të bërit opozitë, ku tregtia “më jep – të jap” do të kuptohet jo mirë nga një publik mosbesues në vend. Ajo që më shqetëson është se sot askush nuk shpreson apo beson që të shohë një opozitë “fitimtare” nga marrja e diçkaje në “këmbim” të një votimi edhe rutinë në favor të një procesi kushtesh teknike për procesin e integrimit europian… Është e vështirë që edhe sikur kjo të ndodhë, pastaj të themi se në Shqipëri ndryshoi ajo që duhej vërtet të ndryshonte. Jo, nuk besoj tek një bashkëpunim i dy palëve që “shkëmbejnë mall”.
Ajo që konsideroj fillim, është realizimi i disa garancive që do të nxisë funksionimin politik për të kaluar hap pas hapi, nga përbuzja në respekt. Aq sa mundemi. Opozita shqiptare përfaqëson njerëz të cilët ndihen të përjashtuar dhe qytetarë të pabarabartë pikërisht se shprehin bindje të ndryshme politike. Kjo nuk është pak. Kompromiset politike në rrethana të tilla, peshën morale e kanë të rëndë sidomos për opozitën. Si të tilla, në rrethanat e krizës shoqërore ankthi opozitar është më se njerëzor dhe i shpjegueshëm.
Z. Majko, vitin e fundit ka dalë në sipërfaqe edhe një faktor deri më dje i mbetur në forma më të mbuluara në artikulim; nacionalizmi i përcjellë më së shumti si antihelenizëm. Cilat janë shkaqet, sipas jush? A është retorika e përdorur në këtë rast e ndërtuar mbi shqetësime të vërteta apo kemi ekzagjerim?
Në 20 vitet e fundit Shqipërinë e ka lënë për të marrë rrugën e emigrimit rreth një e treta e popullsisë…Një pjesë e tyre lanë atdheun edhe me maraz e duke mallkuar, duke e trajtuar patriotizmin si leckë dhe fenomenin “jam shqiptar” si një nga arsyet e të ndjerit inferior përballë shkëlqimit të botës perëndimore. Vijmë nga një shoqëri që kishte frikë ta shihte veten në pasqyrën e kohës. Politika e viteve ‘90 u tregua një “njerkë” e keqe në balancimin e së kaluarës me atë që po vinte si e ardhme.
Gjithsesi, koha e mediokritetit semplist në trajtimin bardh e zi të vetvetes po vjen drejt fundit. Njohja e vetvetes ka filluar si proces i cili është ende i patrajtuar si fenomen historik. Pyetjes, a duhet të ketë nacionalizëm në Shqipëri? Përgjigja është, po! Globalizimi dhe kërkesa për identitet ecin paralel, ashtu siç ecën vetëdija kolektive në marrëdhënie me individët brenda saj. Në Shqipëri gjërat kanë ecur dhe evoluojnë shpejt.
Sidomos brezi i ri ka kërkesa të natyrave ku identiteti është kërkesë e paplotësuar në ambientin politik shqiptar. Nuk besoj se nacionalizmi shqiptar ka vetëm një përkthim e ky është “antihelenizmi”… Sipas meje, nacionalizmi brenda kufijve të patriotizmit ka një rrugëtim të vetin në historinë e një kombi dhe do ishte fyerje po ta trajtonim si përkufizues të “antihelenizmit”. Ajo çfarë po ndodh realisht është në fakt, një reaksion zinxhir që rrezikon të prekë marrëdhëniet afatmesme Tiranë – Athinë. Arsyeja qëndron tek fakti se qeveria e Tiranës dukshëm po ndjek një linjë marrëdhëniesh të perceptuara nga publiku shqiptar pa dallime politike si inferior dhe të tipit “yes-man”…
Kjo e ka ndarë shoqërinë shqiptare në tri pjesë, sipas meje. Ata që përkrahin qeverinë, e thjeshtojnë duke e trajtuar sipas variantit: “s’kemi ç’bëjmë se grekët na bllokojnë integrimin(!)”… ka edhe skërmitje këtu, padyshim apo edhe justifikime të tipit: “ashtu është loja”… Kaq! Pjesa e dytë e shoqërisë shqiptare është ajo që ka reaguar me nervozizëm dhe me pyetjen: “Çfarë po ndodh!?” dhe për arsye edhe të një tradite mosbesimi fqinjësh ballkanikë, e ka drejtuar gishtin nga “interesat helene”…
Në psikikën shqiptare, një fqinj që të rri kokulur është sa fyese, aq edhe dështake. Në traditën politike shqiptare, politikanët që kanë përdorur terma të ashpër karshi fqinjit jugor janë respektuar në publikun shqiptar. Zogu dhe Hoxha e kuptuan këtë dhe e bënë. Gjithsesi, ka qenë një histori nervash pa rrënjë. Zogu u largua nga territori grek me rastin e pushtimit nga “partnerët” e tij italianë e ndërsa Hoxha, që s’kish lënë shtet pa qëlluar në librat e tij politikë, për Greqinë botoi një libër me titull të çuditshëm për karakterin e tij politik, “Dy popuj miq”…
Unë i përkas palës së tretë të shoqërisë, që e di se miqësia me grekët kalon nga rruga e mosbesimit dhe e të thënit të vërtetave ashtu sic i ndjen. Pse nga mosbesimi?- mund të pyesë dikush. Përgjigja ime është e shkurtër për momentin. Sepse është një marrëdhënie e pasinkronizuar në nivel shtetëror për arsye të një tradite fqinjësorë që fillon nga Versaja, ku jo për faj të grekëve ata u paraqitën me një politikan të aftë si Venizellosi e ndërsa nga shqiptarët bënte “përshesh” një maskara si Esat Pashë Toptani.
Po këtu, mendoni se kjo frymë që përfaqësohet nga Aleanca Kuq e Zi dhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, vjen nga jashtë sistemit të deritanishëm politik, apo kemi më shumë të bëjmë me një shfrytëzim momenti për të imponuar peshën e vet në sistemin politik aktual? Kam parasysh këtu se në intervistën e fundit, z. Spahiu foli për një Lëvizje Popullore…
Nuk ja kam idenë. Zoti Spahiu është një individ në evolucion drejt politikës. Të shohim.
Z. Majko, a është realisht në një moment të bllokuar integrimi i Shqipërisë dhe mendoni se në realitetet e reja rajonale duhet një qasje e re e vendit tonë?
Kam frikë se do t’ju jap përgjigje “fluturake” të mbushur me “duhet”, “sepse”-ra dhe folja në kohën e ardhshme. Por padyshim, diçka mund të përkthej nga “rrokopuja” e krizës aktuale. Integrimi nuk është bllokuar. Harrojeni. Është si t’i thuash nënës që këtë vit fëmija nuk t’u “rrit”…Nuk ka kohë të humbur për një komb. Është një çështje kostosh në kohë që ecën pa ndalim dhe politikanësh që u mungon tradita e një shkolle me heronj, që u bënë të tillë se nuk vranë njëri-tjetrin, por u morën vesh. Qeverisën, por nuk sunduan. Çdo sqarim i mëtejshëm do të donte një natë dimri për t’u thënë.
Një çështje që ka interes publik është edhe kongresi i afërt i PS-së që është paraprirë nga disa thirrje publike në media të disa përfaqësuesve të saj për përjashtimin e dy deputetëve; themeluesit Kastriot Islami dhe Andis Harasanit. Në fakt, duket se kjo nuk përputhet me traditën e PS-së, po të kemi parasysh se as në kongresin e vitit 2003 e më pas nuk u kërkua largimi i Ilir Metës dhe grupit të tij. Jemi para një fryme spastrimi, ndëshkimi statutor apo një thyerje përfundimtare të PS-së me traditën e vet?
Paralelja juaj çalon në përmbajtje. Partia Socialiste në vitin 2003 u nda në rrethanat e të qenit në pushtet. Kishim prodhuar më shumë histori politike seç mund të mbanin “supet” e PS-së. U ndamë. Në fillim me inat dhe pastaj kur inati iku, pamë se ishim në opozitë. Tani gjërat janë ndryshe. Jemi në opozitë. Edhe zihemi… Berisha si zakonisht është aty duke pritur si peshkatar i dobësive të të dhurojë momentin e të të hajë historinë nga vjen, duke të të ofruar një vend në “parkun e jetimëve” që mban pas. Ambasadori Arvizu ka të drejtë kur i thotë “njësh” doktorit. E hidhur për ne të majtët, por e vërtetë… Shpresoj më të mirën e nuk dua që kjo histori të vazhdojë kështu.
Çfarë përfaqëson dukuria “Wikileaks” për politikën shqiptare me të dhënat e veta? Ka një perceptim se publikimet e bëra janë selektive, të zbardhura rastësisht, konform lojërave politike dhe fërkimeve që janë aktuale në politikën e ditës. Mendoni se brenda tyre ka një fill instrumentalizimi?
“Wikileaks” është një operacion antiamerikan në thelb dhe i tillë do të ishte karshi çdo shteti që mund t’i ndodhte një ngjarje e tillë. Të mahnitur nga të vërtetat që shihen dhe kulturës perceptive, një pjesë e medias duhet thënë se ra brenda “kabllomanisë”… Pyetja që shtrohet me naivitet është: “Vërtet nuk i dinit?!” historitë e kabllogrameve apo si edhe dikur në komunizëm e kishit bindur veten se nuk i dinit… Lëre pastaj me aludimet për politikanët që “spiunojnë” tek amerikanët…
Ç’mjerim! Spiunët nuk kanë protokoll, nuk citohen dhe padyshim nuk janë pjesë e dokumenteve të Departamentit te Shtetit… Po hajde ta shpjegosh me qetësi këtë fenomen kur ironikisht në media po dalin edhe arkivat e “kabllogrameve” të ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë gjysmë shekulli më parë. E mirëkuptoj se disave u duket sikur nuk ka shumë dallime midis asaj që ka ndodhur dikur me atë që dëgjojnë dhe lexojnë sot nga “Wikileaks”. Veç kujdes!
Është thjesht perceptim. Në fakt, në historinë tonë, marrëdhënia me Moskën ishte tragjike dhe “përsëritja ‘Wikileaks’”, megjithëse e pavend, duhet marrë ashtu siç është. Ajo, edhe e bazuar mbi një material të vjedhur e segmentar, ndryshe nga dokumentet e “filtruara” të arkivave të Moskës, e tregon një të vërtetë siç edhe ekziston. Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson në historinë e re dhe të vjetër të shtetit shqiptar më shumë se sa miqësitë me politikanët shqiptarë. Ky është një shpjegim shterues, që edhe disa dokumente të vjedhura vërtetojnë qetësisht edhe për mospëlqyesit e proamerikanizmit shqiptar. Sigurisht!







